Mirësitë e Allahut ndaj robërve të Tij

Autor: Ibn Kajim el Xheuzije

Hyrje:-

Allahu të lartësuar i lutemi dhe te Ai i varim shpresat që t’i përgjigjet lutjes sonë për t’ju kënaqur me Kuran, me Sunet dhe me shëndet. Vërtet që lumturia e kësaj bote dhe e Ahiretit, të mirat e tyre dhe triumfi në to, është i ndërtuar mbi këto tri shtylla. Kur ato bashkohet në formë të plotë te një person, atij veç i është plotësuar mirësia e Allahut; në rast të kundërt, ai ka hise në mirësitë e Allahut aq sa ka hise në to.

Mirësia është dy lloj: mirësi e përgjithshme dhe mirësi e kufizuar.

Mirësia e përgjithshme është e lidhur me lumturinë e përjetshme. Ajo është mirësia e Kuranit dhe Sunetit. Është ajo mirësi, të cilën Allahu i lartësuar na urdhëroi t’ia kërkojmë në namazet tona: të na udhëzojë në rrugën e atyre që janë pjesëtarë të saj dhe të atyre që i veçoi me këtë dhe i bëri pjesë të shoqërisë më të zgjedhur. Ai thotë: ‘Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët! Eh sa shokë të mrekullueshëm janë këta!’ (Kurani, 4: 69)

Këta katër lloj (njerëzisht) janë meritorët e dhuntisë së përgjithshme, por dhe pjesëtarët e saj gjithashtu aludohen me fjalët e Allahut të lartësuar: ‘Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.’ (Kurani, 5:3) këtu, fenë ua adresoi atyre, meqë ata janë të veçuar me këtë Fe të dobishme, për dallim nga ymetet e tjera.

Feja me raste i adresohet robit, me raste Zotit. Thuhet: Islami është Feja e Zotit që nuk pranon prej askujt fe tjetër veç saj. Për këtë, në një lutje thuhet: O Allah! Ndihmoje fenë Tënde që ke zbritur nga qielli. Përsosmëria i është atribuuar Fesë, ndërsa plotësimi dhuntisë/mirësisë; duke qenë se iu adresuar Atij, meqë Ai është Zotëruesi që ua la atyre dhe ata janë vendi i pastër që e pranon këtë dhunti. Për këtë, në një lutje të transmetuar për muslimanët thuhet: Bëri ata që duke i pranuar mirësitë të të lavdërojnë/madhërojnë Ty përmes tyre dhe plotësojua ato.

Ndërsa sa i takon Fesë, duke qenë se ata e aplikojnë atë dhe, me ndihmën dhe mbarësinë që u jep Ai veprojnë me të, ua adresoi atyre. Ai tha: ‘Sot jua përsosa fenë tuaj’ Pra, përsosmëria është vënë në anën e Fesë, ndërsa plotësimi në anën e dhuntisë. Këto dy fjalë edhe pse janë të përafërta e simotra, gjatë meditimit del një dallim i hollë midis tyre.

Përsosmëria më veçan ka të bëjë me virtytet dhe cilësitë, por përdoret dhe për të shënuar qenie dhe veta, sidomos kur kemi parasysh vetitë dhe specifikat e tyre, siç thotë Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem): ‘Shumë burra arritën shkallën e përsosmërisë, por prej grave asnjë nuk e arriti këtë shkallë, përveç Merjemes, bijës së Imranit, Asijes, bijës së Muzahimit (gruaja e Faraonit) dhe Hadixhes, bijës ës Huvejlidit.’[1]

Omer bin Abdulazizi thotë: Imani (besimi) përbëhet nga parime, farze, sunete dhe ligje (të tjera). Kushdo që i plotëson (përsos) ato, e ka përsosur Imanin.[2]

Ndërsa plotësimi përdoret për qenie dhe cilësi, ndërsa dhuntitë e Allahut janë qenie, tipare dhe cilësi të mira. Ndërkaq Feja e Tij është sheriati që përbëhet nga ndalesat, urdhëresat dhe gjërat që do Ai. Prandaj, ishte më e qëlluar që përsosmëria t’i adresohej Fesë, ndërsa plotësimi dhuntisë, ashtu siç është më e qëlluar që feja t’u adresohej atyre, ndërsa dhuntia Atij.

Ideja është se kjo dhunti është e përgjithshme dhe është e veçantë vetëm besimtarët. Nëse thuhet: Nuk ka mirësi prej Allahut për kafirin, gjykuar nga kjo pikëpamje, ky pohim është me vend.

Mirësia tjetër: mirësia e kufizuar, si p.sh. mirësia e shëndetit, pasurisë, trupi me shëndet të plotë, dhurimi i pozitës/autoritetit, fëmijët e shumtë, gruaja e mirë, e të tjera si i këto. Këto janë të të përbashkëta midis të devotshmit dhe mëkatarit, besimtarit e jobesimtarit. Nëse thuhet në këtë këndvështrim: Allahu i jep mirësi pabesimtarit (kafirit), është e vërtetë. Prandaj, nuk lejohet pohimi dhe mohimi duke marrë në konsideratë vetëm një këndvështrim, por vetëm duke pasur në konsideratë dy këndvështrime të ndryshme.

Dhe meqë mirësia e kufizuar e shpie kafirin hap pas hapi drejt shkatërrimit dhe e çon në dënim e mjerim, mirësia e kufizuar në rastin e tij, sikur nuk është mirësi por sprovë, siç e quan Allahu i lartësuar në librin e Tij: ‘Për sa i përket njeriut, kur Zoti i tij e sprovon atë, duke e ngritur lart dhe duke i dhënë mirësi, ai thotë: “Zoti im më ka nderuar.” Por, kur e sprovon atë, duke ia ngushtuar mjetet e jetesës, ai thotë: “Zoti im më ka poshtëruar”. Nuk është kështu! Por…’ (Kurani, 89:15-17). D.m.th. nuk është e thënë që secilin që e Nderoj dhe i Jap mirësi në këtë botë, se në të vërtet i kam Dhuruar mirësi, por ato janë sprovë dhe provim për të nga ana Ime. Po ashtu, nuk është e thënë që secilit që ia Kufizoj riskun dhe i Jap aq sa janë nevojat e tij duke mos e Favorizuar, nuk është e thënë pra që e kam Poshtëruar. Unë e Sprovoj robin Tim me mirësi ashtu siç e Sprovoj me fatkeqësi.

Nëse thuhet: Si ka mundësi që domethënia e kësaj të jetë në harmoni dhe të përputhet me fjalët e tij: ‘duke e ngritur lart dhe duke i dhënë mirësi’. Fillimisht i pohoi nderimin, pastaj ia mohoi me fjalët e Tij: “Zoti im më ka nderuar’, dhe: ‘Nuk është kështu!’ d.m.th. ky nuk është nderim nga ana Ime, por është sprovë. Pra sikur në të njëjtën kohë ia ka pohuar nderimin dhe ia ka mohuar.

Themi që nderimi i pohuar, nuk është ai i mohuari, meqë janë prej llojeve të mirësive të përgjithshme dhe të kufizuara. Dhe ky nderim i kufizuar nuk e bën personin meritor të nderimit të përgjithshëm.

Po kështu nëse thuhet që Allahu i dhuroi kafirit mirësi të përgjithshme, porse ai i refuzoi dhe i ndërroi mirësitë e Allahut; ai është në një rang me dikë që i është dhënë pasuri për të jetuar me të, kurse ai e flakë në det, siç thotë Allahu i lartësuar: ‘Vallë, a nuk i sheh ata që dhuntinë e Allahut e kanë ndërruar me mohim dhe e kanë sjellë popullin e tyre në Shtëpinë e shkatërrimit?‘ (Kurani, 14:28); ‘Fisit Themud, Ne ia treguam rrugën e drejtë, por ai parapëlqeu verbërimin e jo rrugën e drejtë, andaj…’ (Kurani, 41:17) Udhëzimi i tyre ishte mirësi e Tij ndaj tyre, veçse ata i ndërruan mirësitë dhe favorizuan ndaj tyre humbjen.

Pra, këtu është dhe pika ndarëse e debatit në këtë çështje: A i jep Allahu mirësi kafririt apo jo? Shumica e debatit mes muslimanëve zhvillohet nga dy pozicione: I pari: ka të bëjë me përdorimin e fjalëve polisemike dhe përgjithësimin e tyre dhe përgjithësimin e tyre, i dyti: ka të bëjë me trajtimin sintetike dhe analitike (të çështjes).[3]

vazhdon…

————————————————————————

[1] Transmeton Buhariu me nr. 3411; Muslimi me nr. 2446.

[2] Ibn ebi Shejbe në ‘Kitab el Iman’ fq. 135. Dhe Albani në referenca e tij ndaj këtij libri e ka vlerësuar të saktë.

[3] Burimi: Ixhtima el Xhujush el Islamije… – përktheu: B. K.

 

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva