Ndikimi i fitnesë së tekfirit në shoqërinë Islame-2

Intervistë me shejh Salih Ibën AbdulAziz Alu Shejh Ministër i “Çështjeve Islame, Vakëfit, davetit dhe udhëzimit”, në Mbretërinë e Arabisë Saudite

(marr nga kanali televiziv El Mexhd el Ilmijje)

El Mexhd: Shejh i nderuar! Në njërën nga ligjëratat tuaja, ku keni folur rreth tekfirit, treguat se marrja e vendimit për tekfirin e një myslimani ka kushte dhe pengesa. Pra, është e njohur dhe pohuar në librat e fikhut që myslimani mund të kalojë prej Islamit në kufr. Mirëpo cilat janë kushtet mbi të cilat Kadiu (gjykatësi), fekihu apo dijetari e bazon vendimit e tij para se të shpall dikë kafir.

Shejhu: Së pari: Është e njohur që realizimi i dispozitave të fesë është i lidhur ngushtë më kushte dhe pengesa. Dijetarët Usulit cekin se prej dispozitave (uad’ijje)[1] janë: shkaku, kushti, pengesa dhe çështje të tjera të cilat merren në konsideratë tek të gjitha dispozitat. Nëse shikojmë taharetin (pastërtinë), gjejmë që abdesi të jetë i saktë duhet t’i plotësoj kushtet e tij. Gjithashtu namazi ka kushtet e tij. Pastaj gjejmë se ka gjëra të cilat e prishin abdesin, poashtu edhe gjëra që e prishin namazin. Pastaj vijnë kushtet haxhit, zekatit, dhe çështjeve të tjera, sa që edhe shitblerjet e ndryshme kanë kushtet e tyre. Edhe vet nikahu (martesa) ka kushtet dhe shtyllat e saj. Atëherë, si qëndron puna me këtë çështje kaq madhore, siç është nxjerrja e një myslimani nga feja e tij? Apo marrja e vendimit për një person që ai nuk është besimtar apo mysliman? S’ka dyshim që kjo çështje duhet të bazohet në parime sheriatike (të ligjësuara).

Pra, nëse për çështjet të cilat nuk shkaktojnë konflikt në mes të njerëzve, sheriati ka vendosur rregulla, kushte dhe pengesa, atëherë si qëndron puna me këtë çështje kaq me rëndësi? Për këtë arsye dijetarët kanë thënë: nuk lejohet dhe nuk është e ligjshme që një person i cili dëshmon: La ilahe il-lAllah Muhammedun Resulullllah të nxirret nga feja, përveç me fakte të cilat për nga qartësia janë të njëjta me faktin përmes të cilit ka hy në Islam. Pra, ai ka hy në Islam më argument të qartë: Esh’hedu en la ilahe il-lAll-llah ue enne Muhammeden Resulull-llah, prandaj nxjerrja e tij prej kësaj dëshmie patjetër që duhet të bazohet në diçka të qartë. Për këtë arsye dijetarët kanë vendosur kushte dhe pengesa, që patjetër duhet të merren parasysh në këto çështje.

Prej kushteve janë:

1) Qëllimisht (me vetëdije të plotë, jo në afekt) ta thotë fjalën (e kufrit), apo ta punoj veprën (e kufrit).

2) Të ketë dituri rreth asaj që thotë (ta din që është duke thënë fjalë të kufrit). Pra, të mos jetë xhahil (injorant), apo të jetoj në ndonjë vend të largët (të humbur) dhe si rrjedhojë nuk i njeh dispozitat. Të mos ketë shubuhate (paqartësi). Pastaj, nëse duhet të merret vendimi ndaj tij, atëherë patjetër duhet që të largohen këto paqartësi. Sepse, ka mundësi që ai t’i bëjë te’uil (keqinterpretojë). Ka mundësi të ketë keqkuptuar, ka mundësi…, mundësi…, mundësi…etj. Prandaj, nëse për një vepër, thënie, apo sjellje të një personi, ekzistojnë këto mundësi, atëherë patjetër duhet që kjo çështje t’i referohet Kadiut (Gjykatësit), i cili pastaj për ta pohuar apo mohuar atë (vepër, thënie apo sjellje) kërkon sqarim prej tij. Apo t’i referohet Myftiut, i cili kërkon sqarim prej tij duke e marr në pyetje.

3) Gjithashtu (prej kushteve), nuk lejohet që dikush të nxirret nga Islami përveç në çështjet rreth të cilave dijetarët kanë ixhma’ (konsensus). Prandaj tekfiri nuk lejohet në çështjet divergjente. Pra, nëse ekziston një çështje rreth së cilës dijetarët kanë kontradikta, disa thonë: kush e vepron apo e thotë atë ka dal prej fesë. Disa të tjerë thonë: nuk ka argument të qartë prej Kuranit dhe Sunnetit që ta përkrah njërin nga [3] dy mendimet. Këtu meseleja bëhet ixhtihadijje.[2] Pra, nuk lejohet tekfiri nëse bazohet në çështje të këtij lloji (ixhtihadijje). Kjo sepse tekfir do të thotë: ta nxjerrësh një mysliman nga feja e tij, kështu që patjetër duhet të bazohet në çështje të qarta rreth të cilave dijetarët kanë konsensus dhe janë unanim.

Dijetarët e davetit (thirrjes) selefijje në përgjithësi, e sidomos ata të cilët parimet e këtij daveti i kanë marrë prej mësimeve të Shejhul Islam Ibën Tejmijjes, Ibnul Kajjimit, imam Muhammed ibën AbdulUehhabit dhe pasuesve të tyre, Allahu i mëshiroftë të gjithë, kanë vërejtur se librat e fikhut janë zgjeruar shumë në përmendjen e dispozitave të riddes. Nëse shikon p.sh. në librat e fukahave hanefij, gjen se kapitulli i cili flet rreth dispozitave të murteddit (renegatit) është i gjatë dhe me detaje të shumta. Ata shkuan deri aty sa konsideruan që ka bërë kufr ai i cili fjalën mus’haf e zvogëlon dhe thotë musajhif (mus’hafth), apo ai i cili e zvogëlon fjalën mesxhid (xhami) duke thënë musejxhid (xhamizë). Gjithashtu, konsideruan që ka bërë kufr ai i cili thotë një fjalë apo bën një vepër, prej të cilës mund të hamendësohet apo kuptohet që ai e po e nënçmon Islamin, apo nuk po e madhëron atë që është obligim të madhërohet në Islam. Të njëjtën e gjejmë edhe te fukahatë e shafive, malikive dhe hanbelive, Allahu i mëshiroft të gjithë. Të gjithë janë stërzgjeruar në kapitujt e fikhut që flasin rreth kësaj çështje.

Imamët e davetit selefij e vërejtën këtë çështje… kurse tash vijnë disa që nuk e njohin realitetin e medhhebeve dhe as realitetin e imamëve të davetit selefij, sidomos atë të Shejhul Islam Ibën Tejmijjes, Muhammed ibën AbdulUehhabit dhe pasuesve të tyre dhe mendojnë që këta (imamët e davetit selefij) janë ata të cilët e zgjeruan rrethin e tekfirit (çështjeve përmes të cilave bëhet tekfir), kurse në realitet këta e kanë ngushtuar këtë rreth. Sepse nëse shikojmë kushtet e tekfirit, gjejmë se Ibën Tejmijje është ai i cili e ka shtjelluar hollësisht çështjen e kushteve dhe pengesave gjatë tekfirit. Sa që ai (Ibën Tejmijje) mohoi tekfirin e atij i cili i keqinterpreton Tekstet. Gjithashtu, mohoi tekfirin e atij i cili vepron një çështje rreth të cilës dijetarët nuk kanë kosensus se a është prej çështjeve të tekfirit apo jo?

Pastaj, më vonë disa kur lexuan që fukahatë kanë thënë: Prej çështjeve që mohojnë besimin është nëse dikush dyshon në kufrin e kafirit, kështu që thanë: nëse unë gjykoj për dikë që ai ka dal prej Islamit (d.m.th. e bën tekfir), atëherë kushdo që dyshon në kufrin e këtij personi është vet kafir. ShejhuIslami Ibën Tejmijje, Ibnul Kajjimi dhe Imamët e Davetit Selefij sqaruan se qëllimi me këtë parim (kush dyshon në kufrin e kafirit del nga feja) të cilin e fukahaja e kanë thënë, është për kafirin të cilin Allahu dhe i Dërguari i Tij (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) me tekst (nga Kurani dhe Sunneti) e kanë konsideruar kafir. Apo për personin i cili ka bërë një vepër rreth së cilës dijetarët kanë konsensus që kush e kryen atë vepër ka bërë kufr. Siç janë çështjet që çdo musliman duhet t’i njoh domosdoshmërish që janë prej fesë Islame, kështu që kushdo që i kundërshton ato del nga mileti Islam. Kurse, nëse vendimi për tekfirin ndaj një personi është si rezultat i ixhtihadit të dikujt (prej dijetarëve), apo dikush e bën tekfir e dikush tjetër jo, personi i këtillë nuk hyn në rregullat e lartpërmendura.

Pra, dijetarët e davetit e kanë ngushtuar rrethin (e tekfirit). Nëse shikon p.sh. në librin e dijetarit të madh Ibën Haxher El Hejthemiut, i cili ishte prej fukahave të njohur shafi dhe Myfti në Mekke, dhe i cili ka shkuar shumë libra të njohura, prej tyre është një libër voluminoz që flet veçanërisht për këtë temë dhe quhet: ‘El I’lam bikauati’i El Islam’ (Njoftim për myslimanët rreth çështjeve që shkëpusin Islamin e tyre). Në këtë libër ai flet rreth çështjeve që nxjerrin myslimanin nga feja e tij, dhe përmend shumë prej çështjeve që mohojnë Islamin. Pastaj erdhën Imamët e Davetit ngushtuan rrethin e tekfirit vetëm në çështjet e njohura (më të rëndësishme), dhe sqaruan se vendimi për tekfir duhet të merret vetëm pasi të plotësohen kushtet dhe të largohen pengesat. Këtë e gjejmë në thëniet e Shejhul Islam Ibën Tejmijjes dhe Shejhul Islam Muhammed ibën AbdulUehhabit. Natyrisht Ibën Haxher El Hejthemiu jetoi në shekullin nëntë-dhjetë Hixhri (d.m.th. pas Ibën Tejmijjes sh.p.), mirëpo dijetarët pas tij (edhe Ibën Tejmijje para tij) sqaruan se kësaj çështjeje patjetër duhet t’i ngushtohet rrethi, dhe nuk i takon çdokujt të merret me të (pra ju takon vetëm dijetarëve që njohin hollësisht këto çështje sh.p.).

Kështu që çështjet të cilat e nxjerrin myslimanin nga feja e tij ekzistojnë në trashëgiminë e fikhut Islamik dhe thëniet e fukahave, ku potencohet që tekfiri mund të ndodhë shkaku i thënieve, veprave, besimeve (të gabuara), dyshimeve dhe shumë çështjeve të tjera. Kur imamët e Davetit Selefi erdhën, vëren këtë (zgjerimin e rrethit të tekfirit), dhe qëllimi parësor i davetit të tyre ishte njësimi i Allahut në adhurim, që lutjet tona, kërkimin e ndihmës, sakrificën tonë dhe të gjitha adhurimet e tjera t’ia drejtojmë vetëm Allahut dhe askujt tjetër pos Tij.

Pastaj, këta dijetarë hasën në të njëjtat çështje (të tekfirit), prandaj nga frika se mos zgjerohej edhe këtu rrethi i tekfirit, e ngushtuan atë. Disa pasues të tyre, në disa prej vendeve Islame edhe këtu tek ne (Arabinë Saudite) në të kaluarën, pasuan këtë rrugë të gabuar (zgjerimin e rrethit të tekfirit), prandaj dijetarët vazhdimisht i kundërpërgjigjen atyre. Për këtë dijetarët e mëdhenj, ata të cilët realizuan diturinë e tyre duke e bazuar në Kuran dhe Sunnet sipas kuptimit të Selefu Es Salih (paraardhësve të mirë prej sahabëve dhe tabi’inëve) nuk e zgjerojnë rrethin e tekfirit, mirëpo e ngushtojnë atë, për arsye se pohimi i tekfirit nuk është çështje e lehtë…

El Mexhd: Sepse mbi këtë vendim, pastaj ndërtohen dispozita të shumta…?

Shejhu: Po pra, kjo është arsyeja. Mbi këto çështje (të tekfirit) ndërtohen dispozita sheriatike ndaj atij që akuzohet me kufr, siç janë: gjykimi ndaj tij (me kufr dhe ndëshkimi i tij), dispozitat që kanë të bëjnë me bashkëshorten e tij (prishja e martesës së tyre) dhe dispozita tjera.

Disa shkuan deri aty sa që ndërtuan dispozita të këtilla sheriatike edhe në çështjet rreth të cilave dijetarët kanë divergjenca (a është kafir a jo). P.sh. çështja rreth lënjes së namazit. Lënësi i namazit siç është e njohur për ne, pavarësisht nëse e lë atë nga përtacia apo neglizhenca, bën kufr, duke u bazuar në hadithin: “…kush e lenë atë (namazin) ka bërë kufr”. Siç e dini kjo është çështje rreth të cilës dijetarët kanë mendime të ndryshme. Dijetarët shafi nuk e konsiderojnë lënien e namazit kufr (në besim), gjithashtu edhe dijetarët tjerë si malikitë, hanefitë dhe të tjerët. Kështu që disa erdhën dhe këtë çështje (tekfirin e lënësit të namazit) e bënë parim, dhe thanë se ai i cili e lenë namazin, menjëherë
nikahu (martesa) i tij prishet (duhet në ndahet nga gruaja tij muslimane)…

El-Mexhd: Fillon të ndërtoj dispozita mbi këtë vendim…?

Shejhu: Ashtu është. Menjëherë fillon të ndërtoj dispozita mbi atë i cili lë namazin. Dhe kjo nuk është e drejtë, sepse dispozitat si rezultat i tekfirit, ndërtohen vetëm mbi ato çështje rreth të cilave dijetarët kanë ixhma’(konsensus që vepruesi i tyre është kafir), apo me vendimin e Kadiut (gjykatësit fetar). Kadiu është ai i cili ndërton këto dispozita, sepse vendimi i Kadiut për tekfirin ndaj dikujt bazohet në një parim, ai është: patjetër duhet të largohen shubuhatet (paqartësitë) nga ai person.

Për këtë arsye, të gjithë fukahatë – edhe fukahatë hanbeli – kur folën rreth lënësit të namazit se kur konsiderohet që ai bënë kufr dhe kur duhet të jepet vendimi për tekfirin e tij, vendosën parime për këto dispozita. Ata thanë: duhet të kërkohet nga ai që të pendohet dhe të filloj faljen e namazit, e nëse ai vazhdon me mosfalje deri sa është afruar përfundimi i kohës së namazit vijues (jo koha e namazit të lënë, atëherë gjykohet për të si lënës i namazit, sh.p.)… pastaj thanë imami (udhëheqësi, kryetari) apo zëvendësi i tij është ai i cili kërkon prej tij të pendohet, dhe kërkon këtë tri ditë radhazi, nëse pendohet ose…(gjykohet për kufrin e tij, sh.p.). Dijetarët e kanë cekur këtë (që duhet të kërkohet prej tij tri ditë radhazi ta filloj namazin) me të vetmin qëllim: që të largohen prej tij keqinterpretimet dhe paqartësitë rreth obligueshmërisë së namazit. Pastaj pas tri ditësh i thuhet ose fillo me namaz ose gjykohesh si kafir dhe mbytesh me shpatë, dhe pas gjithë kësaj, si ka mundësi që ai prapë të zgjedh vdekjen e jo faljen?! Kjo tregon që ai ka diçka në shpirtin e tij kundër namazit, ose e urren atë, ose mohon obligueshmërinë e tij. Ose atij i është sqaruar mirë çështja e namazit, mirëpo tregon mendjemadhësi apo mosbindje ndaj urdhërave të fesë.

Qëllimi im nga gjithë ky shtjellim është ta sqaroj se dijetarët e Davetit Selefij në veçanti, janë ata të cilët shtjelluan në detaje plotësimin e të gjitha kushteve dhe largimin e të gjitha pengesave. Dhe këta (dijetarë) janë ata të cilët sqaruan shumë prej kritereve që duhet të merren parasysh kur lexohen dhe studiohen dispozitat e fukahave (rreth tekfirit).

Kështu që patjetër duhet t’u tërhiqet vëmendja dhe t’u sqarohet se shumë gjëra i vishen davetit të imamit përmisues Muhammed ibën AbdulUehabit, të cilin armiqët e tij e quajnë Daveti Uehabistë. T’ua sqarojmë se ky davet është ai i cili e ngushtoi rrethin e gjerë të çështjeve të tekfirit që ndodhen në librat e fukahave tek të katër medh’hebet, dhe nuk ishin dijetarët e Davetit Selefij ata që e zgjeruan këtë rreth. Përkundrazi ata shikuan vetëm në çështjet rreth të cilave dijetarët e të gjitha medh’hebeve janë unanim (që janë çështje të tekfirit), kurse ato çështje rreth të cilave kanë kontradikta i anashkaluan. Vetë Shejh Muhammed ibën AbdulUehhabi ka një libër që flet rreth këtyre çështjeve (unanime të tekfirit). Po ashtu Shejh Abdull-llah ibën Muhammed ibën AbdulUehhab ka një libërth, dhe gjithë dijetarët e davetit në përgjithësi si Shejhu Islam ibën Tejmijj, Ibën Kajjimi dhe dijetarët e tjerë islam, Allahu i mëshiroft të gjithë, e shtjellojnë këtë çështje në detaje.

Pra, në këtë çështje (tekfir) ka kushte dhe pengesa që patjetër duhet të plotësohen. Kështu që nuk bëhet tekfir vetëm se në çështjet rreth të cilave ka Ixhma’ (konsensus), gjithashtu ai i cili ka te’vil (keqinterpretim dhe keqkuptim të Teksteve) të lejuar[3] nuk bëhet tekfir, edhe pse tjetri e sheh që thënia apo vepra e tij është kufr. Sepse, Havarixhët me gjithë rrugën e tyre aq të devijuar, sa që vranë Uthman ibën Affanin, Ali ibën Ebi Talibin (radijjAll-llahu anhuma) dhe shpikën fitne (vrasjen e muslimanëve) në Ummetin Islam e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite, prapëseprapë dijetarët kanë kontradikta rreth tekfirit të tyre. Aliu (radijjAll-llahu anhu) kur është pyetur rreth tyre (havarixhëve): a janë jobesimtarë? Ai u përgjigj: nga kufri kanë ikur (d.m.th. s’janë). Pra Aliu (radijAll-llahu anhu) e pranoi te’vilin që kishin ata.

Si rezyme e gjithë asaj që thamë më lartë: patjetër duhet që kur merret vendimi për tekfirin e dikujt, të plotësohen këto kushte dhe të largohen të gjitha pengesat. Dhe ky vendim nuk i takon individëve, mirëpo i takon vetëm Kadiut (gjykatësit) apo Myftiut (pra dijetarëve).

El-Mexhd: Sa i përket Davetit të Shejh Muhammed ibën AbdulUehhabit (rahimehullah), përmendët që ai e ka ngushtuar rrethin e tekfirit, edhe pse i kushtonte rëndësi të madhe Teuhidit, cili ishte shkaku i kësaj?

Shejhu: Shkaku është se Shejhu me Teuhid ka pas për qëllim pastrimin e shpirtërave nga adhurimi i dikujt tjetër përveç All-llahut (jo tekfirin e tyre). Për këtë arsye Shejhu në një nga librat e tij, kur është pyetur: A e konsideron kafir atë i cili e adhuron Bedeviun, apo atë i cili kryen adhurimet e tij tek Kubeja e Keuazit, apo këtë apo atë, pra këdo që adhuron dikë tjetër përveç Allahut? U përgjigj: Jo, nuk i bëjmë tekfir ata, për arsye se s’ka kush t’ua tërheq vërejtjen. Mohoi që ai t’i konsideroj ata jobesimtarë. Gjithashtu kur u pyet: A është e vërtetë që ti po i gjykon myslimanët si jobesimtarë? Tha: Subhaneke (I pastër je Ti o All-llah), kjo është shpifje e madhe. Pra, Shejhu dhe nxënësit e tij janë prej dijetarëve të cilët kufijtë e këtij rrethi (të tekfirit) i vendosën vetëm në çështjet rreth të cilave ka Tekst në Sheriat (nga Kurani dhe Sunneti), pra ato çështje për të cilat Allahu dhe i Dërguari i Tij (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) kanë dhënë vendim (që janë prej tekfirit), dhe në çështjet rreth të cilave ka ixhma’(konsensus) të dijetarëve. Kurse kanë anashkaluar çështjet (e tekfirit) rreth të cilave dijetarët kanë kontradikta. Unë po e zgjas temën rreth Davetit të Shejhut (Muhammed ibën AbdulUehhabit) shkaku i shumë akuzave (ta pabaza) që i drejtohen këtij Daveti në lidhje me këtë temë. Kështu që ka çështje edhe më të vogla e që Shejhu nuk bënë tekfir shkaku i tyre.

Siç e gjejmë këtë në një prej librave të tij kur është pyetur rreth tevessulit (kërkimi i afrimit tek Allahu), siç është tevessulipërmes të vdekurve, xhahut (pozitës së robërve të mirë tek Allahu) apo shënjtërisë (së robërve të Allahut) dhe çështje të ngjashme, ai u përgjigj: Unë s’kam folur rreth këtyre çështjeve – në fillim të davetit (thirrjes) së tij – unë kam folur vetëm për ato çështje rreth të cilave dijetarët e myslimanëve kanë konsensus që janë të ndaluara, kurse çështjet rreth të cilave ka divergjenca në mes të dijetarëve (a janë apo jo prej çështjeve të tekfirit) unë s’kam folur rreth tyre.

Kjo tregon fikhun (kuptimin e thellë) e Shejhut (rahimehullah) dhe me këto fjalë ai dëshiron t’u sqarojë njerëzve se nuk duhet që çdo synim të davetit tonë ta shfaqim në çdo kohë dhe çdo vend.Daveti patjetër duhet të radhitet sipas fikhut të prioriteteve, sipas kohës dhe vendit, etj… Pra, edhe nëse çështja është hakk (e vërtetë) në veten e saj s’do të thotë që duhet të thuhet në çdo kohë dhe në çdo vend, patjetër duhet të radhiten gjërat (sipas rëndësisë së tyre). S’ka dyshim që nëse studiojmë dhe njohim mirë Davetin Selefij në përgjithësi, shohim se e ka ngushtuar rrethin e çështjeve të tekfirit që ndodhen në librat e medh’hebeve të fikhut. Mundësia është e hapur për ata që donë të hulumtojnë dhe studiojnë rreth kësaj…, mjafton të lexohet libri “El-i’lam bikauati’i El-Islam” apo kapitulli rreth dispozitave të murteddit (renegatit) në librat e Hanefive, Allahu i mëshiroftë të gjithë, në mënyrë që të kuptohet se a e ka zgjeruar apo ngushtuar Daveti Selefij rrethin e tekfirit.

El-Mexhd: Shpesh dëgjojmë disa të rinj duke thënë: Ju po na thoni mos u angazhoni me tekfir dhe çështejt që kanë të bëjnë me të, kurse prej çështjeve të njohura tek ne është që nuk realizohet Teuhidi vetëm se duke mohuar Tagutin. Prandaj unë për ta realizuar Teuhidin tim, patjetër duhet të mohoj Tagutin dhe t’ua sqaroj të tjerëve kufrin e tij. Si t’i përgjigjemi kësaj Shejh i nderuar?

Shejhu: Këtu së pari duhet të sqarohet çka është Taguti? Ka prej Tagutit që është kuptimor, po shprehemi kështu që t’i përshtatet temës rreth të cilës po flasim, dhe ka prej tij që është qenësor. Tagut është adhurimi i dikujt tjetër përveç Allahut. Allahu teala thotë: “…kush mohon Tagutin dhe beson Allahun është kapur për
lidhjen e fortë e cila nuk këputet kurrë…” (El-Bekare:256). “Kush mohon Tagutin” ky është kupimi i La ilahe (S’ka të adhuruar me të drejtë), “dhe beson Allahun” këtu ka pohim siç është te shehadeti il-lAll-llah (përveç Allahut). Pra ai i cili mohon Tagutin, mohon adhurimin e dikujt tjetër përveç Allahut. D.m.th. nëse dikush na pyet rreth kësaj çështjeje: Çfarë thua rreth adhurimit të idhujve? Çfarë thua rreth adhurimit të putave? Çfarë thua nëse adhurimet i drejtohen dikujt tjetër përveç Allahut si: njerëzve, gurëve, xhinëve dhe të tjerëve? Patjetër duhet të përgjigjemi: Mohoj çdo adhurim që i drejtohet dikujt tjetër përveç Allahut. Ky është mohimi i Tagutit, dhe patjetër duhet ta mohojmë këtë. Ky është Taguti kuptimor, apo çfarë duhet të mohohet (si Tagut) në aspektin kuptimor.

Sa i përket Tagutit i cili mohohet në aspektin qenësor, Imamët e Davetit Selefij kanë sqaruar se Tagutët e këtij lloji janë të shumtë, kurse kokat e tyre janë pesë, prej tyre: Ai i cili thërret të tjerët ta adhurojnë atë. Një person ju thotë njerëzve ejani më adhuroni mua. Gjatë historisë ka pas të këtillë, që i urdhëronin njerëzit ta adhurojnë atë. Gjithashtu, (Tagut është) kush thërret njerëzit të adhurojnë diçka tjetër përveç Allahut (xhel-le ue a’la), duke thënë: adhuroni këtë idhull apo atë put, adhuroni filanin prej njerëzve apo xhinëve, etj…

Prej Tagutëve tjerë që dijetarët i përmendin është: Udhëheqësi (gjykatësi) i padrejtë që i ndryshon ligjet e Allahut (xhel-le ue ala). Nëse dikush i cili bëhet kryetar i një vendi thotë: Patjetër duhet t’i largoj ajetet në Kuran që flasin rreth kamatës. Dëshiron ta ndyshoj ligjin e Allahut? Ose thotë: hadithet që flasin rreth ndalimit të zinasë, apo ajetet që flasin rreth çifutëve, dua t’i anuloj ato. Si? Dëshiron ta nxjerr një Kuran në version të shkurtuar? Ky është ai që i ndryshon ligjet dhe dispozitat e Allahut. Këtu duhet t’i kushtojmë vëmendje shprehjes “ndryshon (ligjet e Allahut)”, qëllimi dhe kuptimi i së cilës është që ai dëshiron të anulojë dhe largojë prej Kuranit një ligj prej ligjeve të Allahut. Kurse ai i cili thotë: unë e di që ky është ligji i Allahut, mirëpo unë dua të punoj me ligje të tjera, ky nuk konsiderohet si ndryshues i ligjeve të Allahut. Veni re! Ai në këtë rast, nuk thotë që dua ta anuloj apo ndryshoj këtë ligj. Pra, ligji ekziston, mirëpo ai ka te’vil (e keqinterpreton), thotë: Koha ka ndryshuar prandaj duhet të punojmë me ligje tjera… gjendja dhe kushtet në të cilat jetojmë kërkojnë që të punojmë me këto ligje… është vështirë në këtë kohë të zbatohen ligjet e Allahut, etj… Ky person pastaj hyn në dispozita tjera, nganjëherë arsyetohet (nuk konsiderohet kafir) e nganjëherë jo, sipas gjendjes së tij.

Me këto fjalë kam për qëllim ta sqaroj se besimi në Allahun dhe mohimi i Tagutit kjo është akide (besim) që ka të bëjë me shpirtin dhe zemrën (me pastrimin e tyre në këtë akide, jo me tekfirin e të tjerëve). Pra, ti duhet të besosh në Allahun, melaiket, Librat, dhe të Dërguarit e Tij, Ditën e Fundit, dhe kaderin (të mirin dhe të keqin). A nuk janë këto shtyllat e besimit? Pra, nëse beson në këto gjashtë shtylla, ti ke realizuar besimin tënd.

T’i kthehemi mohimit të Tagutit, qëllimi është të mohohet çdo gjë që adhurohet në vend të Allahut. Ashtu si te shehadeti La ilahe: s’ka të adhuruar me të drejtë, il-lAll-llah: përveç Allahut (xhel-le ue ala). Të adhuruarit janë të shumtë: ka që adhurojnë Diellin, Hënën, filan zotin, sa që ka prej njerëzve që adhurojnë disa nga engjujt, Pejgamerët, e ndoshta edhe ndokënd prej shehave (udhëheqësve fetar), siç është e njohur nga historia dhe aktualiteti në të cilin jetojmë. Pra, patjetër duhet të mohohet çdo i adhuruar përveç Allahut, dhe çdo adhurim që i kushtohet dikujt tjetër përveç Allahut. Kështu që nëse pyesim dikë që kryen adhurimet e tij: Cili është besimi yt në lidhje me adhurimin e dikujt përveç Allahut? Nëse thotë: Unë besoj që çdo kush mund të adhurojë çfarë të dëshirojë, atëherë ky nuk e ka realizuar besimin e tij në Allahun dhe nuk e ka mohuar Tagutin.

Allahu (xhel-le ue ala) në mënyrë të përsosur e ka sqaruar këtë çështje në Librin e Tij, sidomos kur flet rreth sires (jetës) së Ibrahimit (alejhissalatu uesselam). Allahu subhanehu ue teala në Suren Ez-Zuhruf thotë: “(Kujto) kur Ibrahimi i tha të atit dhe popullit të tij: Në të vërtetë, unë i urrej dhe s’kam të bëjë fare me ata që adhuroni ju në vend të Atij, që më ka krijuar dhe i Cili do të më udhëzoj në rrugën e drejtë. Ai e bëri këtë fjalë (La ilahe il-lAll-llah), të përhershme te pasardhësit e tij, me qëllim që ata të kthehen (vazhdimisht me pendim tek Allahu ose të merrnin mësim)”. (Ez-Zuhruf: 26-28). Pra, kjo çështje (besimi në Allahun dhe mohimi i Tagutit) është e lidhur ngushtë me fjalën e Teuhidit: La ilahe il-lAll-llah.

El-Mexhd: Shejh i nderuar, në shumë raste keni cekur se kur ndodhin kundërshtimet (në mesin e myslimanëve) në ndonjë çështje, duhet të kthehemi dhe gjykohemi tek çështjet dhe fjalët e selefit (gjeneratat e para), para se të ndodhin fitnet (trazirat). Nga ky këndvështrim të rinjt e cekin edhe parimin: El Uela ue El Bera (dashuria dhe urrejtja për hir të Allahut) që është një prej parimeve bazë të kësaj feje. Çfarë mund të na thoni rreth kësaj çështjeje?

Vazhdon…

Përktheu: Lulzim Perçuku

__________________________________________________

[1] Të gjitha dispozitat në Islam ndahen në dy lloje: 1) Teklifije dhe 2) Uad’ije. Teklifije janë: dispozitat që kanë të bëjnë me veprat e mukel-lefinëve (ata mbi të cilët zbatohen ligjet e sheriatit), me të cilat Allahu u drejtohet robërve të Tij (me fjalë), duke kërkuar prej tyre t’i zbatojnë urdhërat e Tij (në mënyrë obligative, farz, apo të preferuar, mustehab) dhe të mos i veprojnë ndalesat e Tij (që janë të ndaluara rreptësisht, haram, apo vetëm të urryera, mekruh). Këtu hyjnë edhe veprat që mukel-lefinët janë të lirë të zgjedhin mes veprimit (s’ka shpërblim për to) apo lënjes së tyre (s’ka ndëshkim për këtë), që njihen edhe si mubah (p.sh. gjumi, ngrënja, pirja etj…). Edhe pse gjërat që janë mubah nëse i vepron me njet të mirë shpërblehet për to (p.sh. han që të forcohet në adhurimet ndaj Allahut). Uad’ije janë: dispozitat që kanë të bëjnë me veprat e mukel-lefinëve, me të cilat Allahu u drejtohet robërve të Tij (me fjalë), mirëpo të cilat sheriati i ka vendosur si shkak, kusht apo ndalesë të dispozitave tjera. Ka raste kur këto dy lloje të dispozitave përmenden brenda një Teksti, siç është fjala e Allahut teala: “Vjedhësit dhe vjedhëses ua pritni duart…” (El Maide: 38). Në këtë ajet është cekur obligueshmëria e prerjës së dorës, dhe kjo është dispozitë teklifije. Kurse shkak për prerjen e dorës e ka bërë vjedhjen dhe kjo është dispozitë uad’ije. sh.p.

[2] Ixhtihad në terminologjinë fetare do të thotë: Kur fekihu, duke u bazuar në argumente të detajizuara, jep çdo gjë që është në mundësinë dhe forcën e tij, për të arritur deri tek një mendim rreth një dispozite të caktuar sheriatike. Kurse qëllimi me “mesele ixhtihadije” është: që dijetarët në atë çështje, duke u bazuar në ixhtihadin e tyre, kanë dhënë mendimet e tyre të ndryshme. Pra, ata rreth asaj çështjeje kanë divergjenca dhe nuk kanë ixhma’ (konsensus), prandaj në këto çështje nuk lejohet tekfiri (nxjerrja e tjetrit nga Islami). sh.p.

[3] Qëllimi me “të lejuar”, nuk është që ky te’vil është i lejuar në fe, mirëpo qëllimi është: që ky te’vil duhet të merret parasysh dhe është pengesë që ta shpallim vepruesin e tij kafir. sh.p.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit