Ndikimi i fitnesë së tekfirit në shoqërinë Islame-5

Intervistë me shejh Salih Ibën AbdulAziz Alu Shejh Ministër i “Çështjeve Islame, Vakëfit, davetit dhe udhëzimit”, në Mbretërinë e Arabisë Saudite.

(marrë nga kanali televiziv El Mexhd el Ilmijje)

El Mexhd: Shejh i nderuar! Në fund, kërkojmë nga ju disa fjalë orientuese (këshilluese) për të rinjtë. Ndonjëri prej tyre thotë: Unë i dua dijetarët, mirëpo kur i lexoj disa libra dhe lexoj gjëra në internet, apo i dëgjoj disa kaseta, menjëherë filloj të ndjej diçka (urrejtje) për dijetarët, pastaj kërkoj prej Allahut (subhanehu ue teala) të më falë. Këtë ma ka thënë një vëlla prej kërkuesve të dijes. Si mundet një i ri ta ruajë veten e tij kur i sheh këto fitne (trazira) si ngjarjet e këtilla (eksplodimet) të mëdha (për nga mëkati)?

Shejhu: Së pari interneti është mjet prej mjeteve të shpikura (në kohën moderne) si shumë mjete tjera, prandaj, është obligim të shfrytëzohet në hajr (të mira). Është obligim mbi ne që këtë mirësi të Allahut (Xhel-le ue Ala) të mos e bëjmë argument kundër nesh. Çdokush që e përdorë për ndonjë gjë (prej mëkateve) do ta bartë peshën e tij, ndërsa çdokush që e përdor për të mira do ta ketë shpërblimin e tij, siç është puna me të gjitha mjetet tjera.

Materialeve që po përhapen në internet ju mungon shumë prej edukatës (mirësjelljeve) së Fesë. Nëse unë shikoj debatet që zhvillohen në internet shoh që ndonjëri e shpreh atë që ka në veten e tij. Mirë, këtu nuk ka asgjë të keqe. Të shprehësh atë që ke brenda vetes, apo t’i kritikosh disa gjëra, apo të komentosh, edhe nëse komenti ka ashpërsi në të. Nuk ka diçka të keqe këtu, nëse shikohet nga kjo pikëpamje. Mirëpo, duhet të edukohesh me edukatë Islame (sheriatike).

Ndonjëri fillon ta kritikojë situatën në të cilën ndodhet (umeti), mirëpo fillon ta sulmojë ndonjë nga dijetarët e myslimanëve, ose i kundërvihet njerëzve në rrethanat në të cilat ndodhen ata, ose iu kundërvihet dijetarëve të tyre, apo shtetit të tyre, apo e etiketon (tjetrin) me cilësitë e kufrit dhe gjëra të ngjashme me këto. Krejt kjo është ‘të hyhet’ në çështje pa dije, kurse Allahu (Xhel-le ue Ala) thotë: “Mos shko pas diçkaje për të cilën nuk ke dijeni. Vërtet, dëgjimi, shikimi dhe zemra, të gjithë këta do të merren në përgjegjësi.” (El Isra: 36). Nëse ai i cili shkruan nuk është i bindur se do ta takojë Allahun (Xhel-le ue Ala), dhe se Ai do ta marr në llogari për atë që shkruan, atëherë kjo është fatkeqësi e madhe. Prandaj, nëse shkruan apo merr pjesë (bashkëvepron) në internet, ai duhet ta dijë se do të merret në llogari dhe ta dijë që kjo nuk është si bisedat e zakonta me kolegët e tij. Ti publikon diçka (në internet), që ta lexojnë mijëra apo qindra mijëra njerëz, apo edhe më shumë. Si qëndron puna nëse ti përhap fjalë se diçka ka ndodhur kurse ajo në realitet s’ka ndodhur, apo ke thënë se filani ka bërë apo atë, kurse ai nuk e ka bërë atë, apo ke dëgjuar fjalë (për një çështje) dhe i ke përhapur ato si të vërteta pa i konfirmuar, dhe pastaj shkaku yt këto çështje barten mes njerëzve si e vërtetë e pakontestueshme?

P.sh. në internet mua më është atribuuar një thënie e ajo është: se Salih Alu Shejhi e ndalon lutjen kundër çifutëve dhe të krishterëve. Zhurmuan e folën shumë rreth kësaj. A ka ndokush prej dijetarëve apo prej atyre që i njohin sado pak dispozitat e sheriatit, e mos të flasim për dikë që i njeh dhe i dinë shumicën e tyre, të thotë që nuk lejohet lutja, në mënyrë të përgjithshme/pakufizuar, kundër çifutëve dhe të krishterëve. Askush nuk e thotë këtë. Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) në fund të jetës së tij thoshte: “Allahu i mallkoftë çifutët dhe të krishterët, të cilët varret e Pejgamberëve të tyre i bënin xhamia”. Mallkimi është dëbim dhe largim nga mëshira e Allahut (Xhel-le ue Ala), dhe kjo është lutje kundër tyre. Kjo çështje më është veshur mua, edhe pse fjalët e mia në këtë temë ishin para shtatë viteve.

Pastaj, dikush i cili nuk i kuptoi fjalët e mia, i transmetoi ato, kështu që u keqinterpretuan, apo edhe u shkrua rreth tyre. Kurse fjalët e mia kishin të bënin me një çështje, dhe pasi që u përmend unë po e shtjelloj atë, pra, ato kishin të bënin me një çështje të kufizuar, dhe ajo është se ne nuk duhet t’i kundërvihemi Urtësisë së Allahut në ekzistimin e jobesimtarëve, dhe ekzistimin e çifutëve dhe të krishterëve, duke u lutur kundër tyre me shkatërrim total, pra, që Allahu t’i çrrënjosë/zhdukë ata. Ne e dimë që çifutët dhe të krishterët do të ekzistojnë deri në fund të kohës (Kiamet). Nëse dikush lutet: O Allah! Shkatërroji/zhduki ata të gjithë, atëherë ai e kundërshton Urtësinë e Allahut (Xhel-le ue Ala) dhe atë që ka lajmëruar në Librin e Tij. Prandaj, kushdo që lutet me diçka që është e pamundur (të realizohet), apo që sheriati (Feja) na ka treguar të kundërtën e saj, apo e dimë që kjo nuk do të ndodhë, atëherë kjo konsiderohet shkelje/teprim në lutje, kështu që është prej shkaqeve të mospranimit të lutjes.

Shejhul Islami Ibën Tejmije në “El Fetava”, e cek, ashtu siç edhe të tjerët pos tij kanë thënë, që prej shkaqeve të shkeljes/teprimit në lutje dhe refuzimit të saj, është të lutemi për diçka, kurse ndërkohë e dimë nga sheriati se ajo nuk mund të realizohet. Pra, ne e dimë që çifutët dhe të krishterët do të ekzistojnë deri në kohën kur të zbret Isai biri i Merjemes. Prandaj, nëse dikush tani (në kohën tonë) lutet kundër tyre apo kundër gjithë jobesimtarëve me shkatërrim total, apo lutet kundër fëmijëve dhe grave të tyre me këtë lutje që tregon shkatërrim dhe çrrënjosje totale, atëherë duhet ta dijë pa dyshim, që kjo nuk është prej sheriatit (Fesë) dhe kjo është shkelje/teprim në lutje në këtë çështje, sepse e kundërshton Urtësinë e Allahut (Xhel-le ue Ala) dhe atë me të cilën na ka lajmëruar në Librin e Tij. Allahu (Subhanehu) thotë: “Në të vërtetë, Isai është shenjë e Orës (së Kiametit), në ardhjen e të cilës mos dyshoni kurrsesi. Pra, ndiqmëni mua, kjo është rruga e drejtë!”(Ez Zuhruf: 61).

Kështu që filluan të keqinterpretojnë çështjen, dhe meseleja shkoi deri aty sa që thanë filani në mënyrë të përgjithshme/pakufizuar nuk e lejon të bëhet lutje kundër çifutëve dhe të krishterëve. Pastaj, erdhën të tjerët dhe (kur lexuan këtë) bënë replika duke sharë dhe ofenduar. Dhe kjo nuk më ka ndodhur vetëm mua, mirëpo edhe shumë prej dijetarëve tjerë, dhe gjithashtu, shumë pushtetarëve. U atribuuan atyre nganjëherë thënie, e nganjëherë vepra të cilat kurrë nuk i vepruan. Është e çuditshme si erdhi deri te kjo shpifje dhe si paskëtaj, u përhap kaq shumë. Gjithashtu, kemi edhe një çështje që ka të bëjë me internetin sa i përket rregullave të debatit.

El Mexhd: Nëse më lejon shejh i nderuar! Sa i përket lutjes me shkatërrim (total), duket se ky ka qenë edhe udhëzimi i selefit (d.m.th. që nuk lejohet), gjithashtu?

Shejhu: Mund të themi përafërsisht ashtu është. Unë nuk di që dikush ka potencuar se në këtë çështje ka ixhma’ (konsensus), mirëpo, parimisht, nuk besoj që rreth kësaj çështjeje të ketë kontradikta (mes dijetarëve). “(O Allah!, luftoji) ata të cilët i luftojnë miqtë e Tu, dhe ndalojnë nga rruga Jote” (hadith), pra këtu (në këtë hadith) kemi lutje të kufizuar (d.m.th. vetëm kundër atyre që i luftojnë miqtë e Allahut), dhe ky duhet të jetë qëllimi yt në lutjet kundër tyre (pra, vetëm këta persona të përfshihen në lutjen tënde).

T’i kthehemi rregullave (edebeve) në internet. Publikimi në internet ka rregulla dhe sjellje (morale), sepse aty zhvillohen debate. Kurse selefi kanë vendosur rregullat e hulumtimit dhe polemikës. Si të hulumtosh rreth filanit dhe t’i kundërpërgjigjesh atij. Kurse sot shohim se njëri e shan filanin, tjetri e ofendon tjetrin. Bile puna ka ardhur deri aty, sa që kanë filluar të flasin për gjëra personale. Flitet për familjen e dikujt dhe shtëpinë e tij. Mirë, nëse dikush has në diçka të tillë, atëherë si ka mundësi të konfirmojë që kjo a është e saktë apo jo? Kurse njerëzit tek ne janë të dhënë/prirur për një gjë, e, ajo është se struktura e shoqërisë arabe në përgjithësi, janë të prirur për dyshime (ndaj tjetrit). Origjina (esenca) te ata, gjithmonë, janë dyshimet. Menjëherë thonë: filani e ka bërë këtë vepër dhe e besojnë (si të vërtetë). Kjo, sepse esenca tek ata është dyshimi. Dhe kjo, nganjëherë, ka lidhje edhe me ambientin fisnor apo atë shkretinor/beduin në të cilin jeton. Apo, rrethanat/kushtet kanë zhvilluar/kultivuar tek njerëzit kujdesin dhe dyshimin në çdo lëvizje/sjellje (të tjetrit).

Kurse kjo nuk është prej fesë (e ligjshme). Esenca te myslimani është selameti (siguria/ndershmëria). Dikush mund ta thotë/shkruajë një fjalë në internet duke e akuzuar filanin, dhe përmend gjëra personale dhe rreth familjes. Këto janë gjëra të këqija. Ose e përdorin internetin për debate të ulëta (dobëta) dhe për sharje e ofendim. Ai i cili është i mençur largohet prej këtyre gjërave, e, mos të flasim për myslimanin i cili ka frikë Allahun (Xhel-le ue Ala) dhe e din që nesër do të merret në llogari nga Ai. “dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë).” (Kaf: 18).

Unë shpresoj që në kanalin “El Mexhd” të mbahet një emision special rreth rregullave të debatit në internet, ku do të merrnin pjesë disa prej nxënësve të dijes apo davetxhinjëve të cilët janë të njohur për interesimin e tyre në këtë fushë. Tëbisedohet se si duhet të debatojmë në internet me qëllim që të përfitojmë sa më shumë nga ky mjet! Cilat janë gjërat që duhet dhe nuk duhet të publikohen! Kujdesi nga mosakuzimi i njerëzve! Të thirret në paanshmëri/korrektësi dhe drejtësi në këto çështje!

El Mexhd: Shejh i nderuar! Allahu ju shpërbleftë që iu përgjigjet thirrjes tonë, me gjithë agjendën tuaj të ngjeshur. Lusim Allahun (Azze ue Xhel-le) që këtë ta vendosë në peshoren e veprave tua të mira!

Shejhu: E falënderoj kanalin El Mexhd që na dha këtë mundësi, dhe shpresojmë për të, nëse Allahu do, përparim të vazhdueshëm. Ky kanal është duke e kryer një mision të rëndësishëm sot.

Gjithashtu edhe juve vëlla Rashid (moderator) ju falënderoj për këto pika të rëndësishme të cilat i përzgjodhët/shfaqët. Shpresoj në Allahun që përmes asaj që thashë t’i hap disa dyer, përndryshe temat rreth këtyre çështjeve janë të shumta, të pranishme dhe të gjera. Kurse unë vetëm i hedha disa fjalë (rreth këtyre çështjeve), në mënyrë që këto fjalë të jenë fjalë mexhlisi (ndeje). Nuk shkova në sqarimin e tyre nga ana e vendosjes së parimeve sheriatike të shtjelluara deri në hollësirat e tyre, në mënyrë që të përshtatet me atë çka emetohet në këto kanale televizive.

Lus Allahun (Xhel-le ue Ala) që të gjithëve t’u jap sukses, e sidomos pushtetarët t’i drejtojë në atë çka është e drejtë dhe e saktë. Të na bëjë neve dhe ata prej atyre që bashkëpunojnë në punë të mira dhe devotshmëri! T’u japë sukses dijetarëve të myslimanëve në përhapjen e Fjalës së Allahut (Xhel-le ue Ala), nësqarimin e së vërtetës, udhëzimin e njerëzve dhe shkollimin e injorantëve! Gjithashtu, lus Allahun (subhanehu) që këtë umet ta udhëzoj, atyre që i bindën Atij t’u japë lavdinë, ndërsa mëkatarët t’i falë dhe udhëzojë! Vërtet, Ai është Bujar, Fisnik!

Fund.

Përktheu: Lulzim Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit