Nëna ime e sëmurë nuk ka gjetur ilaç nëpër spitale dhe për këtë shkoi te një magjistar, i cili i kërkoi të lahet me gjak dhie. A lejohet kjo gjë

Nëna ime e sëmurë nuk ka gjetur ilaç nëpër spitale dhe për këtë shkoi te një magjistar, i cili i kërkoi të lahet me gjak dhie. A lejohet kjo gjë?

Kjo është prej veprave të magjistarëve. Ai sigurisht i ka thënë ta gjejë një dhi të caktuar, me ngjyrë të caktuar, dhe që ta therë në emër të xhindit. Në këtë rast personi (që e bën këtë) bën shirk të madh dhe del nga feja. Kjo është e keqja e shkuarjes te magjistarët, përveç që është e ndaluar. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka treguar se veç të shkohet te magjistarët nuk pranohet namazi 40 ditë. Kjo është e zakonshme te magjistarët, ata i thonë personit: “gjeje një pulë, ose shpend, ose kafshë me ngjyrë të caktuar”, urdhra dhe udhëzime këto të cilët ua japin xhindët/shejtanët, e që pastaj kur ai (person) ta therë, e ther në emër të xhindit dhe i bën shirk Allahut.

Personi duhet të pendohet tek Allahu sinqerisht për këtë, të kthehet te feja e Tij dhe të kërkojë falje tek Ai për t’ia fshirë këtë mëkat, sepse vërtetë është mëkat i madh; ta dijë se shërimi është në Dorën e Allahut dhe se askush nuk ka mundësi ta shërojë nëse Ai nuk do. Pastaj të mundohet ta mësojë teuhidin (njësimin e Allahut në adhurim), të lexojë libra për të ditur se çfarë është teuhidi dhe shirku. Kur njeriu e mëson teuhidin dhe mundohet ta realizojë atë, e mëson shirkun dhe largohet prej tij, kështu arrin të fitojë xhenetin e Allahut.

Duhet marrë shkaqet e ligjshme/lejuara, e jo ato të ndaluarat. Shkaqet e ndaluara janë ato të cilat nuk kanë ardhur në Kuran dhe sunet. Nëse e vepron një shkak i cili nuk ka ardhur në Kuran e sunet, ti ke vepruar shirk, shirk të madh ose të vogël, varësisht prej nijetit ose veprës. Siç thamë, nëse në këtë rast personi ka therur për hir të shejtanit, ka vepruar shirk të madh. E nëse e vepron një shkak që nuk ka bazë në Kuran e sunet, si: një hajmali, gur, syrin e kaltër, atëherë ky është shirk i vogël, sepse nuk ka argument as në Kuran e as në sunet se kjo gjë është shkak që ia largon të keqën. Nëse personi i cili e merr hajmalinë beson se vetë ajo e shëron, atëherë ka vepruar shirk të madh; pra varësisht prej nijetit dhe besimit të tij.

Prej shkaqeve të lejuara janë ato shkaqe për të cilat praktika ka treguar se janë të dobishme. Mirëpo, ku referohemi te praktika? Duhet referuar/drejtuar te specialistët e asaj fushe. Shembull: kur sëmundja është fizike, mjekët e refuzojnë/mohojnë se “një shkak i caktuar nuk bën dobi dhe nuk ka bazë në mjekësi”, kështu që nuk lejohet prakitikimi i atij shkaku, e nëse e praktikon ke bërë haram. Pra, nuk ka bazë as në Kuran e as në sunet dhe as specialistët e asaj fushe nuk thonë se është e dobishme, atëherë nëse e vepron atë shkak ke bërë shirk. Mund të përmendim në këtë rast shërimin me bioenergji. Ky lloj shërimi nuk ka ardhur në Kuran e sunet, ndërsa sa i takon mjekësisë, ajo nuk e pranon bioenergjinë.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit