Nëse harroj të them bismilah para abdesit çfarë të veproj?

Nëse harroj të them bismilah para abdesit çfarë të veproj?

Disa dijetarë thonë: mund të thuash bismilah gjatë abdesit nëse harron të thuash në fillim, sepse Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk ka abdes ai që nuk e përmend Allahun.” E me këtë (kur e thotë gjatë abdesit) ai veçse e ka përmendur Allahun.

Disa dijetarë thonë: nëse merr abdes dhe harron të thotë bismilah në fillim, abdesi është në rregull dhe nuk prishet nga harresa e thënies bismilah.

Disa thonë: fjala “bismilah” është sunet të thuhet para abdesit, e nuk është obligim. Ky është mendimi më i saktë për mua. Edhe nëse harrohet, s’prish punë. Madje edhe nëse qëllimisht nuk thuhet, abdesi është në rregull, ngase rreth hadithit “Ai që nuk e përmend Allahun nuk ka abdes” ka mospajtime se a është i saktë apo jo. Vetë imam Ahmedi që e transmeton, thotë se është i dobët. Disa dijetarë kanë thënë se është hasen/i mirë.

Sidoqoftë, pjesa “nuk ka abdes” nuk ka për qëllim se personi nuk ka fare abdes. Kur në gjuhën arabe thuhet “nuk ka”, për diçka, kjo ka shumë kuptime. Në këtë rast, sipas mendimit më të saktë, nuk ka abdes të plotë sepse e ka lënë pa vepruar një sunet (nëse themi se hadithi është i saktë), e jo se abdesi është i pavlefshëm. Themi se ky është mendimi më i saktë ngase hadithet rreth abdesit që i transmetojnë Uthmani, Aliu dhe sahabë të tjerë, radijAllahu anhuma, kur e përshkruajnë abdesin e të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem, asnjëri nuk e përmend bismilahin në fillim. Sikur të kishte qenë aq i rëndësishëm dhe obligim, atëherë do ta përmendnin. Ky është një argument.

Argument tjetër është se kur e kanë pyetur Pejgamberin salAllahu alejhi se si merret gusël, ka thënë “përfshije trupin tënd me ujë dhe je i pastër”, e nuk ka thënë “thuaj bismilah”. Përderisa bismilahi nuk qenka obligim për një pastrim më të madh sesa abdesi, atëherë nga kjo kuptohet se as për abdesin nuk është obligim.

Andaj, nëse personi harron të thotë “bismilah” në fillim, in shaa Allah abdesin e ka të saktë; ose mund të thotë gjatë abdesit; ose siç thonë disa dijetarë se personi veçse e përmend Allahun kur i thotë lutjet që thuhen pas abdesit. Sidoqoftë, nuk është e nevojshme të përsëritet abdesi.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit