Një hadith madhështor na tregon për vlerën e agjërimit nga disa aspekte

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu ka thënë: “Çdo vepër e birit të Ademit është për të, përveç agjërimit, ngase ai është (e bën sinqerisht) për Mua dhe Unë shpërblej për të.” Agjërimi është mburojë. Kur dikush nga ju është agjërueshëm, të mos flasë fjalë të ulëta e as të bërtasë. Nëse dikush e ofendon apo e godet, le të thotë: “Unë jam agjërueshëm!” Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, era e keqe e gojës së agjëruesit është më e mirë tek Allahu sesa era e miskut. Agjëruesi ka dy gëzime: kur bën iftar gëzohet për çeljen e agjërimit të tij dhe kur ta takojë Zotin e tij gëzohet për agjërimin që ka bërë.” Buhariu dhe Muslimi. Po ashtu thotë: “Çdo vepër e birit të Ademit është për të. Çdo vepër e mirë shumëfishohet dhjetë fish deri në shtatëqind fish. Allahu ka thënë: “Përveç agjërimit, ai është për Mua dhe Unë shpërblej për Të, ngase agjëruesi e lë epshin dhe ushqimin për hir Timin.” Muslimi. Ky hadith madhështor na tregon për vlerën e agjërimit nga disa aspekte:

  1. Allahu e veçon agjërimin në mesin e të gjitha adhurimeve (veprave) të tjera dhe ia atribuon atë Vetes. Kjo tregon për pozitën e lartë të agjërimit tek Allahu. Allahu e do shumë agjërimin, Ai do kur njeriu agjëron, ngase kur ai agjëron e shfaq përkushtimin e sinqertë për Allahun. Agjërimi është sekreti mes njeriut dhe Zotit të tij. Askush nuk mund ta dijë atë. Si kjo? Ndodhë që agjëruesi të jetë në një vend të fshehtë, larg syve të njerëzve, nuk e sheh askush, duke qenë mundësia të hajë e pijë diçka, porse nuk e bën këtë gjë për hir të Allahut, ngase e di se Ai e sheh edhe kur ai është në vetmi, si dhe e di se Allahu ia ka ndaluar konsumimin e tyre, andaj i braktisë ato për hir të Tij, me frikë prej Dënimit të Tij dhe me shpresë në shpërblimin e Tij. Për shkak të këtij sinqeriteti të tij, Allahu e shpërblen aq sa dëshiron Ai (pa kufizim). Për këtë, Allahu e veçoi agjërimin në mesin e adhurimeve të tjera dhe ia atribuoi Vetes, tha: “ﻓﺈﻧﻪ ﱄ – ngase ai është (e bën sinqerisht) për Mua”, ngase këtu njeriu e shfaq tamam sinqeritetin për Allahun (duke qenë larg syve të njerëzve). Andaj në fund të hadithit gjejmë Fjalët e Allahut: “ngase agjëruesi e lë epshin dhe ushqimin për hir Timin.”

Dobia e këtij veçimi të agjërimit prej adhurimeve të tjera shfaqet në Ditën e Gjykimit. Sufjan ibn Ujejne rahimehullah ka thënë: “Në Ditën e Gjykimit Allahu e merr në llogari robin e Tij. Padrejtësitë që ai ua ka bërë të tjerëve[1] ia shlyen duke marrë prej veprave të tij të mira (shpërblimet) dhe ua jep të tjerëve”, siç dhe ka ardhur edhe në hadithe të tjera që e sqarojnë këtë, vazhdon të thotë: “…derisa harxhohen të gjitha veprat e mira të tij dhe mbetet vetëm agjërimi, mirëpo këtu Allahu ia merr përsipër dhe ia fal ato (padrejtësitë e tjera që ka bërë dhe e shpërblen të dëmtuarin nga mirësitë e Tij). Dhe për hir të agjërimit që ka bërë, e fut në xhenet.” Pra, nuk ia merr agjërimin (si kompensim) për t’ia larë mëkatet e padrejtësitë që ka bërë ndaj të tjerëve. Ky është komentimi nga Sufjan ibn Ujejne për këtë hadith, të cilin e përkrahë shejkh Uthejmin rahimehullah.

  1. Allahu shpërblimin e agjërimit ia atribuon Vetes së Tij, thotë: “Unë shpërblej për të”. Çdo vepër të mirë Allahu shpërblen me një numër të caktuar shpërblimesh, dhjetë fish deri në shtatëqind fish dhe më shumë, me një numër të caktuar, aq sa do Ai. Mirëpo, shpërblimin e agjërimit Allahu ia atribuon Vetes së Tij pa marrë parasysh një numër të caktuar. Çfarë mendon për shpërblimin e Fisnikut, më Bujarit (Allahut), të cilin ia atribuon atë Vetes së Tij duke thënë: “Unë shpërblej për të”?! Patjetër se Ai shpërblen pa masë, siç ka ardhur në hadith. Vlera e një gjëje që dhurohet, është në varësi të atij që e dhuron atë. Përderisa shpërblimin e agjërimit e jep Allahu, pa dyshim se ai është shpërblim i madh, pa masë. Në agjërim mblidhen tri llojet e durimit: 1. Durimi ndaj urdhrave të Allahut, agjërimi është urdhër prej Tij dhe ne agjërojmë, 2. Durimi ndaj ndalesave të Allahut, agjërimi ka ndalesa (për qëllim janë mëkatet) që e mangësojnë shpërblimin e agjërimit (nëse veprohen), 3. Durimi ndaj caktimit të Allahut, gjatë agjërimit ka etje, uri, dobësi të trupit etj. Tek agjëruesi arrihet shpërblimi që Allahu e ka premtuar për durimtarët, ngase agjërimi përmbledh të tri llojet e durimit. Allahu thotë: “Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë.” Zumer 10. Dhe Allahu është më Bujari, më Fisniku, shpërblen shumë.
  2. Agjërimi është mburojë. “xhunneh- جُنَّة, që nënkupton: mburojë, pengesë, me të cilën ruhesh prej të këqijave, dhe në këtë rast, agjërimi e ruan njeriun dhe e mbron atë prej mëkateve, fjalëve të kota, të ulëta, prej kotësive në përgjithësi, duke mos rënë në to. Andaj në hadith erdhi: “Kur dikush nga ju është agjërueshëm, të mos flasë fjalë të ulëta e as të bërtasë.” Gjithashtu agjërimi është mburojë nga zjarri i xhehenemit. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Agjërimi është mburojë me të cilën njeriu ruhet dhe mbrohet prej zjarrit të xhehenemit (në Ditën e Gjykimit).” Buhariu dhe të tjerë.
  3. Aroma e keqe e gojës së agjëruesit është më e dashur tek Allahu sesa aroma e miskut. Siç kemi përmendur, kjo për arsye sepse kjo aromë është rezultat apo gjurmë e adhurimit dhe bindjes ndaj Allahut, andaj Ai e do këtë aromë. Kjo tregon për vlerën e lartë të agjërimit, saqë një gjë e cila është e urryer dhe e keqe te njerëzit, aroma e gojës, tek Allahu është më e mirë sesa aroma të cilën më së shumti e duan ata, që është aroma e miskut.
  4. Agjëruesi ka dy gëzime: kur bën iftar dhe kur e takon Zotin e tij. Gëzohet kur bën iftar sepse Allahu ia mundësoi ta kryejë një adhurim, që është prej veprave më të dashura tek Ai. Sa shumë njerëz janë privuar nga kjo vepër e mirë, duke mos pasur udhëzimin për ta kryer atë! Kurse ty Allahu të ka zgjedhur, në mesin e shumicës së njerëzve, duke ta mundësuar për ta kryer atë. Besimtari i gëzohet kësaj gjëje. Shumë prej njerëzve, qoftë nga të afërmit e më tej, nuk kanë mundur ta arrijnë muajin Ramazan, ngase i ka zënë vdekja para se të arrijë ai. Andaj besimtari gëzohet se arriti të kalojë edhe një ditë agjërueshëm. Gjithashtu i gëzohet çeljes së iftarit ngase me çeljen e tij Allahu ia bën të lejuara gjërat, si: ushqimin, pijen, marrëdhënien (intime) me bashkëshorten/in, të cilat i kishte të ndaluara gjatë agjërimit. Ndërsa, gëzimi i agjëruesit kur e takon Zotin e Tij (në botën tjetër) është se ai gjen shpërblimin e madh, që e përmendëm më lartë, të cilin Ai e ka përgatitur për të, të plotë, pa mangësuar, aq sa dëshiron Ai, atëherë kur ai më së shumti ka nevojë për shpërblimin e Tij, pra që ta arrijë atë e të shpëtojë me Mirësinë e Tij nga zjarri i xhehenemit. Në Ditën e Gjykimit, thuhet “Ku janë agjëruesit, që të hyjnë në xhenet përmes derës Rajan, e askush tjetër nuk mund të hyjë përmes saj përveç agjëruesve?” Dera Rajan është derë e veçantë prej dyerve të xhenetit, në të cilën futen vetëm agjëruesit.
  5. Kur dish e ofendon, e shan, apo godet agjëruesin, të mos e kthejë me të njëjtën, njëkohësisht dhe të mos tregohet i dobët në këtë rrethanë duke heshtur, por duhet të tregojë se është agjërueshëm, që do të thotë se ajo gjë që po më pengon të ta kthej në të njëjtën mënyrë (ta marrë të drejtën time) është se jam agjërueshëm dhe unë e respektoj agjërimin tim. Kështu dhe ndërpriten ofendimet, sharjet, lëndimet e armiqësitë mes njerëzve. Thotë Allahu: “Nuk barazohet e mira me të keqen! Të keqen ktheje me të mirë e atëherë armiku yt do të të bëhet menjëherë mik i ngushtë. Ky virtyt u dhurohet vetëm atyre që durojnë dhe vetëm atyre që kanë një fat të madh.” Fussilet 34-35.
  6. Agjërimi do të ndërmjetësojë për agjëruesin në Ditën e Gjykimit. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Agjërimi dhe Kurani do të ndërmjetësojnë për agjëruesin në Ditën e Gjykimit. Agjërimi do të thotë: “O Zoti im, unë e kam penguar atë prej ushqimit dhe epsheve. Andaj më bëj ndërmjetësues për të.” Ndërsa Kurani thotë: “O Zoti im, unë e kam penguar atë nga gjumi i natës. Andaj më bëj ndërmjetës për të!” Atëherë Allahu i bën ndërmjetësues për të.” Imam Ahmedi e të tjerë.

Këto ishin disa prej vlerave të shumta të ardhura në tekste. Mirëpo, ne duhet të dimë se këto vlera të agjërimit nuk arrihen derisa muslimani nuk e kryen agjërimin me rregullat të cilat i ka caktuar Allahu dhe i Dërguari i Tij. Duhet të mundohemi ta përsosim agjërimin tonë, duke agjëruar në kufijtë që ka caktuar Allahu dhe i Dërguari i Tij. Edhe nëse ndodh ndonjë shkelje apo mangësi, të kthehemi me pendim të sinqertë tek Allahu i Lartësuar.

[1] Si: përgojim, bartje të fjalëve, shpifje, marrje e pasurisë padrejtësisht, goditje etj.

 

Ndejat e Ramazanit.
? Hoxhë Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit