Njerëzit me raport me udhëzimin-3

Ibn Kajim el Xheuzije

Lloji i tretë përfshinë ata që e pranuan dhe e besuan haptas atë me të cilën erdhi Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem), porse e përgënjeshtruan dhe e mohuan me brendësinë (zemrat) e tyre.

Këta janë hipokritët (munafikin) për të cilët u dhanë dy shembujt, shembulli i atij që ndez zjarrin dhe shembulli i shtrëngatës. Edhe këta po ashtu janë dy lloj:

I pari: ai që e sheh (të vërtetën) pastaj i ikën shikimi; e kupton atë, por pastaj e injoron; e pranon e, pastaj e refuzon; beson e më pas mohon. Këta janë kokat e hipokritëve, paria dhe udhëheqësit e tyre. Shembulli i tyre i ngjason shembullit të atij që ndez një zjarr, i cili (pasi t’i fiket) mbetet në errësirë.

I dyti: ata që janë shkurtpamës (mendjelehtët); që drita e shkreptimës ua miopë shikimin e, si pasojë e forcës së saj (shkreptimës) dhe brishtësisë së tij, gati sa nuk ua shuan tërësisht shikimin.

Gjëmimi i bubullimës ua shurdhon të dëgjuarit. Dhe nga frika që kanë prej rrufesë, ata i fusin gishtat në veshët e tyre dhe, as nuk i afrohen dëgjimit të Kuranit e as Imanit, madje largohen prej tij. Gjendja e tyre është si ajo e atij që e dëgjon bubullimën dhe, nga frika e madhe që ka prej saj, i fut gishtat në veshët e tij.

Kjo është gjendja e shumë prej atyre që janë shkurtpamës në raport me shumë citate të shpalljes. Nëse i paraqitet diçka që shkon kundër asaj që ka marrë nga të parët dhe bartësit e drejtimit të tij dhe atyre për të cilët ka mendim të mirë, pra nëse vëren se ato që i vijnë e kundërshtojnë atë që ky posedon, ikën nga tekstet (e shpalljes) dhe e urren atë që i lexon ato. Madje, po të kishte mundësi, do t’i mbyllte veshët gjatë dëgjimit. Ai thotë: Mos na prishni rehatin me këto gjëra!

Po të ishte në mundësinë e tij, ata që marrin përsipër këto, i ruajnë, i publikojnë edhe ua mësojnë të tjerëve, do t’i ndëshkonte. Nëse i shfaqet diçka prej tyre që shkon me ato që ai posedon, vepron me to, nuk refuzon. Por nëse i vijnë në kundërshtim me atë që posedon, i terrohet, ngrihet i shastisur dhe s’di ka të shkojë. Dhe kështu, pasimi i verbër dhe mendimi i mirë për prijësit dhe parinë e tij, e bëjnë të ndjekë vetëm fjalët e tyre dhe asgjë tjetër veç tyre. I mjeri thotë: Ata janëmë të informuar dhe më të ditur se unë për këto.

Për Zotin, a nuk është e çuditshme, a nuk janë pasuesit e tij (sunetit), ata që e mbrojnë dhe e përkrahin atë? A nuk janë ata që e vlerësojnë dhe që për shkak të tij i kundërshtojnë opinionet e njerëzve dhe i japin përparësi ndaj atyre që e kundërshtojnë? A nuk janë gjithashtu më të ditur seti dhe se ata që pason ti?!!

Si ka mundësi që kundërshtuesit e tij, të cilët përjashtojnë mundësinë që ai (suneti) të përçojë (dije) të sigurt, që pretendojnë se udhëzimi dhe dija nuk përfitohen prej tij; që ato (hadithet) janë vetëm argumente tekstuale që nuk prodhojnë diçka të sigurt; që me to nuk lejohet të argumentohet qoftë edhe në një mesele të vetme prej meseleve të teuhidit dhe sifateve (atributeve të Allahut); që (hadithet) i quajnë transmetime të sipërfaqshme, ndërsa ato i që i kundërvihen (haditheve) i quajnë argumente të pakontestueshme logjike, pra si ka mundësi që këta të konsiderohen më besnikë dhe prej pasuesve të tyre, ndërsa ata që i mbështesin, i mbrojnë dhe i ruajnë, të konsiderohen armiqtë dhe luftuesit e tij (hadithit).

E pra, ky është ligji i Allahut me njerëzit e humbur: ata e armiqësojnë të vërtetën dhe pasuesit e saj dhe njëkohësisht (pasuesit e së vërtetës) i akuzojnë për armiqësi dhe luftë ndaj saj, si shembulli i rafidave, të cilët vetë i armiqësuan shokët e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem), madje dhe familjen e tij, dhe në anën tjetër, pasuesit e tij dhe të sunetit të tij i akuzuan për armiqësi ndaj tij dhe ndaj familjes së tij ‘edhe pse ata nuk janë kujdestarë të saj?! Kujdestarë të saj janë vetëm ata që i frikësohen Allahut, por shumica e tyre nuk e dinë.’ (Kurani, 8: 34) Ideja është të tregojmë se këta hipokritë (munafikinët) janë dy lloj: prijësit dhe paria, të cilët thërrasin për në zjarr, meqë vetë janë kalitur në hipokrizi; dhe pasuesit e tyre, të cilët janë në pozitë të njëjtë bagëtinë dhe shtazët.

Të parët janë të pafe me dije, ndërsa të dytët imitues të pafe. Këto janë llojet e njerëzve në raport me dijen dhe besimin. Nga ky ligj nuk bën përjashtim, përveç dikush që mund të shfaq kufirin dhe të fsheh besimin, si puna e atij që jeton i shtypur në mesin e pabesimtarëve, të cilit i është qartësuar Islami, porse nuk ka mundur të emigrojë dhe ta kundërshtojë popullin e tij. Ky lloj i njerëzve ka ekzistuar gjatë kohës së Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem) dhe pas vdekjes së tij. Këta janë të ndryshëm nga hipokritët në çdo pikëpamje.

Dhe bazuar në këtë, njerëzit janë: ose besimtarë haptazi dhe fshehurazi (me zemër); ose pabesimtar haptas dhe fshehtas; ose i paraqitur si besimtar e me brendësi (zemër) pabesimtar; ose i paraqitur pabesimtar e me brendi besimtar. Të katër grupet i ka përfshirë realiteti ekzistues, ndërsa Kurani ka sqaruar dispozitat rreth tyre. Ndërsa sa i takon tri grupeve të para, ato janë të qarta dhe i përfshirë fillimi i sures El-Bekare.[1]

________________________________________________________

[1] Burimi: Ixhtima el Xhujush el Islamije… – përktheu: B.K.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit