Njerëzit në raport me udhëzimin-1

Ibn Kajim el Xheuzije

Pastaj Allahu i lartësuar dha një shembull tjetër me ujin. Allahu i lartësuar thotë:

‘Ose si një shtrëngatë nga qielli, e shoqëruar me errësira, bubullimë e shkreptimë, e prej frikës së vdekjes nga rrufeja, ata i fusin gishtat në veshët e tyre, por Allahu i ka gjithnjë në dorë mosbesimtarët.’ (Kurani, 2: 19)

Pra, hisen që ata kanë në dritën dhe jetën me të cilën Allahu i lartësuar e çoi Pejgamberin (salallahu alejhi ue selem), e krahasoi me hisen e dikujt që ndez një zjarr, i cili i fiket në momentet që ka më së shumti nevojë për të. I ikën drita e tij dhe mbetet në errësirat, i hutuar e duke bredhur, pa mundur të gjejë ndonjë shteg dhe pa njohuri për rrugën. Po ashtu, e shëmbëlleu me hisen e atyre që përfitojnë nga shtrëngata, d.m.th. nga shiu që zbret nga lart poshtë. Pra, udhëzimin me të cilin i udhëzoi robërit e Tij e shëmbëlleu me shtrëngatën, sepse ai (udhëzimi) u jep jetë zemrave ashtu sikurse shiu që e gjallëron tokën. Ndërsa hisen që hipokritët përfitojnë nga ky udhëzim, e shëmbëlleu me hisen e atij që nuk përfiton nga kjo shtrëngatë diç tjetër përveç errësirës, bubullimës dhe shkreptimës; dhe që nuk ka ndonjë hise tjetër veç këtyre, prej objektivave të kësaj shtrëngate, siç janë: t’u jap jetë vendbanimeve, njerëzve, pemëve, shtazëve. Dhe vërtet që errësirat, bubullima e shkreptima që vijnë me të, janë të destinuara për diçka tjetër: janë mjeti për ta bërë të përkryer përfitimin nga shtrëngata.

Një injorant, si pasojë e humbjes në injorancë, kufizohet në perceptimin e asaj që e shoqëron shtrëngatën: errësirën, bubullimën e shkreptimën, dhe gjërave të tjera që vijnë si pasojë e tyre, si p.sh. i ftohti i madh, anulimin e udhëtimit nga udhëtari, pengimin e ndërtuesit nga puna; ai s’posedon mençuri që depërton deri atje ku arrin objektivi i kësaj shtrëngate: te jeta dhe dobia e përgjithshme që sjell ajo.

Kjo është gjendja e secilit që është shkurtpamës e mendjecekët, që shikimi i çështjes nga ana e tij, nuk kalon përtej të keqes së dukshme; d.m.th. nuk arrin te çdo gjë e pëlqyeshme që mund të ndodhet përtej saj. Kjo është gjendja e shumicës së njerëzve, përveç atyre që kanë gjykim të shëndoshë.

Dikush që ka gjykim të cekët, kur shikon se çfarë lodhjesh, vështirësish, ekspozimi që i bëhet vdekjes, plagët e rënda, mallkimet e mallkuesve, armiqësitë për atë që u frikësohet (armiqve), përjetohen në xhihad, nuk niset për xhihad, meqë nuk është dëshmitar i përfundimeve të lavdëruar që sjell ai dhe nuk ka dije për objektivat e tij, për të cilët garojnë garuesit dhe përpiqen ata që përpiqen.

Kur dikush vendos të udhëtojë për të kryer haxhin tek Shtëpia e Shenjtë, duke pasur në mendje vetëm vështirësitë e udhëtimit, ndarjen nga familja dhe vendi, peripecitë e mëdha (të udhëtimit) dhe shkëputjen nga gjërat me të cilat është ambientuar, dhe që shikimi dhe gjykimi i tij nuk arrin ta kapërcej fundin e këtij udhëtimi, dhe nuk arrin të kuptojë dobitë me të cilat kthehet dhe përfundon, vërtet që ai nuk del dhe nuk mund të vendos të shkojë.

Gjendja e këtyre është ajo e atyre që kanë gjykim të cektë e iman të dobët, të cilët, premtimet, kërcënimet, paralajmërimet, ndalesat e urdhëresat që shohin në Kuran, i konsiderojnë të vështira për shpirtrat, të cilat i ndajnë shpirtrat (nga marrja e ushqimit) prej gjirit të gjërave me të cilat janë ambientuar dhe dëshirave. Dhe ndarja e fëmijës nga gjiri është prej gjërave të vështira dhe më të rënda. Të gjithë njerëzit kanë mendje fëmije, përveç atyre që kanë arritur pjekurin e burrave të mençur e mendjehollë, të cilët e kanë kapur të vërtetën edhe si dije, edhe si vepër dhe si njohje. Ky është ai që shikon mbrapa shtrëngatës dhe e di që ato që e përcjellin atë, si bubullima, shkreptima, rrufeja, janë jeta e ekzistencës.

Ez-Zemahsheriu thotë: ‘Dikush mund të pohojë se Allahu i lartësuar e shëmbëlleu Fenë Islame me shtrëngatën, për shkak se ajo (Feja Islame) i ngjallë zemrat ashtu sikurse toka që gjallërohet nga shiu. Dyshimet e pabesimtarëve që kanë të bëjnë me të (Fenë Islame) i krahasoi me errësirat. Premtimet e paralajmërimet, i krahasoi bubullimën e shkreptimën. Trishtimet, fatkeqësitë e fitnet që u vijnë pabesimtarëve nga pjesëtarët e Islamit, i krahasoi me rrufenë, dhe kuptimi është: ose si shembulli i disave që janë goditur nga shtrëngata. D.m.th. si shembulli i një populli të cilit i erdhi e keqja nga qielli në këtë mënyrë dhe pësuan prej saj atë që pësuan.’

Thotë (Ez-Zemahsheriu): ‘Por, e vërteta (në këtë çështje) që përfaqësohet nga dijetarët e tefsirit dhe nga e cila nuk luajnë, është se të dyja krahasimet janë prej krahasimeve të kombinuara, jo të ndara (të thjeshta), që nuk stërmundohen që secilit prej shembujve t’i gjejnë një krahasim. Ky mendim i fuqishëm dhe kjo rrugë madhështore sqarohet me faktin se arabët, i marrin gjërat të ndara, (d.m.th.) të veçuara disa nga disa të tjera. Nuk e marrin (p.sh.) këtë që nuk është koherente me tjetrën, që pastaj t’i krahasojnë me të ngjashme… siç është përmendur në Kuran, ku është përqasur mënyra e përfitimit të një rezultati nga një shumësi gjërash, të cilat janë bashkuar dhe afruar aq sa janë kthyer në diçka të vetme, me një shumësi tjetër të njëjtë, si p.sh. në fjalët e Allahut të lartësuar: ‘Shembulli i atyre, që iu besua Teurati, por pastaj nuk e zbatuan atë, i shëmbëllen gomarit, që vetëm sa i mbart librat.’ (Kurani, 62: 5) Këtu, qëllimi është të krahasohet gjendja e çifutëve sa i takon injorancës së tyre, të cilët posedojnë Teuratin me ajetet e tij të qarta, me gjendjen e gomarit sa i takon dijes së tij për librat e urtësisë që bartë. Për të është njëjtë nëse bartë libra urtësie, apo bartë ndonjë barrë tjetër. Ai nuk bën ndonjë dallim përveç këputjes dhe lodhjes që ndien shpina tij në të dyja rastet. Apo si p.sh. fjalët e Tij: ‘Jepu atyre shembullin e jetës së kësaj bote: ajo është si uji që Ne e lëshojmë nga qielli; bimësia në tokë përzihet me të, por pastaj bëhet si bar i thatë të cilin e shpërndan era.’ (Kurani, 18: 45) Pra, është për qëllim të tregohet se qëndrimi i shkurtër i bukurive të kësaj bote, është sa qëndrimi (shkurtër) i pakët i këtij gjelbërimi (bimësie). Por, të synohet përqasja e pjesëve unike me njëra-tjetrën, pa qenë të lidhura/të varura njëra pjesë me tjetrën dhe duke u kthyer ato në diçka të vetme, kjo është e pa pranuar.

Po kështu, kur u përshkrua rënia e hipokritëve në humbje, hutimi dhe rruga pa krye në të cilën vërdallen dhe vështirësia në të cilën ndodhen, u përqasen me atë që pëson ai të cilit i fiket zjarri në terrin e natës pasi e kishte ndezur. Po ashtu u përqasen me atë të cilit i vjen e keqja nga qielli në një natë të errët me bubullimë, shkreptimë dhe frikë nga rrufeja…’

Zemahsheriu thotë: ‘Nëse thua: cili nga dy shembujt është më i qëlluar (më i fuqishëm), them që i dyti, meqë ai e përshkruan më fuqishëm hutinë e madhe të tyre, gjendjen e vështirë dhe tmerrin në të cilën ndodhën. Për këtë arsye është lënë të përmendet pas të parit, sepse në të tilla raste, ata gradualisht kalojnë nga një më pak i fuqishëm te një tjetër më i fuqishëm.’

Them: mësuesi im (Ibn Tejmije) thotë: Njerëzit, në raport me udhëzimin me të cilin Allahu i lartësuar e çoi Pejgamberin (salallahu alejhi ue selem) ndahen në katër grupe, të cilët i përfshijnë këto ajete nga fillimi i sures deri këtu.

I pari: Ata që e pranuan (udhëzimin) haptazi dhe fshehurazi.

Këta janë dy lloj: në njërin bëjnë pjesë dijetarët e sheriatit, që kanë dije (të kuptuar) të thellë dhe i mësojnë të tjerët. Këta janë ata imam të cilët me ndihmën e Allahut e kuptuan Librin e Tij dhe synimet e tij dhe këtë ia përcollën ymetit. Prej tij nxorën urtësitë dhe thesaret e tij. Këta janë si një tokë e mirë, e cila e pranoi ujin dhe dha kullosat (ushqimin) dhe rriti bimësi të shumtë. Prej saj ushqehen njerëzit dhe ushqejnë bagëtinë e tyre. Prej prodhimeve të saj ata marrin ushqimin, ilaçet dhe të gjitha ato që shërbejnë për mirëqenien e tyre.

Në të dytin bëjnë pjesë ata që e ruajtën atë (Librin), e ruajtën tekstin e tij dhe ia përcollën ymetit. Ata ua ruajtën tekstin, porse nuk janë prej dijetarëve të mëdhenj, të cilën nxjerrin dobi/dispozita prej tij dhe njohin objektivat e sheriatit. Këta janë ruajtës të mirë të tekstit dhe përcjellës të mirë të asaj që mësuan.

Pra, këta të llojit të parë kanë të kuptuar të thellë, e njohin sheriatin, dinë të nxjerrin mësime prej tij dhe të hulumtojnë visaret e thesaret e tij. Ndërsa këta të llojit të dytë janë si shembulli i një toke që e ruan ujin për njerëzit (por që nuk jep bimësi). Ata mund të pinë prej këtij uji, t’i japin bagëtisë dhe të ujisin të mbjellat.[1]

Vazhdon…
___________________________________________

1 Burimi: Ixhtima el Xhujush el Islamije… – përktheu: B. K.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit