Njeriu është i lirë të veprojë

 

• Allahu, çdo njeriu për të cilin ka caktuar që të dënohet në zjarr, ia ka bërë të qartë të vërtetën. Atij i është bërë e qartë e vërteta, e ka parë me sy atë dhe pas kësaj e ka mohuar dhe refuzuar, e atëherë Allahu e dënon. Allahu e ka lënë njeriun të lirë të zgjedhë mes së vërtetës dhe të pavërtetës, mes së mirës dhe të keqes. Kjo liri ka kosto pas. Nuk mund të thuash “veproj çfarë të dëshiroj”, e nga ana tjetër veprat e tua të mos kenë pasoja dhe përgjegjësi. Duke qenë i lirë, Allahu të ka ndihmuar të kuptosh të vërtetën përmes mendjes, fakteve, zbritjes së Pejhgamberëve dhe Librave, sqarimit të së vërtetës, të ka lënë të lirë të veprosh; dhe ti nëse zgjedh rrugën e gabuar, atëherë ti do të ballafaqohesh me pasojat e veprave tua. Për këtë, Allahu na ka krijuar, mirëpo na ka lënë të lirë të veprojmë dhe të zgjedhim atë që dëshirojmë. Allahu nuk ua “shurdhon” veshët atyre që e pranojnë të vërtetën. Nuk ua “verbon” shikimet atyre që e dëshirojnë të vërtetën. Kjo është për ata që i kanë parë faktet e argumentet e megjithatë kanë mohuar dhe refuzuar. Nuk i dënon në këtë mënyrë ata që nuk u ka ardhur e vërteta. Porse, i ndëshkon në këtë mënyrë ata të cilët e kanë parë të vërtetën dhe e kanë refuzuar atë. Allahu është i drejti absolut, nuk i bën padrejtësi askujt. Ai nuk i bën padrejtësi askujt duke e devijuar e pastaj ta dënojë që e ka devijuar. Përkundrazi, Allahu e dënon njeriun ngaqë ai vetë ka zgjedhur humbjen dhe devijimin, e jo se Ai e ka devijuar. Kjo botë është botë e provimit, jo botë ku arrihet jeta ideale, sepse jeta ideale arrihet në botën tjetër (për besimtarët). Në këtë botë gjithmonë do të jesh në provim. Njerëzit në origjinë janë në provim se a po e pasojnë të vërtetën apo jo. Kurse në anën tjetër, i ka lënë të lirë të zgjedhin. Ndërsa, ata të cilëve nuk u ka ardhur e vërteta gjatë jetës në këtë botë apo atyre që u ka ardhur e vërteta në formë të shtrembëruar (e jo saktë siç është), Ai nuk i dënon menjëherë, por i sprovon në jetën tjetër, e nëse e kalojnë provimin hyjnë në xhenet. Allahu nuk i bën padrejtësi askujt.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit