Njohja e fesë së Allahut

 

Njeriu duhet ta njohë fenë me të cilën është ngarkuar ta adhurojë Allahun e të veprojë/punojë, gjithashtu duhet të njohë urtësitë, mëshirën dhe dobitë që përfshin ajo. Nëse njeh urtësitë e dobitë që dalin nga ligjet dhe dispozitat të fesë dhe se ato janë mëshirë për njerëzit, atëherë ai e ka njohur fenë e Allahut.  Kjo fe gjithashtu largon gjërat të cilat e dëmtojnë njeriun. Andaj, ai i cili mediton rreth Islamit- fesë së Allahut, me meditim siç duhet dhe duke u bazuar në Kuran e sunet, atëherë do ta kuptojë se kjo fe është feja e vërtetë dhe se njerëzimi nuk ka mundësi të bëjë një jetë (deri diku) ideale përveçse duke e zbatuar dhe praktikuar këtë fe; kjo sepse jeta ideale është në xhenet, kurse në këtë dunja mund të themi se arrihet një jetë ideale deri diku sa i përket natyrës së kësaj dunjaje.

Njeriu nuk duhet të krahasojë mes Islamit të vërtetë, të zbritur në Kuran e sunet, dhe veprimit të muslimanëve sot, sepse shohim se ata janë neglizhentë në obligimet ndaj Allahut, kanë lënë pas dore shumë mësime të Islamit dhe kanë filluar të bëjnë shumë gjëra të cilat i ka ndaluar Islami.

Islami përfshin të gjitha dobitë të cilat i kanë përshirë fetë e tjera më herët të zbritura nga Allahu te Pejgamberët e Tij. Mirëpo, Islami dallon prej tyre. Feja Islame dallon prej feve të mëhershme, sepse ligjet e saj janë të vlefshme dhe të përshtatshme për çdo kohë, çdo vend dhe çdo popull të botës, deri në ditën e Kiametit, ndërsa ligjet e mëhershme nuk kanë qenë të tilla, ose kanë qenë të veçanta për një kohë, ose për një vend, ose për një popull. Çdo gjendje e re apo çdo rast i ri, me të cilin ballafaqohen njerëzit, përgjigjen e ka në Islam. Feja Islame urdhëron për çdo vepër të mirë dhe largon nga çdo e keqe, urdhëron për çdo moral të virtytshëm dhe ndalon nga çdo moral i ulët.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Tri parimet.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit