Nuk lejohet agjërimi i ditës së dyshimtë edhe nëse qielli është i vranët

Fetauat e Bin Bazit (Allahu e mëshiroftë)

Pyetje: Nëse në qiell ka re apo pluhur (të madh) a është obligim apo e ligjësuar agjërimi i ditës së dyshimtë, si më e sigurt pasi që ka mundësi se muaji (i Ramazanit) ka hyrë?

Përgjigje: Nuk lejohet agjërimi i ditës së dyshimtë edhe nëse qielli është i vranët. Ky është mendimi i saktë; sepse Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Agjëroni kur ta shihni hënën e re (të Ramazanit) dhe hani (prisheni agjërimin) me shikimin e saj (të muajit Sheval), e nëse ka re në qiell atëherë plotësoni ditët e Shabanit dhe llogariteni tridhjetë ditë.”

Gjithashtu, thotë:

“Mos i paraprini Ramazanit me agjërimi e një apo dy ditëve, përveç nëse ndokush e ka agjëruar (më herët) ditë të caktuara (prej sunetit) atëherë le ta vazhdojë agjërimin.”

Ndërsa, sa i përket transmetimit se Ibën Umeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, e agjëronte ditën e tridhjetë (të Shabanit) nëse kishte re në qiell, ky ishte ixhtihad (mendim) i tij, dhe mendimi i saktë është e kundërta, pra, që duhet të mosagjërohet. Ibën Umeri bëri ixhtihad në këtë vend (mesele), mirëpo ixhtihadi i tij e kundërshton sunetin, Allahu ia faltë. Mendimi i saktë është se myslimanët e kanë obligim, nëse nuk e shohin hënën e re dhe ka re në qiell, të hanë (mosagjërojnë) ditën e tridhjetë (të Shabanit).

Nuk lejohet agjërimi derisa të vërtetohet shikimi i hënës së re ose njerëzit duhet t’i plotësojnë ditët e Shabanit tridhjetë ditë. Ky është obligimi mbi myslimanët, dhe nuk lejohet të kundërshtohet teksti (prej Kuranit dhe Sunetit) shkaku i fjalës së ndokujt prej njerëzve (kushdo qoftë ai), edhe nëse është Ibën Umeri apo dikush tjetër. Kjo, sepse tekstit i jepet përparësi para të gjithëve. Allahu i Patëmeta thotë:

“Atë që ua jep (urdhëron) i Dërguari merreni, ndërsa nga ajo që ua ndalon, ndalohuni”,

dhe thotë:

“Te kenë kujdes ata që e kundërshtojnë urdhrin e tij (Pejgamberit) të mos i godasë ndonjë fitne (shirk, kufr, nifak) ose ndonjë ndëshkim i dhimbshëm”.

Vëllimi nr. 15, faqe nr. 409.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit