Objektivat e Sheriatit Islamik në ruajtjen e interesit të nderit dhe mjetet e tij në luftimin e thashethëmeve -2

Dr. Sa’d bin Nasir Shithri

Veprimet e njerëzve në thashethëme

1. Nxitja e thashethëmeve

2. Përhapja e thashethëmeve

3. Besimi në thashethëme

Nxitja e thashethëmeve

Sheriati i Islamik i ka luftuar thashethëmet në shumë mënyra, ndër to: me anë të luftimit të gënjeshtrës, sepse thashethëmet së pari burojnë nga njerëz që trillojnë fjalë, të cilat konsiderohen të ndaluara në sheriat, me ç’rast hasim në një numër të madh tekstesh të cilat flasin qartë për ndalimin e gënjeshtrës. Allahu thotë: “O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni me ata që janë të sinqertë (në fjalë dhe në vepra)!” (Et Teube: 119).

Ndërsa Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) thotë: “Sinqeriteti në fjalë dhe vepra shpie në punë të mira ndërsa punët e mira shpiejnë në xhenet. Njeriu vazhdon të flasë drejtë derisa të bëhet njeri shumë i sinqertë. Kurse gënjeshtra shpie në shthurje, e shthurja shpie në zjarr. Njeriu vazhdon të gënjejë derisa te Allahu të shkruhet si gënjeshtar i madh.” Kurse në një hadith tjetër qëndron: “Sinqeriteti është qetësim, ndërsa gënjeshtra është dyshim”.

Ndër shenjat e mynafikut është se kur flet gënjen. Përderisa gënjeshtra është e ndaluar në përgjithësi, atëherë personi që gënjen meriton ndëshkimin nga Allahu, ndërsa gënjeshtrat që përhapen në mesin e njerëzve kanë mëkatin më të madh, sepse Pejgamberi (salalahu alejhi ve selem) përmend duke thënë: “Kam parë në ëndërr se së bashku me dy melaike kaloja pranë një njeriu të shtrirë në shpinë, sipër tij qëndronte një njeri me një grep hekuri në dorë me të cilin ia shqyente gojën deri tek qafa, syrin deri tek qafa, e kështu veproi edhe me pjesën tjetër të fytyrës. Kur përfundonte me njërën pjesë, atëherë pjesa tjetër kthehej prapë në vendin e vet”. Atëherë thashë: “Subhan Allah, çështë kjo?” Melaiket m’u përgjigjën: “Njeriut të cilit i shqyhej goja deri tek qafa ishte një njeri që kur dilte nga shtëpia gënjente dhe ajo përhapej në të katër anët”[1].

Ndërsa kur në kohën e Pejgamberit (salallahu alejhi ve selem) iu shpif një gruaje të ndershme dhe të pastër, Allahu i qortoi ashpër ata të cilët e nxitën këtë thashethëme, ku Ai tha: “Me të vërtetë, ata që shpifën, janë një grup prej jush. Mos e quani atë si të keqe për ju. Përkundrazi, kjo është mirë për ju. Çdonjëri prej tyre do të dënohet për atë që ka bërë, kurse atë që ka shpifur më shumë, e pret një dënim i madh”.

Për këtë, njeriu duhet të ketë kujdes që mos të flasë fjalë e cila bëhet shkak për nxitjen e thashethëmes, sepse është transmetuar në hadith: “Njeriu flet një fjalë që nuk e ka të qartë çfar mbartë ajo, por për shkak të saj ai hudhet thell në zjarr sa është largësia mes lindjes dhe perëndimit”[2].

Përhapja e thashethëmeve

Sheriati e ka luftuar përhapjen e thashethëmeve duke ndaluar që të barten fjalët të pakonfirmuara. Për këtë është transmetuar në hadith: “Njeriut i mjafton si gënjeshtër që ai të flet çdo gjë që ka dëgjuar”[3], kurse në një hadith tjetër Pejgamberi thotë: “Ai i cili flet për mua një fjalë që duket se është gënjeshtër, atëherë ai është njëri nga gënjeshtarët”[4].

Sheriati e ka lejuar të fliten fjalë të lejuara, por ai ka inkurajuar që të fliten vetëm ato fjalë që sjellin dobi, siq thotë Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem): “Ai që beson në Allahun dhe ditën e gjykimit, le të fletë mirë ose le të heshtë”[5]. E tëra kjo është cekur për shkak se njeriut do t’i llogaritet çdo fjalë që e flet, siq thotë Allahu: “Dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë)” (Kaf: 18).

Me përhapjen e thashethëmeve bëhet shfaqja e gjërave të ndyra; sepse kur njeriu dëgjon shpesh se njerëzit veprojnë punë të ndyra, atëherë në zemrën e këtij personi pakësohet urrejtja dhe qortimi i këtyre veprave, saqë edhe ai mund të përfundoj në to. Për këtë, përhapjen e thashethëmeve Allahu e ka konsideruar të jetë e njëjtë me përhapjen e amoralitetit, ku Ai thotë: “Ata që duan të përhapen shpifjet e turpshme (ose imoraliteti) ndër besimtarët, i pret një dënim i dhembshëm në këtë botë dhe në tjetrën” (Nur: 19).

Lidhur me këtë ajet, Ibën Kethiri thotë: “Ky kërcënim nga Allahu është mësim për ata që dëgjojnë fjalë të këqia, që mos t’i flasin ato dhe të mos i përhapin, sepse Allahu thotë: “Ata që duan të përhapen shpifjet e turpshme (ose imoraliteti) ndër besimtarët”, dmth ata kanë zgjedhur përhapjen e fjalëve dhe veprave të ndyra.

Ndërsa në rastin e shpifjes ndaj Aishes (radij Allahu anha), allahu i qortoi ata të cilët e përhapën atë shpifje të ndyrë, ku thotë: “Sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, në këtë botë dhe në tjetrën, me siguri do t’ju godiste dënim i madh për atë që bëtë. Ju përcillnit me gjuhët tuaja dhe flisnit me gojët tuaja diçka, për të cilën nuk kishit dijeni. Ju këtë e merrnit për gjë të lehtë, por para Allahut kjo ishte një shkelje e madhe. Përse kur e dëgjuat përgojimin, nuk thatë: “Nuk ka hije për ne të flasim për këtë. Ti qofsh lavdëruar (o Zot)! Kjo është shpifje e madhe!” Allahu ju paralajmëron, që të mos përsëritni kurrë më diçka të ngjashme, nëse jeni besimtarë. Allahu ju shpjegon shpalljet; se Allahu është i Urtë, i Gjithëdijshëm.” (Nur: 14-18).

Seid ibën Xhubejri thotë: “Ky ajet është mësim për të gjithë muslimanët në rast se në mesin e tyre ndodhë ndonjë mëkat, sepse kush e përkrahë atë mëkat duke e vepruar, duke folur apo duke i pëlqyer apo duke u pajtuar me të, atëherë ai është pjesmarrës në atë mëkat për aq sa ka vepruar në të”.

Besimi në thashethëme

Sheriati Islamik ka marrë një numër masash për të kufizuar besimin në thashethëmet, ndër to janë:

1. Ka qortuar ata që nxitojnë për të besuar në thashethëme, ku Allahu thotë: “Sikur të kishin dalë së bashku me ju në luftë, ata do t’ju shtonin juve vetëm të keqe, do të shtinin ngatërresa midis jush dhe do të ngjallnin përçarje, sepse edhe ndër ju ka nga ata që ua vënë veshin fjalëve të tyre. Por Allahu i njeh mirë keqbërësit” (Teube: 47).

2. Në rastin e shpifjes ndaj Aishes (radij Allahu anha), Allahu i qortoi disa besimtarë, sepse ata i kishin besuar asaj shpifjeje, prandaj Allahu tha: “Kur e dëgjuat këtë përgojim, përse besimtarët dhe besimtaret nuk menduan mirë për njëri-tjetrin dhe të thoshin: “Kjo është shpifje e qartë”?!”.

3. Sheriati ka inkurajuar për të mos ua vënë veshin fjalëve të kota, prandaj Allahu thotë: “Dhe, kur dëgjojnë ndonjë marrëzi, i shmangen asaj, duke thënë: “Ne kemi veprat tona, ndërsa ju keni veprat tuaja! Paqja qoftë me ju! Ne nuk duam shoqëri me të paditurit.” (Kasas: 55). Prandaj s’ka dyshim se thashethëmet dhe informatat deorientuese konsiderohen fjalë të kota të cilave duhet t’u shmangen pasuesit e imanit.

4. Allahu ka urdhëruar për t’u siguruar në rast thashethëmesh, ku Ai thotë: “O ju që keni besuar! Nëse ndonjë njeri i pandershëm ju sjell ndonjë lajm, sigurohuni mirë (në është i vërtetë), për të mos i bërë dëm ndokujt padashje, e të pendoheni pastaj për atë që keni bërë.” (El Huxurat:6).

Lidhur me këtë ajet, Dahaku thotë: “Dmth kur dikush të flet se filani apo filaneja kanë vepruar kështu e ashtu, atëherë ti mos i beso.”

Edhe rruga e dijetarëve të sheriatit është sipas kësaj metode (menhexhi), në rastin kur dikush pretendon diç apo akuzon dikë, atëherë atij i kërkohet prova. Në këtë rast më kujtohen disa vargje të dijetarit të Jemenit Muhammed bin Ismail San’ani, i cili lavdëron Muhamed ibën Abdulvehabin duke thënë:

Jo çdo fjalë meriton të pranohet

Dhe jo çdo fjalë është obligim të refuzohet

5. Sheriati ka inkurajuar të refuzohen thashethëmet qëllimkëqia, ku Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) thotë: “Ai që mbron nderin e vëllait të tij, Allahu do ta mbrojë fytyrën e tij nga zjarri në ditën e gjykimit”[6].

6. Sheriati është përkujdesur për t’i pregaditur besimtarët se si duhet të sillen dhe qëndrojnë ndaj thashethëmeve, me ç’rast Allahu thotë: “Ju, me siguri, do të sprovoheni në pasurinë e në jetën tuaj dhe do të dëgjoni shumë fyerje nga popujt që iu është dhënë Libri para jush, si dhe nga paganët. Por, nëse ju duroni dhe ruheni (nga të këqijat), atëherë kjo është vërtet përcaktuese e çështjeve” (Al imran: 186).

7. Besimtari duhet të kujdeset që t’i largojë thashethëmet nga vetja e tij duke u shmangur nga vendet dhe momentet e dyshimta, siq thotë Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem): “Ai që ruhet nga dyshimet është pastruar në fenë dhe në nderin e tij”[7].

Ndërsa kur Pejgamberit iu është propozuar që t’i vriste munafikët, ai tha: “Jo, sepse njerëzit do të thonë se Muhammedi është duke i vrarë shokët e tij”[8].

Po ashtu kur Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) ishte së bashku me gruan e tij Safijen, i pa dy ensarët duke nxituar, ai u tha: “Ngadalë, mos vraponi, sepse kjo është Safija. Vërtetë shejtani qarkullon nëpër damarët e njeriut, prandaj pata frikë se shejtani po u sjell ndonjë dyshim në zemrat tuaja”[9].

Vijon…

Përktheu: Jeton Bozhlani

———————————————————————

[1] Buhariu: (7047)

[2] Buhariu: (6477)

[3] Muslimi: (4992)

[4] Muslimi: (2664)

[5] Buhariu: (6019)

[6] Tirmidhiu: (1931)

[7] Buhariu: (1599)

[8] Buhariu: (3518)

[9] Buhariu: (2038), Muslimi: (2175).

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit