Pasojat e fitneve (libërth) -2

Pasoja e parë

Largimi i njerëzve nga ibadeti

Ndër pasojat e fitneve është se, ato bëhen shkak i largimit të njeriut nga ibadeti, për të cilin edhe është krijuar. Largohet nga përkujtimi i Allahut duke bërë që jeta dhe koha e tij të jetë e zënë me thashethëmet dhe fitnet e nxitura. Zemra e tij bëhet e trazuar dhe e zënë dhe nuk mund të jetë e qetë dhe e pushuar për ta realizuar dhikrin (përkujtimin) e Allahut në formë të qetë. Për këtë është transmetuar nga Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) të ketë thënë: “Një ibadet në kohë trazirash ka vlerën sikurse të bëhet hixhret tek unë”[1] Dmth ai që është i preokupuar me ibadet në kohë fitnesh dhe trazirash është sikurse të ketë bërë hixhret tek Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem). Kjo është e qartë, sepse ai që është i zënë me ibadet në kohë fitnesh është njeri me fat dhe ka shpëtuar nga njollosja me fitnen.

Po ashtu, në të njëjtën kohë, kjo tregon se në kohë fitnesh njeriu duhet të drejtohet kah ibadeti dhe të largohet prej fitneve në mënyrë që të shpëtoj i lumtur dhe i qetë. Lidhur me këtë është transmetuar nga Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) të ketë thënë: “I lumturi është ai që është larguar nga fitnet”[2] duke e përsëritur tri herë. Pra lumturia është në largimin nga fitnet dhe preokupimin me ibadet, dhikër dhe afrim tek Allahu nëpërmjet këtyre gjërave që i ka ligjësuar Ai.

Kurse Buhariu transmeton nga Umu Seleme, gruaja e Pejgamberit (salallahu alejhi ve selem) të ketë thënë: “Një natë, Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) u zgjua i frikësuar duke thënë: ‘Subhan Allah! Sa thesaret i ka zbritur Allahu?! Sa fitnet i ka zbritur Allahu?! Kush është ai që i zgjon nga xhumi zonjat e shtëpisë (kishte për qëllim gratë e Pejgamberit) që të falin namaz!’[3]”.

Në rast të ndodhjes së fitneve, Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) udhëzoi që të falet namaz dhe t’i bëhet ibadet Allahut, duke thënë: “Kush është ai që i zgjon nga gjumi zonjat e shtëpisë (kishte për qëllim gratë e Pejgamberit) që të falin namaz. Sepse ndoshta dikush do të jetë e veshur në dunja, por në ahiret do të jetë e zhveshur”.

Po ashtu, në këtë kuptim është edhe një thënie tjetër e Pejgamberit (salallahu alejhi ve selem): “Nxitoni me vepra para se të vinë disa fitne si nata e errët”[4].

Ai udhëzoi për në punë të mira, si për namaz, dhikër, dua dhe lexim të Kuranit, sepse kur ndodhin fitnet, njerëzit nuk kanë kohë të merren me ibadet, përveç një pakice të cilëve Allahu u ka dhënë ndihmë dhe sukses.

Kur ndodhi fitneja në kohën e tabi’inëve; Hasan el Basriu (Allahu e mëshiroftë) – i cili ishte ndër ata që kishte qëndruar i tërhequr gjatë fitneve – kishte thënë: “O njerëz! Pasha Allahun! Allahu nuk i ka dhënë Haxhaxhit pushtet mbi ju përveç si ndëshkim ndaj jush; andaj mos iu kundërvëni ndëshkimit të Allahut me shpatë, por të jini të qetë dhe të përulur, sepse Allahu thotë: “Ne i dënuam ata njëherë, por ata nuk iu përulën Zotit të tyre e as nuk i drejtuan lutje.” (El Mu’minun/76). Dmth njeriu e ka obligim të jetë i përulur, t’i lutet Allahut me nënshtrim dhe të bëj dhikër, ta përmirësoj veten dhe familjen e tij, si dhe ta kryej ibadetin në formën e drejtë me të cilën është i pajtuar Allahu.

Në këtë kuptim është transmetuar edhe nga Ebu Hurejre (radij Allahu anhu) të ketë thënë: “Do të ndodhin fitne, prej të cilave nuk shpëtohet me asgjë tjetër përveç me një dua që bëhet si duaja e atij që është duke u fundosur në ujë”[5].

Çdo njëri prej nesh e din se si bëhet duaja e atij që është duke u fundosur në ujë. Si bëhet duaja e atij që fundoset në ujë?! T’i drejtohesh Allahut sinqerisht që të të ruaj dhe të të shpëtoj.

Vazhdon…

Përktheu: Jeton Bozhlani

—————————————————————–

[1]Transmeton Taberani në librin “El Kebir” (213/20), kurse shejh Albani e konsideron të saktë në librin Sahihul Xhami (3974).

[2] Transmeton Ebu Davudi (4263), ndërsa shejh Albani e konsideron të saktë në librin Sahiha (975).

[3] Buhariu (115, 1162, 3599, 5844, 6218, 69, 7069).

[4]Muslimi (118).

[5] Transmeton Ibën Ebi Shejbe (7/531), po ashtu nga Hudhejfe (radij Allahu anhu) tranemton Ibën Ebi Shejbe (22/6), dhe Hakimi (687/1) i cili e konsideron të saktë.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit