Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem gjithmonë ka thirrur në teuhid dhe ka ndaluar nga shirku

Njeriu kurrë nuk duhet të heshtë dhe ta mbulojë dritën e thirrjes në fjalën La ilahe ilAllah, pavarësisht sa ka zënë vend ajo dhe kuptimi i saj në zemrat e myslimanëve, apo nuk ka zënë. Dijetari i madh Mubarek el Mili (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Pejgamberi slaAllahu alejhi kurrë nuk e ka ndalur paralajmërimin prej adhurimit të idhujve, në të gjitha gjendjet, edhe kur ka qenë i vetëm, pa pasues. Nuk e ka lënë thirrjen në fjalën La ilahe ilAllah dhe nuk ka heshtur ndaj saj edhe kur ka qenë i rrethuar në luginat e Mekës në tri vitet e ashpra (kur myslimanët janë bojkotuar nga banorët e Mekës). Nuk e ka harruar thirrjen në teuhid edhe kur ka qenë gjatë hixhretit duke u fshehur prej armiqve të cilët e kanë kërkuar me këmbëngulje për ta kapur të gjallë apo të vdekur. Nuk e ka ndërprerë të folurit rreth teuhidit edhe kur ka triumfuar në Medine duke qenë në mesin e ndihmëtarëve (banorëve të Medinës). Nuk e ka mbyllur derën e thirrjes në teuhid edhe pasi e ka çliruar Mekën. Kur e ka marrë besatimin prej shokëve të tij për besnikëri e bindje ndaj tij, nuk është kufizuar që ata vetëm të luftojnë për të dhe ta mbrojnë me mundësitë e tyre, mirëpo vazhdimisht ua ka përsëritur gjatë këtij besatimi realizimin e teuhidit dhe kundërshtimin e shirkut. Ju e keni jetëshkrimin e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem të shkruar nëpër libra, gjithashtu janë hadithet autentike. Nëse i lexoni ato, do të gjeni vërtetësinë e asaj që po themi dhe detajet e asaj që sollëm në mënyrë të përgjithshme.” Pra, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem kurrë nuk ka heshtur ndaj teuhidit. Në të gjitha gjendjet e jetës së tij, prej fillimit të thirrjes deri në vdekje, gjithmonë ka thirrur në teuhid dhe ka ndaluar prej shirkut.

Është hadithi i transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi prej Xhabir ibn Abdilahit radijAllahu anhu, të cilit i ka thënë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “A po më rehaton prej dhul khalesa”– një idhull që është adhuruar në Jemen. Dhe Xhabiri merr 500 kalorës prej fisit Ahmes, shkon dhe e shkatërron idhullin dhe e djegë atë. Kur kthehet, e përgëzojnë për këtë. Ai i thotë Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem: “E lamë idhullin sikur një deve të zgjebosur.” Kur u ka rënë zgjeba deveve, arabët i kanë lyer me katran që t’iu kalojë ajo. Dhe qëllimi me këto fjalë është se e kanë lënë atë idhull të shkatërruar dhe të djegur sikur deveja e lyer me katran. Dhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë: “Allahu u dhëntë bereqet kuajve dhe kalorësve të Ahmes!”, pesë herë. Ibn Haxheri (Allahu e mëshiroftë!) kur e komenton këtë hadith thotë: “Qëllimi me fjalën “A po më rehaton prej idhullit dhul khalesa” ka qenë rehatia e zemrës. Nuk e ka rënduar dhe lodhur më shumë zemrën e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem sesa ekzistimi i atyre gjërave që adhurohen në vend të Allahut. Prej traditës së Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem ka qenë që kur është thelluar në lutje tek Allahu, e ka përsëritur atë tri herë, mirëpo këtu është lutur pesë herë për bekimin e kuajve dhe kalorësve të Ahmes. Kjo tregon rëndësinë dhe domethënien e madhe të kësaj çështjeje, që është teuhidi, gjëja më madhore për të cilën njeriu thërret dhe e ndihmon.”

Ku janë ata të cilët ua mësojnë njerëzve moralin, zuhdin, e madje edhe politikën, ndërsa këto i ligjërojnë në xhami të ndërtuara mbi varre, ose nuk paralajmërojnë prej shirkut dhe detajeve të tij, ose thërrasin në teuhid në mënyrë të përgjithshme pa përmendur detajet e tij?! Madje, këta, thirrësin e teuhidit dhe kundërshtuesin e shirkut dhe pasuesve të shirkut, e quajnë me llagape të ndryshme dhe e ofendojnë me fjalë të ulëta, duke thënë: “Është i ngutshëm, po e përçan umetin!”, ose “Komunistët kanë shpëtuar prej tij, por nuk po shpëtojnë njerëzit e mirë prej muslimanëve edhe nëse janë të vdekur.” Ku është sinqeriteti, realizimi i teuhidit dhe thirrja në të? Ku janë ata që thërrasin në të? Ku janë ata që zemërohen me atë që është zemëruar dhe hidhëruar Allahu? Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka treguar në një hadith: “O Allah, mos e bëj varrin tim idhull që adhurohet! Allahu është hidhëruar shumë me ata të cilët varret i bënë vendfalje (vendadhurim).” Transmeton imam Maliku dhe Abdurrezaku, shejkh Albani thotë se është i vërtetë në librin e tij “Tahdhirus saxhid”. Megjithëkëtë, njerëzit nuk hidhërohen me atë që Hidhërohet Allahu. Çka është dashuria dhe urrejtja për hir të Allahut nëse nuk është kjo?! Pra, të treguarit e dashurisë dhe miqësisë ndaj teuhidit, dhe të treguarit e hidhërimit, zemërimit e urrejtjes ndaj shirkut, ndaj asaj të cilën Allahu e urren dhe zemërohet.

Pavarësisht sa arrin njohja e myslimanëve ndaj teuhidit dhe përgjigja e tyre ndaj tij, si dhe pavarësisht sa e pranojnë atë, prapëseprapë nuk duhet ndalur thirrja në teuhid, sepse prej natyrës së njeriut është mangësia, të qenit i mangët. E nuk ka mangësi më të madhe sesa mangësia dhe dobësia në teuhid. Për këtë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thirrur në teuhid dhe ka ndaluar prej shirkut edhe kur umeti kishte arritur fuqinë më të madhe të besimit dhe unitetit. Umeti islam nuk ka pasur në atë kohë fuqi më të madhe të besimit dhe unitet më të madh sesa para vdekjes së Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Megjithëkëtë, pesë ditë para se të vdesë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem transmetohet se ka thënë: “Unë askënd prej jush nuk e marr khaliil (të dashur, mik të ngushtë), sepse Allahu mua më ka marrë si khaliil, ashtu siç e ka marrë Ibrahimin para meje. Silur ta merrja dikë për të khaliil nga umeti im, do ta merrja Ebu Bekrin. Vini re! Ata që kanë qenë para jush (të krishterët dhe hebrenjtë) varret e Pejgamberëve të tyre i kanë shndërruar në vendfalje. Vini re! Mos i shndërroni varret dhe varrezat në vendfalje (xhami ku kryhen adhurimet ndaj Allahut), sepse unë ju ndaloj nga kjo.” Buhariu dhe Muslimi. Kështu, pesë ditë para se të vdesë, edhe pse umeti kishte arritur atë gjende të lartë në besim dhe unitet, ai prapëseprapë nuk u ndal nga thirrja në teuhid dhe nga paralajmërimi prej shirkut. Andaj, për këtë arsye, thirrja në teuhid dhe paralajmërimi nga shirku, ka qenë pikënisja dhe themeli i thirrjes së të gjithë Pejgamberëve dhe dijetarëve që i kanë pasuar ata vërtetë.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku.

Derset Kitabu teuhid, tema e pestë.

(TRANSKRIPTIM).

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit