Për kë obligohet agjërimi

1) Është pyetur dijetari i ndershëm Muhamed Es Salih El Uthejmini, Allahu e mëshiroftë[2]:

Për kë obligohet agjërimi?

Ai u përgjigj:

Ta kryejë agjërimin e ka obligim çdo mysliman i cili është në moshën madhore, që e ka mendjen e shëndoshë, që ka mundësi (për të agjëruar), vendas (jo në udhëtim), dhe i shpenguar nga të gjitha pengesat. Pra, këto janë gjashtë atribute: Islami, mosha madhore (puberteti), mendja (e shëndoshë), mundësia, mos-udhëtimi, shpengimi nga pengesat.

Sa i përket kafirit (jobesimtarit), ai nuk e ka obligim as agjërimin dhe as adhurimet tjera. Kuptimi i fjalëve tona: nuk e ka obligim, është se atij nuk i imponohet agjërimi në gjendjen e tij si kafir, dhe, gjithashtu, nuk kërkohet prej tij ta bëjë kaza pasi që të hyjë në Islam. Kjo, sepse adhurimi nuk i pranohet kafirit gjatë kohës sa është në kufr (pabesim).

Argument për këtë janë Fjalët e Allahut të Lartësuar: “Ndihmesat (sadakat) e tyre nuk do të pranohen, ngase ata janë njerëz që nuk besojnë në Allahun dhe të Dërguarin e Tij” (Et Teube: 54). “Thuaju atyre që nuk besojnë: nëse largohen (nga mosbesimi), do t’u falet e kaluara” (El Enfal: 38).

Megjithëkëtë, ai do të ndëshkohet për shkak të braktisjes së obligimeve, edhe nëse kjo ka ndodh gjatë kufrit të tij.

Argument për janë Fjalët e Allahut të Lartësuar: “Çfarë ju ka sjellë në Sekar?” Ata do të përgjigjen: “Nuk ishim nga ata që falnin namaz dhe as prej atyre që i ushqenin të varfrit. Ne lëshoheshim në biseda të kota me llafazanët. dhe mohonim Ditën e Llogarisë, derisa na erdhi vdekja.” (El Mudeththir: 42 – 47). Pra, e përmendi se braktisja e namazit dhe mosushqimi i të varfërve janë prej shkaqeve për hyrjen në Zjarr. Kjo tregon se këto gjëra kanë efekt në hyrjen e tyre në Zjarr.

Për më tepër, kafiri do të ndëshkohet për çdo mirësi të Allahut të cilën ia ndalon vetes së tij, siç janë ushqimi, pija dhe rrobat. Argument për këtë janë Fjalët e Allahu të Lartësuar: “Nuk ka gjynah për ata që kanë besuar dhe kanë bërë vepra të mira për atë që kanë ngrënë, për sa kohë që ata ruhen (nga të ndaluarat), besojnë dhe bëjnë vepra të mira, e sërish ruhen dhe besojnë e vazhdimisht ruhen dhe bëjnë vepra të mira. Allahu i do punëmirët.” (El Maide: 93). Mohimi i gjynahut për besimtarët për atë që kanë ngrënë, aludon se gjynahu iu pohohet jobesimtarëve për atë që kanë ngrënë. Argument janë edhe Fjalët e Allahut të Lartësuar: “Thuaj: “Kush i ka penguar stolitë dhe ushqimet e këndshme, të cilat Ai i ka krijuar për robërit e Vet?” Thuaj: “Ato janë për besimtarë në këtë botë, ndërsa në botën tjetër do të jenë vetëm për besimtarët.” (El A’raf: 32). Fjalët e Tij: “Thuaj: “Ato janë për besimtarë në këtë botë, ndërsa në botën tjetër do të jenë vetëm për besimtarët”, aludojnë se dispozita për jobesimtarët dallon nga ajo për besimtarët.

Mirëpo, nëse jobesimtari hyn në Islam gjatë Ramazanit, nuk obligohet ta bëjë kaza agjërimin që i ka kaluar para Islamit të tij. Për shembull, nëse hyn në Islam në natë e pesëmbëdhjetë, atëherë nuk obligohet t’i bëjë kaza katërmbëdhjetë netët e kaluara. Nëse hyn në Islam gjatë ditës, atëherë obligohet të ndalojë (përmbahet) nga ushqimi, mirëpo nuk i kërkohet kazaja. Për shembull, nëse hyn në Islam kur të hyjë zeuali (koha kur dielli është në zenit, sh.p.), në i themi atij: ndalo nga ushqimi në pjesën tjetër të ditës, mirëpo, nuk të obligohet kazaja. E urdhërojmë që të ndalojë nga ushqimi, sepse ai bëhet prej atyre që e kanë obligim agjërimin, ndërsa, nuk e urdhërojmë me kaza, sepse ai e ka kryer atë që e ka obligim, e që është ndalimi nga ushqimi prej kohës kur ka hyrë në Islam. Ai që e kryen atë që e ka obligim, atëherë, nuk ngarkohet me përsëritjen e adhurimit edhe një herë tjetër.

Sa i përket mendjes, e që është atributi i dytë për obligueshmërinë e agjërimit, themi se mendja është gjëja përmes së cilës arrihet dallimi mes gjërave. Nëse njeriu nuk ka mendje, atëherë, ai nuk e ka obligim dhe asnjë prej adhurimeve tjera, përveç zekatit.

Prej këtij lloji, pra, prej atyre që nuk kanë mendje, është kur njeriu arrin moshën (e shtyrë) sa që nuk mund t’i dallojë gjërat. Kjo gjendje tek masa e rëndomtë njihet si matufosje. Pra, matufi nuk i kërkohet agjërimi dhe as kompensimi me ushqim, sepse ai nuk është prej atyre që e kanë obligim agjërimin.

Atributi i tretë është mosha madhore (puberteti).

Mosha madhore arrihet me njërën nga tri gjërat e mëposhtme:

1) Njeriu t’i mbush pesëmbëdhjetë vite.

2) Të dal/rritet el ane. Këto janë qimet e trasha/ashpra që dalin rreth organit gjenital.

3) Ejakulimi i spermës duke ndjerë kënaqësi, pavarësisht a e bën këtë në gjumë apo i zgjuar.

4) Te gratë shtohet një çështje tjetër, e që është cikli menstrual. Nëse gruas i fillojnë menstruacionet, atëherë, ajo ka hyrë në pubertet.

Sipas kësaj, kush i mbush pesëmbëdhjetë vite, burrë apo grua, ka hyrë në moshën madhore.

Kujt i rriten qimet rreth organit gjenital, ka hyrë në moshën madhore, burrë apo grua, edhe nëse nuk i mbush pesëmbëdhjetë vite, ka hyrë në moshën madhore.

Kushdo që ejakulon spermë duke ndjerë kënaqësi, burrë apo grua, edhe nëse nuk i ka mbushur pesëmbëdhjetë vite, ka hyrë në moshën madhore.

Gruas së cilës i fillon cikli menstrual, edhe nëse nuk i ka mbushur pesëmbëdhjetë vite, ka hyrë në moshën madhore.

Ndonjë gruaje mund t’i fillojnë menstruacionet kur t’i mbush dhjetë vite.

Prandaj, duhet që të paralajmërojmë për këtë çështje, sepse shumica e njerëzve janë të pakujdesshëm ndaj saj. Disa grave iu fillojnë menstruacionet herët, dhe ato nuk e dinë që e kanë obligim agjërimin dhe adhurimet tjera të cilat kushtëzohen me hyrjen në pubertet. Kjo, sepse shumë prej njerëzve mendojnë se mosha madhore fillon (vetëm) kur njeriu t’i mbush pesëmbëdhjetë vite. Ky mendim është i pavërtetë dhe nuk ka bazë (në fe).

Pra, nëse njeriu nuk hynë në moshën madhore, nuk e ka obligim agjërimin. Mirëpo, disa dijetarë e kanë përmendur se kujdestari i fëmijëve të vegjël urdhërohet që t’i urdhërojë ata me agjërim, pavarësisht a janë meshkuj apo femra, në mënyrë që agjërimi t’iu bëhet gjë e zakonshme, të ushtrohen me të, dhe t’iu vijë lehtë kur të hyjnë në moshën madhore. Këtë e vepronin sahabet, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, të cilët i detyronin fëmijët e tyre të vegjël të agjërojnë, sa që ndonjëri prej tyre, kur fëmija i qante, i jepte ndonjë lodër prej pambukut, që të mashtrohej me të derisa dielli të perëndojë.

Atributi i katërt është që njeriu të ketë mundësi për agjërim.

Do të thotë që njeriu të ketë mundësi të agjërojë pa ndonjë vështirësi. Nëse nuk ka mundësi të agjërojë, atëherë, nuk e ka obligim agjërimin.

Mirëpo, duhet të ditur që ata të cilët nuk e kanë obligim agjërimin, ndahen në dy grupe:

Grupi i parë janë ata të cilët pamundësia e tyre për agjërim vazhdon përherë, siç janë: pleqëria dhe sëmundja që nuk shpresohet se ndonjëherë do të shërohet. Ky person e ka obligim të ushqejë për çdo ditë (të paagjëruar) një të varfër. Nëse muaji i Ramazani i ka tridhjetë ditë, e ka obligim t’i ushqejë tridhjetë të varfër, e nëse muaji i ka njëzet e nëntë ditë, e ka obligim t’i ushqejë njëzet e nëntë të varfër.

Janë dy mënyra për t’i ushqyer të varfrit:

E para është që t’u jap oriz apo grurë si farë (kokërr, d.m.th. të papërgatitur, sh.p.). Masa e saj është një e katërta e sa’-së, nëse matet me sa’-në e Pejgamberit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem). Ndërsa, nëse matet me sa’-në që është e njohur tek ne (në Arabinë Saudite), atëherë është një e pesta e saj. Kjo (sa’) është e barabartë me 2.4 kg prej grurit të cilësisë së mirë. D.m.th. nëse do t’i matësh 2.4 kg prej grurit të cilësisë së mirë dhe të lartë, atëherë kjo është një sa’ prej sa’-së së Pejgamberit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem). Sa’-ja e Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) është katër emdad (një mudd është shtrirja e dy shuplakave të një burri mesatar, sh.p.), prandaj, mjafton për katër të varfër.
Në këto raste është mirë që kur t’ia japësh të varfrit këtë sasi (të grurit apo orizit të papërgatitur), t’i shtosh edhe diçka prej gjërave (vajrave) që e skuq (përgatit) atë ushqim (grurin apo orizin). Kjo veprohet në varësi të asaj që kërkon gjendja dhe tradita.

Mënyra e dytë e dhënies së ushqimit është që ta përgatis ushqimin që mjafton për tridhjetë apo njëzet e nëntë të varfër, në varësi të muajit, dhe t’i ftojë ata për t’u ushqyer me të. Është transmetuar se Enesi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, kur ishte plakur, vepronte kësisoj. Nuk lejohet ta ushqejë një person të vetëm me sasi që u mjafton tridhjetë apo njëzetë e nëntë personave, sepse patjetër duhet që për çdo ditë ta ushqejë nga një të varfër.

Grupi i dytë janë ata pamundësia e të cilëve (për të agjëruar), shpresohet se do të kalojë (largohet). Kjo është pamundësia e rastësishme, siç është rasti kur njeriu sëmuret gjatë agjërimit dhe e ka të vështirë vazhdimin e tij. Këtij i themi: ha (prishe) dhe e bën kaza një ditë në vend të kësaj (pas Ramazanit, sh.p.). Argument për këtë janë Fjalët e Allahut të Lartësuar: “Nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas.” (El Bekare: 184).

Atributi i pestë është që të jetë vendas, e kundërta e të cilit është udhëtari.

Udhëtar konsiderohet ai i cili është larguar/ndarë nga atdheu i tij. Personi i këtillë nuk e ka obligim agjërimin. Argument për këtë janë Fjalët e Allahu të Lartësuar: “Nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas.” (El Bekare: 184). Edhe pse, më mirë për të është që të agjërojë, përveç, nëse e ka të vështirë agjërimin, atëherë, më mirë është që të hajë (ta prish). Argument për këtë janë fjalët e Ebu Derdait, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë: “Ishim duke udhëtuar me Pejgamberin (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) në një ditë të shumë të nxehtë, dhe askush nga ne nuk agjëronte, përveç, Pejgamberit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) dhe Abdullah bin Reuaha.”
Nëse agjërimi i vështirësohet shumë, atëherë, patjetër duhet ta prish, sepse, disa njerëz i ishin ankuar Pejgamberit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) se iu ishte vështirësuar agjërimi (gjatë një udhëtimi, sh.p.) dhe ai e prishi atë. Pastaj, iu tha atij: disa njerëz e kanë vazhduar agjërimin. Atëherë, ai tha: “Ata janë mëkatarë (të pabindur), ata janë mëkatarë.”

Atributi i gjashtë është që personi të jetë i shpenguar nga pengesat.

Do të thotë të jetë i shpenguar prej pengesave të obligimit. Kjo është e veçantë vetëm për gruan. Pra, që ajo ta kryejë obligimin e agjërimin edaen (d.m.th. në kohën e tij të caktuar sheriatikisht, jo kaza, sh.p.), duhet të mos jetë me menstruacione dhe lehoni. Nëse është me menstruacione apo lehonë, atëherë nuk e ka obligim agjërimin, mirëpo, i bën kaza (d.m.th. i agjëron pas kohës së tyre të caktuar sheriatikisht, pra, pas Ramazanit, sh.p.) ditët që i ka prishur. Argument për këtë janë fjalët e Pejgamberit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), i cili duke e miratuar këtë çështje thotë: “A nuk është se gruaja kur të jetë me menstruacione nuk falet dhe as nuk agjëron?!” Pra, gruaja kur të jetë me menstruacione nuk e ka obligim agjërimin, mirëpo, i bën kaza ato ditë (të lëna) në ditë të tjera (pas Ramazanit).

Janë dy çështje të cilave duhet t’iu kushtojmë vëmendje:

E para është se disa gra pastrohen prej menstruacioneve në çastet e fundit të syfyrit. Ajo e din se është pastruar, mirëpo, nuk e agjëron atë ditë duke menduar se nëse nuk pastrohet me ujë (para agimit), atëherë, agjërimi i saj nuk është i pranuar. Çështja nuk qëndron kështu. Mirëpo, edhe nëse nuk pastrohet me ujë (gusl) veçse pas agimit, agjërimi i saj pranohet.

Çështja e dytë është se disa gra janë agjërueshëm, dhe pasi që të perëndojë dielli dhe të bëjë iftar, i vijnë menstruacionet para se ta fal akshamin. Disa gra mendojnë që nëse i vijnë menstruacionet pas iftarit dhe para se ta fal akshamin, atëherë, agjërimi i asaj dite prishet. Disa të tjera e teprojnë edhe më shumë duke thënë se: nëse i vijnë menstruacionet edhe para namazit të jacisë, atëherë agjërimi i asaj dite prishet. Krejt kjo nuk është e vërtetë. Nëse gruaja pas perëndimit të diellit nuk e sheh që menstruacionet kanë dal jashtë (organit gjenital), atëherë, agjërimi i saj është i saktë (i pranuar), edhe nëse gjaku del pas perëndimit të diellit për një çast të shkurtër.

Këto ishin gjashtë atributet të cilat nëse bashkohen tek një person, atëherë, agjërimi bëhet obligim për të edaen (në kohë), dhe nuk i lejohet të hajë. Nëse njëra nga këto atribute mungon, atëherë, çështja qëndron siç e sqaruam më lartë.

2) Është pyetur dijetari i madh AbdulAziz bin Abdilah bin Bazi, Allahu e mëshiroftë[3]:

Për kënd obligohet agjërimi i Ramazanit, dhe cila është vlera e agjërimit të tij dhe agjërimit nafile (vullnetar)?

Ai u përgjigj:

Agjërimi i Ramazanit është uaxhib (obligim) për çdo mysliman mukel-lef (personi të cilit i ngarkohen obligimet dhe ndalesat e fesë, sh.p.), burrë apo grua. Ndërsa, është mustehab (i preferuar) për atë, mashkull apo femër, që i mbush shtatë vite e më shumë dhe e përballon agjërimin. Për kujdestarët e tyre është obligim t’i urdhërojnë për agjërim, nëse e përballojnë atë, ashtu siç i urdhërojnë për namaz.

Bazë për këtë janë Fjalët e Allahut të Madhëruar: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat. Agjërimi zgjat disa ditë, por, nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas. Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi. E, nëse ndonjëri jep më shumë se kaq, kjo është edhe më mirë për të. Por, agjërimi juaj është më i dobishëm, në qoftë se e dini. Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë! Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar.” (El Bekare: 183 – 185).
Gjithashtu, fjalët e Pejgamberit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem): “Islami është i ndërtuar mbi pesë (shtylla): Shehadetin (dëshminë) se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut (La ilahe il-lAll-llah) dhe se Muhamedi është i dërguari i Allahut (Muhamedun Resulull-llah), faljen e namazit, dhënien e zekatit, agjërimin e Ramazanit, dhe Haxhin (vizitën) e Shtëpisë së Shenjtë të Allahut (Qabenë).” Ky hadith është muttefekun alejhi (e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi), nga Ibën Umeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.

Kur Xhibrili e pyeti për Islamin, Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) u përgjigj: “Të dëshmosh se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut (La ilahe il-lAll-llah) dhe se Muhamedi është i dërguari i Allahut (Muhamedun Resulull-llah), të falësh namazin, ta japësh zekatin, ta agjërosh Ramazanin, dhe të bësh Haxh (vizitosh) Shtëpinë (Qabenë) nëse ke mundësi.” E transmeton Muslimi në Sahih-un e tij nga Umer bin El Hattabi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, dhe në kuptim të tij e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi, nga Ebu Hurajra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij.

Në dy Sahih-at (Buhari dhe Muslim) nga Ebu Hurajra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmetohet se Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kushdo që e agjëron Ramazanin me besim dhe duke llogaritur në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e kaluara.”

Është vërtetuar se Pejgamberi, (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Çdo vepër e birit të Ademit është për të, e mira shpërblehet me dhjetë deri në shtatëqind fish, përveç agjërimit, sepse ai është për Mua dhe Unë shpërblejë për të. Agjëruesi e braktisë epshin, ushqimin dhe pijen e tij për Mua. Ai i ka dy gëzime: një kur të bëjë iftar dhe tjetra kur ta takojë Zotin e tij. Aroma (e pakëndshme) e gojës së agjëruesit është më e mirë te Allahu se aroma e myshkut.” (Hadith Kudsij dhe është muttefekun alejhi). Hadithet të cilat flasin rreth vlerës së agjërimit të Ramazanit dhe agjërimit në përgjithësi, janë të shumta dhe të njohura. Allahu është dhuruesi i suksesit.

Mosha e teklifit për gruan

3) Është pyetur Komisioni i përhershëm për studime shkencore dhe fetua[4]:

A ka ndonjë obligim vajza, apo familja e saj, e cila i ka mbushur dymbëdhjetë apo trembëdhjetë vite, dhe i kalon Ramazani pa e agjëruar? Së pari a duhet të agjëroj? Nëse nuk agjëron a ka ndonjë gjë që obligohet ta veprojë?
Ata u përgjigjen: Gruaja konsiderohet mukel-lefe nëse i plotëson disa kushte. Ato janë: islami, të jetë me mendje të shëndoshë, dhe mosha madhore (puberteti). Puberteti arrihet me: fillimin e menstruacioneve, apo ejakulimin e spermës duke ndjerë kënaqësi, apo “ëndrrat e lagshta”, nëse kur të zgjohet sheh se ka ejakuluar spermë, apo dalja/rritja e qimeve të ashpra/trasha rreth organit gjenital, apo mbushja e pesëmbëdhjetë viteve.
Kjo vajzë nëse i ka plotësuar kushtet e teklifit, atëherë, agjërimi është obligim për të, dhe e ka obligim ta bëjë kaza çdo ditë që nuk e ka agjëruar gjatë kohës së teklifit të saj.
Nëse njëra nga kushtet mungon, atëherë ajo nuk është mukel-lefe, dhe nuk obligohet për asgjë.

Me Allahun vjen suksesi. Salevatet dhe selamet e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhamed, dhe mbi familjen dhe shokët e tij.

Kryetar: Abdulaziz bin Abdilah bin Baz.
Zëvendëskryetar: AbduRrezak Afifij.
Anëtar: Abdullah bin Gudejan.
Anëtar: Abdullah bin Kuud.

Vendimi për atë që braktisë farzin (obligimin) e agjërimit, edhe pse i kryen farzet tjera

4) Është pyetur dijetari i madh AbdulAziz bin Abdilah bin Bazi, Allahu e mëshiroftë[5]:

Cili është vendimi për myslimanin i cili e shpërfill farzin (obligimin) e agjërimit për disa vite pa ndonjë arsye sheriatike (të ligjësuar), edhe pse me besnikëri i kryen të gjitha farzet tjera? A e ka obligim kazanë apo keffaretin (kompensimin)? Nëse e ka obligim kazanë, atëherë si t’i bëjë kaza gjithë këta muaj?

Ai u përgjigj:

Vendimi për atë që e braktisë agjërimin e Ramazanit, prej burrave dhe grave, duke qenë mukel-lef, është se ai nuk i është bindur Allahut dhe të Dërguarit të Tij, dhe e ka vepruar njërën prej mëkateve të mëdha. Ai e ka obligim të pendohet te Allahu për këtë, t’i bëjë kaza të gjitha ditët e paagjëruara, dhe për çdo ditë të lënë duhet ta ushqejë nga një të varfër, nëse ka mundësi. Nëse është i varfër dhe nuk ka mundësi, atëherë i mjafton kazaja dhe pendimi. Kjo, ngaqë agjërimi është obligim i madh, të cilin Allahu e bëri obligim për mukel-lefët, dhe për të cilin Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) njoftoi se është njëri nga pesë shtyllat e Islamit.

Gjithashtu, është obligim që nëse çështja e tij ngritët (shkon) deri te kryetari (fjala është për shtetet që gjykojnë me sheriat, sh.p.) apo te Komiteti që urdhëron për të mirën dhe ndalon nga e keqja (fjala është për Arabinë Saudite, sh.p.), ai të bëhet ta’zir (masë ndëshkimore të cilën e cakton kryetari i shteti apo gjykatësi, sh.p.), dhe të disiplinohet me gjëra që e ndalojnë nga ky mëkat.

Krejt kjo është nëse ai nuk e mohon obligueshmërinë e agjërimit të Ramazanit. Mirëpo, nëse e mohon obligueshmërinë e agjërimit të Ramazanit, atëherë ai me këtë bëhet kafir (jobesimtar) dhe përgënjeshtrues i Allahut dhe të Dërguarit të Tij (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem). Kryetari i shtetit (apo gjykatësi) përmes gjykatave sheriatike, kërkon prej tij të pendohet. Nëse pendohet lihet i qetë, në të kundërtën është obligim të vritet, për shkak të ridde-së (daljes nga feja). Argument për këtë janë fjalët e Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem): “Kushdo që e ndërron fenë e tij (Islamin), vriteni.” Transmeton Buhariu në Sahih-un e tij.

Nëse e braktisë agjërimin për shkak të sëmundjes apo udhëtimit, atëherë ai nuk ka kurrfarë ngushtimi në këtë, mirëpo, e ka obligim ta bëjë kaza kur të shërohet nga sëmundja apo kur të kthehet nga udhëtimi i tij. Argument për këtë janë Fjalët e Allahut të Madhëruar: “Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar.” (El Bekare: 185). Allahu është dhuruesi i suksesit.

Ai i cili e braktisë agjërimin bëhet ta’zir

1) Është pyetur dijetari i ndershëm Muhamed Es Salih El Uthejmini, Allahu e mëshiroftë[6]:

A konsiderohet kafir (jobesimtar) ai i cili e braktisë agjërimin nga neglizhenca dhe dembelia, siç është rasti me personin që e braktisë namazin i cili konsiderohet kafir?

Ai u përgjigj:

Lënësi i agjërimit nga neglizhenca dhe dembelia nuk është kafir, sepse esenca në këtë është vazhdimësia/mbetja e Islamit të tij, deri sa të vijë ndonjë argument i qartë se ai ka dal prej Islamit. Dhe nuk ka argument që tregon lënësi i agjërimit, nëse e len për shkak të dembelisë dhe neglizhencës, është kafir.

E kundërta është me namazin, për të cilin ka argumente prej Librit të Allahut (Kuranit), prej Sunetit të të Dërguarit të Tij (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), dhe prej thënieve të sahabëve, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, se lënësi i tij, për shkak të neglizhencë dhe dembelisë, është kafir. Abullah bin Shekiku ka thënë: “Shokët e të Dërguarit të Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), nuk e shihnin lënien e ndonjë vepre kufr, përveç namazit.”

Mirëpo, është obligim që ky njeri i cili e ka braktisur agjërimin, për shkak të dembelisë dhe neglizhencës, të ftohet për të filluar agjërimin, e nëse refuzon, atëherë duhet të bëhet ta’zir deri sa të agjërojë.

Përktheu: Lulzim Perçuku

————————————————————————————-

[1] Kjo temë është shkëputur nga libri “Fetaua Ramadan” (Fetua rreth Ramazanit nga dijetarë të ndryshëm).

[2] “Fikhul-ibadat” i Ibnul Uthejminit (173-178).

[3]” Tuhfetul-ihuan bi exhuibetin muhimmetin teteal-leku bi erkanil-islam” i shejh AbdulAziz bin Bazit (159, 160).

[4] Fetauat e Komisionit të përhershëm për studime shkencore dhe fetua, fetuaja me nr. 4147.

[5] “Mexhmu’ fetaua semahati esh-shejh AbdulAziz bin Baz” (3/219/220).

[6] “El Fetaua li Ibnil Uthejmin” – Kapitulli i davetit (1/159, 160).

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit