Përse lutet njeriu dhe nuk ka përgjigje?

Shejh: Muhamed bin Salih El-Uthejmin (Allahu e mëshiroftë)

www.islamspirit.com

Shejh Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) qe pyetur: Përse lutet njeriu dhe (prapë) s’ka përgjigje? E Allahu i Lartësuar thotë:

“Më lutni Mua, Unë ju përgjigjem…” (El-Gafir-60).

Ai u përgjigj me këto fjalë: Të gjitha lavdërimet dhe falënderimet janë për Allahun, Zotin e botëve. Salatet dhe selami janë për të Dërguarin tonë, Muhamedin, për familjen dhe mbarë shokët e tij. E lus Allahun e Lartësuar që të më dhurojë mua dhe vëllezërve të mi myslimanë sukses në pasimin e së vërtetës, si në besim, ashtu edhe në fjalë dhe vepër. Allahu i Lartësuar thotë:

“Zoti juaj ka thënë: “Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem. E, ata që nga mendjemadhësia i shmangen adhurimit ndaj Meje, do të hyjnë të nënçmuar në Xhehenem” (El-Gafir-60).

Pyetësi thotë se ai e ka lutur Allahun e Lartësuar dhe Ai nuk iu ka përgjigjur. Dhe ky realitet po i duket i paqartë, sepse në vargun fisnik të Kuranit Allahu ka premtuar se, kush i lutet Atij, Ai do t’i përgjigjet, dhe Allahu i Patëmeta nuk e shkelë premtimin. Përgjigjja në këtë pyetje është se për pranimin e lutjes ka kushte, të cilat doemos duhet të plotësohen, e ato janë:

1. Sinqeriteti ndaj Allahut; që njeriu të jetë i sinqertë në lutjen e tij, t’i drejtohet Allahut me një zemër të vëmendshme e të vërtetë në atë lutje, duke qenë i bindur se Ai është i Fuqishëm t’i përgjigjet lutjes dhe duke shpresuar për përgjigjen e Allahut.

Gjatë lutjes të ndjejë se ai ka shumë nevojë, bile nevojë të domosdoshme për Allahun, dhe (gjithashtu të ndjejë) se vetëm Allahu është Ai i Cili i përgjigjet thirrjes së nevojtarit (të mjerit) kur ai e thërret, duke ia larguar të keqen. Kurse, kur ai i lutet Allahut me ndjesinë e pavarësisë nga Ai dhe (me ndjesinë) se nuk ka nevojë të domosdoshme për Të dhe lutet vetëm pse i është bërë adet një gjë tillë, kjo lutje nuk meriton përgjigjen (pranimin).

Të largohet nga ushqimi haram, sepse ngrënia e tij është pengesë mes (lutjes së) njeriut dhe pranimit, siç është saktësuar në Sahihun e Muslimit nga Profeti (sal-laAll-lahu alejhi ue sel-lem) se ka thënë:

“Vërtet, Allahu është i Mirë (i Pastër) dhe nuk pranon veçse të mirën. Dhe Allahu i ka urdhëruar besimtarët me atë që i ka urdhëruar të Dërguarit. Allahu ka thënë:

“O besimtarë, hani nga të mirat (të lejuarat) që ju kemi dhënë dhe falënderojeni Allahun, nëse jeni që vetëm Atë e adhuroni “(El-Bekareh 172).

Dhe ka thënë:

“O ju të Dërguar, hani atë që është e lejuar dhe e mirë dhe bëni vepra të mira se Unë e di atë që ju veproni” (El-M’uminun-51).

Pastaj përmendi një njeri flokëshprishur e i pluhurosur, të cilit i zgjatet udhëtimi dhe i zgjat duart drejt qiellit duke thënë: “O Zoti im, o Zoti im!”, ndërkohë që ushqimi i tij është haram, pirja e tij është haram, rrobat e tija janë haram dhe është ushqyer me haram”. Tha (më pastaj) Profeti (sal-laAll-lahu alejhi ue sel-lem):

“E, si ka mundësi t’i pranohet (lutja e tij)?!”

Profeti (sal-lAll-lahu alejhi ue sel-lem) e sheh si të largët pranimin e lutjes (nga Allahu) prej këtij njeriu, i cili i ka realizuar shkaqet e jashtme (dukshme), përmes së cilave arrihet pranimi, e ato janë:

1. I ka ngritur duart drejt qiellit, d.m.th., drejt Allahut të Lartësuar, sepse Ai është mbi qiell dhe mbi Arsh. Ngritja e duarve drejt Allahut është prej shkaqeve te pranimit të lutjes, siç ka ardhur në hadithin të cilin e transmeton imam Ahmedi në Musned:

“Vërtet, Allahu është i Turpshëm dhe Fisnik. Turpërohet nga robi i Tij, kur ai i ngre duart drejt Tij, t’ia kthejë pa asgjë”.

Ky njeri e ka lutur Allahun me Emrin (e Tij) “Zot”, “O Zot im, o Zot im”. Kështu, afrimi tek Allahu përmes këtij Emri është prej shkaqeve të pranimit të lutjes, sepse Zoti është Krijuesi, Poseduesi, Sistemuesi (Rregulluesi) i të gjitha çështjeve, dhe në Dorën e Tij janë çelësat e qiejve dhe Tokës, dhe për këtë arsye e sheh se shumica e lutjeve në Kuran fillojnë me këtë Emër.

“Zoti ynë, ne dëgjuam një thirrës që ftonte për besim (e që thoshte) : Të besoni Zotin tuaj! E ne besuam! Zoti ynë, na i fal mëkatet tona, na i shlyej të ligat tona dhe bëna të vdesim me të mirët! O Zoti Ynë! Na e jep shpërblimin që na ke premtuar nëpërmjet të Dërguarve Tu dhe mos na poshtëro në Ditën e Kiametit! Se Ti, me të vërtetë, nuk e shkel premtimin e dhënë! Dhe Zoti iu përgjigj lutjes së tyre:

“Unë nuk do t’ia humb mundin askujt nga ju që ka bërë vepra, qoftë mashkull apo femër. Ju jeni njëlloj (në shpërblim)…(Al-Imran- 193-195).

Ky njeri ishte udhëtar dhe udhëtimi përgjithësisht është prej shkaqeve të pranimit të lutjes, sepse njeriu gjatë udhëtimit ndjenë nevojë për Allahun dhe (ndjenë) domosdoshmëri për Të më shumë se kur është afër familjes së tij. Ndërsa “flokëshprishur e i pluhurosur” dmth si ai që nuk kujdeset për vete dhe gjëja më e rëndësishme për të është kthimi tek Allahu dhe lutja drejtuar Atij, pavarësisht gjendjes në të cilën është: flokëshprishur, i pluhurosur apo në gjendje mirëqenieje. Flokët e shprishura dhe pluhurosja kanë ndikim në pranimin e lutjes, siç ka ardhur në hadithin i cili transmetohet nga Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem):

“Allahu zbret në qiellin e dynjasë në pasditen e Arafatit dhe mburret para engjëjve me të pranishmit aty (në Arafat) e thotë: “Më kanë ardhur flokëshprishur, të pluhurosur dhe të pambrojtur nga nxehtësia e Diellit, (kanë ardhur) prej të gjitha viseve të largëta”.

Të gjitha këto shkaqe për pranimin e lutjes nuk i kanë bërë asgjë dobi, për arsye se ushqimi i tij ishte haram, rrobat e tij ishin haram dhe ishte ushqyer me haram. Tha Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem):

“E si ka mundësi t’i pranohet (lutja e tij)?!”

Kështu, nëse nuk plotësohen këto kushte për pranimin e lutjes, atëherë përgjigja është e largët. E, nëse plotësohen, por prapë Allahu nuk i përgjigjet lutësit, atëherë kjo është për shkak të ndonjë urtësie të cilën e di Allahu, por nuk e di lutësi. Ka mundësi që ju të doni ndonjë gjë ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Gjithashtu, kur të plotësohen këto kushte dhe Allahu nuk përgjigjet, atëherë Ai ose ia largon (lutësit) ndonjë të keqe më të madhe, apo ia ruan (lutjen) deri në Ditën e Kiametit e pastaj e shpërblen shumëfish. Sepse ky lutës, i cili është lutur sipas të gjitha kushteve dhe nuk i është përgjigjur e, gjithashtu, nuk iu ka larguar ndonjë e keqe më e madhe, ka mundësi që i ka plotësuar kushtet dhe (prapë) është privuar nga përgjigjja, për shkak të ndonjë urtësie, dhe kështu i jepet shpërblimi dyfish. Njëherë për shkak të lutjes së tij dhe herën e dytë për fatkeqësinë e mos-përgjigjes; kështu i ruhet tek Allahu i Lartësuar ajo që është më e madhe dhe më e plotë.

Gjithashtu, është e rëndësishme që njeriu të mos e sheh si të ngadaltë çështjen e pranimit të lutjes, sepse kjo, gjithashtu, është prej shkaqeve që e pengojnë pranimin, siç ka ardhur në hadith nga Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem):

“I përgjigjet ndonjërit prej jush përderisa nuk ngutet” Thanë: “E si ngutet, o i Dërguar i Allahut?” Tha: “Thotë: “Jam lutur, jam lutur dhe jam lutur, por nuk më është përgjigjur”.

Kështu, njeriu nuk duhet ta shohë si të ngadaltë çështjen e pranimit e të ndiejë mërzi (lodhje) ndaj lutjes dhe pastaj ta braktis atë. Përkundrazi, duhet të këmbëngulë në lutje, sepse çdo lutje me të cilën e lut Allahun, është adhurim i cili të afron te Allahu dhe ta shton shpërblimin. Vëllai im mysliman, duhet ta lusësh (pandërprerë) Allahun për të gjitha çështjet e tua, qofshin ato të përgjithshme apo të veçanta, të vështira apo të lehta. E, sikur mos të ishte lutja gjë tjetër përveç adhurimit ndaj Allahut të Lartësuar, njeriu do të duhej të kujdesej për të. Allahu është Ai, i Cili jep suksesin.

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit