Poezi në nder të nënës se besimtarëve, Aishes – Zoti qoftë i kënaqur me të!

:هذه قصيدة ابن البهيج الأندلسي في مدح أم المؤمنين عائشة رضي الله عنها

Kjo është një poezi e Ibn Behijxh El-Endelusit, në nder të nënës se besimtarëve, Aishes – Zoti qoftë i kënaqur me të!

Autor:
Ebu Imran Musa ibn Muhamed ibn Abdullah El Endelusi, i njohur si Ibn Behijxh (496 h.)

Shejhu ynë, Abdul-Muhsin ibn Hamed El-Abbad (Allahu e ruajte!), gjatë interpretimit të veprës Xhamiʿ të Tirmidhiut, ku kam qenë edhe unë i pranishëm, na rrëfeu këto radhë:

Shejhu: “Një nga Andaluzia ka shkruar një poemë në të cilën tregon pozitën, vlerat dhe pafajësinë e saj në lidhje me shpifjen për nderin e saj. Kjo poemë është shkruar duke folur në emër të saj, prandaj dhe e pashë të arsyeshme që ta citoj e ta trajtoj, meqenëse është një poemë e dobishme dhe e një rëndësie të madhe. Poema tregon se autori i saj ia ka dalë mbanë në drejtim të mbrojtjes që i ka bërë nënës së besimtarëve, duke nxjerrë në pah vlerat dhe pozitën e saj.”

Një poemë e prekshme për nënën e besimtarëve dhe një kundërvënie ndaj atyre që e urrejnë!

ما شان أم المؤمنين وشاني** هدي المحب لها وضل الشاني
1. Ku mund të krahasohet gjendja e nanës së besimtarëve me timen?!
i drejtuar është ai që e do, i humbun ai që e urren.

Shejhu: “Fillimi i vargut ngre një çështje me rëndësi, sepse tregon për pozitën fisnike të nanës së besimtarëve. Gjithashtu, mbrojtja e nënës së besimtarëve është një akt i madh. Pastaj autori pohon se ai që e do atë është i drejtuar në rrugën e drejtë; kurse ai që e urren (sheneʿan) është i humbur, siç lexojmë në Kuran: (“إن شانئك هو الأبتر”) “Në të vërtetë, ai që të urren ty është i pavlerë.” (El-Keuther, 3) (“و لا يجرمنكم شنئان قوم”) “Të mos ju nxisë urrejtja ndaj dikujt.” (El-Māide, 2) Në këto dy vargje të Kuranit përmendet fjala sheneʿan – urrejtje. Pra, në fillim përmendet udhëzimi dhe humbja, dashuria dhe urrejtja, dashuruesi dhe urrejtësi. Prandaj, ai që e do atë (Aishen) është i udhëzuar në rrugën e drejtë; ndërsa urrejtësi i saj është i humbur dhe larg nga rruga e drejtë.”

إني أقول مبينا عن فضلها ** ومترجما عن قولها بلساني
2. Flas duke hedhë dritë mbi vlerën e saj
me fjalët e saj nëpërmjet gjuhës sime.

يا مبغضي لا تأت قبر محمد** فالبيت بيتي والمكان مكاني
3. O urrejtësi im, mos eja te varri i Muhamedit,
se kjo shtëpi është e imja, edhe vendi gjithaq.

Shejhu: “Domethënë, ai që viziton varrin e të Dërguarit (salallahu alejhi ue selem!) ka ardhur te vendi i Aishes, te vendbanimi dhe shtëpia e saj. Pra, si është e mundur që dikush ta urrejë atë e njëkohësisht të vizitojë vendbanimin e saj!?”

إني خصصت على نساء محمد ** بصفات بر ٍتحتهن معاني
4. E veçuar jam ndërmjet grave të Muhamedit,
me cilësi mirësie kuptimplota.

وسبقتهن إلى الفضائل كلها ** فالسبق سبقي والعنان عناني
5. Ua kam kaluar në të gjitha drejtimet e mbara,
dhe epërsia më takon mua.

Shejhu: “Ndër të gjitha gratë e Muhamedit (paqja e Zotit qoftë me të!) ajo është gruaja më me vlerë. Në fakt ekzistojnë disa mospërputhje ndërmjet dijetarëve kur është fjala për Hadixhen, pasi disa dijetarë e kanë vlerësuar më shumë Hadixhen, duke u bazuar në faktin se ajo ka qenë e para që ka pranuar Islamin dhe ka ndihmuar Profetin (paqja e Zotit qoftë me të!) me çdo gjë në kohë vështirësie. Kurse disa të tjerë kanë vlerësuar Aishen me shumë, për shkak të përpjekjeve të shumta që ka bërë për ruajtjen e Sunetit dhe marrjen e tij nga Profeti i Zotit. Pra, duke pasur parasysh se ajo ishte një nga bazat dhe ruajtëset e Sunetit. Sidoqoftë, që të dyja kanë vlera dhe mirësi. Të gjitha gratë e Profetit tonë do jenë gratë e tij edhe në Xhenet; por, më të dalluarat mbeten Hadixhja dhe Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të gjitha!).”

مرض النبي ومات بين ترائبي ** فاليوم يومي والزمان زماني
6. U sëmur i Dërguari e vdiq në gjoksin tim.
Ajo ditë qe e imja, koha gjithashtu.

زوجي رسول الله لم أرغيره** الله زوجني به وحباني
7. Burri im është i Dërguari i Allahut, tjetër nuk kam parë.
Allahu më ka zgjedhur me të të martohem.

Shejhu: “Ndryshe nga gratë e tjera, të cilat kanë parë të tjerë, sepse kanë qenë të martuara më parë, ajo s’ka parë askënd përveç tij (salallahu alejhi ue selem!).”

وأتاه جبريل الأمين بصورتي** فأحبني المختار حين رآني
8. Xhibrili besnik i erdhi me pamjen time,
prandaj më dashuroi i Zgjedhuri kur më pa.

Shejhu: “Kjo pasqyrohet nga një hadith, ku thuhet se “më është treguar pamja e saj në një copë mëndafshi të bardhë”.”

أنا بكره العذراء عندي سره ** وضجيعه في منزلي قمران
9. Unë jam virgjëresha e pastër e tij; unë kam fshehtësinë e tij.
Në shtëpinë time është vendprehja e tij dhe e dy hënave.

Shejhu: “Domethënë, në shtëpinë e saj ka dy hëna: Ebu Bekri dhe Umeri në varr me të Dërguarin e Allahut. Ky është nderimi i Allahut për këta dy burra, të cilët e shoqëruan gjatë gjithë kohës në këtë jetë. Në varr janë përsëri afër tij dhe në Xhenet do të jenë bashke me të.”

وتكلم الله العظيم بحجتي ** وبراءتي في محكم القرآن
10. Allahu i madhëruar ka folur në mbrojtjen time:
pafajësia ime është e shpallur në Kuran.

والله خفرني وعظم حرمتي ** وعلى لسان نبيه براني
11. Allahu më mbrojti e madhëroi pastërtinë time:
me gjuhën e të Dërguarit të Tij më shfajësoi.

والله في القرآن قد لعن الذي ** بعد البراءة بالقبيح رماني
12. I mallkuar është në Kuran ai që
pas shpalljes së pafajësisë për tradhti më akuzon.

والله وبخ من أراد تنقصي ** إفكا وسبح نفسه في شاني
13. Allahu e ka qortuar atë që do t’më nënçmojë;
shpifës e ka quajtur e Veten ka lartësuar kur për mua ka folur.

إني لمحصنة الإزار بريئة ** ودليل حسن طهارتي إحصاني
14. Unë jam e pastër në nder:
provë është martesa ime.

Shejhu: “Ka lartësuar Veten kur ka thënë: (سبحانك هذا بهتان عظيم) “Pa të meta je Ti, i Lartësuar! Kjo është shpifje e madhe.” (En-Nūr, 16)

والله أحصنني بخاتم رسله ** وأذل أهل الإفك والبهتان
15. Allahu më ka martuar me vulën e profetëve,
e shpifësit i ka poshtëruar.

وسمعت وحي الله عند محمد ** من جبرئيل ونوره يغشاني
16. Zbulesën (shpalljen) e Allahut e kam dëgjuar pranë Muhamedit
nga Xhibrili, teksa drita e tij më mbështillte.

أوحى إليه وكنت تحت ثيابه** فحنا علي بثوبه خباني
17. Nën rrobat e tij isha kur Zbulesa i zbriti;
e ai më mbuloi me këmishën e vet.

من ذا يفاخرني وينكر صحبتي **ومحمد في حجره رباني؟
18. Kush është ai që mund të krenohet më shumë se unë?
Kush mund të mohojë se unë jam sahabije,
kur Muhamedi ne prehrin e tij më ka edukuar?

وأخذت عن أبوي دين محمد ** وهما على الإسلام مصطحبان
19. Nga prindërit e mi mora fenë e Muhamedit;
që të dy qenë së bashku në Islam.

وأبي أقام الدين بعد محمد** فالنصل نصلي والسنان سناني
20. Baba im forcoi e naltoi fenë pas Muhamedit.
Pra, shtiza e shpata janë të miat.

والفخر فخري والخلافة في أبي ** حسبي بهذا مفخرا وكفاني
21. Krenaria është e imja e kalifati është te baba im:
kjo krenari më mjafton.

وأنا ابنة الصديق صاحب أحمد ** وحبيبه في السر والإعلان
22. Unë jam e bija e njeriut të vërtetë , mik i të lavdëruarit ,
të dashurit të tij në fshehtësi e në publik.

نصر النبي بماله وفعاله** وخروجه معه من الأوطان
23. E ndihmoi Lajmëtarin me pasuri e vepra,
por edhe kur u shpërngul me të nga vatani.

ثانيه في الغار الذي سد الكوى** بردائه أكرم به من ثـان
24. I dyti në shpellë mbylli hapësirën me këmishën e tij.
Sa i dytë i ndershëm që ishte.

Shejhu: “Që do të thotë: (“ثاني اثنين إذ هما في الغار”) “I dyti nga të dy, kur ata ishin në shpellë.” (Et-Teube, 40) Sa i dytë i ndershëm është ai, domethënë, me Profetin (salallahu alejhi ue selem!). Ata ishin dy: Profeti (salallahu alejhi ue selem!) dhe Ebu Bekri.”

وجفا الغنى حتى تخلل بالعبا ** زهدا وأذعن أيما إذعان
25. La të gjithë pasurinë në të Zotit rrugë;
asgjënë mbajti për vete.

Shejhu: “Sepse e ka shpenzuar të gjithë pasurinë e tij në rrugë të Allahut dhe nuk ka lënë asgjë për veten, sikurse tregohet kur Umeri dha gjysmën e pasurisë për çështjen e fesë, pasi kish vendosur që t’ia kalonte Ebu Bekrit në bujari; por, Ebu Bekri kish sjellë të gjithë pasurinë që kishte, pa lënë asgjë në shtëpi!”

وتخللت معه ملائكة السما ** وأتته بشرى الله بالرضوان
26. Me të u bashkuan engjëjt nga qielli,
dhe përgëzimi me kënaqësinë e Allahut i kish ardhur.

وهو الذي لم يخش لومة لائم ** في قتل أهل البغي والعدوان
27. Është ai që nuk iu frikësua asnjë qortuesi
kur luftoi t’padrejtët dhe armiqtë.

قتل الألى منعوا الزكاة بكفرهم ** وأذل أهل الكفر والطغيان
28. Ndëshkoi ata që mbajtën zekatin me blasfeminë e tyre;
poshtëroi ndjekësit e blasfemisë e të padrejtësisë.

سبق الصحابة والقرابة للهدى ** هو شيخهم في الفضل والإحسان
29. Ua kaloi të gjithë sahabëve dhe të afërmve të Profetit:
ai është i pari i tyre për mirësi e bamirësi.

والله ما استبقوا لنيل فضيلة ** مثل استباق الخيل يوم رهان
30. Për at’Allah, sa e sa herë me njëri-tjetrin janë matur,
ndonjë të mirë të kapin, si kuajt në gara.

إلا وطار أبي إلى عليائهــا ** فمكانه منها أجل مكــان
31. Të mos fluturojë pra ai që ndodhet në pozitën më të lartë!
Pozita e tij më e mira qe.

ويل لعبد خان آل محمد ** بعداوة الأزواج والأَخْتان
32. Mjerë për atë që familjen e Muhamedit tradhton,
duke armiqësuar gratë e dhëndurët e tij.

طوبى لمن والى جماعة صحبه ** ويكون من أحبابه الحسنان
33. Lum për atë që i do të gjithë shokët e tij,
e nga të dashurit e tyre është.

Shejhu: “Domethënë, ndërthur dashurinë për Ehli Bejtin dhe për shokët, duke mos bërë dallime midis tyre. Duhet ditur se të gjithë shokët e të afërmit e Profetit (salallahu alejhi ue selem!) duhen respektuar e nderuar, dhe duhet të lutemi për ta. Nuk duhet ta teprojmë në dashurinë për disa duke lënë mënjanë disa të tjerë, por i duam dhe i afrojmë të gjithë në mënyrë të kujdesshme, pa teprime e pa mangësi.”

بين الصحابة والقرابة ألفة ** لا تستحيل بنزغة الشيطان
34. Ndërmjet shokëve dhe familjes ka harmoni,
shejtani nuk duhet të na turbullojë në këtë mes.

Shejhu: “Më konkretisht, Ebu Bekri thotë: “Kujdesuni për Muhamedin (salallahu alejhi ue selem!) dhe të afërmit e tij!” Po ashtu: “ Për Zotin, më shumë dua të sillem mirë e të mbaj lidhjet me të afërmit e të Dërguarit (salallahu alejhi ue selem!) sesa me të afërmit e mi!” Këto dy thënie gjenden në Sahīh-un e Buhariut, me anë të sened-it të tij që shkon deri te Ebu Bekri. Gjithashtu, kur Umeri përpiloi divanet (listat e njerëzve që përfitojnë nga pasuria e shtetit), vendosi të parët në listë të afërmit e Profetit (salallahu alejhi ue selem!), dhe më pas ata që janë më afër në farefisni me të, dhe jo veten e familjen e tij, që i la vetëm kur mbërriti në vendin e vet, në Beni ʿAdij.

!هم كالأصابع في اليدين تواصلا ** هل يستوي كف بغير بنان؟
35. Ata janë si gishtat e dorës, të bashkuar.
A mund të ketë dorë pa gishta?!

حصرت صدورالكافرين بوالدي ** وقلوبهم ملئت من الأضغان
36. Gjokset e jobesimtarëve janë ngushtuar nga baba im!
Zemrat e tyre janë mbushur me urrejtje!

حب البتول وبعلها لم يختلف ** من ملة الإسلام فيه اثنان
37. Për dashurinë e nuses së re dhe burrit të saj,
në botën e Islamit s’ka kundërshtime.

أكرم بأربعة أئمة شرعنا ** فهم لبيت الدين كالأركان
38. Sa të mirë janë katër imamët e fesë sonë!
Për shtëpinë e fesë janë si shtyllat.

Shejhu: “Bëhet fjalë për Ebu Bekrin, Umerin, Uthmanin dhe Aliun (katër kalifët e drejtë).”

نسجت مودتهم سدى في لحمة ** فبناؤها من أثبت البنيان
39. Afërsia e tyre është futur thellë në shpirtrat e tyre.
Ky është më i forti ndërtim.

الله ألف بين ود قلوبهــم ** ليغيظ كل منافق طعان
40. Allahu bashkoi dashurinë e zemrave të tyre,
që çdo hipokrit e shpifës të lëngojë në mllef.

رحماء بينهم صفت أخلاقهم ** وخلت قلوبهم من الشنآن
41. Të mëshirshëm me njëri-tjetrin e me moral të lartë.
Zemrat e tyre qenë të pastra nga urrejtja.

فدخولهم بين الأحبة كلفة ** وسبابهم سبب إلى الحرمان
42. Andaj, hyrja në mesin e të dashurve është punë e vështirë;
sharja e tyre është shkak për ndalesë.

جمع الإله المسلمين على أبي ** واستبدلوا من خوفهم بأمان
43. Zoti i bashkoi muslimanët përmes babës tim:
frikën me siguri e zëvendësuan.

!وإذا أراد الله نصرة عبده ** من ذا يطيق له على خذلان؟
44. Kur Allahu do të ndihmojë robin e Tij,
kush mund ta mposhtë atë!

من حبني فليجتنب من سبني ** إن كان صان محبتي ورعاني
45. Kush më do, le të largohet prej atij që më shan!
Nëse me ruan mua dhe dashurinë ndaj meje;

وإذا محبي قد ألظ بمبغضي ** فكلاهما في البغض مستويان
46. nëse ai që më do nuk ndahet nga urrejtësi im,
atëherë që të dy janë të njëjtë në urrejtje.

إني لطيبة خلقت لطيب ** ونساء أحمد أطيب النسوان
47. Unë jam e mirë, e krijuar për të mirin.
Gratë e të lavdëruarit janë më të mirat.

إني لأم المؤمنين فمن أبى ** حبي فسوف يبوء بالخسران
48. Unë jam nëna e besimtarëve. Ai që refuzon
dashurinë për mua, me humbjen njësh do bëhet!

الله حببني لقلب نبيـه ** وإلى الصراط المستقيم هداني
49. Allahu më ka bërë të dashur për zemrën e të Dërguarit të tij,
dhe më ka udhëzuar në rrugë të drejtë.

والله يكرم من أراد كرامتي ** ويهين ربي من أراد هواني
50. Allahu e nderoftë atë që do të më nderojë,
dhe poshtëroftë atë që do t’më poshtërojë.

والله أسأله زيادة فضله ** وحمدته شكرا لما أولانـي
51. Lus Allahun që mirësitë e Tij të m’i shtojë!
Falënderuar e kam për të mirat qe më ka dhënë.

يا من يلوذ بأهل بيت محمد ** يرجو بذلك رحـمة الرحمان
52. O ti që strehohesh te familja e Muhamedit,
duke synuar rahmetin e Rrahmanit,

صل أمهات المؤمنين ولاتحد ** عنا فتسلب حلة الإيمــان
53. Mbaji lidhjet me nanat e besimtarëve e mos u largo nga ne,
që rroba e imanit të mos zhvishet teje!

Shejhu: “Janë disa njerëz që e teprojnë duke nderuar disa prej anëtarëve të Ehli Bejtit, dhe strehohen tek ata. Janë po këta që nuk i respektojnë nënat e besimtarëve, ndërkohë që edhe ato janë pjesë e Ehli Bejtit; pasi nënat e besimtarëve janë prej Ehli Bejtit të Profetit (salallahu alejhi ue selem!). Gjithashtu, të gjithë të afërmit e tij janë pjesë e Ehli Bejtit. Të afërmit e të Dërguarit (paqja e Zotit qoftë me të!) dhe Ehli Bejti i tij (salallahu alejhi ue selem!) janë ata që e kanë haram të marrin sadakanë dhe zukatin; pra, zekati nuk u jepet atyre, por vetëm nga një e pesta e presë së luftës.

Ehli Bejti i Profetit (salallahu alejhi ue selem!) janë si më poshtë:
Gratë e tij, dy xhaxhallarët (Abasi dhe Hamzaja), fëmijët e xhaxhallarëve, fëmijët e Abasit dhe të Hamzait, fëmijët e Ebu Lehebit, fëmijët e Ebu Talibit, fëmijët e Zubejrit dhe fëmijët e Harith ibn Abd ul-Mutalibit. Të gjithë këta, të gjithë ata që janë muslimanë nga pasardhësit e Abd ul-Mutalibit janë pjesëtarë të Ehli Bejtit. Afërsia nuk është e veçuar për një grup të caktuar të Ehli Bejt-it. Ndjekësit e Sunetit dhe të xhematit i duan dhe i ndihmojnë të gjithë, duke mos bërë dallime në dashurinë ndaj të afërmve dhe sahabëve, por duke i dashur që të gjithë. Ai që është njeri me iman e devotshmëri nga të afërmit e Profetit (salallahu alejhi ue selem!), ne e duam imanin dhe devotshmërinë e tij, por e duam edhe për afërsinë që ka me Profetin (salallahu alejhi ue selem!).

Pra, i afërmi i Profetit (salallahu alejhi ue selem!) duhet – mbas dashurisë ndaj imanit dhe devotshmërisë së tij – për afërsinë e tij me Profetin (salallahu alejhi ue selem!). Gjithashtu, duhen dashur edhe të gjithë sahabët. Prandaj, dashuria ndaj të gjithëve është obligim: për sahabët dhe të afërmit; duke mbajtur mirë ndërmend se nuk duhet të teprohet me dashurinë për disa duke harruar disa të tjerë. Duhet të jemi mesatarë e të drejtë.”

إني لصادقة المقال كريمة ** إي والذي ذلت له الثقلان
54. Njëmend që unë të drejta i kam fjalët; jam edhe bujare.
Po, pasha Atë të Cilit i përulen njerëzit dhe xhindet.

خذها إليك فإنما هي روضة ** محفوفة بالروح والريحان
55. Merre pra këtë, se ky është një kopsht i rrethuar
me aromë e lule nga më të këndshmet.

صلى الإله على النبي وآله ** فبهم تشم أزاهرالبستان
56. Allahu dërgon bekime mbi të Dërguarin dhe familjen e tij!
Me ata ndihet aroma e kopshtit…

Shejhu: “Pra, siç e pamë, kjo poemë e bukur ka 56 vargje, dhe është plot bukuri e kthjelltësi. Zoti e mëshiroftë autorin e saj dhe ne bashkë me të! Allahu na dhëntë prirjen për të dashur sahabët dhe të afërmit e Profetit (paqja qoftë me të!), të cilët janë të parët dhe më të mirët që duhen dashur, duke u bazuar në fjalën e tij (paqja qoftë me të!): “Kush ka arritur tre gjëra do gjejë ëmbëlsinë e imanit: Allahu dhe i Dërguari i Tij të jenë më të dashur për të se të gjithë të tjerët; ta dojë tjetrin vetëm për të Allahut…”

Pra, shokët e Profetit (paqja qoftë me të!) dhe të afërmit e tij duhen për shkak të imanit, devotshmërisë dhe për faktin se qenë të parët që pranua Islamin. Çdo i afërm i Profetit (paqja qoftë me të!) duhet bashkë me dashurinë për imanin dhe devotshmërinë e tij, për shkak të afërsisë me Profetin (paqja qoftë me të!). Siç e mësuam, të afërmit e tij janë gratë e tij, pasardhësit dhe çdo musliman e muslimane që bën pjesë të pasardhësit e Abd ul-Mutalibit.”

Allahu e di më së miri dhe salatet e selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhammedin dhe krejt familjen e Sahabet e Tij!

Përktheu: Ahmed Xhafer Hoxha
Redaktoi: Edison Çeraj

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit