Porosi lidhur me kujdesin ndaj librit të Allahut (Kuranit fisnik) – Pjesa e parë

Shejh: AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)

http://binbaz.org.sa/mat/8388

Çdo lavdërim dhe falënderim i përket Allahut, Zotit të botëve. Salati dhe selami qofshin për robin dhe të Dërguarin e Allahut, Muhamedin, për familjen e tij dhe mbarë shokët e tij.

Më tej:

Vërtet, në Librin e Allahut ka udhëzim dhe dritë. Kurani është litari i fortë i Allahut, është rruga e Tij e drejtë si dhe këshilla e urtë e Tij. Kush kapet për të, shpëton, ndërsa kush shmanget nga ai, dështon. Duke e përshkruar këtë libër madhështor, Allahu i Madhërishëm thotë: “Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve që bëjnë vepra të mira se ata do të kenë shpërblim të madh.” (El-Isra, 9).

Domethënë, ky Libër i Allahut udhëzon drejt rrugës dhe shtegut më të drejtë, që është rruga më e mirë, më e drejtë dhe më e udhëzuar. Pra, Kurani udhëzon drejt asaj rruge, tregon për të dhe thërret për tek ajo. Ajo rrugë është teuhidi (njësimi) i Allahut, bindja ndaj Tij, të mos i bëhet mëkat Atij dhe të ndalurit tek kufijtë që Ai i ka caktuar. Kjo, pra, është rruga më e mirë (më e drejtë) dhe shtegu nëpërmjet të cilit arrihet shpëtimi.

Allahu i Lartësuar e zbriti si shpjegim për çdo çështje, si udhërrëfyes, si mëshirë dhe si lajm të mirë për myslimanët. Ashtu siç thotë i Lartësuari: “Ne ta zbritëm ty (Muhamed) Librin, si shpjegim për çdo çështje, si udhërrëfyes, si mëshirë dhe si lajm të mirë për myslimanët.” (En-Nahl, 89).

Pra, Kurani është shpjegues për çdo gjë, është udhëzim drejt rrugës së lumturisë, është mëshirë dhe lajm i mirë. I Madhërishmi thotë: “Thuaj: “Ai (Kurani) është udhërrëfyes dhe shërim për besimtarët.” (Fussilet, 44). Domethënë, udhërrëfyes i zemrave të tyre drejt të vërtetës dhe shërim për zemrat e tyre nga sëmundjet e shirkut, mëkateve, bidateve dhe lajthitjeve nga e vërteta, si dhe shërim për shumë sëmundje trupore.

Kurani është lajm i mirë për njerëzit dhe xhinët, mirëpo Allahu i patëmeta i përmendi (veçoi) besimtarët, ngaqë ata u udhëzuan përmes tij dhe përfituan prej tij. Megjithatë, ai është shërim për të gjithë, ashtu siç tha i më i Larti: “Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve që bëjnë vepra të mira se ata do të kenë shpërblim të madh.” (El-Isra, 9).

Pra, Kurani është shërim dhe ilaç për sëmundjet e ndryshme të zemrave, si ato të shirkut, të mëkateve, të bidateve dhe shkeljeve (të dispozitave). Po ashtu, ai është shërim për sëmundjet trupore dhe shoqërore, për këdo që e ka nijetin e mirë dhe që Allahu do që ta shërojë. Allahu i Madhërishëm thotë: “Elif Lâm Râ. Këtë Libër ta kemi zbritur ty (o Muhamed), për t’i nxjerrë njerëzit, me lejen e Zotit të tyre, nga errësirat në dritë, në rrugën e të Plotfuqishmit, të Denjit për çdo lavd.” (Ibrahim, 1).

Kështu, Kurani është një libër përmes së cilit Allahu i nxjerrë njerëzit nga errësirat e shirkut, mëkateve, përçarjes e kundërshtive drejt dritës së të vërtetës e udhëzimit, drejt bashkimit në hajr dhe ndihmesës së ndërsjellë në mirësi dhe devotshmëri. Dhe pikërisht kjo është rruga e drejtë e Allahut, e cila është: teuhidi (njësimi) i Tij, kryerja e detyrave të ngarkuara nga Ai, lënia e gjërave të ndaluara prej Tij, porosia e ndërsjellë për zbatimin e të drejtës së Tij dhe kujdesi nga mosbindja ndaj Tij dhe kundërshtimi i urdhrit të Tij. Kjo është rruga e drejtë e Allahut, kjo është drita e udhëzimi, dhe kjo është rruga më e drejtë (më e mirë). Allahu i patëmeta thotë: “Ndërsa ky (Kuran) është Këshillë e bekuar, të cilën Ne e kemi zbritur, prandaj si mund ta mohoni atë?!” (El-Enbija, 50).

Dhe thotë: “Ky (libër) është vetëm këshillë dhe një Kuran i qartë, për të paralajmëruar këdo që është gjallë dhe për t’u përmbushur fjala ndaj mohuesve.” (Jâ Sîn, 69-70).

Ajo çfarë dua të them është se Allahu i Lartësuar Librin e Vet e bëri këshillë, kërcënim (paralajmërim), shërim dhe udhërrëfyes, andaj që të gjithë, xhinët dhe njerëzit, e kanë për detyrë të udhëzohen përmes tij, të qëndrojnë paluhatshëm në mësimet e tij dhe të kenë kujdes nga kundërshtimi i tij. Allahu thotë: “Ky Kuran është një libër i bekuar që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët.” (Sâd, 29).

Dhe thotë: “Ky libër që kemi zbritur, është i bekuar, prandaj ndiqeni dhe druhuni kundërshtimit, në mënyrë që të mëshiroheni.” (El-En’am, 155).

Po ashtu thotë: “Vallë, a nuk përsiatin ata për Kuranin apo i kanë zemrat të kyçura?!” (Muhamed, 24).

Aisha (radijAllahu anha) qe pyetur: “Oj nëna e besimtarëve! Cili ishte morali i Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem)?” Ajo u përgjigj: “Morali i tij ishte Kurani”. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe vërtet ti (Muhamed) je në një shkallë të lartë të moralit.” (El-Kalem, 4). Kuptimi i kësaj është se Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) meditonte rreth Kuranit, shpeshtonte leximin e tij dhe punonte sipas asaj që gjendet në të. Kështu, morali i tij ishte Kurani, ngaqë ai (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e lexonte atë dhe meditonte rreth tij, i zbatonte urdhrat e tij dhe largohej nga ndalimet e tij, nxiste në bindje ndaj Allahut dhe të Dërguarit, thërriste drejt mirësisë, këshillonte për Allahun dhe robërit e Tij, si dhe mënyra të tjera të mirësisë.

I Lartësuari thotë: “Ne të tregojmë ty (Muhamed) tregimin më të bukur…” (Jusuf, 3). Pra, Kurani është tregimi më i bukur dhe është morali i Profetit (sal-lAllahua alejhi ue sel-lem).

Porosia ime drejtuar të gjithë myslimanëve, burra e gra, xhin e njerëz, arabë e joarabë, dijetarë e nxënës dijeje (pra porosia ime drejtuar të gjithëve), është të kujdesen ndaj Kuranit dhe të shpeshtojnë leximin e tij me meditim e vëmendje, natën e ditën. Veçanërisht gjatë kohëve të përshtatshme, gjatë të cilave zemrat janë të pranishme për meditim dhe kuptim. Ai i cili nuk e di përmendsh, e lexon atë nga mus’hafi, ndërsa ai i cili i di disa pjesë të tij përmendsh, lexon atë që i vjen më lehtë (aq sa mundet). Allahu thotë: “Prandaj lexoni nga Kurani sa të keni mundësi.” (El-Muzzemmil, 20).

Ai që i di shkronjat arabe, lexon nga Mus’hafi, në mënyrë që të mësojë më shumë, ndërsa ai i cili nuk i di, mëson nga nëna apo nga babai, apo nga fëmija, apo nga bashkëshortja e tij, nëse është më e dijshme se ai. Po ashtu, ajo motër që nuk di të lexojë Kuran, le të mësojë me babanë apo me vëllain, me bashkëshortin, me motrën, apo me dikë tjetër.

Kështu, pra, njerëzit e ndihmojnë njëri-tjetrin; burri e ndihmon gruan e vet dhe anasjelltas; babai e ndihmon fëmijën e vet dhe anasjelltas; vëllai vëllain e vet, dajën, tezën. Kështu, të gjithë ndihmohen mes vete dhe e porosisin njëri-tjetrin lidhur me këtë libër madhështor, që të meditojnë e të reflektojnë rreth tij dhe të punojnë në përputhje me mësimet e tij. Kjo për shkak të fjalëve të Allahut: “Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe e armiqësi!” (El-Maide, 2).

Dhe: “Për kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin.” (El-‘Asr, 1-3).

Dhe, për shkak të hadithit të Xhabir bin Abdullahit (radijAllahu anhu), i cili shënohet në Sahih-un e Muslimit, pra, në këtë hadith tregohet se në haxhin e lamtumirës, përkatësisht në ditën e Arafatit, Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) iu drejtua njerëzve dhe u tha: “Unë po jua lë në mesin tuaj atë që, nëse ju e shtrëngoni fort, nuk do të devijoni kurrë: Librin e Allahut.” Kështu, pra, ai (alejhis-salatu ues-selam) i porosiste lidhur me Librin e Allahut dhe njëkohësisht u tregonte se, nëse kapen pas mësimeve të tij, kurrë nuk do të lajthisin. Ndërsa, në një version tjetër, qëndron: “Librin e Allahut dhe Sunetin (traditën) time.” Suneti i të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) është prej Librit të Allahut, ngase Allahu i patëmeta thotë: “Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit.” (Et-Tegabun, 12).

Pra, Libri i Allahut urdhëron për bindje ndaj Allahut dhe ndaj të Dërguarit të Tij. Allahu thotë: “Thuaj: “Bindjuni Allahut dhe bidnjuni të Dërguarit!” Nëse shmangeni, (ta dini se) ai (Muahmedi) është përgjegjës për detyrën e tij ndërsa ju për atë që jeni ngarkuar. E, nëse i bindeni atij, do të jeni në rrugë të drejtë, kurse i Dërguari është i detyruar vetëm që të përcjellë qartë (mesazhin e Allahut).” (En-Nur, 54).

Dhe: “Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit dhe kini kujdes!” (El-Maide, 92).

Po ashtu, thotë: “Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut.” (En-Nisa, 80).

Pra, i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) porositi për Kuranin, dhe kjo porosi e tij përfshin edhe Sunetin, që nënkupton fjalët, veprat dhe miratimet e tij.

Kurani e nxjerrë njerëzimin nga të gjitha sprovat. Ai është tregues për rrugën e shpëtimit, udhërrëfyes për shkaqet e lumturisë, paralajmërues për shkaqet e shkatërrimit, thirrës drejt unifikimit të fjalës dhe paralajmërues nga përçarja e kundërshtimi. Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë, ti (Muhamed) s’ke të bësh fare me ata që e përçajnë fenë e tyre dhe shndërrohen në sekte.” (El-En’am, 159).

Dhe ajeti: “Mos u bëni si ata që, pasi u erdhën provat e qarta, u përçanë dhe u grindën. Për këta do të ketë dënim të madh.” (Al-‘Imran, 105).

Dhe thotë: “Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani!” (Al-‘Imran, 103).

Pra, Kurani thërret drejt bashkimit rreth të vërtetës dhe porosisë së ndërsjellë për të (të vërtetën). Ashtu siç thotë Allahu: “Për kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin.” (El-‘Asr, 1-3). Kjo sure e shkurtër, por madhështore, ka mbledhur mirësinë në tërësi. S’ka lënë ndonjë gjë të mirë veçse e ka përmendur, apo ndonjë gjë të keqe veçse ka paralajmëruar kundër saj.

Këta të cilët i ka veçuar kjo sure, janë të fituarit, qofshin xhinë apo njerëz, meshkuj apo femra, arabë apo joarabë, tregtarë (të pasur) apo fukara, udhëheqës apo të tjerë. Ata janë fitimtarët dhe të shpëtuarit nga humbja. Ata janë të cilët i kanë katër cilësi:

– Besimin,

– Veprat e mira,

– Porosinë e ndërsjellë për të vërtetën, dhe

– Porosinë e ndërsjellë për durimin.

Këta janë të cilët kanë shpëtuar nga humbja, ndërkaq të tjerët përveç tyre janë të humbur; secili në bazë të asaj që i ka ikur nga këto katër cilësi.

Andaj, besoje Allahun dhe fjalët e Tij; besoji ato që janë saktësuar prej fjalëve të të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe çdo gjë për të cilën ka treguar Allahu dhe i Dërguari prej çështjeve të Ahiretit, Xhenetit, zjarrit, llogarisë, shpërblimit/ndëshkimit, e gjëra të tjera të kësaj natyre. Beso se vetëm Allahu e meriton adhurimin, se Ai është një e i pashoq, se adhurimi është e drejtë vetëm e Tij dhe se ai nuk bën t’i kushtohet dikujt tjetër përveç Allahut. Pohoj si të vërteta të gjitha këto.

Ashtu siç tregoi Allahu në Librin e Tij madhështor, ku tha: “Andaj adhuro vetëm Allahun me përkushtim të çiltër për Të!” (Ez-Zumer, 2).

Dhe: “Zoti yt ka urdhëruar që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij…” (El-Isra, 23).

Gjithashtu tha: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë!” (El-Fatiha, 5).

Dhe ajetet: “E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë…” (El-Bejjine, 5).

“I Adhuruari juaj është një i adhuruar i vetëm! S’ka të adhuruar tjetër të vërtetë, përveç Atij, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!” (El-Bekare, 163).

“Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai është Mbikëqyrës i çdo gjëje” (Ez-Zumer, 62).

“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të më adhurojnë” (Edh-Dharijat, 56).

“O njerëz! Adhuroni Zotin tuaj…” (El-Bekare, 21).

Pra, kjo është baza e fesë dhe themeli i miletit: (pra) të besosh se vetëm Allahu është Krijuesi, Furnizuesi, se vetëm Ai është i adhuruari i vërtetë dhe se Atij i përkasin emrat më të bukur dhe atributet më të larta; (se) Atij askush nuk i përngjanë dhe askush s’është i barabartë a i krahasueshëm me Të. Ai nuk ka shok në adhurim dhe as në sundimin e rregullimin (drejtimin) e universit.

Ashtu siç thotë i Lartësuari: “Allahu! Nuk ka të adhuruar tjetër (të vërtetë) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje!” (El-Bekare, 255).

Dhe thotë: “Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Es-Samedu (Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim). Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!” (El-Ihlas, 1-4).

“Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha” (Esh-Shura, 11).

“Kjo është kështu, sepse Allahu është e Vërteta (i vetmi që meriton të adhurohet), kurse gjithçka që adhurohet, përveç Tij, është e pavërteta. Dhe, pa dyshim, Allahu është më i Lartësuari dhe i Madhërishmi.” (El-Haxhxh, 62). “

“Xhamitë i janë kushtuar vetëm Allahut, prandaj mos iu lutni askujt krahas Allahut!” (El-Xhinn, 18).

Ajetet që flasin rreth kësaj tematike janë të shumta.

Përmbledhtas: çdokush, xhin apo njeri, e ka për të detyrë ta adhurojë vetëm Allahun dhe të besojë me një besim të prerë se vetëm Ai është Krijuesi e Furnizuesi dhe s’ka krijues dhe Zot tjetër përveç Atij. Po ashtu, të besojë se vetëm Allahu është meritor për adhurim e askush tjetër. Të besojë se Allahu e meriton të adhurohet me lutje, frikë, shpresë, namaz, agjërim, therje të kurbanit, zotim, e tjerë. Të gjitha duhet të kryhen vetëm për Allahun, pa i vënë Atij asnjë shok. I Lartësuari thotë: “Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit” (Er-Rum, 30). Dhe: “E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë…” (El-Bejjine, 5).

Pikërisht ky është kuptimi i shprehjes la ilahe il-lAllah; kuptimi i saj është: s’ka të adhuruar (të vërtetë/me të drejtë) përveç Allahut. Siç thotë Allahu: “Dije se nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut!” (Muhamed, 19). Domethënë, dije se vetëm Allahu e meriton adhurimin e askush tjetër përveç Tij.

Ndërkaq, kush adhuron idhujt apo banorët e varrezave, apo drunjtë, gurët, engjëjt, profetët, ai i ka bërë shirk (shok) Allahut dhe e ka prishur e kundërshtuar shprehjen la ilahe il-lAllah. Ai i ka kundërshtuar fjalët e Allahut: “E, megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë…” (El-Bejjine, 5) dhe: “Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të më adhurojnë” (Edh-Dharijat, 56).

Kështu, ai është bërë prej idhujtarëve, qofshin ata adhurues varrezash, idhujsh, drurësh, gurësh, të cilët kërkojnë ndihmë e shpëtim nga të varrosurit dhe që kërkojnë bekim nga varret e atyre, apo bëjnë tavaf (rrotullohen) rreth varreve të tyre duke shpresuar nga ta dobi e shpërblim, apo kërkojnë nga ta fëmijë si dhe gjëra tjera të kësaj natyre që i bëjnë adhuruesit e varreve e idhujve, apo kërkojnë ndihmë nga yjet, nga xhinët, nga engjëjt, nga profetët apo nga krijesat e tjera.

Të gjitha këto gjëra e prishin thënien la ilahe il-lAllah dhe janë shirk që kundërshton dhe bie ndesh me teuhidin (njësinë) e Allahut. Këto gjëra bien ndesh me fjalët e Allahut: “E, megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë…” (El-Bejjine, 5).

“E sikur ata të adhuronin dikë tjetër në vend të Allahut, do t’u humbte çdo gjë nga ajo që kanë bërë.” (El-En’am, 88).

“Me të vërtetë, të është shpallur ty (o Muhamed), si dhe atyre që kanë qenë para teje: “Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër, me siguri që punët tua do të zhvlerësohen dhe do të jesh ndër të humburit.” (Ez-Zumer, 65).

“Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij, por gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë” (En-Nisa, 48 dhe 116).

“(Kujtoje) kur Lukmani i tha të birit duke e këshilluar: “O djali im, mos i shoqëro Allahut asgjë! Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe” (Lukman, 13).

Kështu, patjetër duhet të ketë teuhid (njësim) të Allahut dhe patjetër duhet të jesh i sinqertë ndaj Tij në namazin tënd, në agjërimin tënd, në therjen e kurbanit, në zotimin tënd, në frikën e shpresën tënde, si dhe në të gjitha adhurimet tua të tjera. Në të gjitha këto ti patjetër duhet të largohesh nga shirku dhe të kesh kujdes prej tij, dhe njëkohësisht të besosh se vetëm Allahu është Zoti e Krijuesi yt e askush tjetër, si dhe të besosh në emrat e cilësitë e Tij; të besosh se Ai i ka cilësitë më të larta dhe emrat më të bukur, se askush nuk është i ngjashëm, i krahasueshëm apo i barabartë me Të.

Ashtu siç thotë Allahu: “Allahut i përkasin emrat më të bukur, andaj thirreni Atë (lutjuni Atij) me to…” (El-A’raf, 180).

Dhe: “Prandaj mos sajoni zota të barabartë me Allahun, duke qenë se ju e dini (se vetëm Ai meriton të adhurohet).” (El-Bekare, 22).

“Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha” (Esh-Shura, 11).

“Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Es-Samedu (Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim). Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!” (El-Ihlas, 1-4).

Gjithashtu, çdo njeri e ka për detyrë të besojë se Allahu i patëmeta është Krijuesi dhe Shpikësi i tij, se Ai është Krijuesi dhe poseduesi i çdo gjëje, se vetëm Ai e meriton adhurimin dhe se vetëm Ai është i adhuruari i vërtetë.

Dhe njeriu nuk beson me besim të plotë, përderisa nuk beson se Allahut të patëmeta i përkasin emrat më të bukur dhe cilësitë më të larta, se të gjithë emrat e Tij janë në shkallën më të lartë të bukurisë, se të gjitha atributet e Tij janë në shkallën më të lartë, dhe se askush nuk është i ngjashëm, i njëjtë apo i krahasueshëm me Të. Ashtu siç thotë Allahu: “Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Es-Samedu (Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim). Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!” (El-Ihlas, 1-4).

“A e njeh ti ndokënd që është i ngjashëm me Të?!” (Merjem, 65). Domethënë, askush s’është i ngjashëm, i krahasueshëm me Të apo ortak i Tij.

“Prandaj, mos sajoni zota të barabartë me Allahun, duke qenë se ju e dini (se vetëm Ai meriton të adhurohet).” Domethënë, mos sajoni zota të barabartë me Allahun, të cilëve u luteni krahas Tij.

Dhe thotë i Lartësuari: “Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha” (Esh-Shura, 11). Pra, Allahu i dëgjon fjalët e robërve të Tij dhe lutjet e tyre, si dhe i sheh ata. Mirëpo, megjithëkëtë, Atij nuk i ngjason askush as në Qenien e Tij, as në dëgjimin e shikimin e Tij dhe as në të gjitha cilësitë e Tij. Pra, Ai është i përsosuri në çdo gjë, ndërsa krijesat janë ato që janë të mangëta. Kështu, Atij i përket përsosmëria në çdo aspekt.

Andaj, ti duhet të meditosh rreth Kuranit, në mënyrë që t’i njohësh këto domethënie. Përsiat mbi Kuranin, prej fillimit e deri në fund të tij; prej Fatihas, e cila është surja më madhështore në të, e deri në fund të mus’hafit, suret El-Ihlas, El-Felek dhe En-Nas.

Vijon…

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit