Pozita e sinqeritetit në fe dhe vlera e tij

Shejh: Dr. Ibrahim bin Amir Er-Ruhajli (Allahu e ruajt)
www.al-rehaili.net

Çdo lavdërim dhe falënderim i përket Allahut, Zotit të botëve. Salati dhe selami qofshin për të Dërguarin fisnik, për familjen dhe mbarë shokët e tij.

Më tej:

Sinqeriteti është një bazë madhështore prej bazave të fesë, madje feja vërtitet rreth tij dhe qëndron mbi të. Kjo ngaqë feja ngrihet mbi realizimin e adhurimit, për shkak të të cilit u krijua njeriu. Nuk ka adhurim të vërtetë, veçse përmes sinqeritetit. Kështu, sinqeriteti në adhurim është sikurse shpirti për trupin. Dihet se jeta e njeriut vazhdon për aq kohë sa ai e ka shpirtin në trup. Në momentin kur shpirti del nga trupi, njeriu vdes dhe bëhet kufomë e palëvizshme. Kështu është edhe me veprën në të cilën s’ka sinqeritet; ajo nuk ka kurrfarë vlere, bile nuk quhet vepër e mirë, përveç nëse i bashkëngjitet sinqeriteti. Argumentet e Kuranit dhe Sunetit e kanë vërtetuar këtë bazë madhështore dhe kanë thirrur drejt saj.

I Lartësuari thotë:

“E, megjithatë, ata s’qenë urdhëruar për tjetër veçse që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e pastër (të Ibrahimit).” (El-Bejjine, 5).

“Thuaj: “Unë jam vetëm një njeri si ju. Mua më është shpallur se i adhuruari juaj është një i adhuruar i Vetëm. Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet!” (El-Kehf, 110).

Pra, në ajetin e parë, Allahu sqaroi se nuk i urdhëroi robërit me tjetër pos sinqeritetit në fe. Dhe kjo përfshin sinqeritetin në të gjitha degët e imanit, të cilat Allahu na i ligjësoi në këtë fe, si: besimet, fjalët dhe veprat. Ndërkaq, në ajetin e dytë, Ai ndaloi nga shirku, që është e kundërta e sinqeritetit, dhe bëri me dije se shpërblimi i Tij do jetë vetëm për atë, që në ditën e Kiametit e takon Allahun me vepër të sinqertë, të pastër nga shirku dhe njollat e tij, dhe të cilën e ka kryer në përputhje me sunetin e të Dërguarit (sallAllahu alejhi ue sel-lem).

Po ashtu, kjo bazë madhështore është vërtetuar edhe në sunet, dhe atë në hadithin e njohur të Omer bin Hattabit (radijAllahu anhu), i cili përcillet nga Buhariu dhe Muslimi.

Në këtë hadith, Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë:

“Vërtet, veprat vlerësohen sipas qëllimeve (nijeteve) dhe çdo njeriu i takon ajo që ka pasur për qëllim. Kështu, kush migron për Allahun dhe të Dërguarin e Tij, migrimi i tij është për Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Ndërsa, kush migron për të arritur disa të mira të kësaj bote apo për t’u martuar me ndonjë femër, migrimi i tij është për atë që ka migruar.”

El-Hattabi shënon: “Domethënë, vlefshmëria e veprave dhe dispozitat që u vihen atyre janë (bëhen) vetëm me anë të nijetit. Pikërisht nijeti është ai që u jep atyre kahen e duhur.” (Me’alimus-Sunen, 3/244).

Hafidh ibën Rexhebi shkruan: “(Veprat janë sipas qëllimeve) Veprat e mira, të prishura, të pranuara, të papranuara, të shpërblyera, të pashpërblyera, (të gjitha) janë sipas qëllimeve. Andaj, kjo fjali lajmëron për një vendim fetar, që është se: vlefshmëria e veprave dhe prishja e tyre janë sipas mirësisë apo prishjes së nijeteve. Për këtë arsye, selefët e madhëronin këtë hadith dhe e ndjenin (kuptonin) pozitën e lartë të asaj në çka ai aludonte. Jezid bin Haruni e tregoi (përcolli) këtë hadith në praninë e Imam Ahmedit, e ky ia ktheu: “O Ebu Halid, ky (hadith) është lak në fyt .” (Xhami’ul-U’lumi uel-Hikem, 1/64-65).

Ibën AbdulBerri tha: “Nga kjo rezulton se, çdo vepër e pazënë nga nijeti, nuk është e mjaftueshme”. (El-Istidhkar, 1/264).

Përkujdesja e selefëve ndaj sinqeritetit:

Pasi që kjo është pozita e sinqeritetit në fe, ai ishte prej shenjave më dalluese të metodologjisë së selefëve, duke qenë se gëzonte përkujdesjen dhe vëmendjen e tyre. Bile, angazhimi me të dhe realizimi i tij ishin synimi përfundimtar dhe kërkesa më e skajshme e tyre. Për këtë arsye, thëniet dhe shprehjet e tyre rreth sinqeritetit ishin të shumta e të llojllojshme. Ato e përshkruanin realitetin e sinqeritetit, inkurajonin dhe nxitnin për të, dhe paralajmëronin nga e kundërta e tij, si shirku dhe rijaja (sy-e-faqësia), duke ia bashkangjitur tërë kësaj qëndrimet e ndritshme të tyre të përcjella, ku përmenden zbatimi i sinqeritetit nga ta dhe shembujt më mahnitës që i dhanë në fshehjen e veprave, në kërkim të realizimit të tij sipas mënyrës më të përkryer dhe ruajtjes së tij nga njollat e mangësive dhe të metave.

Thëniet e selefëve të cilat sqarojnë realitetin e sinqeritetit:

Thënia e Ebu Idrisit:

“Asnjeri nuk e arrin realitetin e sinqeritetit, derisa të mos dëshirojë të lavdërohet nga të tjerët për ndonjë vepër që e kryen për Allahun e Lartësuar.” (Te’rih Dimeshk, 23/419).

Fudajl bin I’jadi thotë:

“Lënia e veprës për shkak të njerëzve është rija. Kryerja e saj për hir të tyre është shirk. Ndërsa, sinqeriteti është që Allahu të të shpëtojë nga të dyja këto.”

El-Xhunejd thotë:

“Sinqeriteti është një sekret midis Allahut dhe robit. Atë nuk e di as engjëlli, në mënyrë që ta shkruajë; as shejtani, në mënyrë që ta prishë; dhe as epshi, në mënyrë që ta largojë.”

Mekhuli kishte thënë:

“Asnjë njeri nuk është bërë i sinqertë për dyzet ditë e që të mos i jenë shfaqur burimet e urtësisë së zemrës në gjuhë.”

Ebu Sulejman Ed-Daranij tha:

“Kur njeriu të jetë i sinqertë, largohen prej tij vesveset dhe rijatë e shumta.” (Medarixhus-Salikin, 2/92).

Nga Ebu Ja’kub Es-Susij përcillet të ketë thënë:

“Kurdo që njerëzit të vërejnë sinqeritet në sinqeritetin e tyre, atëherë (le ta dinë se) ai sinqeritet i tyre ka nevojë për sinqeritet.”

Nga Hudhjefe El-Mer’ashij përcillet fjala e tij:

“Sinqeriteti është kur veprat e brendshme dhe të jashtme të njeriut të jenë të njëjta.” (Bustanul-A’rifin i Neveviut, fq. 27).

El-Kittanij kishte thënë:

“E kam dëgjuar Ebu Hamzën duke thënë, pasi që ishte pyetur për sinqeritetin: “Vepra e sinqertë është kur njeriu s’ka dëshirë ta lavdërojë për të askush tjetër përveç Allahut të Madhërishëm.” (Shu’abul-Iman, 9/184).

Sehli tha:

“Njerëzit mendjemprehtë këqyrën në shpjegimin e sinqeritetit, mirëpo nuk gjetën gjë tjetër përveç kësaj: që lëvizjet dhe qetësia e njeriut në brendësinë dhe dukjen e tij të jenë vetëm për Allahun dhe askënd tjetër, dhe që (në to) të mos përzihet me Të askush, asnjë shpirt, asnjë epsh dhe asnjë përfitim i kësaj bote.” (Shu’abul-Iman, 9/184).

Imam Shafiu kishte thënë:

“Sikur të jepje të gjithë mundin për t’i kënaqur njerëzit, prapë s’do të arrije një gjë të tillë. E, nëse është kështu, atëherë bëje veprën dhe nijetin tënd të sinqertë për Allahun e Madhërishëm.” (Shu’abul-Iman, 9/201).

Thëniet e selefëve që inkurajojnë drejt sinqeritetit:

Nga Ed-Dahhak bin Kajs përcillet të ketë thënë:

“O njerëz, bëjini veprat tuaja sinqerisht për Allahun, sepse Allahu nuk e pranon veprën e pasinqertë. Andaj, kur ndokush prej juve të japë diçka, të falë padrejtësinë që i është bërë apo të mbajë lidhjet farefisnore, assesi të mos thotë: “E kam bërë për hir të Allahut”, meqë atë e di me zemrën e tij.” (Te’rih Dimeshk, 24/282).

Bilal bin Sa’di këshillonte:

“Mos u bëj mik i Allahut në prani të të tjerëve dhe armik i Tij kur je i vetëm.” (Sijeru A’lami En-Nubela, 9/407).

Hatimi kishte thënë:

“Kërkoje vetveten në katër gjëra: në veprën e mirë pa rija, në marrjen pa lakmi, në dhënien pa përmendjen e saj dhe në të përmbajturit pa koprraci.” (Shu’abul-Iman, 9/182).

AbduRrahman Es-Sulemij tha:

E dëgjova Mensur bin Abdullahin duke thënë: “Muhamed bin Alij Et-Tirmidhij tha: “Atje (në ditën e Gjykimit) nuk shpëtohet me vepra të shumta, por vetëm me vepra të sinqerta e të mira (d.m.th. sipas sunetit).”

Përpjekjet e selefëve në realizimin e sinqeritetit:

Ka forma të shumta ajo çfarë është përcjellë në jetëshkrimet dhe qëndrimet e selefëve rreth realizimit të sinqeritetit, përpjekjes në këtë drejtim si dhe ruajtjes së madhe nga e kundërta e tij: rijaja. Njëra ndër to ishte edhe largimi i tyre nga lavdërimi i vetvetes me sinqeritet dhe me pretendim të realizimit të tij.

Lidhur me këtë përcillet thënia e Hisham Ed-Desteuait:

“Pasha Allahun, kurrë s’mundem të them se në ndonjërën prej ditëve kam shkuar për të kërkuar hadithin duke pasur për qëllim me të Fytyrën e Allahut të Lartësuar.” (Sijer A’lami En-Nubela1/46).

Ueki’u tha:

“Ne jetojmë nën mbulesë. Sikur të hiqej mbulesa, do të zbulohej një gjë e rëndësishme. Pra, kujdesuni për vërtetësinë dhe nijetin.” (Sijer A’lami En-Nubela, 7/ 568).

El-Fudajl bin I’jadi tha:

“Sikur të betohesha se jam duke i kryer veprat për sytë e njerëzve, do të ishte më e dashur për mua sesa të betohesha se nuk jam duke i kryer për ta.” (Sijer A’lami En-Nubela, 7/401).

Jusuf bin El-Husejni tha:

“Gjëja më e pakët në këtë botë është sinqeriteti. Sa shumë mundohem ta largoj rijanë nga zemra ime, mirëpo ajo sikur mbin me një formë tjetër.”

Imam Ahmedi qe pyetur:

“A e keni kërkuar dijen për hir të Allahut?”

Ai u përgjigj:

“(Të bësh diçka) Për hir të Allahut është gjë e rrallë. Mirëpo, kjo ishte diçka që e dëshironim, kështu që e mësuam.” (Reudatul-Muhibbine ue nuz’hetul-Mushtakine, fq. 69).

Po ashtu, prej atyre formave ishte edhe fshehja e veprave të mira, në mënyrë që sa më shumë të realizonin sinqeritetin. Prej përkushtimit që selefët e kishin ndaj realizimit të sinqeritetit dhe mbylljes së rrugëve që çonin drejt cenimit të tij ishte fshehja e veprave të mira dhe përkushtimi që t’i kryenin ato në fshehtësi, mes tyre dhe Allahut.

Disa nga thëniet e tyre lidhur me këtë:

Nga Bekr bin Ma’iz përcillet të ketë thënë:

“Kurrë nuk është parë Rebi’u duke falur namaz të vullnetshëm në xhaminë e tij, përveç një herë.”

Sufjani tha:

“Më tregoi një vajzë e vogël e Reb’i bin Hajthemit se ai të gjitha veprat e tij i kryente fshehtas. Ndodhte t’i vinte ndokush gjersa ishte duke lexuar në mus’haf dhe ai menjëherë e mbulonte atë me teshën e tij.”

Gjatë natës, Alij bin El-Husejn në shpinën e tij mbarte torbën plot bukë, të cilën ejepte si lëmoshë dhe thoshte:

“Vërtet, lëmosha e fshehtë e shuan hidhërimin e Zotit të Madhërishëm.”

Nga El-A’mesh përcillet se Hudhejfe qau gjatë namazit. Pasi që e kreu atë, vërejti se një njeri kishte qenë pas tij dhe i tha:

“Mos i trego askujt për këtë.” (Er-Rija’ fq. 175).

Hammad bin Zejdi tregoi se një ditë Ejjubi përmendi diçka dhe u ligështua (qau). Unë u ktheva nga ai, por ai u shtor kinse po i fshinte hundët, pastaj u kthye nga ne dhe tha:

“Vërtet që ftohja po e mundon shumë plakun.” (Dhemmur-rija, fq.181).

Muhamed bin Uasi’ tha:

“Njeriu nga selefët ka qarë njëzet vjet dhe, gjatë tërë kësaj kohe, bashkëshortja e tij, edhe pse ka qenë bashkë me të, s’dinte gjë për këtë.” (Dhemmur-rija, fq. 176).

Ibrahim Et-Tejmij tha:

“Selefët e urrenin që njeriu të tregonte për veprat e tij të fshehta.” (Dhemmur-rija, fq. 244).

Prej formave të përkujdesjes së tyre ndaj sinqeritetit ishte se ata e urrenin famën, në mënyrë që t’ia mbyllnin rrugën rijasë dhe kthimit të njerëzve drejt tyre.

Disa nga qëndrimet e tyre rreth kësaj:

Nga Habib bin Ebu Thabit përcillet të ketë thënë:

“Një ditë prej ditësh, Ibën Mes’udi doli dhe disa njerëz filluan t’i ecnin pas.

Ai u tha: “Mos dëshironi diç?”

Ata ia kthyen: “Jo, por duam të ecim me ty.”

Ai tha:

“Kthehuni, sepse kjo që po bëni është nënçmim për atë që përcjell dhe sprovë për atë që përcillet.” (Ahlakus-selef, fq.23).

Haseni tregon:

“Isha me Ibën Mubarekun një ditë dhe shkuam tek vendi ku njerëzit pinin ujë, ndërkohë që turma e tyre ishin duke pirë aty. Ai u afrua që të pinte, mirëpo njerëzit nuk e njohën dhe filluan t’ia vinin bërrylat e ta shtynin. Pasi doli nga turma e tyre, më tha: “Kështu duhet të jetë jeta”. Domethënë, të mos njihemi dhe të mos respektohemi.” (Sifetus-Safue, 4/135).

Abdullah bin El-Mubareku kishte thënë:

“Duaje plogështinë (dembelinë) si shenjë urrejtje ndaj famës, por mos e shfaq se e do plogështinë dhe kështu të ngresh kokën lart, ngaqë pretendimi yt për vetveten se je asket është dalje nga asketizmi. Kjo meqë ti po tërheq drejt vetes lavdërimin dhe ekzaltimin.” (Sifetus-Safue, 4/137).

Nxitja për pasimin e selefëve në përkushtimin e tyre ndaj sinqeritetit:

Atëherë, nëse i mençuri mendjemprehtë dëshiron t’i arrijë këta burra, ai duhet t’i marrë shembull ata në përkushtimin e madh që e kishin ndaj sinqeritetit dhe ndaj ikjes sa më të largët nga njollat që e pakësojnë atë apo shpërblimin e tij, si: shirku, rijaja, dashuria ndaj kësaj jete dhe kryerja e punëve për hir të saj.

Prej gjërave që e ndihmojnë myslimanin në arritjen e kësaj është që ai të ndjejë (kuptojë) rrezikshmërinë e largimit të sinqeritetit, ngaqë sinqeriteti bën që vepra të jetë prej afrimeve më të mira tek Allahu. E, nëse njeriu e humb atë, vepra e tij është shirk që e nxjerrë nga feja dhe ia bën të detyrueshme përjetësinë në zjarr; kjo nëse është prej llojit të shirkut të madh. E, nëse është prej shirkut të vogël, atëherë e asgjëson veprën në të cilën është futur ai.

E, nëse selefët e atyre kohërave të lavdishme, me gjithë nivelet e larta të dijes dhe veprës që i kishin arritur, frikësoheshin për vetveten nga humbja e sinqeritetit dhe jepnin të gjitha shkaqet për realizimin e tij, atëherë ne që jetojmë në kohët e sotshme, në kohë të sprovave, të qasjes pas dynjasë dhe vetëkontrollit të dobët në masën e njerëzve, me përjashtim të atyre që Allahu i ka mëshiruar, (pra ne) duhet të frikohemi për veten tonë më shumë sesa që frikoheshin selefët.

Inkurajimi për sinqeritet dhe shpërblimi i madh i tij tek Allahu:

Po ashtu, prej gjërave që nxisin për sinqeritet është shpërblimi i madh, të cilin Allahu e ka përgatitur për të sinqertët në ditën e Kiametit.

I Lartësuari thotë:

“Dhe do të shpërbleheni vetëm sipas asaj që keni bërë! Kurse, robërit e sinqertë të Allahut, do të kenë mirësi të caktuara dhe fruta të ndryshme, dhe do të jenë të nderuar në kopshtet e lumturisë, në kolltukë, përballë njëri-tjetrit. Aty do t’u shërbehet një gotë e mbushur nga një burim i Rrjedhshëm.” (Es-Saffat, 39-45).

Ky është shpërblimi i të sinqertëve, të cilët i kryen veprat sinqerisht për Allahun.

Gjithashtu, prej fryteve të sinqeritetit dhe bekimeve të tij është se njeriu i sinqertë shpërblehet për shkak të mundit në kryerjen e bindjes, edhe nëse e lë të mangët atë apo ligështohet përballë saj.

Për këtë arsye, Jahja bin Kethiri thoshte:

“Mësojeni nijetin, sepse ai është më i plotë se vepra.” (Xhami’ul-Ulumi uel-Hikem, 1/70).

Ndërsa, prej fatkeqësive të humbjes së sinqeritetit është se njeriu i tillë mëkaton, në cilëndo gjendje qoftë, edhe nëse afrohet tek Allahu me veprat më të mira.

Për këtë shkak, Allahu i kërcënoi ata që shtiren gjatë namazit dhe tha:

“Mjerë ata të cilët, kur falen, janë të pakujdesshëm për namazet; të cilët duan vetëm që të duken dhe nuk u japin ndihmë nevojtarëve.” (El-Ma’un, 4-7).

Përsiat mbi atë sesi Allahu iu kërcënua atyre që shtiren gjatë namazit, edhe pse namazi ka vlerë dhe pozitë të lartë në fe.

Po ashtu, prej fryteve të sinqeritetit në këtë botë është se Allahu, për shkak të tij (sinqeritetit), e ruan njeriun e sinqertë nga shthurja dhe mosbindjet.

I Lartësuari tregon për Jusufin (alejhis-selam):

“Kështu e larguam nga e keqja dhe vepra e shëmtuar, sepse ai, në të vërtetë, ishte nga robërit Tanë të sinqertë.” (Jusuf, 24).

Pra, ky ajet aludon se Allahu e ruajti Jusufin nga rënia në veprën e shëmtuar, për shkak të sinqeritetit që e kishte ndaj Tij.

Imam Et-Taberij shkruan: “… sepse ai, në të vërtetë, ishte nga robërit Tanë të sinqertë” domethënë: Jusufi ishte nga robërit Tanë, të cilët ishin të sinqertë në teuhidin (njësimin) Tonë dhe në adhurimin ndaj Nesh, kështu që nuk na shoqëruan asgjë në adhurim dhe nuk adhuruan asgjë tjetër përveç Nesh.” (Tefsirut-Taberij, 16/50).

Kërcënimi nga rijaja (sy-e-faqësia):

Vërtet që prej qortimeve më të ashpra për kryerjen e veprave për sytë e njerëzve dhe me qëllim që ata të kthehen drejt vepruesit të tyre, është hadithi i vërtetë, të cilin e përcjellë Muslimi nga Ebu Hurejre (radijAllahu anhu) i cili thotë: “I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha:

“Vërtet që njeriu i parë që do të gjykohet në ditën e Kiametit, është dëshmori. Ai sillet para Allahut dhe Ai ia përmend begatitë që ia ka dhënë dhe ky i pranon të gjitha. Allahu i thotë: “E çfarë bërë me to?” Ai përgjigjet: “Luftova për hir Tëndin, derisa rashë martir.” Allahu i thotë: “Po rren, sepse ti luftove që të të thuhet trim, gjë që të është thënë.” Pastaj jepet urdhri që të tërhiqet zvarrë për fytyre, derisa të hidhet në zjarr. Pastaj (sillet për t’u gjykuar) njeriu që e ka mësuar dijen, që ua ka mësuar atë të tjerëve dhe që e ka lexuar Kuranin. Ai sillet para Allahut dhe Ai ia përmend begatitë që ia ka dhënë dhe ky i pranon të gjitha. Allahu i thotë: “E çfarë bërë me to?” Ai përgjigjet: “E kam mësuar dijen, ua kam mësuar atë të tjerëve dhe për hir Tëndin e kam lexuar Kuranin.” Allahu i thotë: “Po rren, sepse ti e mësove dijen që të të thuhet dijetar dhe e lexove Kuranin që të të thuhet lexues, gjë që të është thënë.” Pastaj jepet urdhri që të tërhiqet zvarrë për fytyre, derisa të hidhet në zjarr. Pastaj (sillet për t’u gjykuar) njeriu që Allahu i ka dhënë risk të gjerë dhe nga të gjitha llojet e pasurisë. Ai sillet para Allahut dhe Ai ia përmend begatitë që ia ka dhënë dhe ky i pranon të gjitha. Allahu i thotë: “E çfarë bërë me to?” Ai përgjigjet: “S’kam lënë asnjë rrugë për të cilën Ti e do dhënien e pasurisë veçse e kam dhënë në të për hir Tëndin.” Allahu i thotë: “Po rren, sepse ti bërë ashtu që të të thuhet se je bujar, gjë që të është thënë.” Pastaj jepet urdhri që të tërhiqet zvarrë për fytyre, derisa të hidhet në zjarr.” (Muslimi, 3/1513).

Le të mendojë mirë njeriu që ka mend sesi poseduesit e këtyre veprave madhështore: dijes, dhënies dhe luftës, janë të parët me anë të të cilëve do të ndizet zjarri, dhe kjo për shkak se nuk ishin të sinqertë në veprat që i bënë dhe përmes tyre kishin për qëllim të lavdëroheshin nga njerëzit. Në këtë rast, dua të theksoj pasazhin e ardhur në hadith, ku atyre treve u thuhet: “… gjë që të është thënë”, domethënë, juve ju është thënë ajo çfarë dëshironit prej lavdërimit me dije, trimëri dhe bujari. Dhe kjo ia tërheq vëmendjen njeriut të mençur që të mos mashtrohet nga fjalët që thuhen për të në këtë botë, sepse, ajo çfarë merret në konsideratë, është ajo që Allahu e di se njeriu e ka në zemër.

Andaj e lus Allahun që me mëshirën e Tij të na dhurojë të mira, të na i udhëzojë zemrat drejt sinqeritetit ndaj Tij dhe kërkimit të kënaqësisë së Tij, si dhe të mos na lërë të mbështetemi tek vetja jonë as sa një lëvizje e syrit!

Salati dhe selami i Allahut qofshin për robin dhe të Dërguarin e Tij, Muhamedin, për familjen dhe mbarë shokët e tij!

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit