Qortimi i të tepruarit

O ju besimtarë, ekziston një karakteristikë e qortuar, për të cilën ka qortuar dhe paralajmëruar Libri i Allahut, e po ashtu i ka qortuar ata njerëz që kanë këtë karakteristikë, si dhe ka sqaruar për dënimin e tyre në këtë botë dhe tjetrën. Ajo karakteristikë është teprimi, për të cilën ka qortuar dhe paralajmëruar Kurani më se njëzet herë.

Allahu ka njoftuar se nuk i do ata që e teprojnë dhe kalojnë kufijtë. Ai thotë: “Por mos e teproni, se Ai nuk i do ata që e teprojnë” (El-A’raf:31)

Po ashtu ka njoftuar se ata që e teprojnë janë banorë të zjarrit. Ai thotë: “Ata që e teprojnë me të këqija, do të jenë banorë të Zjarrit” (Gafir:43).

Ai ka njoftuar se teprimi është shkak i shkatërrimit dhe ndëshkimit në këtë botë dhe në tjetrën për ata që e teprojnë:

Pastaj, ua kemi përmbushur atyre premtimin e i kemi shpëtuar së bashku me njerëzit (besimtarë) që kemi dashur; ndërsa i kemi shkatërruar ata që e kanë tepruar (mohuesit)” (El-Enbija: 9).

Po ashtu thotë: Kur vendosim ta shkatërrojmë një qytet, Ne i urdhërojmë (për mirë) të pasurit e tij dhe, kur ata bëjnë mbrapshti në të, atëherë përmbushet Vendimi (i dënimit) kundër tyre dhe Ne i shkatërrojmë gjer në themel” (El-Isra:16).

Allahu njofton se teprimi vjen nga shpirti i prirë për të keqe dhe nga shejtani. Ai thotë:

Kështu, atyre që e teprojnë (që shkelin kufijtë e Allahut) iu zbukurohet ajo që punojnë” (Junus: 12).

Ai po ashtu na njofton se teprimi e sjell privimin nga udhëzimi dhe suksesi. Ai thotë: Vërtet, Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë atë që e tepron me të këqija dhe është gënjeshtar” (Gafir: 28), si dhe kemi shumë ajete tjera të këtij kuptimi.

O ju besimtarë, teprimi është largim nga mesatarja, dhe nuk kuptohet vetëm teprimi në shpenzim, siç është i përhapur tek njerëzit, por siç thotë Ijas ibën Muauije:

E tëra ajo me të cilën i tejkalon kufijtë e Allahut konsiderohet teprim”.

Teprimi është shumë llojesh dhe formash, e nuk kufizohet vetëm në pasuri, ushqim e veshmbathje.

1-Pa dyshim se teprimi më i rrezikshëm dhe më i shëmtuar është mosbesimi në Allahun, Zotin e të gjitha krijesave, si dhe të konsideruarit dikë ortak me Të, si dhe përgënjeshtrimi i të dërguarve (Pejgamberëve). Për këtë Allahu thotë:

Kështu e ndëshkojmë Ne atë që e tepron (me gjynahe) dhe nuk beson shenjat e Zotit të tij; e dënimi në jetën tjetër, në të vërtetë, është më i ashpër dhe i vazhdueshëm” (Ta-Ha: 128).

2- Teprimi ndodhë edhe në vrasje; kur vritet ai që nuk e ka vrarë askënd (pa të drejtë), apo të sulmohet padrejtësisht familja e vrasësit, apo të teprohet me vetë vrasësin duke e masakruar dhe kaluar kufijtë. E tëra kjo konsiderohet teprim i ndaluar. Allahu thotë:

Mos ia merrni jetën njeriut, gjë që Allahu jua ka ndaluar ta bëni, përveçse kur e kërkon e drejta! Nëse dikush vritet padrejtësisht, Ne i kemi dhënë pushtet trashëgimtarit të tij (të kërkojë shpagim). Por edhe ai të mos e teprojë në vrasje, sepse ai është i ndihmuar (nga ligji dhe drejtësia islame)” (El-Isra: 33).

3- Teprim janë edhe veprat e turpshme dhe amoraliteti. Për këtë Luti (alejhi selam) e qortoi popullin e tij duke u thënë:

Ju u qaseni meshkujve me epsh – në vend të femrave. Me të vërtetë, ju jeni popull që e teproni me të këqija!” (El-A’raf: 81).

E më pas, duke e përmendur ndëshkimin që ra mbi ta, Allahu thotë:

Ai i pyeti: “Cili është qëllimi juaj, o të dërguar?” Ata thanë: “Ne jemi dërguar te një popull keqbërës, për të hedhur mbi ta gurë prej balte të pjekur të shënuar te Zoti yt, për ata që e teprojnë (në të këqija)”. (Edh-Dharijat: 31-34).

Në përgjithësi o vëllezër, veprimi i çdo mëkati është teprim dhe ai që e bën këtë i ekspozohet ndëshkimit.

Kurse sa i përket teprimit nga aspekti i pasurisë, ushqimit dhe veshmbathjes, kjo çështje veçse është e njohur, për të cilën Allahu thotë:

Hani e pini, por mos e teproni, se Ai nuk i do ata që e teprojnë” (El-A’raf: 31).

Imam Ahmedi transmeton nga Amër Ibën Asi se Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë:

Hani e pini, vishuni dhe jepni sadakë pa mendjemadhësi dhe teprim”.

Kurse Buhariu transmeton nga Ibën Abasi pa sened, të ketë thënë:

Ha ç’të duash dhe vesh ç’të duash përderisa nuk bie në këto dy gjëra: teprim dhe mendjemadhësi.

O ju besimtarë, teprimi në pasuri, ushqim dhe veshmbathje është çdo kalim i kufirit, qoftë duke e fituar pasurinë apo qoftë duke e shpenzuar. E tëra kjo hyn në teprim, sepse çdo kalim i kufirit të fesë duke e fituar pasurinë apo duke e shpenzuar atë konsiderohet teprim, kurse ai njeri i ekspozohet ndëshkimit.

– Ngrënia e kamatës, mitos (ryshfetit), fitimi nga bixhozi, mashtrimi i njerëzve gjatë shitblerjes, të gjitha këto janë teprim në fitimin e pasurisë.

– Gjithashtu ushqimi dhe pija që e ka ndaluar Allahu, siç është përdorimi i drogës, pirja e alkoolit, duhanit e gjëra të tilla, të gjitha janë teprim. Sa pasuria ka humbur në shitblerjen e këtyre gjërave të ndaluara! E tëra kjo është teprim, dhe ai njeri i është ekspozuar ndëshkimit.

– Teprim është edhe ajo që ndodhë në raste festimesh, sidomos në raste dasmash; sa forma të shëmtuara të teprimit ndodhin në to! E të mos flasim për veprat tjera të ndaluara që ndodhin në to. Të gjitha janë teprim dhe ata njerëz i ekspozohen ndëshkimit.

Çështja e teprimit është një derë e gjerë të cilën e kupton çdonjëri që vështron. Prandaj, duhet ta kemi frikë Allahun, duhet ta përkujtojmë se do të kthehemi tek Ai, do të qëndrojmë para Tij dhe se do të pyetemi nga Ai. Prandaj, duhet të përgatitemi për përgjigje, e ajo përgjigje duhet të jetë e saktë.

Allahu na i drejtoftë hapat dhe na e përmirësoftë gjendjen, Ai i dëgjon lutjet dhe është meritor të kihet shpresë në Të, Ai na mjafton dhe sa mbrojtës i mirë që është Ai.

Dr. Abdurrezak el Bedr

Përktheu: Jeton Bozhlani

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva