Ramazani ndryshon mënyrën e të menduarit

Ramazani ndryshon mënyrën e të menduarit

Ramazani ndryshon dhe mënyrën e të menduarit te njeriu. Është e mundshme që njeriu të ndryshojë pikëpamjet e botëkuptimet e tij gjatë Ramazanit duke u bërë më të mira. Prej tyre:

~Pikëpamjet lidhur me jetën e kësaj bote dhe kënaqësitë e saj. Gjatë Ramazanit agjërimi ia kujton njeriut vazhdimisht Allahun, nënshtrimin ndaj Tij, e nxit drejt botës tjetër e cila është më e mirë sesa kjo botë, e nxit të përgatitet për botën tjetër, e për agjëruesin do të jetë xheneti dhe porta Er Rajjan.

~Pikëpamjet lidhur me asketizmin – palakmia ndaj jetës së kësaj bote. Agjërimi bën njeriun të mos mbajë lidhje të panevojshme me njerëzit, të mos e teprojë në lidhjet e tij me ta, ai e gdhend trupin e tij dhe anën morale e shpirtërore dhe bën që të bëjë një jetë modeste.

~Pikëpamjet lidhur me pozitën e adhurimeve. Agjëruesi arrin lumturinë e vërtetë, realizon pastërtinë shpirtërore,  i rritet dashuria për adhurime dhe kupton se te agjërimi gjenden mirësitë e të dy botëve. Kjo shfaqet qartë tek ata persona të cilët para Ramazanit janë të shkujdesur në adhurime dhe të privuar nga kënaqësia e bindjes ndaj Allahut.

~Pikëpamjet lidhur me mendimet. Njeriu zgjohet nga shkujdesja e humbja dhe fillon të mendojë se çfarë e pret në të ardhmen, kah është duke shkuar dhe se pse ekziston në jetën e kësaj bote. Allahu thotë: “Vallë, a mendon njeriu se do të mbetet pa përgjegjshmëri?” Kijjame 36. Andaj dhe shohim se si shumë njerëz udhëzohen gjatë Ramazanit ngase ka ndryshuar mënyra e të menduarit dhe botëkuptimeve të tyre. Mendjet e tyre janë bërë të shëndetshme. Ramazani ngjall shpirtin dhe e bën njeriun të mendojë rreth realitetit të tij dhe asaj çfarë kërkohet prej tij.

~ Pikëpamjet lidhur me leximi i Kuranit me meditim. Kurani dhe leximi i tij ndryshojnë te njeriu mendimet dhe ia korrigjojnë ato. Kurani i jep kuptim të thellë ndaj Allahut, ndaj vetvetes, veprave, sjelljeve dhe jetës së tij. Mirëpo, këtë e arrijnë vetëm ata që meditojnë rreth Kuranit. Allahu thotë: “A nuk përsiatin ata për Kuranin! Sikur ai të mos ishte prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie.” Nisa 82. Dhe: “Vallë, a nuk përsiatin ata për Kuranin apo i kanë zemrat të kyçura?!”

~ Pikëpamjet lidhur me urinë e etjen. Ato ia kujtojnë urinë e etjen e Ditës së Gjykimit. Andaj si rezultat besimtari vazhdimisht kujton botën tjetër (se çfarë e pret). Allahu i qorton në Kuran disa njerëz të cilët kanë harruar kujtimin e botës tjetër, “ata e duan më shumë jetën e kësaj bote, sesa jetën e botës tjetër”. Nahl 107. Dhe i ka lavdëruar ata që vazhdimisht mendojnë për të “Ne u dhuruam atyre një virtyt të veçantë, që ta kenë gjithmonë në mend botën e ardhshme”. Sad 46.

Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit