Rezultati i diturisë është vepra-5

Çështja e katërt

VEPRA ËSHTË SHKAK PËR TË HYRË NË XHENET

Në argumentet e sheriatit është përmendur se, në ditën e kiametit, veprat e mira që të afrojnë tek Allahu, për besimtarin do të jenë një depo e rezervave për shkak të të cilave do ta fitojë kënaqësinë e Allahut dhe xhenetin e Tij. Lidhur me këtë, në kontekst të përmendjes së vlerës dhe shpërblimit të veprave, në Kuran janë afërsisht pesëdhjetë ajete në të cilat është përmendur imani dhe veprat. Edhe pse veprat qëndrojnë brenda emërtimit të imanit, ato janë përmendur ndaras me qëllim që të tregohet pozita e lartë e tyre:

“Kurse ata që besojnë e bëjnë vepra të mira, do të jenë banorë të Xhenetit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë” (El Bekare/ 82).

“Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë” (Nahl/97).

“Dhe një zë do t’i thërrasë: “Ky është Xheneti që ju e keni merituar për atë që keni punuar”(A’raf/43) “Të cilëve engjëjt ua marrin shpirtrat, duke qenë të pastër. U thonë atyre: “Shpëtimi qoftë mbi ju! Hyni në Xhenet, si shpërblim për veprat që keni kryer!” (Nahl/32). Ajetet që tregojnë se veprat janë shkak për të hyrë në xhenet janë të shumta.

Ndërsa, Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) ka thënë: “Asnjërin vepra e tij nuk do ta fus në xhenet”, d.m.th. xheneti nuk do të jetë si zëvendësim për veprat, edhe pse veprat janë një prej shkaqeve, por prapëseprapë hyrja në xhenet do të bëhet me mëshirën e Allahut.

Sahabet i thanë: “O i dërguar i Allahut! As ty nuk do të fusin në xhenet veprat e tua? Ai u përgjigj: “As mua, përveç nëse Allahu më mbulon me mëshirën e Tij”[1].

Pra, veprat nuk janë në atë pozitë saqë besimtari ta fitojë xhenetin si zëvendësim për to, por ato janë shkak, sepse në realitet, hyrja në xhenet bëhet me mëshirën dhe mirësinë e Allahut.

Kurse, vetë veprat të cilat i kryen besimtari, janë nga mëshira e Allahut: “Sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, askush nga ju nuk do të ishte pastruar kurrë (prej gjynaheve); Allahu pastron atë që dëshiron Vetë. Allahu i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha” (Nur/21).

________________________________________

[1] Transmeton Buhariu: (5673), Muslimi (2816).

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit