Rregullat e preferuara (pëlqyera) të agjërimit (2)

 

  • Shpejtimi në bërjen iftar

Nëse vërtetohet se ka perënduar dielli, apo bindet përmes lajmit që ia sjellë dikush duke anuar mendja e tij më shumë kah mendimi se ka dielli ka perënduar, apo e merr lajmin përmes thirrjes së ezanit të një muezini të besueshëm i cili e thirr në kohë, apo i vije lajmi përmes mjeteve të tjera, atëherë agjëruesi nuk është e nevojshme të presë minutën si shkruan në takwime, por është sunet menjëherë ta çelë agjërimin (të bëjë iftar) e mos ta vonojnë atë. Sehl ibn Sadi radijAllahu anhu tregon se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Njerëzit do të jenë vazhdimisht në mirësi përderisa e shpejtojnë iftarin (nuk e vonojnë, por e çelin si të hyjë koha e akshamit).” Po ashtu ai salAllahu alejhi ue selem tregon se Allahu ka thënë: “Prej robërve të Mi që i dua janë ata që shpejtojnë në çeljen e iftarit (posa të hyjë koha).” Hadith kudsij, transmeton Tirmidhiu; zinxhiri i këtij hadithi është i dobët, porse disa dijetarë e kanë konsideruar hasen (të mirë). Nga kjo shohim se është e kundërta nga ajo siç pretendojnë njerëzit se është më mirë të shtyhet sa më shumë çelja e agjërimit. Në momentin që hyn koha e akshamit (perëndon dielli) duhet bërë iftar (këta janë nga njerëzit më të dashur tek Allahu, siç tha Ai).[1]

Është sunet të çelet iftari me hurma të njoma, nëse nuk ka të tilla atëherë me hurma të pjekura, e nëse nuk ka as të tilla atëherë me ujë.[2] Enesi radijAllahu anhu ka thënë: “Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem para se ta falë namazin e akshamit, ka bërë iftar me hurma të njoma, e nëse nuk ka pasur ka bërë me hurma të pjekura, e nëse nuk ka pasur as të pjekura ka pirë disa gllënjkë ujë.” Tirmidhiu, Ebu Daudi dhe të tjerë. Nëse agjëruesi nuk e ka asnjërën nga këto, atëherë e çelë iftarin me çfarë të ketë pranë vetes nga ushqimet e pijet e lejuara. Nëse nuk ka as këtë mundësi, atëherë bën nijetin me zemër se po del nga agjërimi dhe po e çel atë. Disa të padijshëm[3] kur nuk kanë asgjë pranë për të bërë iftar e thithin gishtin e tyre apo e mbledhin pështymen dhe e përpijnë atë. Kjo nuk ka bazë.

Është mirë që në momentet e iftarit të bëhet lutje tek Allahu, me lutje të ndryshme. Transmetohet nga Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Agjëruesit në kohën e iftarit, nuk i refuzohet lutja.” Ibn Maxheh. Zinxhiri i këtij hadithi është i dobët, mirëpo dijetarët kanë mospajtime se a është i saktë apo jo. Në përgjithësi hadithet e përkrahin saktësinë e këtij hadithi, sidomos ai që jepet më vonë në të cilin thuhet se agjëruesit i pranohet lutja përderisa është agjërueshëm, andaj edhe nëse lutet para se të bëjë iftar, kjo është kohë kur pranohet lutja. Muadh ibn Zehrah radijAllahu anhu përcjellë një hadith – i cili gjithashtu është mursel (prej llojeve të hadithit të dobët) të cilin disa dijetarë e kanë pranuar të saktë përmes haditheve të tjera që dëshmojnë për saktësinë e tij-: “Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem pasi që e çelte iftarin thoshte (lutej): اللَّهُمَّ لك صُمْت وعلى رزقك أفَطَرَتُ – O Allah, për hir Tëndin agjërova dhe me furnizimin Tënd e çela iftarin!” Ebu Daud. Kurse ibn Umeri radijAllahu tregon se ai salAllahu alejhi ue selem pasi ka bërë iftar ka thënë: ذَهَبَ الظَّمأُ وابْتَلَّتِ العروُقُ وثَبتَ الأجْرُ إنْ شاءَ الله – U largua etja, u njomën (freskuan) damarët dhe mbeti shpërblimi  nëse do Allahu!” Ebu Daudi.

[1] Nëse ezani thirret në kohë, atëherë posa të fillojë ti bëj iftar, e jo të presësh derisa të përfundojë.

[2] Nëse e ke xhaminë afër (vlen për burrat), ha disa hurma për të çelur iftarin dhe dil në xhami për faljen e namazit të akshamit. Pastaj kthehu dhe ha iftar sa të duash. E nëse xhaminë nuk e ke afër, vepro si të duash: nëse do së pari ha iftar, ose fale akshamin. Xhamitë nuk bën të braktisen. Tek ne, në Ramazan, për namaz të akshamit nuk dalin në xhami. Kjo nuk është prej Islamit. Secili mund të hajë tri a katër hurma (kur hynë koha e akshamit) apo diçka tjetër dhe të dalë në xhami për namaz të akshamit. Kështu personi nuk do të ketë problem sepse hurmat ia largojnë përkohësisht urinë. Hadithi i cili flet për atë që të mos falet namazi kur shtrohet buka, nënkupton atë kur personi ka shumë lakmi për atë ushqim saqë kur shkon në xhami për namaz, mendja i rri tek ai. Ky, edhe nëse e ka xhaminë afër, nuk e ka obligim të dalë. Mirëpo, kjo dispozitë nuk i përfshin të gjithë njerëzit, por veç ndonjë person i cili është uritur shumë apo është lodhur shumë dhe mendjen e mban tek ushqimi, e që duhet të hajë, përndryshe nuk ka koncentrim në namaz. Në përgjithësi, njerëzit duhet të dalin për namaz të akshamit në xhami.

[3] Shejkhu e përmend këtë gjë për Arabinë Saudite. Tek ne ky veprim nuk është i përhapur.

 

•┈ ┈• • ✦ • •┈ ┈•
Ndejat e Ramazanit – Hoxhë Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit