Rregullat obligative të agjërimit (2)

 

  • Largimi nga ndalesat.

Prej rregullave obligative është që njeriu t’u largohet të gjitha fjalëve e veprave të cilat Allahu dhe i Dërguari i Tij i kanë ndaluar.

– Largimi nga gënjeshtra. Njeriu gjatë agjërimit duhet t’i largohet gënjeshtrës. Gënjeshtra (الكذب- el kedhib) është të treguarit (njoftuarit) për diçka në kundërshtim me realitetin. E gënjeshtra më e madhe është ajo ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, p.sh.: t’u atribuohet diçka që nuk e kanë thënë, si: të thuhet se Allahu e ka bërë të ndaluar këtë e atë gjë, duke qenë se e kundërta është e vërteta (d.m.th. se nuk e ka ndaluar). Allahu thotë: “mos thoni me gjuhët tuaja të rreme: “Kjo është e lejueshme e kjo e ndaluar”, që kështu të trilloni gënjeshtra për Allahun. Me siguri, ata që trillojnë gënjeshtra ndaj Allahut, nuk do të shpëtojnë. Ata do të kenë kënaqësi të shkurtër (në këtë jetë), por i pret një dënim i dhembshëm (në jetën tjetër).” Nahl 116-117. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush gënjen për mua qëllimisht[1], le t’ia përgatisë vetes një ulëse në zjarr të xhehenemit!” Buhariu dhe Muslimi. Edhe në mënyrë të përgjithshme Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na ka paralajmëruar dhe ndaluar të gënjejmë. Ka thënë: “Kini kujdes ndaj gënjeshtrës (mos gënjeni), ngase ajo e dërgon njeriun në prishje, e prishja e dërgon në zjarr. Njeriu nëse vazhdon të gënjejë, tek Allahu shkruhet sikur gënjeshtar i madh (كَذَّاباً – kedh-dheeb).” Buhariu dhe Muslimi. A ka më keq për njeriun sesa të cilësohet tek Allahu si i tillë?!

– Largimi nga përgojimi. Përgojimi (الغِيْبَة– el giibeh) është përmendja për dikë e diçkaje kur ai nuk është prezent, që nuk i pëlqen t’ia përmendin, qoftë nëse ajo gjë ka të bëjë me anën e jashtme të tij, si: (të thotë se) është çalaman, apo i verbër, apo ndonjë e metë tjetër fizike, qoftë nëse ka të bëjë me moralin e tij, si: ai është mendjelehtë, mëkatar etj., pavarësisht nëse i ka këto gjëra apo nuk i ka[2]. Është fjala t’ia përmendë në aspektin e nënçmimit, për të treguar të metat e tij, për ta nënçmuar apo përqeshur. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem kur është pyetur për përgojimin (gibetin) ka thënë: “Ai është përmendja e vëllait tënd me diçka që ai e urren (nuk e pëlqen t’ia përmendë).” – “E nëse e ka atë të metë?” Ka thënë: “Nëse e ka atë të metë, ky është përgojim. E nëse nuk e ka, ke shpifur për të.” Muslimi dhe të tjerë. Allahu ka ndaluar prej përgojimit në Kuran, madje nuk ka formë më të shëmtuar të përshkrimit të përgojimit për shpirtin e njeriut sesa forma me të cilën e ka përshkruar Allahu në Kuran, i Cili ka thënë se përgojimi është sikur ngrënia e mishit të vëllait tënd të vdekur: “…mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë!” Huxhurat 12. A ka gjë më të urryer për njeriun sesa të hajë mishin e njeriut të vdekur?! Kështu është përgojimi. Na është përcjellë për Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem: “(Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem) Në natën e Miraxhit[3] ka kaluar afër disa njerëzve me thonj prej bakri, të cilët i gërvishtnin gjokset dhe fytyrat e tyre. E ka pyetur Xhibrilin: “Kush janë këta, o Xhibril?” I ka thënë: “Janë ata të cilët e hanë mishin e njerëzve (i përgojojnë) dhe flasin për nderin e të tjerëve.” Ebu Daudi.

Largimi nga bartja e fjalëve. Ajo është (النَّمِيْمَة – en nemiimeh) bartja e fjalëve mes njerëzve në mënyrë që të bëjë përçarje, ndasi, prishje të raporteve dhe lidhjeve mes tyre. Ajo është prej mëkateve të mëdha. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk hyn në xhenet bartësi i fjalëve (نَمَّام – nemmeem).” Buhariu dhe Muslimi. Kjo gjë është aq mëkat i madh saqë e mohon hyrjen në xhenet. Ibn Abbasi radijAllahu anhu ka treguar se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem një ditë ka kaluar pranë dy varreve dhe ka thënë: “Vërtetë këta janë duke u ndëshkuar, porse jo për ndonjë gjë të madhe.” Qëllimi me “jo për ndonjë gjë të madhe” është: nuk ka qenë ndonjë gjë e madhe tek ta, nuk ka qenë diçka e vështirë për ta bërë, por e kanë vepruar lehtësisht sa kanë qenë të gjallë; mirëpo janë duke u ndëshkuar në varr për këto dy vepra. “Njëri nuk është ruajtur prej urinës,[4] kurse tjetri ka bartur fjalë (ka bërë nemime) ndërmjet njerëzve.” Buhariu dhe Muslimi.  Bartësi i fjalëve bën shkatërrim (përçarje e ndasi) në tokë, për vetveten e tij dhe për shoqërinë.  Po ashtu, bartja e fjalëve mbjellë urrejtje mes muslimanëve. Allahu thotë: “mos iu bind çdo betari të përçmuar, shpifaraku, që përhap thashetheme (بِنَمِيمٍ – bart fjalë)” Kalem 10-11.  Ai që vjen tek ti për të bartur fjalë për dikë, dije se të njëjtën gjë do ta bëjë për ty tek tjetri. Andaj duhet pasur kujdes nga ai duke mos pranuar që të të sjellë fjalë për të tjerët, Allahu tha në këtë ajet “mos iu bind”, kur ai fillon të bartë fjalë tek ti për të tjerët mos lejo që ta bëjë këtë.[5]

– Largimi nga mashtrimi. Mashtrimi (الْغِشّ – el gishsh) është prej mëkateve të mëdha. Njeriu gjatë agjërimit duhet t’i largohet gjithashtu edhe mashtrimit, në të gjitha raportet me njerëzit, qofshin në tregti, biznes, shitblerje, apo në profesionin e tij dhe në të tjera, po ashtu në këshillimet dhe bisedat (të folurit) ndërmjet njerëzve, duke pasur kujdes të mos mashtrojë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është shfajësuar prej atij që i mashtron të tjerët. Ai thotë: “Kush na mashtron neve, nuk është prej nesh (nuk është në rrugën tonë).” Muslimi. Ndërsa në një hadith tjetër thotë në mënyrë të përgjithshme: “Kush mashtron, nuk është prej meje” (Muslimi), pavarësisht se kë e mashtron, muslimanin apo dikë tjetër nga njerëzit në përgjithësi. “غش – gishshi” që ka ardhur në hadith është tradhtia e mashtrimi ndaj të tjerëve, e kur të ndodh kjo atëherë humbet amaneti (besueshmëria) në mesin e njerëzve ndërmjet veti, siç ka ndodhur në shumë shoqëri. Pastaj duhet ditur se çdo gjë të cilën njeriu e fiton përmes mashtrimit, ky fitim është i fëlliqur, i ndaluar. Nëse e merr këtë fitim, ai veçse e ka larguar prej Allahut dhe Mëshirës së Tij.

– Largimi nga muzika dhe veglat muzikore, me të gjitha llojet e tyre, qofshin me tel apo me frymë. Është e ndaluar dëgjimi i tyre. Mëkati e ndalesa shtohet edhe më shumë kur ato shoqërohen edhe me këndim, me zëra të bukur, që nxisin epshin e njeriut. Allahu thotë: “Ka disa njerëz që sajojnë tregime të kota, për të shmangur (të tjerët) nga rruga e Allahut me paditurinë e tyre e për t’u tallur me të. Njerëz të tillë i pret dënimi poshtërues.” Lukman 6. Kur ibn Mesudi radijAllahu anhu është pyetur për këtë ajet ka thënë: “Pasha Atë (Allahun) përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër, qëllimi këtu është muzika e shoqëruar me këndim (me këngë).” Të njëjtën gjë e thotë edhe ibn Abbasi dhe ibn Umeri radijAllahu anhuma. Po ashtu dhe ibn Kethiri rahimehullah e përmend po këtë interpretim të ajetit në tefsirin e tij prej Xhabirit, Ikrimes, Seid ibn Xhubejrit dhe Muxhahidit. Pra, po shohim se ky është komentimi prej sahabëve dhe tabiinëve mbi këtë ajet. Hasan el Basriu ka thënë: “Ky ajet ka zbritur për muzikën dhe veglat muzikore.” Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka tërhequr vërejtjen dhe ka ndaluar prej muzikës dhe veglave muzikore, si dhe në një hadith këto i ka bërë bashkë me imoralitetin (zinan). Ka thënë: Do të vinë disa njerëz prej umetit tim para Kiametit të cilët do ta lejojnë imoralitetin (حِرَ), mëndafshin[6], alkoolin dhe veglat muzikore.” Buhariu. Këtu po i krahason veglat muzikore me tri të tjerat, pra me mëkatet e mëdha (pra edhe muzika është prej mëkateve të mëdha). Si i bëjnë ata të lejuara? Duke i vepruar në mënyrë aq mospërfillëse ndaj këtyre ndalesave të Allahut saqë i veprojnë siç i veprojnë gjërat e lejuara (hallall); nuk e kanë problem veprimin e tyre. Dhe ky (veprimi i tyre) është qëllimi pse i bëjnë të lejuara ato. Disa dijetarë të tjerë thonë se i bëjnë të lejuara duke i quajtur me emra të tjerë (ua ndërrojnë realitetin). Kjo gjë ka ndodhur dhe është realitet sot. Shumë prej njerëzve përdorin veglat muzikore dhe e dëgjojnë muzikën e këngët e shoqëruara me të sikur të jenë diçka të lejuara. Ky është një “sukses” që e kanë arritur armiqtë e Islamit me bërjen kurth e intriga muslimanëve, saqë përmes muzikës i kanë penguar prej përmendjes e kujtimit të Allahut, i kanë larguar njerëzit prej gjërave që janë të rëndësishme për fenë dhe dunjanë e tyre, saqë shumë prej muslimanëve dëgjojnë muzikë më shumë sesa që dëgjojnë Kuran, hadithe, apo fjalë të dijetarëve (kur i sqarojnë dispozitat e ligjet e Islamit).

Ne si muslimanë, duhet pasur kujdes nga veprimi i gjërave që asgjësojnë agjërimin tonë apo gjërave që e mangësojnë shpërblimin e tij. Duhet të kemi kujdes që ta ruajmë agjërimin tonë prej fjalëve të kota, të këqija, të ndalura, po ashtu dhe prej veprave të ndaluara e të këqija. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që (gjatë agjërimit) nuk i lë fjalët e kota (të këqija, të ulëta), veprat e këqija (mëkatet e bëra me gjymtyrë të tjera) dhe padrejtësinë ndaj të tjerëve, Allahu nuk ka nevojë që ai të braktisë ushqimin dhe pijen.” Buhariu. Kurse Xhabiri radijAllahu anhu thotë: “Kur të agjërosh, së bashku me ty të agjërojë dhe dëgjimi yt, shikimi yt dhe gjuha jote prej gënjeshtrës dhe ndalesave (të gjuhës), dhe ndalo nga dëmi ndaj komshiut, le të vërehen tek ti shenjat e modestisë (qetësisë),[7] të mos jetë dita kur je agjërueshëm e njëjtë me ditën kur nuk je agjërueshëm!” Pra, duhet pasur dallim mes tyre. Agjëruesi duhet të ketë moral e sjellje të atillë që duhet të dallojë prej ditës në të cilën nuk është agjërueshëm.

 

[1] Gënjen (shpif) për një hadith se e ka thënë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, e që në realitet nuk e ka thënë.

[2] Vlen e njëjta nëse kjo bëhet me shkrim.

[3] Natën në të cilën Allahu e ka ngritur në qiell Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem.

[4] Këtu përfshihet: Mos mbulimi i avretit gjatë urinimit, rënia e urinës në rroba (veshja menjëherë pas urinës pa u pastruar dhe rrobat janë prekur me urinë), mos pastrimi prej urinës, moskujdesi në përfundimin e urinimit (çohet pa e përfunduar) dhe gjendja kur personi ka kryer urinimin e pastaj i del diçka prej urinës kur është duke marrë abdes dhe nuk kthehet ta pastrojë e të fillojë rishtas abdesin. Dersi “Shkaqet e dënimit në varr”.

[5] Raporti ynë ndaj të tillëve: Të mos i besohet, sepse bartësi i fjalëve është fasik (mëkatar i shthurur), dhe si i tillë nuk i pranohet dëshmia. Duhet ta ndalojmë prej kësaj vepre të shëmtuar, duke e këshilluar dhe ia përkujtuar ajetet në të cilat Allahu flet kundër bartjes së fjalëve, si dhe hadithet; pra duke i treguar rrezikun e kësaj. Duhet të urrehet për hir të Allahut, sepse ai është një person të cilin Allahu e urren. Nuk lejohet të mendohet keq për vëllain tënd (për të cilin të ka bartur tjetri fjalë). Bartja e fjalëve për dikë tjetër, le të mos jetë shkak që të hulumtohet për vërtetimin e atyre gjërave (që të janë bartur). Të mos e pranosh për vetën tënde atë prej të cilës e ndalove bartësin e fjalëve, pra të mos ua tregosh të tjerëve atë që e ke dëgjuar prej tij, ngase kështu edhe ti bëhesh bartës i fjalëve (nemmam). Nëse dikush pyet: “Po nëse është e kundërta, të shkojë personi te një person tjetër e të flasë mirë për dikë tek ai për të futur dashuri mes tyre?” Për këtë in shaa Allah ka shpërblim. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Vepra më e mirë është ta gëzosh vëllain tënd musliman”, me çfarëdo forme që e bën. Nëse kjo është një formë që personi e ka zgjedhur për ta gëzuar vëllain e tij, duke thënë: “Filani apo të tjerët po flasin mirë për ty!”, atëherë ka shpërblim për këtë. Po ashtu, nëse dikush ka dëgjuar fjalë të këqija për dikë dhe ka bindje të keqe për të, dhe ti shkon i flet mirë për të apo i thua “të ka bërë selam”, për t’ia ndërruar atë bindje të keqe, kjo është gjë e mirë. Në këtë rast lejohet edhe gënjeshtra, nëse është fjala për t’i pajtuar, edhe nëse nuk i ka çuar selam në të vërtetë, mund t’i thotë “të ka bërë selam”, në mënyrë që ai ta përmirësojë mendimin për të.

[6] Në Islam mëndafshi është i ndaluar të vishet nga meshkujt.

[7] Nuk duhet të jesh njëjtë ashtu siç ndodh të jesh jashtë Ramazanit, duke qenë nervoz e zë ngritur.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit