Rreth sëmundjes së migrenës dhe agjërimit

Rreth sëmundjes së migrenës dhe agjërimit

Hoxhë Lulzim Perçuku: Sa u përket atyre që janë të sprovuar me migrenë, kjo është sikur sëmundjet e tjera.

Nëse dhimbja është aq e madhe dhe e papërballueshme, i lejohet ta prishë agjërimin. Ka njerëz që nuk kanë problem gjatë të gjithë Ramazanit me këtë gjë, ndoshta pak ditë dhe adaptohen. E nëse dhimbja është e vazhdueshme sa herë të agjërojë, atëherë i lejohet ta prishë. Pastaj i bën kaza kur ka mundësi, kur është dita shkurt në dimër, porse ka raste që ka njerëz të cilët nuk mund të agjërojë as gjatë dimrit shkaku se dhimbja është shumë e madhe, atëherë të tillët konsiderohen të sëmurë kronikë, prej të cilëve bie obligueshmëria e agjërimit dhe japin ushqim për të varfrit për ditët e pa agjëruara. E nëse munden të agjërojnë gjatë dimrit, duke qenë se dhimbja nuk është e madhe, atëherë i agjërojnë në dimër.

Ai që e ka dhimbjen e vështirë e të papërballueshme gjatë gjithë kohës, e prish agjërimin, siç e përmendëm, dhe i lejohet të hajë dhe pijë gjatë gjithë Ramazanit, e jo vetëm ta pijë ilaçin.

Personit i cili ka arsye sheriatike ta prishë agjërimin, nuk i lejohet të hajë dhe pijë publikisht, ku e shohin myslimanët e tjerë, mirëpo ha dhe pi brenda katër mureve. Kjo nuk i lejohet sepse e ka për obligim ta ruajë shenjtërinë e Ramazanit, dhe arsyeja tjetër është që të mos e akuzojnë njerëzit. Muslimani duhet të ketë kujdes të mos bëjë veprime që tërheqin akuzë ndaj tij, apo të tjerët t’ia drejtojnë gishtin.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit