Shirku i vogël është më i madh se mëkatet e mëdha

Shejh: Salih bin AbdulAziz Alu Esh-Shejh

Pyetje:

Çfarë kuptimi ka fjala e dijetarëve: “Shirku i vogël është më i madh se mëkatet e mëdha”. Si ka mundësi të jetë i tillë, kur (vetë) shirku i madh renditet në mëkatet e mëdha, duke qenë se ai është më i madhi ndër të gjitha (mëkatet). Shpresojmë të na hiqni këtë paqartësi?

Përgjigje:

Sqarimi i kësaj është përmendur më herët (gjatë shpjegimit), ku kemi përmendur se mëkatet e mëdha ndahen në dy grupe:

a) Njëri grup i tyre kthehet tek ana e besimit dhe e veprës, të cilës i shoqërohet besimi,

b) Ndërsa grupi tjetër kthehet tek ana e veprës, të cilën nuk e shoqëron besimi.

Shembulli i të parit: të gjitha llojet e shirkut ndaj Allahut, si: kërkimi i ndihmës nga dikush tjetër në vend të Allahut, therja për dikë tjetër pos Tij, zotimi në tjetërkënd përveç Tij dhe gjëra të tjera të kësaj natyre. Pra, këto janë vepra të dukshme, mirëpo njëkohësisht janë edhe mëkate të mëdha që i shoqëron besimi, prania e të cilit i bën ato të jenë shirk i madh. Pra, në pamjen e jashtme të tyre ato janë kushtim i adhurimit ndaj dikujt tjetër përveç Allahut të Madhërishëm dhe në zemrën e vepruesit të tyre qëndron shirku ndaj Allahut, duke qenë se ai e madhëron krijesën dhe e bën atë (sipas tij) meritore për t’ia kushtuar ndonjë lloj të adhurimit, ose për shkak se ajo e meriton adhurimin vetvetiu, ose për shkak që ajo të ndërmjetësojë për të.

Shembulli i llojit të dytë: mëkatet e mëdha veprore, të cilat nuk kryhen nga aspekti i besimit, si: kurvëria, pirja e alkoolit, vjedhja, ngrënia e kamatës dhe e pasurisë së jetimit, zmbrapsja nga beteja dhe mëkate tjera të mëdha e shkatërruese të ngjashme me këto. Pra, këto nuk kryhen nga besimi; për këtë arsye mëkatet e mëdha ndahen në dy grupe.

Andaj themi: shirku i vogël, dhe në mënyrë më parësore shirku i madh, nga aspekti i llojit të tij, është më i madh se mëkatet e mëdha veprore. Kështu, llojet e shirkut të vogël, edhe pse janë verbale, si thënia: çfarë do Allahu dhe ti, apo betimi jo në Allahun, apo adresimi i begative apo i largimit të ndëshkimeve (fatkeqësive) tek dikush tjetër në vend të Allahut të Lartësuar, apo varja (bartja) e hajmalive dhe gjëra të ngjashme me këto, që të gjitha nga aspekti i llojit janë më të mëdha (se mëkatet e mëdha). Po, ato janë mëkate të mëdha, mirëpo nga aspekti i llojit, janë më të mëdha se mëkatet e mëdha veprore, të cilat nuk i shoqëron besimi. Sepse në mëkatet e mëdha veprore, si: kurvëria, vjedhja, etj, nuk ka mendim të keq për Allahun e Madhërishëm dhe nuk ka kushtim të adhurimit për dikë tjetër në vend të Tij, apo adresim të ndonjë gjëje tek tjetërkush përveç Tij. Nxitëse e njeriut për kryerjen e tyre janë thjesht vetëm epshet. Ndërsa sa i përket mëkateve të grupit të dytë, nxitëse e njeriut për veprimin tyre është besimi i tij në dikë tjetër përveç Allahut dhe sajimi i tjetërkujt pos Tij si të barabartë me Të. Dhe mëkati më i madh është kur njeriu e sajon dikë si të barabartë me Allahun, ndërkohë që Ai e ka krijuar atë.

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit