Shkaqet në peshoren e ehli sunetit

Shkaqet në peshoren e ehli sunetit

 

  1. Allahu i ka caktuar gjërat përmes shkaqeve të tyre edhe pse nuk ka nevojë për to. Me urtësinë e Tij ka caktuar që gjërat të ndodhin përmes shkaqeve ndonëse Ai është i vetëmjaftueshëm, nuk ka nevojë as për shkaqet e as për të shkaktuarën. Mirëpo në të gjithë këtë Ai ka urtësi absolute. Ibn Kajjim rahimehullah ka thënë: “Sikur të hulumtonim mbi argumentet në Kuran e Sunet dhe që pohojnë veprimin e shkaqeve, ato argumente do të ishin më shumë se dhjetë mijë, kjo pa ekzagjerim, por kjo është e vërteta. Mjafton se për këtë dëshmojnë shqisat, intelekti, mendja e shëndosh dhe natyrshmëria e pastër e njeriut.”

 

  1. Jo çdo gjë që ndodh për shkak të një gjëje, nuk mund të ndodhë pa të. Nëse arrimë të kuptojmë pikën e parë, duhet të dimë se jo çdo gjë që vjen si rezultat i një shkaku nuk mund të ndodhë pa atë shkak, pra mund të ndodhë edhe pa ekzistuar shkaku fare. Allahu është i fuqishëm të sjellë në jetë një fëmijë pa dy prindër siç ka ndodh me Ademin dhe Haven, gjithashtu me Isën alejhi ue selem. Allahu është i fuqishëm ta shërojë njeriun edhe pa ilaçe. Kjo është argument që tregon për Rububijen – Zotërimin e Allahut, për Madhështinë e Tij, në mënyrë që zemrat të mos lidhen me askënd tjetër përveç se me Allahun.

 

  1. Dobitë, në të dy botët, janë të ndërlidhura ngushtë me shkaqet. Andaj, njeriu patjetër duhet të veprojë shkaqet. Allahu është Ai i Cili ka caktuar kaderet, gjithashtu ka përgatitur shkaqe për këto kadere. Allahu është i Gjithëdijshmi, i Urti, me dije absolute, rreth shkaqeve që ka vendosur për arritjen e dobive. Njeriu arrin te dobitë duke vepruar shkaqet. Kështu ai do të jetë prej atyre që punojnë shumë në veprimin e tyre. Vetë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na ka mësuar: “Kushtoju rëndësi gjërave të dobishme dhe kërko ndihmën e Allahut e mos u trego i paaftë!” Allahu ka caktuar të mirën dhe të keqen dhe për secilën nga to ka caktuar shkaqe. Andaj kaderi i urisë largohet me kaderin e ngrënies, kaderi i etjes largohet me kaderin e pirjes së ujit, kaderi i sëmundjes largohet me kaderin e ilaçeve etj. Besimtari ik prej kaderit të Allahut për tek kaderi i Tij. Dhe kjo është një derë e gjerë përmes së cilës sheh me sytë e zemrës urtësinë e Allahut, përsosmërinë e rububijes së Allahut dhe drejtësinë, mëshirën e butësinë e Tij.

 

  1. Shkaku jep efekt, por nuk është arsye e plotë për arritjen e një gjëje e gjithashtu nuk është një shenjë e qartë. Ehli suneti qëndrojnë në të mesmen (mes këtyre dy besimeve të gabuara), ata besojnë se shkaku nuk është arsye që vepron në mënyrë të pavarur për të sjellë të shkaktuarën, por gjithashtu besojnë se shkaku nuk është shenjë e qartë që tregon se ajo gjë ndodh te shkaku e jo për shkak të tij. Një prej dijetarëve ka thënë: “Disa njerëz kanë mohuar shkaqet, dhe kështu kanë bërë njerëzit me logjikë të shëndoshë që të qeshin me mendjet e tyre.” Tek këta kur thika pret diçka, kjo d.m.th. se prerja ka ndodhur te thika e jo për shkak të thikës, e nuk ka dyshim se ky besim është i kotë, përkundrazi, shkaku ka efekt për arritjen e të shkaktuarës porse ky efekt nuk është i pavarur. Nuk ekziston shkak i krijuar që mund të ndikojë në mënyrë të pavarur. Gjërat mund të ndodhin në mënyrë të pavarur vetëm me dëshirën dhe krijimin e Allahut, ndryshe jo, tek krijesat nuk ka diçka të tillë.

 

  1. E shkaktuara e shkaqeve nuk është në qenien e tyre. Kjo është gjendja me të gjitha shkaqet. Ato janë shkaqet me efekt mirëpo kjo me vullnetin dhe dëshirën e Allahut. Ai e ka krijuar atë shkak. Sikur të donte të asgjësonte të shkaktuarën e këtij shkaku, që të mos japë efekt, do ta asgjësonte. Andaj zjarri në të cilën është hedhur Ibrahimi alejhi ue selem nuk e ka djegur fare atë, nuk ka sjellë efektin e vet (djegien), ngase Allahu ka dashur që të largojë këtë efekt prej tij. Ajo që dëshiron Allahu ndodhë dhe ajo që Ai nuk dëshiron nuk ka mundësi të ndodhë. Prandaj zemrat nuk duhet të lidhen me asnjë gjë prej gjërave të krijuara, por duhet të lidhen vetëm për Allahun.

 

  1. Ekzistimi i shkakut nuk sjellë detyrimisht ndodhjen e të së shkaktuarës, nuk e detyron të ndodhë e shkaktuara. Shkaku nuk jep efekt përveçse kur këtij shkaku i bashkëngjitet një shkak tjetër apo disa shkaqe të tjera që e ndihmojnë dhe marrin pjesë në sjelljen e së shkaktuarës. Gjithashtu, patjetër duhet të realizohen kushtet e ndikimit dhe të largohen pengesat; nëse ekziston pengesa atëherë shkaku nuk mund të ketë ndikim. Të gjitha këto janë të lidhura ngushtë me vullnetin e Allahut. Dhe kjo është gjendja dhe realiteti i të gjitha shkaqeve në raport me pasojat apo të shkaktuarat (rezultatet). Askush përveç Allahut, të Vetmit, nuk ka mundësi të ndikojë pa u kushtëzuar prej gjërave të tjera. Në Dorën e Allahut është ndryshimi i gjërave, i çështjeve, dhe mundësia. Kush beson se shkaku ndikon në mënyrë të pavarur nga dëshira dhe vullneti i Allahut atëherë le të dijë se ka bërë shirk. Kjo është provë se është obligim për besimtarin që zemra e tij të heqë dorë e të largohet nga çdo gjë përveç Allahut dhe që të mos lidhet me asgjë veçse me Atë. Kush e lidh shpresën dhe frikën e tij me dikë tjetër përveç Allahut, sado që ai ka pozitë të lartë, kjo është një gjë e kotë, një lidhje e pavërtetë, ngase nuk ka ndryshim dhe forcë veçse prej Allahut.

 

  1. Askush nuk është i pavarur që të krijojë e të japë ndikim përveç Allahut. Vullneti i Allahut është ai që detyron në mënyrë të pashmangshme ekzistimin e gjërave. Të gjitha shkaqet ndërlidhen mes veti (në formë zinxhirore) derisa të arrijnë te shkaktari i vërtetë i tyre e që është vullneti i Allahut.

 

  1. Mbështetja në Allahun është largimi i mbështetjes në shkaqe pas veprimit të tyre. Mbështetja në Allahun (tewekuli) bën bashkë këto dy gjëra: veprimin e shkaqeve dhe mbështetjen në Allahun. Disa dijetarë kanë thënë: “Tewekuli është shqetësim e bezdisje pa rehati e qetësi dhe është rehati e qetësi pa shqetësim e bezdisje.” Pjesa e parë nënkupton se tewekuli është në lëvizje, pra njeriu vazhdimisht është në lëvizje, i shqetësuar, në veprimin e shkaqeve; ndërsa në anën tjetër besimtari duhet të ndjejë qetësi tek Allahu i Vetmi, i Cili i krijon gjërat, e të mbështetet tek Ai, në këtë mënyrë nuk ndjen shqetësime e bezdisje, “Kushtoju rëndësi gjërave të dobishme dhe kërko ndihmën e Allahut e mos u trego i paaftë!” Njeriu nuk ka detyrë tjetër veçse t’i veprojë shkaqet, kurse me zemër t’i mbështetet Atij që i ka krijuar këto shkaqe, t’ia dorëzojë e besojë çështjet e tij. Nëse ia dorëzon dhe beson çështjet Allahut atëherë dije se Ai do të të japë gjëra më të dobishme sesa që ke synuar.

 

  1. Neglizhimi apo mosveprimi i shkaqeve nuk është prej fesë, nuk është veprim i ligjshëm. Disa mendojnë se nëse nuk i veprojnë shkaqet atëherë në këtë mënyrë arrijnë të realizojnë tewekulin. Ky është gabim i qartë. Nuk është tewekul i ligjshëm, përkundrazi është kundërshtim i ligjit fetar dhe kozmologjik të Allahut. Po ashtu i kundërvihet Urtësisë së Allahut dhe kundërshton udhëzimin e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem (i cili i ka vepruar shkaqet, por dhe i cili më së miri e ka realizuar tewekulin). Gjithashtu kundërshton urdhrin e Allahut i Cili na ka urdhëruar të veprojmë shkaqet qofshin fetare apo të dunjasë. Tewekuli përbëhet nga dy gjëra të pandashme me njëra-tjetrën: veprimi i shkaqeve me gjymtyrë dhe mbështetja në Allahun me zemër. Allahu ka caktuar ndodhinë e gjërave përmes shkaqeve të tyre (për të udhëtuar duhet zhvendosur, lëvizur, për t’u freskuar nga etja duhet pirë ujë, për të lindur fëmijë duhet të bëhet përmes bashkimit të burrit dhe gruas me martesë). Kush do të arrijë tek e shkaktuara duhet të veprojë patjetër shkakun. Allahu i caktuar gjërat dhe i ka ndërlidhur me shkaqet e tyre. Njeriu më i lumtur është ai që më së shumti vepron shkaqet përmes të cilave arrin të realizojë dobitë e të dy botëve. E më i mjeri është ai që më së shumti i braktistë apo nuk i vepron ato. Përmes shkaqeve është njohur Allahu, është adhuruar, përmes tyre adhuruesit i janë afruar Allahut, të dashurit e Tij e kanë arritur kënaqësinë e Tij dhe për shkak të tyre njerëzit janë ndarë në të lumtur (besimtarë) dhe të mjerë (pabesimtarë).

 

  1. Mbështetja në shkaqe është mangësi në teuhid. Prej thelbit të teuhidit është të shikuarit e çështjeve se të gjitha janë prej Allahut, i shikuar ky që shkëputë çdo lidhje apo kthim koke kah shkaqet apo gjërat ndërmjetësuese. Andaj shkaqet duhet të shikohen vetëm si krijim dhe caktim i Allahut, sepse Ai është Krijuesi, Ai i Cili i drejton çështjet në këtë univers, Ai që e zotëron sundimin etj. Nuk ka mundësi të lëvizë diçka apo të mos lëvizë (të rrijë qetë) kjo veçse me caktimin e Allahut. Ky nivel i besimit sjell tewekulin te personi- kënaqjen me Allahun dhe dorëzimin ndaj urtësisë së Tij. Mirëpo, që ta kufizojmë shikimin tonë dhe ta hedhim vetëm kah shkaqet fizike, kjo është mangësi në besim dhe dobësi në teuhid. Ai që e njëson Allahun me teuhid dhe është i sinqertë, kur vepron një shkak, e di se Allahu e ka krijuar atë shkak, e ka caktuar atë dhe e ka nënshtruar dhe vënë në shërbim të tij. Besimtari përmes shkaqeve arrin te rezultatet (të shkaktuarat). Ai edhe nëse i vepron shkaqet, këtë e bën me gjymtyrët e tij e ndërsa zemra e tij është e lidhur me Atë në Dorën e të Cilit është pushteti dhe zotërimi i çdo gjëje. Në zemrën e tij nuk kanë hise shkaqet, pra nuk ka hise mbështetja në shkaqe. Ndërsa, zhvlerësimi i shkaqeve është mangësi në mendje. Kurse heqja dorë prej shkaqeve, kjo është akuzë dhe fyerje ndaj fesë. Njësuesi i Allahut nuk kthehet me zemrën e tij kah shkaqet, qëllimi është: nuk gjen qetësi në to, nuk ua beson çështjen e tij shkaqeve, nuk mbështetet tek to, nuk ka shpresë e frikë ndaj tyre, por as nuk i neglizhon, as nuk i shpërfillë, as nuk i lë pa vepruar. Zemra e tij gjen qetësi vetëm tek Allahu. Kush bën bashkë mes teuhidit dhe vërtetimit e pohimit të shkaqeve, ai është duke ndjekur rrugën e drejtë.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit