Shpjegim i ajeteve: “Iblisi tha: “Zoti im, më jep afat deri në ditën kur ata do të ringjallen!” Zoti tha: “Sigurisht që do të të jepet afat deri në një ditë të caktuar. Iblisi tha: “Zoti im, për shkak se më çove në humbje, unë do t’ju zbukuroj atyre (njerëzve) rrugën e gabuar në Tokë dhe të gjithë do t’i shpie në mashtrim, përveç robërve të Tu të sinqertë”. (El-Hixhr, 36-40).

Shejh: AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)

http://binbaz.org.sa/mat/9107

Pyetje: Shpresoj të mi shpjegoni këto fjalë të Allahut: “Iblisi tha: “Zoti im, më jep afat deri në ditën kur ata do të ringjallen!” Zoti tha: “Sigurisht që do të të jepet afat deri në një ditë të caktuar. Iblisi tha: “Zoti im, për shkak se më çove në humbje, unë do t’ju zbukuroj atyre (njerëzve) rrugën e gabuar në Tokë dhe të gjithë do t’i shpie në mashtrim, përveç robërve të Tu të sinqertë”. (El-Hixhr, 36- 40). Çfarë ishte qëllimi i shejtanit kur përmendi zbukurimin dhe mashtrimin?

Përgjigje: Me këto fjalë ai donte të thoshte se do të punojë deri në fund për t’i mashtruar e për t’i penguar njerëzit nga vërteta, si dhe për t’i nxjerrë ata nga udhëzimi drejt lajthitjes, në mënyrë që të jenë së bashku me të në zjarrin e përflakur. I Lartësuari thotë: Me të vërtetë, djalli është armik për ju, andaj vështrojeni si armik! Ai vetëm i josh ithtarët e vet, që të bëhen shokë të zjarrit të përflakur.” (Fatir, 6). Ai u betua se do të veprojë asisoj, ngaqë Allahu ia premtoi zjarrin dhe e gjykoi me dënim në të. Allahu i dha afat atij deri në ditën e Kiametit për t’i vënë në provë njerëzit, në mënyrë që të dallohen ata që i binden Allahut dhe të Dërguarit, nga ata që i binden shejtanit dhe e pëlqejnë rrugën e tij. Shejtani ua zbukuron njerëzve të kotën e mëkatet dhe i thërret drejt tyre. Po ashtu ua bën të lehta ato dhe u thotë: “Bëni kështu se Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë; Allahu falë shumë dhe është Bujar”, në mënyrë që t’ua hijeshojë atyre të pavërtetën. Ai u thotë atyre: “Kënaquni me zina, me pirje të alkoolit, e me lloje të tjera të kotësisë”. Ai, gjithashtu, nëse i jepet rasti, ia hijeshon njeriut edhe shirkun, dhe e josh atë drejt kufrit ndaj Allahut dhe humbjes. Pra, armiku i Allahut i mashtron njerëzit dhe ua zbukuron atyre të pavërtetën, në mënyrë që të jenë së bashku me të në zjarr. Kjo sepse ai vetë u sprovua me kufër, andaj Allahu e mallkoi, e përzuri dhe ia premtoi zjarrin, për shkak të kryeneçësisë dhe lëndimit që ia bëri Ademit, si dhe për shkak të mosbindjes ndaj Zotit të vet. Kështu, ai e meritoi mallkimin e zemërimin e Allahut dhe përzënien nga mëshira e Tij. Allahu ia premtoi atij zjarrin dhe përjetësinë në të. I Lartësuari thotë: “Zoti tha: “E vërteta është – dhe Unë them vetëm të vërtetën se, do ta mbush Xhehenemin me ty dhe me të gjithë ata që të pasojnë ty!” (Sad, 84- 85). Pra, për shkak se Allahu ia premtoi atij zjarrin dhe e gjykoi me hyrje në të, ai është tejet i përkushtuar që t’i devijojë bijtë e Ademit dhe t’ua zbukurojë atyre të kotën, në mënyrë që jenë së bashku në zjarr. Kështu është edhe me shejtanët në radhët e xhinëve; ata, po ashtu, janë të përkushtuar që t’i mashtrojnë xhinët, ashtu siç janë të përkushtuar në mashtrimin e njerëzve. Edhe shejtanët njerëz janë të përkushtuar në mashtrimin e njerëzve të tjerë, ashtu që të jenë së bashku në zjarr. Siç edhe tregon i Madhërishmi: “Kështu, çdo profeti Ne i kemi caktuar armiq djajtë e njerëzve dhe të xhinëve, të cilët e frymëzojnë njëri-tjetrin me fjalë boshe të zbukuruara për mashtrim. Por, sikur të donte Zoti yt, ata nuk do të bënin kështu, prandaj lëri ata dhe trillimet e tyre.” (El-En’am, 112). Pra, Allahu i sprovon të dyja palët; i sprovon xhinët dhe njerëzit nëpërmjet shejtanëve xhin e njerëz, që janë kryeneçë e të dalë nga bindja ndaj Allahut, në mënyrë që t’i thërrasin drejt të kotës dhe t’ua zbukurojnë atë. Andaj është detyrë mbi të gjithë, burra e gra, që të kenë kujdes nga shejtanët. Kushdo që qëllimisht të thërret drejt mëkatimit ndaj Allahut, ai është shejtan, qoftë njeri apo xhin. Ai i cili ta cytë të pavërtetën në zemër është prej shejtanëve xhin, ndërsa ai person që të thërret haptas drejt saj, është shejtan njeri. Të gjithë ata që të thonë: “Bëj zina, pi alkool, mbyte filanin pa të drejtë”, apo që të thërrasin drejt kufrit e humbjes: drejt adhurimit të të vdekurve e kërkimit të ndihmës nga ta, apo drejt adhurimit të idhujve, apo engjëjve, apo xhinëve, (pra të gjithë këta) janë prej shejtanëve, kështu që mos iu bind atyre. Ti duhesh t’i kundërshtosh ata , në mënyrë që të mos jesh së bashku me ta në zjarrin e ndezur flakë. Ki kujdes që të mashtrohesh nga ta, dhe ki kujdes nga zbukurimi që ata ia bëjnë të kotës dhe mëkateve. Përkundrazi, ti e ke për detyrë t’i bindesh Allahut dhe të Dërguarit të Tij, të qëndrosh i palëkundur në urdhrat e Allahut, të largohesh nga çdo gjë Ai e ndaloi dhe të kërkosh ndihmën e Tij. Lutu duke thënë: “O Allah, më udhëzo në rrugën Tënde të drejtë! O Allah, përmirësoma zemrën dhe veprat e mia! O Allah, më ruaj nga shejtanët njerëz e xhin dhe më ruaj nga dëmi i tyre!”. Pra, kërkon që Allahu të të ndihmojë kundër shejtanëve njerëz e xhin. E, nëse zemrën tënde e brenë diç, atëherë, atë gjë paraqite para fjalëve të Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Nëse është në pajtim me fjalët e Allahut dhe të Dërguarit të Tij, atëherë dije se ajo është e vërtetë dhe pranoje. E nëse e kundërshton urdhrin e Allahut dhe të Dërguarit (sal-lAllahua alejhi ue sel-lem), dije se është nga shejtani. Kurdo që e ke të paqartë ndonjë gjë se, a është e vërtetë apo e kotë, atëherë pyeti dijetarët e devotshëm mysliman, të cilët kanë dije të madhe dhe janë të udhëzuar. Kjo nëse nuk ke dije fetare. Mirëpo, nëse je nxënës dije, atëherë këqyri dëshmitë e Kuranit dhe të Sunetit, në mënyrë që të dallosh të vërtetën nga e kundërta e saj dhe që të të mos ngatërrohen gjërat drejt të cilave thërrasin shejtanët njerëz e xhin, me fjalët e Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Allahu i patëmeta thotë: “Andaj pyetni dijetarët e Librit, nëse nuk dini.” (En-Nahl, 43). Dhe thotë: “Nëse djalli fillon të të joshë, kërko mbështetje te Allahu. Me të vërtetë, Ai i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha.” (Fussilet, 36). Joshjet e shejtanit janë cytjet që të vijnë në zemër, të cilat thërrasin drejt të kotës. Këto janë nga shejtanët xhin. Ndodh që xhinët të marrin pamje të burrave apo të grave dhe t’i thërrasin njerëzit drejt shirkut dhe të kotës. Andaj ki mendjen e mos iu bind atij që të urdhëron me gjë të kotë, edhe nëse ai është vëllai yt, apo babai apo shoku yt. Kurrë mos iu bind askujt në gjëra të kota, për shkak të fjalëve të Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Bindja duhet të jetë vetëm në gjëra të mira. S’ka bindje ndaj krijesës, nëse mëkatohet ndaj Krijuesit”. Kështu, ai që të urdhëron me gjëra të mira dhe me bindje ndaj Allahut e të Dërguarit, është i falënderuar dhe duhet të ketë bindje ndaj tij në të mirë. Ndërkaq, ai që të thërret drejt mëkateve dhe shirkut, s’duhet të ketë bindje ndaj tij, edhe nëse është i afërt, apo shok, apo udhëheqës, apo baba, apo nënë. Ty s’të takon t’i bindesh askujt në mëkatim ndaj Allahut të Lartësuar. Ki mendjen e mos u josh me mashtrime, apo me zbukurim të së kotës, apo me pështjelljen e të vërtetës me të pavërtetën, që e bëjnë shejtanët njerëz e xhin! Ki kujdes nga ta, në mënyrë që të të mos joshin e udhëheqin drejt zjarrit, për shkak të mashtrimeve dhe zbukurimit të së kotës. S’ka ndryshim të gjendjeve e as forcë pa lejen e Allahut!

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit