Shtimi i imanit dhe pakësimi i tij

Shejh: Muhamed bin Salih El-Uthejmin (Allahu e mëshiroftë)

Shkëputur nga fetuat e tij

Shejh Muhamed bin Salih El-Uthejmin (Allahu e mëshiroftë) qe pyetur: “A shtohet dhe a pakësohet imani?”

Ai u përgjigj si vijon: Tek Ehlu Suneti dhe Xhemati imani është: pohim (besim) me zemër, shprehje me gjuhë dhe veprim me gjymtyrë. Pra, ai i përfshinë këto tri çështje. E pasi që është i këtillë, atëherë ai patjetër se do të shtohet dhe pakësohet. Kjo ngaqë besimi me zemër dallon. Kështu, pohimi i ndonjë lajmi (pa e parë) nuk është i njëjtë me pohimin e atij që e ka parë ngjarjen me sy, dhe pohimi i lajmit që na e sjellë një njeri nuk është i njëjtë me pohimin e lajmit që e sjellin dy njerëz, e kështu me radhë. Së këtejmi, Ibrahimi (alejhis-salatu ues-selam) tha: “O Zoti im! Tregomë si i ngjall të vdekurit!” – Zoti i tha: “A nuk beson?” – “Besoj” – iu përgjigj Ibrahimi, “por dëshiroj të më qetësohet zemra.” (El-Bekare, 260).

Pra, imani shtohet nga aspekti i pohimit me zemër dhe qetësisë e rehatisë së saj. Këtë gjë njeriu e vëren në veten e tij; kur ai është i pranishëm në ndonjë ders ku ka këshillë dhe ku përmendet Xheneti e Zjarri, imani i tij shtohet deri në atë masë, sa që i duket se po i sheh me sytë e ballit. E kur ngrihet nga ky ders dhe është në gjendje shkujdesjeje, bindja që e ka në zemër fillon të zbehet (pakësohet). Imani, po ashtu shtohet edhe nga aspekti i fjalëve, meqë ai i cili e përmend Allahun e Madhërishëm dhjetë herë, nuk është i njëjtë me njeriun që e përmend Atë njëqind herë. Pra, imani i të dytit është shumë më i madh. Gjithashtu imani i njeriut që e kryen ndonjë adhurim në formë të plotë, është më i madh sesa i atij që e lë atë (adhurim) të mangët. Kështu është edhe me të vepruarit; kur një njeri bën vepra me gjymtyrët e tij më shumë se një tjetër, imani i tij do jetë më i madh sesa i atij që është i mangët nga veprat.

Kjo, shtimi i imanit dhe pakësimi i tij, pohohet në Kuran dhe në Sunet. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne kemi bërë rojtarë të zjarrit vetëm engjëjt dhe numrin e tyre e kemi bërë sprovë (objekt polemikash) për jobesimtarët, me qëllim që të binden ata që u është dhënë Libri e t’u shtohet besimi atyre që besojnë…” (El-Muddeththir, 31). “Kur zbret ndonjë sure, disa prej atyre (që kanë dyshim dhe hipokrizi) thonë: “Kujt prej jush do t’ia shtojë besimin kjo sure?” Për sa u përket besimtarëve, atyre (kjo sure) ua shton besimin dhe ata gëzohen. E sa u përket atyre që kanë sëmundje në zemrat e veta, ajo ua shton edhe më dyshimin që kanë dhe ata vdesin si mohues.” (Et- Teube, 124-125).

Në një hadith të vërtetë shënohet se Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem duke iu drejtuar grave) tha: “Nuk kam parë që njeriut të vendosur t’ia humbë mendjen (ndonjë gjë) më shumë, sesa ju që jeni të mangëta nga mendja dhe feja.” (Buhariu dhe Muslimi).

Pra, imani shtohet dhe pakësohet.

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit