Si filloi shirku?

Teuhidi është esenca te njerëzit. Në fillim, Profeti Adem dhe njerëzit pas tij, kanë qenë njerëz që e kanë njësuar Allahun në adhurim. Shirku ka ardhur pastaj, dhe nuk është siç pretendojnë evolucionistët e të tjerët, duke thënë se njeriu njëherë ka qenë injorant, pastaj ka adhuruar gjëra të ndryshme, e më vonë ka ardhur teuhidi. Jo, esenca dhe origjina tek njerëzit është teuhidi. Ibn Abasi Allahu qoftë i kënaqur prej tij thotë se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Në mes Ademit dhe Nuhut kanë qenë dhjetë shekuj, gjatë tyre shekujve njerëzit kanë qenë në teuhid”, pra nuk kanë bërë shirk. Shirku së pari në tokë ka ndodhur te populli i Nuhut alejhi selam, të cilët e kanë filluar atë duke kaluar në teprim ndaj lavdërimit të njerëzve të mirë (atyre që kanë qenë adhurues). Kjo ka qenë gjenerata e parë të cilët veç i respektonin, madhëronin ata dhe i pëlqenin si adhurues të mëdhenj. Kjo tregon se myslimanit nuk i lejohet ta madhërojë dhe lavdërojë dikë tjetër. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Mos e teproni në lavdërimin ndaj meje ashtu siç e kanë tepruar të krishterët lavdërimin ndaj Isës. Unë jam robi i Allahut dhe i Dërguari i Tij.” Më shumë se kaq nuk lejohet të teprohet në madhërimin dhe respektimin ndaj Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Pastaj, gjenerata që ka ardhur më vonë, pasi kanë parë baballarët e tyre duke i madhëruar njerëzit e mirë, iu kanë ndërtuar shtatore/idhuj, duke bërë skulptura në formën e tyre. E rezultat i kësaj ishte të filluarit e të adhuruarit ndaj këtyre idhujve në vend të Allahut, lutja ndaj tyre, therja e kafshës për ta, mbështetja tek ta dhe të konsideruarit e tyre si ndërmjetës mes tyre dhe Allahut. Pas kësaj, Allahu e dërgoi Nuhun alejhi selam si të Dërguar te populli i tij, për t’i ndaluar njerëzit nga ky shirk dhe për t’i urdhëruar se adhurimi i takon vetëm Allahut, të Vetmit. Të gjithë të Dërguarit që kanë ardhur pas Nuhut alejhi selam, i kanë thirrur në këtë teuhid, pra që të adhurohet Allahu i Vetëm. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se: Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Meje, pra më adhuroni!” Surja Enbija, 25.

Pastaj, shirku te populli i Musës ka ndodhur me adhurimin e viçit. Kur Musa shkoi për ta marrë Teuratin në kodrën Tur, populli i tij devijoi dhe filloi ta adhurojë viçin. Kurse, shirku tek të krishterët ka ndodhur pasi që Allahu e ka ngritur Isën alejhi selam, atëherë njëri prej hebrenjve që njihet si njeriu më i shenjtë tek ta e që është Shën Pali, e ka shfaqur hyrjen në krishterim. Mirëpo, ai ishte njeri i cili ka bërë kurthe kundër të krishterëve. Qëllimi i tij ishte që ta shkatërrojë fenë e pastër të Allahut të Lartësuar të cilën ia ka dhënë Musës alejhi selam. Së pari, ai e futi trinitetin te krishterët, pastaj adhurimin e kryqit dhe shumë prej çështjeve të idhujtarisë. Ndërsa, shirku te Benu Israilët, d.m.th. te arabët, te bijtë e Ismailit (djali tjetër i Ibrahimit), ka ndodhur kur Amër Ibn Luhajj el Huza’i, një prej të parëve të arabëve në Meke, i nxjerrë idhujt që ishin të varrosur prej kohës së Nuhut alejhi selam, i sjellë afër Qabesë dhe me këtë ua ndërroi arabëve fenë e Ibrahimit alejhis selam, dhe kështu ata filluan veprimin e shirkut. Kjo ka ndodhur para Islamit, ndërsa pasi që ka ardhur Islami, është pastruar/dëlirë adhurimi ndaj Allahut dhe nuk ka pasur shirk. Mirëpo, më vonë shirku filloi të ekzistojë edhe te myslimanët, përmes shijave fatimijunë, të cilët e kanë udhëhequr Egjiptin për katër shekuj. Ata këta kanë ardhur si udhëheqës të Egjiptit pas shekullit të katërt dhe kanë filluar të ndërtojnë xhami, vendfalje e vendadhurime përmbi varret e njerëzve të mirë. Kështu, njerëzit filluan t’i adhurojnë të vdekurit dhe hyri shirku te myslimanët. Shijat fatimijjunë janë ata që e kanë shpikur bidatin e mevludit, i cili njihet sot te shumica e myslimanëve. Këta pra janë të parët që kanë filluar teprimin, sikur pati bërë populli i Nuhut alejhi selam në madhërimin dhe lavdërimin e njerëzve të mirë.

Pastaj, shirku filloi dhe u përhap shumë edhe te sufitë apo dervishët të cilët kalojnë në ekstremizëm te shehët e tyre dhe pasuesit e tarikateve të tyre. Mirëpo, Allahu si çdo herë e ka marrë për obligim mbikëqyrjen e kësaj feje dhe Ai ka për ta ruajtur atë. Allahu e ka ruajtur gjatë kohës së Pejgamberit përmes tij salAllahu alejhi ue selem. Pas vdekjes së tij e ruan përmes dijetarëve të sinqertë, përmirësues, që i përmirësojnë shoqëritë dhe gjeneratat dhe përmes thirrësve që thirrin në rrugën e Allahut. Në një hadith sahih Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë se Allahu i Lartësuar për çdo 100 vjet e dërgon një dijetar apo një grup dijetarësh të cilët e përmirësojnë dhe e ripërtërijnë fenë e Allahut. Çfarë do të thotë “e ripërtërijnë”? Do të thotë: e pastrojnë/dëlirin atë prej njollave dhe papastërtive që kanë hyrë në fenë e Tij. Prandaj, e vërteta gjithmonë i ka pasur dhe do t’i ketë ndihmëtarët, të cilët e ndihmojnë atë dhe e ruajnë fenë e Allahut. E ata janë dijetarët dhe thirrësit në këtë fe. Ka thënë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Do të vazhdojë një grup prej ummetit tim të jetë ngadhënjimtar në të vërtetën. Atyre nuk u bëjnë dëm ata që i kundërshtojnë apo ua kthejnë shpinën, derisa të vijë urdhri i Allahut.” E vërteta kurrë nuk do të shuhet. Gjithmonë gjatë gjithë historisë dhe deri në Ditën e Gjykimit, në fytyrën e tokës, një grup do të jenë në të vërtetën. S’ka mundësi që e vërteta, feja e pastër që i ka zbritur Pejgamberit salallahu alejhi ue selem, të shuhet dhe të mos njihet se cila është. Urdhri i Allahut i përmendur këtu është Kiameti. Dhe ata do të jenë gjithmonë të kapur për fenë e Allahut. Imam Ahmed ibn Hanbel rahimehullah në fillimin e librit e tij “Refuzimi i Xhehmive – Err rradu alel xhehmijje” thotë:  “Falënderimi i takon Allahut që në çdo kohë kur nuk ka Pejgamber të dërguar[1], dërgon dijetarë të cilët i mohojnë devijimet/lajthitjet prej Kuranit (që ia kanë veshur) të atyre që e kanë tepruar (kanë kaluar në ekstremizëm dhe kanë devijuar nga rruga e Allahut), i largojnë pasuesit e të kotës (devijimet dhe shtrembërimet e tyre prej fesë), e largojnë interpretimin e rrejshëm, jo të saktë,  të injorantëve, dhe ata dijetarë janë ata të cilët i thirrin drejt Allahut devijuesit dhe bëjnë durim ndaj ofendimeve, të këqijave dhe torturave që u vijnë prej tyre. Sa njeriu ka qenë i devijuar dhe dijetarët janë bërë shkak që ata të udhëzohen! Sa njeriu ka qenë i vrarë prej iblisit (i varë shpirtërisht në fenë e tij duke qenë në humbje), e dijetarët kanë qenë ata që e kanë ringjallur atë! Sa i mirë është ndikimi i tyre te njerëzit (sa të mira janë gjurmët që ata i lënë tek ta)! Sa të këqija janë gjurmët e njerëzve që i lënë ndaj tyre.”

[1] E të pas Muhamedit salAllahu alejhi ue selem nuk ka të dërguar.

Hoxhë Lulzim Perçuku. Derset “Kitabu Teuhid”.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit