Si ka zbritur hadithi?

Shejh: AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)

Pyetje: Allahu i Patëmeta ia zbriti Kuranin të Dërguarit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) përmes shpalljes, por si ka zbritur hadithi?

Përgjigje: Allahu ia zbriti Kuranin Profetit të Tij, Muhamedit (sa-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) nëpërmjet engjëllit më fisnik, Xhebrailit (alejhis-selam). Ashtu siç thotë Allahu i Madhërishëm në kaptinën Esh-Shu’ara’: “Nuk ka dyshim se ky (Kuran) është Shpallja e Zotit të botëve. Atë e zbriti Shpirti i besueshëm (Xhebraili) në zemrën tënde (o Muhamed) që të jesh nga ata që paralajmërojnë. E zbriti në gjuhën e qartë arabe.” (Esh-Shu’ara: 192-195).

Gjithashtu i Madhërishmi në kaptinën Ed-Duhan thotë: “Hâ, Mîm. Betohem në Librin e qartë! Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar. Vërtet, Ne gjithmonë kemi qenë paralajmërues. Në atë (natë të zbritjes së Kuranit) vendoset çdo punë e urtë.” (Ed-Duhan: 1-4).

Dhe thotë Më i Larti: “Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj.” (El Kadr: 1-3).

Kjo natë është nata më fisnike dhe është në dhjetë netët e fundit të Ramazanit, ashtu siç thotë Allahu i Patëmeta: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani…” (El Bekareh: 185).

Ndërsa, sa i përket hadithit, Allahu ia ka shpallur atë Profetit të Tij (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) nëpërmjet Xhebrailit (alejhis-selam). Nganjëherë atij (Profetit) i personifikohejë engjëlli në pamje të njeriut dhe Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) dëgjonte çfarë i thoshte ai, siç përmendet në hadithin e vërtetë të Aishes (radijAll-llahu anha).

Allahu është Poseduesi i suksesit!

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit