Si shpjegohet ajeti: "Dhe ata (jobesimtarët armiq të Isës alejhis-selam) i përgatitën një kurth, por edhe Allahu u përgatiti kurth, se Allahu është më i miri i atyre që thurin kurthe" (Al 'Imran, 54)?

 

Shejh: Muhamed bin Salih El-Uthejmin (Allahu e mëshiroftë)

http://www.ibnothaimeen.com/all/noor/article_6572.shtml

Shejhu (Allahu e mëshiroftë):

Ky ajet tregon se paria e bijve të Izraelit, të cilët e mohuan Isain, birin e Merjemes (alejhis-selam), deshën ta vrasin dhe ta kryqëzojnë atë. Mirëpo, në momentin kur arritën tek ai, Allahu ia dha pamjen e Isait njërit prej tyre, ndërsa Isain e ngriti tek Ai në Qiell. Kështu, ata e mbytën dhe e gozhduan njeriun që i përngjau Isait dhe thanë: “Ne e vramë Mesihun – Isain, të birin e Merjemes, të dërguarin e Allahut.” (En- Nisa, 157). Mirëpo Allahu e hodhi poshtë këtë pretendim të tyre me fjalët e Tij: “Por, ata as e vranë, as e kryqëzuan, por ashtu u është dukur.” (En-Nisa, 157). Shih sesi ishte përfundimi i kurthit të tyre; erdhën tek Isai (alejhis-selam) që ta vrisnin, por, Allahu ia dha pamjen e Isait njërit prej tyre, e ata pastaj menduan se e kanë mbytur e gozhduar atë dhe se e kanë arritur qëllimin. Pra, kështu Allahu i futi në kurth.

Kurthi është sulmimi i armikut prej nga ai nuk e pret dhe ai (kurthi) është cilësi e lavdëruar, nëse bëhet me vend dhe aty ku duhet. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar e cilëson Veten me kurth, karshi kurthit që jobesimtarët ia bëjnë Atij dhe të dërguarve të Tij. Allahu tha: “Ata bënin kurthe, por edhe Allahu ngrinte kurthe (kundër tyre). Allahu është më i miri i atyre që thurin kurthe.” (El-Enfal, 30). Pra, kurthi është cilësi e lavdëruar, nëse bëhet aty ku duhet, ngaqë aludon për fuqi, për madhështi, për rrethimin e armikut nga çdo anë, si dhe për dobësinë dhe mosdijen e tij se çka është duke iu përgatitur. Ndryshe nga tradhtia, e cila, sido që të jetë, është cilësi e qortueshme. Për këtë shkak, Allahu nuk e cilësoi Veten me të as karshi atyre që e tradhtuan të Dërguarin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) apo që deshën ta tradhtonin atë. Hidhja një sy fjalës së Allahut: “E, nëse ata duan të të tradhtojnë (o Muhamed), dije se më parë kanë tradhtuar Allahun dhe prandaj Ai ta mundësoi ty fitoren ndaj tyre.” (El-Enfal, 71). Pra, Allahu nuk tha “më parë kanë tradhtuar Allahun, prandaj Ai i tradhtoi ata”, por tha: “më parë kanë tradhtuar Allahun dhe prandaj Ai ta mundësoi ty fitoren ndaj tyre”.

Duke u bazuar në këtë, nëse dikush pyet: “A lejohet që Allahu të cilësohet me kurth?”, themi: “Cilësimi i Allahut me kurth në mënyrë të pakufizueshme, nuk lejohet. Ndërsa, cilësimi i Tij me kurth, në vend të duhur, kundrejt atyre që (përpiqen të) bëjnë kurthe kundër Tij dhe të dërguarve të Tij, është e lejueshme, sepse në këtë rast, (kurthi) është cilësi që tregon për përsosmëri.

Përmes kësaj që u përmend bëhet e ditur se, cilësitë në raport me Allahun e Madhërishëm mund të ndahen në tri grupe:

– Grupi i cilësive me të cilat asnjëherë nuk është e lejueshme të cilësohet Allahu. Këto janë cilësitë që tregojnë mangësi dhe të meta, si për shembull: pamundësia, lodhja, padija, harresa e të ngjashme me këto. Pra, me këto cilësi, Allahu nuk cilësohet në asnjë mënyrë.

– Grupi i cilësive me të cilat Allahu cilësohet çdoherë. Këto janë cilësitë që tregojnë për përsosmëri në çdo rrethanë. Mirëpo, megjithëkëtë, Allahu nuk cilësohet, veçse me atë që Ai e ka cilësuar Veten e Tij.

– Grupi i cilësive me të cilat Allahu cilësohet në raste të caktuara. Pra, Allahu cilësohet me to kur ato tregojnë për përsosmëri, ndërkohë që nuk cilësohet me to kur ato tregojnë për mangësi. Si për shembull: kurthi, komploti, mashtrimi, tallja, e të ngjashme me to.

Përktheu: Petrit Perçuku

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit