Sqarim rreth vlerës së vëllazërisë për hir të fesë së Allahut të Lartësuar dhe afërsisë mes myslimanëve – Nxitje drejt rregullimit të marrëdhënieve midis myslimanëve dhe përhapjes së selamit

Hutbe nga shejh: Muhamed bin Salih El-Uthejmin (Allahu e mëshiroftë)

http://www.ibnothaimeen.com/all/khotab/article_157.shtml

 

Çdo lavdërim dhe falënderim i përket Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë e falje kërkojmë. Kërkojmë mbrojtjen e Tij nga të këqijat e veprave dhe shpirtrave tanë. Atë që e udhëzon Allahu s’ka kush që e humb dhe atë që Ai e lë në humbje, s’ka kush që e udhëzon. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar të vërtetë, përveç Allahut, i Cili është Një dhe i pashoq, dhe dëshmoj se Muhamedi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) është rob dhe i dërguar i Tij.

Më tej:

O besimtarë, kijeni frikë Allahun dhe dijeni se jeni vëllezër për shkak të fesë së Tij dhe besimit tuaj në Të. Kjo vëllazëri është më e fortë sesa çdo lidhje apo farefisni. Në ditën e Kiametit s’do të ketë lidhje farefisnore mes krijesave dhe, atë ditë, miqtë e ngushtë “do të bëhen armiq të njëri-tjetrit, përveç të devotshmëve, që e kanë pasur frikë Allahun.” (Ez-Zuhruf, 67).

O ju që i besoni Allahut dhe të Dërguarit të Tij! Rriteni këtë vëllazëri dhe fuqizojeni këtë lidhje, duke i vepruar shkaqet e ligjësuara për ju nga Allahu dhe i Dërguari i Tij! Mbilleni këtë dashuri dhe afërsi ndaj njëri-tjetrit në zemra, ngaqë nyja më e fortë e besimit është dashuria për hir të Allahut dhe urrejtja për hir të Tij! Kush do dhe urren për hir të Allahut dhe kush miqëson e armiqëson për hir të Tij, ai është mik i Allahut.

O besimtarë, vërtet, ummeti islam nuk do jetë i bashkuar, i fuqishëm e krenar, përderisa pjesëtarët e tij nuk lidhen ndërmjet veti me anë të lidhjeve fetare dhe përderisa nuk bëhen ashtu siç i përshkroi Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Besimtari për besimtarin është sikur ndërtesa, pjesët e së cilës e mbajnë njëra-tjetrën”. (Buhariu dhe Muslimi). Dhe: “Shembulli i besimtarëve në dashurinë, mëshirën dhe ndjenjat e ndërsjella, është si shembulli i një trupi; nëse një pjesë e tij ndjenë dhimbje, i tërë trupi vuan nga pagjumësia dhe ethet.” (Muslimi dhe Ahmedi).

O besimtarë, feja islame i vendosi qysh herët themelet e këtyre lidhjeve. Kështu, Allahu dhe i Dërguari i Tij ia ligjësuan ummetit ato gjëra që e bashkojnë, që e forcojnë unitetit e tij, që ia ruajnë nderin e krenarinë, që sjellin afërsi e dashuri dhe që largojnë urrejtjen dhe përçarjen.

Allahu ligjësoi për pjesëtarët e ummetit që kur të takohen, t’i japin selam njëri-tjetrit. Kjo ngaqë selami mbjellë dashuri, e forcon besimin dhe bëhet shkak që njeriu të futet në Xhenet. Besimtarët janë vëllezër në çdo vend dhe kohë, andaj kur ndonjëri prej jush të takojë vëllanë e vet mysliman, le t’i jap selam atij; bile le të jetë sa më i përkushtuar që ta bëjë i pari këtë. Sepse: “Njeriu më i mirë është ai që u jep njerëzve selam i pari.” (Buhariu dhe Muslimi). Prej udhëzimit të Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ishte se: “Ai i pari i jepte selam atij që e takonte.” (Buhariu). Madje ai (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) “u jepte selam edhe fëmijëve, nëse kalonte pranë tyre.” (Buhariu, Muslimi dhe imam Ahmedi). Këtë e bënte në mënyrë që t’i edukonte me edukatë islame për ta dashur selamin dhe përhapjen e tij.

Ndërsa, vëllai i tij le t’ia kthejë me një përgjigje që dëgjohet dhe le të thotë: “ue alejkes-selam”. Nuk mjafton që t’i thotë: “mirë se erdhe”, apo: “merhaba” apo fjalë tjera të ngjashme, derisa të thotë: “ue alejkumus-selam” apo: “ue alejkes-selam”. Nëse njeriu ia kthen selamin vëllait të vet njëmijë herë me: “mirë se erdhe”, ai nuk e heq përgjegjësinë nga vetja dhe është mëkatar, derisa të thotë: “ue alejkes-selam”.

Andaj, o besimtarë, tregohuni të kujdesshëm për këtë, sepse kthimi i selamit është obligim. Allahu thotë: “Kur ju përshëndet dikush, kthejani me një përshëndetje më të mirë ose në të njëjtën mënyrë!” (En-Nisa’, 86). Dihet se thënia: “mirë se vini” nuk është e njëjtë me “es-selamu alejkum” dhe as më e mirë se ajo. Ngaqë thënia e dikujt “es-selamu alejkum” apo “es-selamu alejke” është lutje për vëllanë e tij që të shpëtojë nga çdo gjë që e lëndon dhe dëmton. Pra, ajo është një thënie lajmëruese, mirëpo ka kuptimin e lutjes.

Myslimanë të nderuar! E dëgjuat fjalën e Allahut të Lartësuar: “Kur ju përshëndet dikush, kthejani me një përshëndetje më të mirë ose në të njëjtën mënyrë!” (En-Nisa’, 86). Kjo përfshinë mirësinë si në formë ashtu edhe në mënyrë. Në mesin e njerëzve ka të atillë që, kur t’i japësh selam me zë të lartë e të qartë, të cilin e dëgjon mjaftë mirë, ai ta kthen atë me një zë të ulët, të cilin ndoshta edhe nuk e dëgjon; ta kthen selamin me hundën e tij. Kjo nëse tregon për diç, atëherë tregon për një injorancë të skajshme apo për mendjemadhësi, Allahu na ruajt! Nëse vëllai yt të jep selam me zë të lartë e të qartë, atëherë edhe ti ktheja me po të njëjtin zë apo (me zë) edhe më të qartë, në mënyrë që të zbatosh detyrën e Allahut që të është ngarkuar.

Vëllezër myslimanë! Myslimanit nuk i lejohet ta bojkotojë vëllanë e vet mysliman, ngaqë kjo detyrimisht shpie në urrejtje, inat dhe përçarje. Përveç nëse ai mëkaton haptazi dhe në bojkotimin e tij ka dobi, e cila e pengon nga mosbindja.

O vëllezër, bojkoti është sikur ilaçi; nëse është i efektshëm në largimin e mëkatit apo në pakësimin e tij, atëherë ai është gjëja që kërkohet, në të kundërtën jo. Kjo për shkak të fjalëve të Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Myslimanit nuk i lejohet të bojkotojë vëllanë e vet më shumë se tri ditë; takohen dhe ia kthejnë shpinën njëri-tjetrit. Më i miri prej tyre është ai që fillon i pari me selam.” (Buhariu dhe Muslimi). Dihet se prej bazave të akides së Ehlu Sunetit është se njeriu, pavarësisht madhësisë së mëkateve që i ka, nuk del nga imani për shkak të tyre. Andaj duke u mbështetur në këtë themi se, parimisht, ndalohet bojkotimi i myslimanit, përveç nëse është duke mëkatuar dhe në bojkotimin e tij arrihet dobia: pakësimi i mëkatit apo largimi i tij.

O myslimanë! Prej gjërave që i forcojnë lidhjet e dashurisë dhe që njeriut ia bëjnë të pashmangshëm shpërblimin, është kur ai e viziton vëllanë e sëmurë. Vërtet që vizitimi i të sëmurit sjellë dashuri, zbutë zemrën dhe e shton besimin e sevapin. Atë që e viziton ndonjë të sëmurë, e thërret një thirrës nga Qielli duke i thënë: “Qofsh i mirë ti dhe ecja jote”. Dhe ai që e viziton vëllanë e tij të sëmurë, është vazhdimisht në mesin e frutave të Xhenetit, derisa të kthehet. Po ashtu, ai i cili e viziton të sëmurin duhet të jetë i dobishëm për të. Kështu, ai e përkujton atë me gjërat që i duhen dhe nuk e zgjatë ndejën, përveç nëse i sëmuri kërkon një gjë të tillë. Ai duhet ta përkujtojë me shpërblimin që Allahu e ka përgatitur për durimtarët dhe me atë sesi fatkeqësitë i shlyejnë veprat e këqija. Po ashtu ia sjellë ndërmend se pas çdo ankthi vjen lehtësimi dhe ia hap atij derën e pendimit dhe të daljes nga të drejtat e njerëzve; e këshillon që ta shfrytëzojë kohën me përmendjen e Allahut, me lexim të Kuranit, me kërkim të faljes dhe gjëra të tjera të kësaj natyre, që afrojnë tek Allahu. Gjithashtu e mëson rreth adhurimeve me të cilat detyrohet, si marrja e abdesit me ujë nëse mundet apo tejemumi, nëse s’ka mundësi të marr abdes me ujë, dhe (e mëson) se si ta kryejë namazin. Shumica e të sëmurëve nuk i dinë shumë nga dispozitat e pastërtisë dhe të namazit. Asnjëri nga ju assesi të mos nënvlerësojë asgjë nga këshillat dhe përkujtimet që ia jep të sëmurit. Kjo ngaqë shpirti i të sëmurit është zbutur dhe zemra e tij është përulur; kështu, ai është shumë afër që të pranojë të vërtetën dhe këshillën. Jini të përkushtuar, Allahu ju mëshiroftë, që të sëmurëve t’ua mësoni gjërat me të cilat detyrohen në sferën e namazit dhe të pastërtisë.

Njëri e vizitoi vëllanë e vet mysliman, gjersa ishte i sëmurë, dhe duke biseduar (i sëmuri) i tha: “Pasha Allahun, qe pesëmbëdhjetë ditë jam duke i bashkuar dhe shkurtuar namazet”. Ndalu dhe medito sesi ky i sëmurë, dhe të tillë ka shumë, mendonte se, pasi që i lejohet bashkimi mes namazeve, i lejohet edhe shkurtimi i tyre. Kjo është gabim. Shkurtimi i namazit ka vetëm një shkak, e ai është udhëtimi. Kështu, ai që është vendas nuk e shkurton namazin, mirëpo ndodhë që i lejohet bashkimi mes namazeve, nëse i vjen rëndë falja e çdo namazi në kohën e vet.

O myslimanë! Gjithashtu prej gjërave që detyrimisht sjellin dashuri, afërsi dhe bashkim të ummetit, është rregullimi i marrëdhënieve mes njerëzve. Ashtu siç thotë Allahu i madhërishëm: “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër, andaj pajtojini vëllezërit tuaj mes tyre…” (El-Huxhurat, 10). Allahu lajmëroi se pikërisht kjo është mirësia dhe tha: S’ka kurrfarë të mire në shumë prej bisedave të tyre të fshehta, përveç rastit kur ndokush kërkon që të jepet sadaka ose të kryhet një vepër e mirë apo paqësim ndërmjet njerëzve. Atij që e bën këtë për të fituar kënaqësinë e Allahut, Ne do t’i japim një shpërblim të madh.” (En-Nisa’, 114). Në një hadith të Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) përmendet se: “Të pajtosh mes dy vetave është sadaka.” (Buhariu dhe Muslimi).

O besimtarë! Pajtimi mes besimtarëve është pajtim dhe përmirësim i tërë shoqërisë, si dhe shpërblim i madh për atë që përmes tij e kërkon kënaqësinë e Allahut. I suksesshëm është ai, i cili kur sheh armiqësi dhe largim mes dy vetave, nxiton drejt pajtimit mes tyre, derisa të bëhen shokë të ngushtë. Ndërsa, njeri i poshtër dhe pasues i epshit është ai, i cili kur sheh miqësi dhe afërsi mes dy vetave, nxiton drejt prishjes mes tyre.

Myslimanë të nderuar! Prej gjërave që shpijnë drejt bashkimit të fjalës së myslimanëve është këshillimi mes tyre për çështje të ndryshme, ashtu që gjërat të përfundojnë dhe të kenë sukses në mënyrën më të përkryer. Pa dyshim se, kur opinionet të bashkohen e të hasin në mirëkuptim, arsyetim dhe nijet të mirë, me lejen e Allahut, jetësohet e mira dhe largohet e keqja. Andaj kur njeriu të ketë paqartësi rreth ndonjë çështjeje fetare apo të kësaj bote, është e ligjshme që të këshillohet me atë që ka dijeni më shumë rreth saj, në mënyrë që ai ta drejtojë kah e mira. Atij që i kërkohet këshilla duhet të jetë i besueshëm dhe ta këshillojë vëllanë e vet, sepse në momentin kur ai ka kërkuar këshillën tënde, do të thotë se të ka besuar.

Prej parimeve bazike mes myslimanëve është që ata të nxitojnë drejt çdo gjëje që i bashkon e njëson zemrat, fjalët dhe mendimet e tyre, dhe që të shmangin çdo gjë që e kundërshton këtë. Për shkak të kësaj, myslimanët e kanë të ndaluar të bojkotojnë njëri-tjetrin, përveç nëse bëhet fjalë për ndonjë interes fetar, siç e dëgjuat më lartë.

Prej gjërave që na pikëllojnë është kur shohim ndonjë njeri tejet serioz dhe të përkushtuar në kryerjen e veprave të mira, mirëpo, megjithëkëtë, shejtani e ka mashtruar në bojkotimin e vëllait të vet mysliman, dhe atë për shkak të ndonjë interesi personal apo të kësaj jete. Ndodh që i bojkotuari të jetë edhe i afërm i tij, dhe kështu të bashkojë mes bojkotit dhe ndërprerjes së lidhjeve farefisnore.

O ti mysliman, a nuk e di se Islami, me të cilin Allahu të ka begatuar, është më i lartë dhe më i ngritur sesa që t’i japësh përparësi interesave personale apo të kësaj jete karshi lidhjeve me vëllezërit e tu?

Andaj, kijeni frikë Allahun, o myslimanë, dhe jini të përkushtuar në gjërat që sjellin dashuri e afërsi mes jush, dhe që largojnë armiqësinë e urrejtjen, ngaqë kjo është thelbi i mesazhit, më të cilin ka ardhur Islami.

O njerëz: “Frikësojuni Allahut, rregulloni marrëdhëniet mes jush dhe bidjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nëse jeni besimtarë të vërtetë”. (El-Enfal, 1).

Përhapeni selamin mes jush, në mënyrë që të duheni dhe të hyni në Xhenet. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Pasha Allahun, kurrë nuk do të hyni në Xhenet derisa të besoni, dhe nuk besoni, derisa të duheni mes veti. A t’ju tregoj për një gjë, që nëse e bëni do të duheni mes veti? Përhapeni selamin mes jush.” (Imam Ahmedi dhe Muslimi). (…)

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit