Surja el Felek- Komentim

Surja el Felek


قُلۡ أَعُوذُ بِرَبِّ ٱلۡفَلَقِ مِن شَرِّ مَا خَلَقَ وَمِن شَرِّ غَاسِقٍ إِذَا وَقَبَ وَمِن شَرِّ ٱلنَّفَّٰثَٰتِ فِي ٱلۡعُقَدِ وَمِن شَرِّ حَاسِدٍ إِذَا حَسَدَ.


  1. Thuaj: “Kërkoj mbrojtje/strehë te Zoti i agimit,
  2. që të më mbrojë nga sherri i gjithçkaje që Ai ka krijuar
  3. dhe nga sherri i natës, kur kaplon terri
  4. dhe nga sherri i falltarëve, që fryjnë në nyje (duke bërë magji)
  5. dhe nga sherri i smirëziut, kur vepron me smirë.

 

-“ قُلۡ أَعُوذُ بِرَبِّ ٱلۡفَلَقِ – Thuaj: “Kërkoj mbrojtje/strehë te Zoti i agimit”- Zoti i agimit është Allahu. Felek d.m.th. kur diçka qelë. Disa dijetarë kanë thënë se për qëllim është agimi, e disa të tjerë kanë thënë se është çdo gjë që qelë, si: agimi, farat, kokorrat e ndryshme (prej drithërave).

 

-“ مِن شَرِّ مَا خَلَقَ – nga sherri i gjithçkaje që Ai ka krijuar”- Nga sherri i çdo krijese. Këtu hyn dhe sherri i shpirtit (nefsit) tonë, i cili është i prirë për të keq, që e shtyn njeriun drejt tyre dhe ai vazhdimisht gjendet në një luftë me shpirtin e tij. Gjithashtu përfshihen njerëzit, shejtanët, xhindët, kafshët etj.

 

-“ وَمِن شَرِّ غَاسِقٍ إِذَا وَقَبَ – dhe nga sherri i natës (dhe i hënës), kur kaplon terri”. Gjatë natës dalin kafshë të ndryshme, shpërndahen shejtanët dhe magjistarët. Andaj, kërkojmë prej Allahut që të na mbrojë prej të keqes së natës, ngase të këqijat më të mëdha bëhen gjatë saj. Ndërsa, hëna mban pushtetin gjatë natës, ndriçon gjatë saj. Allahu këtë ajet e lidh me ajetin paraprak, ngase prej të keqes që ka krijuar Allahu hyn edhe nata, e cila shpërndahet me errësirën e saj, e gjithashtu hëna që ndriçon me dritën e saj gjatë natës. Qëllimi është: të na ruajë Allahu prej të këqijave që bëhen gjatë natës.

 

-“ وَمِن شَرِّ ٱلنَّفَّٰثَٰتِ فِي ٱلۡعُقَدِ – dhe nga sherri i falltarëve, që fryjnë në nyje (duke bërë magji)”- E pastaj “goditet” me magji personi i caktuar. Këtu përmendet shumësi i femërores “nnef-fathat” (në arabisht), ngase zakonisht ato që bëjnë magji janë gra, por gjithsesi këtu përfshihen edhe ata burra që veprojnë kështu. Gjithashtu dijetarët thonë se me këtë fjalë ose është për qëllim frymëmarrja a pështyma e nxjerrë nga magjistarja apo magjistari duke fryrë në nyje.

 

-“ وَمِن شَرِّ حَاسِدٍ إِذَا حَسَدَ – dhe nga sherri i smirëziut, kur vepron me smirë.” Smirëziu është ai i cili e urren dhe nuk e do të mirën a dhuntinë të cilën Allahu ia jep dikujt, andaj ndihet keq, ngushtohet në zemër, tregon smirë e zili. Ziliqari është dy llojesh: 1. që e urren me zemër mirësinë e dhënë ndaj dikujt por që nuk shfaq armiqësi ndaj tij apo t’i bëjë keq, megjithatë brengoset, dëshpërohet, ngushtohet, se pse Allahu ia ka dhënë atë të mirë atij, 2. që e urren mirësinë e dhënë ndaj dikujt por edhe vepron: e armiqëson dhe e kundërshton tjetrin. Zakonisht zilia (hasedi) shoqërohet me përgojim (gibet), me tallje, me përqeshje, e ndoshta dhe me shpifje. E keqja kthehet te vetë ziliqari. Mirëpo, zilia e tij (me këtë urrejtje e mospëlqim) mund të bëhet shkak që personi tjetër të goditet me mësysh (me lejen e Allahut), andaj dhe ka ardhur në ajet “nga sherri i smirëziut, kur vepron me smirë“. Dijetarët përmendin se ziliqari duke rënë mësysh mund të godasë edhe gjëra fizike.

 

Të gjitha belat janë në njërën prej këtyre tri llojeve: nata, magjistari (fallxhori) dhe ziliqari, dhe në mënyrë të fshehtë.

 

Mënyra e shpëtimit të këtyre tri të këqijave:

-lidhja e zemrës fort për Allahun,

-mbështetja plotësisht në Allahun, duke ia dorëzuar çështjet Atij,

-veprimi i shkaqeve (dhikri i ligjshëm).

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Derset e tefsirit.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit