Të angazhuarit vetëm me adhurim gjatë Ramazanit

Shejh: AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)
“Mexhmu’u fetaua ue mekalat muteneu-uiah” – pjesa e pesëmbëdhjetë

Pyetje: A është prej sunetit që njeriu gjatë Ramazanit të lirohet (largohet) nga çdo gjë tjetër e t’i kthehet vetëm pushimit dhe kryerjes së adhurimeve?

Përgjigje: Të gjitha punët që i bën myslimani janë adhurime. Kështu, obligimet që i ka përsipër, nëse i kryen ato me nijet të mirë, të gjitha janë adhurime. Pra, adhurim nuk është thjesht vetëm namazi apo agjërimi. Mësimi i dijes, pastaj dhënia e saj dikujt tjetër, thirrja tek Allahu, edukimi i fëmijëve e kujdesi ndaj tyre, kryerja e obligimeve ndaj familjes, bamirësia ndaj robërve të Allahut, të përpjekurit skajshmërisht në ndihmesën e njerëzve, lehtësimi i gjendjeve të atyre që janë në vuajtje e halle, të qenët i dobishëm për njerëzit me çdo lloj metode të lejueshme dhe kërkimi i riskut hallall, të gjitha këto janë adhurime, nëse bëhen me nijet të mirë (sinqertë). Myslimani, të cilit Allahu i jep sukses drejt bashkimit në mes të adhurimeve të veçanta (që i kthehen me dobi vetëm atij) dhe atyre (me dobi) të përgjithshme, arrin mirësi të mëdha.

Ngjashëm me këtë që u përmend është edhe kryerja e punës (funksionit) e cila i ngarkohet atij në Ramazan, nëse ai e kryen atë me sinqeritet dhe vërtetësi, (ajo) hyn në tërësinë e adhurimeve për të cilat shpërblehet.

Ai njeri që kufizohet vetëm në adhurimet e veçanta për shkak të pamundësisë së tij në kryerjen a atyre që janë të përgjithshme është në mirësi të madhe, nëse tregohet i sinqertë me Allahun dhe është i vërtetë në punët e tij të mira.

Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) luftoi në dy prej Ramazaneve të jetës së tij. Kështu, beteja e madhe e Bedrit ishte në ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit Ramazan, në vitin e dytë sipas hixhretit. Po ashtu, çlirimi i Mekës ndodhi në Ramazanin e vitit të tetë sipas hixhretit. Ai (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) mori rrugë gjatë muajit të Ramazanit dhe e prishi agjërimin, pasi që e pa vështirësinë e cila i kishte kapluar njerëzit.

Ajo çfarë dua të them është se myslimani gjatë Ramazanit duhet të përpiqet në kryerjen e veprave të mira dhe mos ta merr këtë muaj të begatshëm si kohë (arsye) për kotësi, gjumë, shkujdesje dhe mosveprim.

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit