Të ftuarit e njerëzve drejt Allahut (daveti) dhe mënyrat e tij – pjesa e tretë

Autor: Dr. Abdurrezak el Bedr

Ajo që dua t’u përkujtoj në temën e thirrjes drejt Allahut, është fjala e Allahut: “Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë!” (En Nahl: 125), ku dijetarët kanë thënë se çdo musliman që është i angazhuar me thirrjen drejt Allahut duhet ta njoh dhe ta kuptojë mirë këtë ajet, sepse përmban sqarim për kategoritë e davetit dhe mënyrat e tij sipas ndryshimit të njerëzve që i thërret, sepse ata që i thërret në rrugën e Allahut nuk janë të gjithë njësoj, prandaj është shumë me rëndësi që davetxhiu ta njeh gjendjen e atij që e thërret, sepse kur Muadhi (radijAllahu anhu) shkoi për të thirrur në Islam popullin e Jemenit, atëherë Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) i tha: “O Muadh, ti je duke shkuar tek një popull që pasojnë librin ( janë Jehudi dhe të krishterë)”, pra e njoftoi për gjendjen dhe fenë e tyre, që d.m.th se njohja e atij që e thërret është shumë me rëndësi në davet.

Duke u mbështetur në këtë ajet, dijetarët kanë thënë se njerëzit që ftohen në rrugën e Allahut janë tre kategorish:

I pari: Një njeri që nuk e njeh të mirën, mirëpo megjithatë e do atë dhe nuk ka inat, nuk është mendjemadh; ndaj tij duhet sjellë me mençuri, duke ia sqaruar të mirën me anë të butësisë. Pra fjala e Allahut në këtë ajet: “Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri” tregon për këtë kategori.

I dyti: Janë një kategori njerëzish që kanë inat, të cilët e njohin të vërtetën, apo iu kanë arritur disa argumente, por kanë një lloj inati dhe nuk i pranojnë ato, si shembull mund të marrim atë që nuk falë namazin, jo për shkak se nuk e di rëndësinë e faljes së namazit apo nuk i di argumentet për këtë; këtë kategori njerëzish duhet këshilluar bukur. Ndërsa këshilla e bukur, siç kanë thënë dijetarët, është urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja, duke inkurajuar për të mirën dhe duke kërcënuar për të keqën, d.m.th kur ta urdhërosh për një gjë, ta përkujtosh me inkurajimet e sheriatit për atë gjë, e gjithashtu ta përkujtosh me kërcënimet dhe ndëshkimet e sheriatit për veprimin e gjërave të ndaluara, duke i thënë: “ke frikë Allahun, sepse Ai dënon për veprimin e këtyre ndalesave, si nuk ke frikë nga Allahu!?” Pra, kjo kategori njerëzish ftohen duke i këshilluar, duke i inkurajuar për vepra të mira dhe duke i kërcënuar për vepra të ndaluara.

I treti: Një kategori njerëzish të cilët kanë dyshime dhe rezerva ndaj asaj që u ke thënë; qoftë si rezultat i leximit të librave të dyshimta, apo thirrësve të devijuar apo për shkaqe tjera janë mbjellë dyshime tek ta, të cilat i pengojnë nga e vërteta. Kjo kategori njerëzish kërkon një mënyrë tjetër të davetit, e ajo është diskutimi me mënyrën më të mirë. Së pari dëgjohen dyshimet të cilat i pengojnë nga e vërteta, e më pas u thuhet: “kjo është gabim!, gabimi i parë është për këtë arsye…, gabimi i dytë për këtë arsye….”. Në këtë mënyrë shpalosen këto dyshime dhe u sqarohen gjërat në mënyrë që rruga para tyre të jetë e qartë. Kësaj kategorie nuk mjafton tua sqarosh gjërat, sepse në mendjen e tyre ka gjëra të cilat u sjellin ngatërrime dhe i pengojnë nga pranimi i së vërtetës, prandaj ata kanë nevojë që me ta të diskutohet në mënyrën më të mirë, siç thotë Allahu: “Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë!”; pra në këtë ajet janë përmendur tri mënyra të thirrjes drejt Allahut.

Vijon…

Përktheu: Jeton Bozhlani

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit