Të mashtruarit me moralin e jobesimtarëve

Shejh AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)

http://binbaz.org.sa/mat/18150

Pyetje: Tek myslimanët vërejmë kontradikta të mëdha në mes fjalëve dhe veprave të tyre. Kështu, te ata myslimanë, që e thonë shehadetin, që falën vazhdimisht në xhami dhe që i kryejnë obligimet e tjera fetare, vërejmë një sjellje të kundërt nga sjellja e shokëve të Profetit (salallahu alejhi ue selem). Dhe, kur ndonjëri kthehet nga Evropa, e cila sot ka ngelur si e pafe, si rezultat i braktisjes së mësimeve kishtare, thotë: “Atje kam parë moral më të mirë sesa morali i myslimanëve.” Andaj, me çfarë i këshilloni këta njerëz?

Përgjigje: Së pari: nuk lejohet udhëtimi drejt vendeve të shirkut, ngaqë udhëtimi drejt tyre është prej shkaqeve të devijimit dhe të lënies së fesë. Po ashtu është shkak që njeriu të dëgjojë dyshimet, gënjeshtrat dhe komplotet e jobesimtarëve ndaj Islamit. Madje, ndodh që të devijojë për shkak të tyre dhe të dyshimeve që ata i përhapin. Andaj, myslimanit nuk i lejohet të udhëtojë drejt vendeve të ithtarëve të shirkut dhe as qëndrimi në mesin e tyre, meqë në këtë ka rrezik të madh për të, për shkak të dyshimeve që ata i përhapin dhe prishjes së madhe që e sheh atje, duke u nisur nga shirku, kurvëria, homoseksualizmi dhe mëkatet e tjera të shumta. Ndodh që ai të ndikohet prej tyre, dhe kështu zemra t’i largohet nga rruga e drejtë. Për këtë arsye, Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Unë jam i distancuar prej çdo myslimani që jeton në mesin e idhujtarëve.” Shokët i thanë: “Përse, o i Dërguar i Allahut?” Ai tha: “Të mos shihen ndërmjet veti zjarret e tyre!”[1] Po ashtu përcillet prej tij të ketë thënë: “Kush përzihet me idhujtarin apo banon me të, atëherë ai është i njëjtë me të.”[2]

Andaj, myslimani e ka për detyrë të ruhet nga udhëtimi drejt vendeve të shirkut dhe qëndrimi në mesin e tyre, as për tregti e as për ndonjë gjë tjetër. Pra, duhet të kihet kujdes, veçanërisht në këtë kohë, në të cilën është shpeshtuar e keqja dhe prishja dhe është përhapur në to kufri dhe ateizmi. Përjashtim bënë njeriu që ka dije dhe largpamësi e që thërret drejt Allahut, që ua mëson njerëzve të mirën dhe që i udhëzon drejt të vërtetës. Ky njeri është i justifikuar, sepse ai thërret drejt Allahut dhe e shfaqë fenë e tij, dhe ndodhë që Allahu nëpërmjet tij të udhëzojë numër të madh njerëzish. Ndërsa injoranti, i cili nuk ka dije rreth fesë, e ka për detyrë të ketë kujdes dhe të mos udhëtojë. Sa i përket faktit që njeriu mashtrohet me moralin e tyre, kjo është pjesë e prishjes që i kanoset atij. Myslimanët u mashtruan me jobesimtarët për shkak të industrisë së zhvilluar, apo zbulimeve, apo gjërave të tjera që i posedojnë. Ky i ngratë e injorant që nuk e njeh Islamin dhe dispozitat e tij, por i njeh vetëm disa myslimanë, u mashtrua. Disa myslimanë kanë moral të keq; tek ta gjendet rrena, kamata, zinaja, pirja e alkoolit. Pra, nuk janë të gjithë myslimanët të kapur për feje dhe që largohen nga haramet. Andaj, ndodh që ky i ngratë, i cili ka udhëtuar drejt vendeve të shirkut, të mashtrohet kur të sheh diçka prej moraleve të tyre që ndërlidhen me këtë botë dhe jetesën në të. Prandaj, duhet të kihet kujdes nga udhëtimi tek ta dhe qëndrimi në mesin e tyre.

Myslimani e ka për detyrë të jetë në lidhje me fenë e tij, të kapet për të, të shpeshtoj leximin e Kuranit dhe meditimin rreth tij, në mënyrë që ta njoh fenë e Allahut. Po ashtu, ai duhet të pajiset me dije rreth jetëshkrimit të Profetit (salallahu alejhi ue selem) dhe të shokëve të tij, të cilët ishin njerëzit më të mirë pas profetëve, në mënyrë që të dijë veprat e tyre të mira, jetën e tyre të lavdishme dhe luftën e tyre të vërtetë. Dhe kështu ta dijë se pikërisht ata ishin ithtarët e mirësisë, ishin shembull dhe prijatarë. Janë pikërisht ata të cilët duhet t’i ndjekim dhe të ecim rrugës së tyre. E, nëse dikush nga radhët e myslimanëve i kundërshton ata, atëherë qortimi bie mbi atë që kundërshton dhe që shmanget nga rruga e tyre.

Andaj, ti o rob i Allahut, e ke për detyrë të ecësh rrugës së njohur, në të cilën ecën Profeti (salallahu alejhi ue selem) së bashku me shokët e tij, qoftë në moral, vepra dhe qëndrime. Dhe mos u mashtro me atë që devijon nga rruga e tyre, qoftë ai mysliman apo jo. Nga Allahu kërkojmë shpëtim!

Përktheu: Petrit Perçuku


[1] D.m.th. zjarri i myslimanit të mos e sheh zjarrin e idhujtarit dhe anasjelltas. Kjo është një shprehje që përdorët për afërsinë. Arabët e përdorin këtë metodë të të shprehurit dhe thonë: “Shtëpia ime shikon në shtëpinë e filanit, apo shtëpia e tij shikon në shtëpinë time”, kur duan të tregojnë për afërsi të madhe mes tyre. Albani e ka vlerësuar hadithin si të vërtetë në “El-Irua'” (5/30). (shën. i përkth.)

[2] I vlerësuar si hasen nga shejh Albani në “Es-Sahiha” (5/253). (shën. i përkth.)

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit