Të tallurit me Allahun apo me të Dërguarin e Tij për t'i bërë të tjerët të qeshin

Shejh: Muhamed bin Salih El-Uthejmin (Allahu e mëshiroftë)

http://www.ibnothaimeen.com/all/noor/article_736.shtml

Pyetje: Një i ri tallet dhe flet fjalë për Allahun dhe të Dërguarin e Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në mënyrë që t’i bëjë shokët e tij të qeshin. E, kur ta këshillojmë, thotë: “Unë vetëm isha duke u tallur”. Si i kundërpërgjigjeni atij dhe a i lejohet, që edhe nëse nuk e ka seriozisht, të tallet me fenë, apo me Allahun, apo me të Dërguarin, apo me besimtarët?

Përgjigje: Themi se, kjo vepër: të tallurit me Allahun, apo me të Dërguarin e Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), apo me librin e Tij, apo me fenë e Tij, edhe nëse bëhet në formë të lojës apo për t’i bërë të tjerët të qeshin, është kufër (mohim i besimit) dhe nifak (hipokrizi). Kjo është pikërisht e njëjtë me atë që ndodhi në kohën e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), kur disa thanë: “Nuk kemi parë njerëz më të pangopur (lakmues të ushqimit), më gënjeshtarë dhe më frikacak gjatë ballafaqimit me armikun, sesa këta lexuesit tonë.” Kishin për qëllim Profetin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe shokët e tij. Për ta zbriti ajeti: “Nëse i pyet, ata do të të përgjigjen: “Ne vetëm po bënim shaka dhe po luanim.” (Et-Teube, 65). Kjo ngaqë ata erdhën tek Profeti (alejhis-salatu ues-selam) dhe i thanë: “O i Dërguar i Allahut! Ne vetëm po flisnim fjalë që ta largonim nga vetja monotonin e udhëtimit.” Ndërkaq, Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) u thoshte ashtu siç e kishte urdhëruar Allahu: “A mos vallë me Allahun, shpalljet dhe të Dërguarin e Tij po talleni? Mos u shfajësoni! Ju e mohuat fenë, pasi patët besuar.” (Et-Teube, 65-66).

Andaj, pozita e Zotit, e shpalljes dhe e fesë, është një pozitë e respektuar dhe nuk i lejohet askujt të luaj me të, qoftë nëpërmjet talljes, apo bërjes së tjerëve të qeshin, apo përqeshjes. E, nëse e bën këtë, atëherë ai është qafir, sepse vepra e tij tregon për nënçmim ndaj Allahut të Madhërishëm, si dhe ndaj librave, profetëve dhe fesë së Tij.

Andaj ky njeri duhet të kthehet me pendesë tek Allahu dhe të kërkojë falje prej Tij nga ajo që ka bërë, sepse kjo vepër është nifak. Po ashtu, ai duhet t’i përmirësojë veprat dhe në zemrën e tij të ndjejë frikën ndaj Allahut, madhështinë e Tij, si dhe dashurinë për Të.

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit