Të zbriturit e Allahut të Lartësuar në qiellin e kësaj bote

 

Shejh AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)

http://binbaz.org.sa/mat/2084

Pyetje: Si t’i kundërpërgjigjemi atij që thotë se: “Ju pretendoni që Allahu zbret në qiellin kësaj bote kur të mbetet pjesa e tretë e natës, mirëpo kjo rezulton në lënien e Arshit nga ana e Tij, ngase pjesa e tretë e natës nuk është në të njëjtën kohë për tërë banorët e Tokës”.

Përgjigje: Kjo është fjala e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Është i Dërguari ai që ka thënë: “Zoti ynë, i Bekuar e i Lartësuar, zbret në qiellin e kësaj bote çdo natë, atëherë kur mbetet një e treta e fundit e saj dhe thotë: “A ka kush që më lutet, e t’i përgjigjem? A ka kush që kërkon prej Meje, e t’ia jap? A ka kush që kërkon falje nga Unë, e ta falë?”, derisa të agojë mëngjesi”. (Përcjellë nga Imam Maliku, 1/214, imam Ahmedi, 2/487, Buhariu, 1/384, Muslimi, 1/521, Ebu Daudi, 2/34, Tirmidhiu, 5/526, ibën Maxhe, 1/435 dhe të tjerë).

Dijetarët kanë sqaruar se ajo është një zbritje ashtu siç i përket Allahut dhe se nuk është sikur zbritja jonë. Askush nuk e di mënyrën (realitetin) e saj përveç Allahut të patëmeta. Pra, Allahu zbret si të dojë dhe nga zbritja e Tij nuk do të thotë që detyrimisht Arshi të mbetet i zbrazët, ngaqë ajo është një zbritje ashtu siç i takon Atij, të Madhërishmit. Pjesa e tretë e natës ndryshon nga vendi në vend, mirëpo kjo (zbritja) është një gjë me të cilën Allahu veçohet dhe Ai nuk i ngjason krijesave në ndonjërën prej cilësive të Tij. Ashtu siç thotë Allahu i patëmeta: “Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha.” (Esh-Shurâ, 11). Dhe thotë: “Ai di ç’ka para tyre dhe ç’ka pas tyre, kurse ata nuk mund ta ngërthejnë Dijeninë e Allahut.” (Tâ Hâ, 110). Gjithashtu thotë në ajetin e Kursij-it: “…kurse ata nuk mund të përvetësojnë asgjë nga Dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron.” (El-Bekare, 255). Ajetet që flasin rreth kësaj tematike janë të shumta. Allahu është Ai që më së miri e di mënyrën e zbritjes së Vet, andaj, ne e kemi për detyrë t’ia pohojmë atë, ashtu siç i shkon për shtati Atij. Edhe pse Allahu qëndron mbi Arsh, Ai zbret ashtu siç i takon Atij.

Nëse dikush zbret nga çatia, atëherë, ajo mbetet e zbrazët. Po ashtu, nëse dikush zbret nga vetura, ajo mbetet e zbrazët. Mirëpo, Allahu nuk bën të krahasohet me krijesat e Tij, sepse ky është një krahasim jo i saktë. Allahu nuk u ngjason krijesave në asnjërën prej cilësive të Veta. Ne edhe pse themi se Allahu qëndron mbi Arsh ashtu siç i përket Madhështisë së Tij dhe se nuk e dimë mënyrën e këtij qëndrimi, njëkohësisht nuk e ngjasojmë Atë me krijesa dhe nuk i japim shembull, por themi: Ai qëndron mbi Arsh ashtu siç i përket Madhështisë dhe Madhërisë së Tij.

Kur mutekel-limûn-ët (apologjetët) u thelluan në këto gjëra pa të drejtë, u goditën nga dyshime të mëdha, dhe një gjë e tillë i shpiu drejt mohimit të tërësishëm të Allahut. Derisa edhe u prononcuan se: “Allahu nuk është as brenda krijesave dhe as jashtë tyre; as kështu, e as ashtu.” Ata, pastaj, e cilësuan Atë me gjëra që nënkuptojnë mosqenien dhe mohimin e tërësishëm të Tij. Për këtë arsye, shokët e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe Ehlu Suneti e Xhemati duke u mbështetur në ta, i pohuan (pranuan) tekstet e Kuranit dhe të Sunetit që flasin rreth cilësive të Allahut dhe thanë se, askush nuk e di mënyrën (realitetin) e cilësive të Allahut, përveç Tij. Pjesë e kësaj është edhe thënia e imam Malikut (Allahu e mëshiroftë): “Istiuâ-ja (qëndrimi i Allahut mbi Arsh) është një gjë e ditur, por mënyra (realiteti i saj) është e panjohur (për ne). Ndërkohë që besimi në të është obligim, ndërsa të pyeturit rreth saj është bidat (risi).” Domethënë të pyeturit rreth mënyrës së saj. Ngjashëm me këtë është edhe thënia e Ummu Selemes (radijAllahu anha), të cilën e përcjellë Rebi’a bin Ebu AbduRahman, hoxha i imam Malikut (Allahu e mëshiroftë): “Istiuâ-ja nuk është e panjohur, por mënyrën e saj nuk arrijnë ta kuptojnë mendjet. Ndërkohë që besimi në të është obligim.”

Kushdo që kapet pas kësaj shpëton nga shumica e dyshimeve dhe e bindjeve të ithtarëve të së kotës. Ne na mjafton të pohojmë atë që ka ardhur brenda teksteve fetare dhe të mos shtojmë më shumë.

Po ashtu themi se Allahu dëgjon, flet, sheh, zemërohet dhe kënaqet ashtu siç i takon Atij, dhe askush nuk e di realitetin e cilësive të Tij përveç Atij. Dhe pikërisht kjo është rruga e shpëtimit dhe e dijes, që njëkohësisht është edhe medh’hebi i selefëve të mirë (gjeneratave të para të myslimanëve). Rruga e tyre është më e ruajtura (nga gabimet), më e ditura dhe më e përkryera. Kështu, besimtari shpëton nga dyshimet e atyre që i fusin ato dhe nga devijimet e të lajthiturve. Ai kapet fort pas sunetit dhe Librit të qartë (Kuranit) dhe dijen rreth realitetit (mënyrës) së cilësive të Allahut ia lë Atij. Allahu është poseduesi i suksesit.

Përktheu: Petrit Perçuku

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit