Tema e cila e sqaron se prej shirkut është kur njeriu me veprat e tij e synon këtë dynja

Tema e cila e sqaron se prej shirkut është kur njeriu me veprat e tij e synon këtë dynja[1]

Allahu i Lartësuar thotë:

“Atyre që duan jetën e kësaj bote dhe bukuritë e saj, Ne do t’ua shpërblejmë krejtësisht punët e tyre dhe në të nuk do t’u lihet gjë mangët. Këta janë ata për të cilët në botën tjetër nuk do të ketë kurrgjë, përveç zjarrit. Do t’u shembet çdo gjë që kanë bërë në këtë jetë dhe do t’u zhvlerësohet ajo që kanë punuar.” (Hud: 15, 16).

Transmetohet në Sahih nga Ebu Hurajra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“U shkatërroftë robi i dinarit, u shkatërroftë robi i dërhemit, u shkatërroftë robi i hamisa-së[2], u shkatërroftë robi i kadifesë! Nëse i jepet diçka kënaqet, e nëse nuk i jepet hidhërohet. U shkatërroftë dhe u prapësoftë, sa që edhe nëse i hyn një gjemb, kurrë mos iu largoftë. Xheneti qoftë për atë njeri që kapet pas frerëve të kalit të tij (lufton) në rrugën e Allahut, me flokë të shprishura dhe këmbë të pluhurosura. Nëse caktohet në rojë, ai shkon të ruajë, e nëse caktohet në fund të ushtrisë, shkon në fund të saj. Nëse kërkon leje nuk i jepet ajo, dhe nëse ndërmjetëson për dikë nuk i pranohet ndërmjetësimi.[3] ”[4]

Në këtë temë shqyrtohen disa çështje:

E para: Kur njeriu me punën e ahiretit e synon/kërkon dynjanë.

E dyta: Interpretimi i ajetit të sures Hud.

E treta: Njeriu edhe pse është mysliman mund të quhet rob i dinarit, dërhemit, dhe i hamisa-së.

E katërta: Interpretimi i kësaj me faktin se nëse i jepet kënaqet, e nëse nuk i jepet hidhërohet.

E pesta: Fjalët e Pejgmaberit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem): “U shkatërroftë dhe u prapësoftë.”

E gjashta: Fjalët e tij: “Sa që edhe nëse i hyn një gjemb, kurrë mos iu largoftë.”

E shtata: Lavdërimi i muxhahidit i cili i ka këto cilësi.

SHPJEGIMI:

Kjo temë është prej temave madhështore të këtij libri, të cilën autori, Allahu e mëshiroftë, e titulloi me fjalët e tij: Tema e cila e sqaron se prej shirkut është kur njeriu me veprat e tij e synon këtë dynja.

“Prej shirkut” domethënë prej shirkut të vogël është që njeriu me adhurimet e tij të cilat i vepron të mos e synojë ahiretin, por dynjanë. Qëllimi me synimin e dynjasë është shpërblimi i dynjasë. Prandaj, kjo është më e përgjithshme se gjendja e rija-së. Rija-ja është njëra nga gjendjet kur njeriu e synon dynjanë. Gjatë saj ai falet apo shton dhe zbukuron namazin e tij që të tjerët ta shohin dhe ta lavdërojnë. Por, janë disa gjendje tjera kur njerëzit e synojnë dynjanë me veprat e tyre. Për këtë autori, Allahu e mëshiroftë, këtë temë e bashkërenditi me temën paraprake që ta sqarojë se synimi i dynjasë ka gjendje të shumta dhe është më i përgjithshëm se gjendja e rija-së në veçanti. Mirëpo, në lidhje me rija-në është transmetuar hadithi se Pejgamberi më së shumti u frikësua për umetin e tij nga ajo. Pra, se ajo ndodhë shpesh dhe frika prej saj duhet të jetë e madhe. Kjo temë e përfshin dispozitën kur njeriu me veprat e tij e synon dynjanë, domethënë që kjo është prej shirkut.

Autori tha: “Kur njeriu me veprat e tij e synon këtë dynja” domethënë ajo që e shtyn të veprojë është shpërblimi i dynjasë. Kjo është prej shirkut në Allahun e Madhërishëm. Më poshtë do t’i shtjellojmë gjendjet e kësaj.

Autori thotë: Allahu i Lartësuar ka thënë:

“Atyre që duan jetën e kësaj bote dhe bukuritë e saj, Ne do t’ua shpërblejmë krejtësisht punët e tyre dhe në të nuk do t’u lihet gjë mangët. Këta janë ata për të cilët në botën tjetër nuk do të ketë kurrgjë, përveç zjarrit. Do t’u shembet çdo gjë që kanë bërë në këtë jetë dhe do t’u zhvlerësohet ajo që kanë punuar.” (Hud: 15, 16).

Këto ajete veçohen me Fjalët e Allahut:

“Sa për atë që dëshiron këtë botë, Ne shpejtojmë që t’i japim çfarë të dëshirojmë atij që duam. Pastaj ia caktojmë atij Xhehenemin, në të cilin ai do të përvëlohet, duke qenë i turpëruar dhe i dëbuar.” (El Isra: 18).

Pra, ato veçohen për atë që Allahu i Lartësuar do. Kështu që, Fjalët e Allahut: “Atyre që duan jetën e kësaj bote dhe bukuritë e saj, Ne do t’ua shpërblejmë krejtësisht punët e tyre dhe në të nuk do t’u lihet gjë mangët” domethënë prej atyre që Allahu ua ka dashtë këtë me Vullnetin e Tij. Pra, përgjithësimi në këtë ajet është veçuar me ajetin e sures El Isra.

Ata të cilët e duan jetën e dynjasë, me origjinën, synimin dhe lëvizjet e tyre, janë jobesimtarët. Për këtë themi se ky ajet ka zbritur në lidhje me jobesimtarët, mirëpo, teksti i tij e përfshin çdokënd që me veprat e tij të mira e synon dynjanë. Dhe mu për këtë Imam Muhamed bin AbdulUehhabi (autori), Allahu e mëshiroftë, në një libërth të tijin, i përmblodhi gjendjet e njerëzve nga interpretimet e selefëve për këtë ajet.

Aty e sqaroi se thëniet e tyre i shqyrtojnë katër gjendje të njerëzve, ku të gjithë hyjnë në këtë kërcënim:
1. Ai i cili e punon veprën e mirë me sinqeritet të plotë për Allahun e Lartësuar, mirëpo, përmes saj ai e synon shpërblimin e dynjasë, jo të ahiretit. Siç është rasti kur e adhuron Allahun me namaz, dhe në këtë adhurim është i sinqertë për Allahun, e kryen vullnetarisht, me përzgjedhjen e tij, dhe duke e zbatuar urdhrin e Allahun. Mirëpo, me të synon (kërkon) që të përmirësohet shëndeti i tij apo lidhjet me afërmit e tij, ta arrijë që në këtë botë të përmendet për të mirë, t’i forcojë lidhjet me të tjerët, etj. Apo nëse merret me biznes, dhe synon që nga ky biznes të fitojë pasuri prej së cilës jep sadaka (lëmoshë), mirëpo, nga kjo sadaka kërkon shpërblimin e kësaj dynjaje. Ky lloj ka të bëjë me faktin se ai e kryen një adhurim si zbatim i urdhrit të Allahut, dhe sinqerisht vetëm për të, por, lakmon në shpërblimin e kësaj jete dhe as që i shkon mendja për ahiret, si dhe nuk vepron nga frika prej zjarrit dhe shpresa për xhenet. Personi i këtillë hyn në këtë lloj dhe hyn në Fjalët e Allahut: “Atyre që duan jetën e kësaj bote dhe bukuritë e saj, Ne do t’ua shpërblejmë krejtësisht punët e tyre dhe në të nuk do t’u lihet gjë mangët.” (Hud: 15). Veprat të cilat njeriu i vepron dhe gjatë tyre vazhdimisht e prezanton (në zemrën e tij) shpërblimin e dynjasë, janë dy llojesh:

a) që vepra të cilën e vepron, dhe për të cilën e prezanton dhe e ka për synim shpërblimin e dynjasë, jo atë të ahiretit, te jetë prej veprave për të cilat sheriati (feja) ka inkurajuar të kryhen duke e mos e përmendur shpërblimin e dynjasë, siç është namazi, agjërimi vepra e adhurime të tjera. Ky lloj i veprave nuk lejohet që të synohet dynjaja me to. Nëse dikush përmes tyre e synon dynjanë, atëherë ai është mushrik (pagan) në atë masë sa e vepron atë shirk;

b) Vepra për të cilat Ligjvënësi ka caktuar shpërblim në këtë dynja, dhe ka inkurajuar për to me përmendjen e ndonjë shpërblimi në këtë dynja, siç janë: mbajtja e lidhjeve farefisnore, respektimi i prindërve, etj.

Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Kush dëshiron t’i shtohet furnizimi dhe t’i zgjatet jeta le t’i mbajë lidhjet farefisnore.”

Nëse njeriu gjatë kryerjes së veprave të këtij lloji e prezanton shpërblimin e dynjasë dhe i kryen sinqerisht për hir të Allahu, por, nuk e prezanton shpërblimin e ahiretit, hyn në këtë kërcënim dhe kjo është prej llojeve të këtij shirku. Mirëpo, nëse i prezanton së bashku shpërblimin e dynjasë dhe atë të ahiretit, shpreson në shpërblimin që është te Allahu në jetën e ardhme dhe lakmon në xhenet, dhe e prezanton shpërblimin që rezulton nga kjo vepër në këtë dynja, atëherë nuk asgjë të keqe në këtë. Sepse, sheriati nuk e përmendi shpërblimin në dynja për kryerjen e kësaj vepre, veçse për të nxitur në të. Ashtu siç Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kushdo që e mbyt një nga armiqtë, atij i takon plaçka e tij.” Pra, ai që në betejë e mbyt një nga luftëtarët e armikut për ta poseduar plaçkën e tij (shtesë e cila ka ardhur në hadith për ta nxitur myslimanin të luftojë kundër armiqve), mirëpo, qëllimi i tij nga kjo luftë është të shpresuarit në shpërblimin e Allahut të Lartësuar dhe këtë e bën sinqerisht për Fytyrën e Tij, nuk kufizohet vetëm për shpërblimin e dynjasë, por, gjithashtu zemra e tij është e lidhur me ahiret, atëherë, nuk ka asgjë të keqe në këtë lloj të veprave, dhe nuk hyn në llojin e parë të cilin selefët e kanë përmendur në interpretimin e ajetit të lartpërmendur.

2. Prej veprave të cilët selefët e kanë përmendur se hyjnë në domethënien e ajetit: “Atyre që duan jetën e kësaj bote dhe bukuritë e saj, Ne do t’ua shpërblejmë krejtësisht punët e tyre dhe në të nuk do t’u lihet gjë mangët” është që njeriu t’i kryejë ato për hir të pasurisë. Pra, ai e kryen veprën për shkak të pasurisë që e arrin përmes saj. Për shembull, ta mësojë dhe ta zë dijen fetare vetëm për arsye të punësimit, dhe nuk shqetësohet fare që përmes saj ta largojë injorancën nga vetja e tij, t’i njoh urdhrat dhe ndalesat e Zotit të tij, t’i njoh veprat që ia shtojnë shpresën dhe e afrojnë te xheneti, si dhe ia shtojnë frikën dhe e largojnë nga xhehenemi. Kjo hyn në atë që u cek me lartë. Ose kur dikush e mëson Kuranin përmendësh që të caktohet imam në xhami dhe t’i vije furnizimi (paga) nga bejtul mal (buxheti i shtetit). Pra, synimi i tij nga kjo vepër është arritja e pasurisë. Ky nuk e veproi atë si vepër të mirë, por e veproi si vepër e cila në pamjen e jashtme është e mirë, ndërsa, në brendësinë e tij ai e ka për qëllim dynjanë.

3. Hipokritët të cilët i punojnë veprat për hir të rija-së.

4. Ata të cilët punojnë vepra të mira, mirëpo, njëkohësisht e punojnë edhe një nga punët që e asgjësojnë Islamin. Si rasti i atij që falet, jep zekat, jep sadaka (lëmoshë), e lexon Kuranin dhe zbaton atë, mirëpo, njëkohësisht është edhe mushrik (pagan) dhe bën shirk të madh. Personi i këtillë edhe nëse thotë se unë jam besimtar, ai nuk është i sinqertë/drejtë në atë që thotë; sepse, sikur të ishte i drejtë do ta njësonte Allahun e Madhërishëm me adhurim.

Këto ishin disa nga llojet e veprave të cilat janë përmendur në lidhje me interpretimin e këtij ajeti, dhe të gjitha hynë në Fjalët e Allahut: “Atyre që duan jetën e kësaj bote dhe bukuritë e saj, Ne do t’ua shpërblejmë krejtësisht punët e tyre dhe në të nuk do t’u lihet gjë mangët.” Të gjithë këta që u përmendën më lartë e synojnë dynjanë dhe bukuritë e saj, dhe nuk interesohen fare që përmes veprave që i bëjnë ta arrijnë kënaqësinë e Allahut të Lartësuar dhe shpërblimin e ahiretit.

Këtu është një paqartësi/ngatërrim të cilën disa dijetarët e kanë përmendur, dhe ajo është se Allahu i Lartësuar në ajetin që vjen pas këtij ajeti, thotë: “Këta janë ata për të cilët në botën tjetër nuk do të ketë kurrgjë, përveç zjarrit. Do t’u shembet çdo gjë që kanë bërë në këtë jetë dhe do t’u zhvlerësohet ajo që kanë punuar.” (Hud: 16). (Ata thanë) Ky ajet është për ata që janë jobesimtarë në origjinë ose për ata të cilët e kanë vepruar kufrin e madh, ndërsa, myslimani i cili e synon dynjanë me veprat e tij nuk hyn në këtë ajet.

Kundërpërgjigja për këtë është se myslimani i këtillë hyn në këtë ajet; sepse, selefët kanë futur lloje të ndryshme të myslimanëve në të. Ndërsa, kërcënimi që përmendet në Fjalët e Tij: “Këta janë ata për të cilët në botën tjetër nuk do të ketë kurrgjë, përveç zjarrit” është për atë që synimi i vetëm i tij është dynjaja, prandaj, nuk afrohet te Allahu i Lartësuar me asgjë prej veprave. Allahu në lidhje me ta tha: “Atyre që duan jetën e kësaj bote dhe bukuritë e saj, Ne do t’ua shpërblejmë krejtësisht punët e tyre dhe në të nuk do t’u lihet gjë mangët.” (Hud: 15). Pra, këta me çdo vepër të tyre e synojnë dynjanë, dhe nuk kanë asnjë pjesë nga imani (besimi) dhe islami që t’ua saktësojë esencën/bazën e veprave të tyre. Këta janë që do të jenë në xhehenem përgjithmonë.

Ndërsa, sa iu përket atij që e ka esencën e imanit dhe islamit, e cila është arsyeja e saktësimit/pranimit të veprave të tij, personit të këtillë, nganjëherë, mund t’i asgjësohet veprat e tij. Bile, vepra përmes së cilës ka bërë shirk dhe e ka synuar dynjanë, do t’i asgjësohet gjithsesi. Ndërsa, veprat tjera nuk i asgjësohen, sepse, ai e ka esencën e imanit që ia saktëson veprat të cilat nuk i ka përzier me shirk.

Pra, në këtë ajet ka kërcënim të ashpër, dhe ky kërcënim i përfshin të katër llojet e veprave që i përmendëm më lartë. Dijetarët thonë: Ajo që merret në konsideratë këtu është përgjithësimi i tekstit, jo veçantia e shkakut. Prandaj, edhe nëse ky ajet ka zbritur për jobesimtarët, megjithatë, ai e përfshin çdokënd që me veprat e tij e synon dynjanë, edhe nëse është prej besimtarëve.

Autori thotë: Transmetohet në Sahih nga Ebu Hurajra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “U shkatërroftë robi i dinarit, u shkatërroftë robi i dërhemit, u shkatërroftë robi i hamisa-së, u shkatërroftë robi i kadifesë…”

Mënyra e argumentimit me këtë hadith është se Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) u lut kundër robit të dinarit, robit të dërhemit, dhe robit të hamisa-së. Rob i tyre konsiderohet ai i cili veprat/adhurimet e tij i kryen për hir të dinarit, dhe sikur mos të ishte dinari apo hamisa ai nuk do të interesohej/shqetësohej fare për atë vepër. Pra, personi i këtillë punon për hirë të dynjasë dhe dërhemëve që janë në të, si dhe për pozitë, post, etj. Kur Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) e quajti rob të dinarit, tregon se kjo është prej shirkut. Sepse, ubudije (të qenurit rob/adhurues i Allahut apo i dikujt tjetër) është shkallë-shkallë; prej tyre është ubudije në të cilën ka shirk të vogël dhe ajo në të cilën ka shirk të madh. Ai i cili i shoqëron Allahut dikë/diçka në adhurim me shirk të madh, bëhet rob i tij/saj; siç janë: adhuruesit e idhujve, statujave, kryqit, etj.

Po ashtu, ai i cili bën shirk të vogël dhe zemra e tij lidhet me diç nga kjo dynja, bëhet rob i saj. Për këtë arsye ai quhet robi i asaj gjëje, sepse, ajo ishte që e vuri në lëvizje interesimin/ambicien e tij. Është e njohur se robi i bindet zotërisë të tij, ngado që ai e drejton edhe ky drejtohet. Prandaj, edhe ky që interesimi/ambicia e tij ka lëvizur për hir të dynjasë, dinarit, dhe dërhemit, bëhet rob i tyre; sepse, interesimi i tij është i lidhur me ato gjëra. Kurdo që t’i jepet mundësia më e vogël për t’i realizuar ato, ai vihet në lëvizje, pa shikuar se a pajtohen urdhrat dhe feja e Allahut të Lartësuar me të apo jo?!

Përktheu: Lulzim Perçuku

___________________________________________

[1] Kjo temë është shkëputur nga libri “Et temhid” i autorit Salih Alu Shejh. Ky libër është komentim i Librit të Teuhidit të Muhamed bin AbdulUehabit, Allahu e mëshiroftë, dhe së shpejti do të botohet, inshaAllah.

[2] Rrobë e shtrenjtë me ngjyrë të zezë apo të kuqe dhe me simbole sipër saj, sh.p.

[3] Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) me këto fjalë e përshkruan atë person që për shkak pamjes së tij nuk merret parasysh prej njerëzve, mirëpo, te Allahu ka pozitë të lartë, dhe Ai do ta shpërblejë me xhenet, sh.p.

[4] Transmeton Buhariu, nr. 2886, 2887, dhe 6435.

[5] Transmeton Ahmedi ngjashëm me të hadithin e Ebu Seidit El Hudriut, 3/156. Teksti bazë i këtij hadithi transmetohet nga Enesi dhe është mutefekun alejhi (Buhariu dhe Muslimi).

[6] Transmeton Ahmedi nga hadithi i Ebu Katades, 5/306.

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit