Teuekuli (mbështetja) në Allahun dhe kërkimi i ndihmës prej Tij

Dijetari i madh AbduRrahman bin Nasir Es-Si’dij, Allahu e mëshiroftë, thotë:

‘Mbështetja në Allahun dhe kërkimi i ndihmës prej Tij është një moral madhështor, drejt të cilit njeriu detyrohet (ka nevojë) në të gjitha çështjet e tij, qofshin ato të fesë apo të dynjasë. Ngase, edhe pse Allahu i Lartësuar i dha njeriut forcën (mundësinë) dhe vullnetin, përmes së cilave ndodhin veprat të cilat ai i përzgjedhë (t’i veprojë), dhe nuk ia imponoi asnjërën prej tyre, prapëseprapë nuk ka ndryshim dhe forcë veçse me Allahun. Prandaj, nëse ai mbështetet në Zotin e Tij me mbështetje të plotë dhe të fortë, si dhe ka besim/bindje të plotë në Të për arritjen dhe plotësimin e çështjeve të cilat i dëshiron/synon, pavarësisht a janë çështje të fesë apo të dynjasë, atëherë Ai do ta ndihmojë atë, do t’ia shtojë vullnetin dhe forcën e tij, do t’ia lehtësojë çështjen të cilën e ka synuar, dhe do t’ia largojë apo lehtësojë pengesat. Kështu, fuqia e njeriut do të shumëfishohet, kurse forcat e tij do të shtohen, sepse ai ka kërkuar t’i ndihmohet dhe t’i jepet prej forcës së Allahut, e cila kurrë nuk shteron dhe kurrë nuk zhduket.

Mbështetja e vërtetë e largon prej njeriut përtacinë dhe e detyron të ketë energji/aktivitet të plotë për atë çështje në të cilën iu ka mbështetur Allahut. Nuk i vjen e vështirë dhe e rëndë çfarëdo pune, si dhe nuk dëshpërohet nga suksesi dhe arritja e synimit të tij. Kjo është e kundërta e asaj që mendojnë disa të devijuar, të cilët nuk e kanë kuptuar domethënien e teuekulit, ose e kanë kuptuar atë, mirëpo refuzimi/mohimi i kaderit (paracaktimit) dhe kadasë (vendimit) i ka larguar ata nga e vërteta, kështu që menduan se mbështetja në Allahun e dobëson ambicien dhe vullnetin. Në këtë mënyrë ata (duke menduar keq/negativisht për Zotin e tyre) e dëmtuan veten e tyre në skajshmëri, ngase Ai i urdhëron me teuekul në shumë ajete.

Ai i njoftoi se teuekuli është prej rezultateve të pashmangshme të imanit, dhe iu premtoi atyre që mbështetën në Të, se Ai do t’iu mjaftojë atyre dhe ata do ta arrijnë qëllimin e tyre. Po ashtu, i njoftoi se Ai i do ata që mbështeten në Të, dhe se feja dhe të gjitha çështjet tjera nuk mund të plotësohen veçse përmes teuekulit, prandaj e gjithë feja dhe e gjithë dynjaja janë nevojtare për të.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Vetëm tek Allahu mbështetuni nëse jeni besimtarë.” (El Maide, 23).

“Adhuroje Atë dhe mbështetu tek Ai.” (Hud, 123).

“Thuaj: Më mjafton Allahu, nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Tij, vetëm tek Ai jam mbështetur.” (Et Teube, 129).

“Vetëm tek Allahu mbështetemi.” (El A’raf, 89).

“Allahu i mjafton kujtdo që i mbështetet Atij.” (Et Talak, 3).

“Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.” (El Fatiha, 5).

Teuekuli sjellë dobi madhështore. Prej tyre janë:

1. Imani dhe feja nuk plotësohen veçse përmes tij. Po ashtu veprat, thëniet (fjalët) dhe dëshirat/vullnetet nuk mund të plotësohen veçse përmes tij.

2. Ai i cili mbështetet në Allahun, Ai i mjafton atij. Prandaj, nëse Allahu ka premtuar se do t’i mjaftojë atij që mbështetet tek Ai, atëherë dihet se gjërat e fesë, dynjasë, furnizimit, etj, që arrihen përmes teuekulit, janë shumë më madhështore se ato gjëra që arrihen, nëse arrihen, kur zemra e njeriut është e shkëputur nga teuekuli.

3. Mbështetja në Allahun për një çështje është shkaku kryesor për lehtësimin, plotësimin dhe përsosjen e saj, si dhe për largimin e pengesave që vendosen mes tij dhe plotësimit të saj.

4. Ai i cili mbështetet në Allahun e di se ai është bazuar në teuekulin e tij, dhe se të gjitha çështjet ia ka besuar Atij që i ka nën sundimin/posedimin, drejtimin dhe qeverisjen e Tij. Prej këtyre çështjeve janë edhe veprat e njeriut. Prandaj, sa herë që ambiciet e tij bien dhe energjia (elani) e tij dobësohet, teuekuli është ai që ia shton forcën e tij, kështu që ka besim të plotë në mjaftueshmërinë e Zotit të Tij. Pa dyshim, që besimi/bindja dhe dëshirimi në arritjen e synimit janë prej arsyeve më të mëdha që stimulojnë në veprat e dëshiruara. Kjo çështje është e dëshmuar dhe e njohur.

5. Ai që realisht mbështetet në Allahun, ai veçse e ka shfaqur nevojën e plotë për Zotin e tij, është shfajësuar nga forca dhe mundësia e tij, nuk vetëkënaqet me asnjë prej veprave të tij, dhe nuk mbështetet/bazohet në veten e tij, sepse e di se ajo është e dobët, e përçmuar, dhe shumë shpejt do të shpërbëhet/tretet, por strehohet te Zoti i tij, duke kërkuar ndihmën e Tij në arritjen e synimit të tij.

Kjo është vetëmjaftueshmëria e vërtetë, ngase ai u mjaftua me Zotin e tij dhe mjaftueshmërinë e Tij, dhe megjithëkëtë ai e manifeston skajshmërinë e mundimit/përpjekjeve të tij.

Prej kësaj u qartësua se teuekuli nuk e kundërshton kryerjen e shkaqeve fetare dhe atyre që kanë të bëjnë me dynjanë. Madje, ai plotësohet vetëm kur ato veprohen me fuqi/forcë të sinqertë/vërtetë dhe me ambicie të lartë, duke u mbështetur në gjithë këtë tek Fuqia e Gjithëfuqishmit, Fuqiplotit.’

 

Burimi: “Fet’h Err-Rrehim El Melik El Al-lam fi ilmil-akaidi uet-teuhidi uel-ahlaki uel-ahkam el mustenbitati min el kuran”, faqe: 117 – 119, nëpërmjet: www.sahab.net

Përktheu: Lulzim Perçuku

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit