Themelet e mirësisë së sheriatit

Në themelet e mirësisë së sheriatit bëjnë pjesë katër elemente:

1- Përkryeshmëria; 2- Gjithëpërfshirja; 3- Toleranca

Mirësia e sheriatit është e përkryer, sepse ajo është nga Allahu, i Cili thotë: Të përkryera janë fjalët e Zotit tënd në vërtetësi dhe drejtësi (El En’am: 115); Ne e kemi shpallur Kuranin me të vërtetën dhe ai ka zbritur me të vërtetën (El Isra: 105); Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj. (El Maide: 3) Kurse në hadithin e tij thotë Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem): Nuk kam lënë gjë që ju afron tek Allahu e që nuk ua kam sqaruar dhe urdhëruar ta veproni, dhe nuk kam lënë gjë që u largon nga Allahu pa e sqaruar dhe pa ju ndaluar nga veprimi i saj. Ndërsa imam Maliku ka thënë: “Ai që shpikë një traditë të re duke menduar se ajo është e mirë, atëherë vetëm se ka pretenduar se Muhamedi nuk e ka kryer me besnikëri misionin e tij, sepse Allahu na ka njoftuar se e ka përsosur fenë tonë, dhe një gjë që është e përsosur nuk ka vend për plotësim. Kurse ai që dëshiron të shtojë vetëm se ka pretenduar se ka mangësi në të.”

Të gjitha këto citate nga Kurani dhe hadithet e Pejgamberit (salallahu alejhi ve selem) tregojnë në mënyrë të qartë për përkryeshmërinë e sheriatit…

Përkryeshmëria e sheriatit në praktikë

Sa i përket aspektit praktik të sheriatit, ne gjejmë argumente të qarta në objektivat (synimet) e vet sheriatit për përkryeshmërinë e tij, sepse të gjithë njerëzit e mençur thonë: synimet e të mençurve drejtohen kah dy gjëra: sjellja e dobisë dhe evitimi i dëmit…

Kurse sheriati ka ardhur për realizimin e këtyre dy kërkesave duke ia shtuar edhe kërkesën e tretë, e që është: inkurajimi për morale të larta dhe ibadet.

  1. Sjellja e dobive:

Nga sjellja e dobisë është se gjërat që janë në tokë janë lejuar dhe nënshtruar në shërbim të njeriut, siç është edhe parimi tek dijetarët e fikhut: Në parim gjërat janë të lejuar derisa të vijë ndalesa për to.”, për këtë dëshmon fjala e Allahut: Është Ai që për ju ka krijuar çdo gjë që ka në Tokë(El Bekare: 29); Allahu është Ai që ka nënshtruar për ju detin, që nëpër të, me urdhrin e Tij, të lundrojnë anijet, për të kërkuar dhuntitë e Tij dhe që ju të jeni mirënjohës. Ai ka vënë në shërbimin tuaj çka gjendet në qiej dhe në Tokë, të gjitha janë prej Tij. Me të vërtetë, në këto ka shenja për njerëzit që mendojnë. (El Xhathije: 12-13)

Sheriati gjithashtu ka ligjësuar kontrata dhe marrëveshje me të cilat arrihen këto dobi, siç është tregtia, ortakëria në tregti e gjëra të tjera të cilat sjellin dobi tek individi dhe shoqëria. Këto kontrata dhe ligje janë vënë në baza të drejta dhe nuk janë lënë vetëm në dëshirat e pjesëmarrësve në tregti, por ka ardhur rregulli sheriatik: “Nuk lejohet dëmi ndaj askujt” (Hadith), si dhe parimi tjetër: Çdo kusht i vënë që nuk është në Librin e Allahut ai është i pavlefshëm, qofshin edhe njëqind kushte (hadith), e jo siç thonë juristët: “kontrata (marrëveshja) është ligj i vetë pjesëmarrësve në të”, sepse marrëveshja ndonjëherë bëhet në mes të fortit dhe të dobëtit, apo të pasurit dhe të varfrit gjë që ndodhë padrejtësi.

Vijon…

Autor: Atije Muhammed Salim

Përktheu: Jeton Bozhlani

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit