Thënie: Në prag të Ramazanit

  • Muaji Sha’ban

Muaji Rexheb përfundoi dhe sapo ka filluar muaji Shaban.

Muaji Sha’ban u quajt me këtë emër ngaqë fiset arabe (para Islamit) shpërndaheshin gjithandej në kryerjen e luftimeve dhe inkursioneve pas përfundimit të muajit të shenjtë të Rexhebit.

Muaji Sha’ban! E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është muaji Sha’ban?

Ai është muaji i përgatitjes dhe i pajisjes më gjërat e nevojshme për muajin e Ramazanit.

Muaji i agjërimit dhe leximit të Kuranit.

I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e shpeshtonte agjërimin gjatë tij, ngaqë është një muaj ndaj të cilit njerëzit tregohen të pakujdesshëm dhe ngaqë është muaji gjatë cilit ngrihen tek Allahu veprat e të gjithë vitit.

Usame bin Zejd (radijAllahu anhu) tregon: “Unë thash: “O i Dërguar i Allahut! Nuk të kam parë të agjërosh më shumë në ndonjë muaj sesa në muajin Shaban.” Ai tha: “Ai është një muaj midis Rexhebit dhe Ramazanit dhe ndaj tij njerëzit tregohen të pakujdesshëm. Gjatë tij veprat ngrihen tek Zoti i botëve, andaj kam dëshirë që veprat e mia të ngrihen duke qenë agjërueshëm.” (Nesaiu, 4/171. I verifikuar si hasen ( i mirë) nga imam Albani në El-Irua’, 4/103).

Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Veprat e bëra gjatë tërë vitit ngrihen tek Allahu në muajin Sha’ban.”

Brezat e parë të muslimanëve e shpeshtonin leximin e Kuranit në këtë muaj. Madje kishte prej tyre që e mbyllnin dyqanin e vet për t’u angazhuat vetëm me lexim të Kuranit.

Selemetu ibn Kuhejl (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Përpara thuhej: “Muaji Sha’ban është muaji i lexuesve të Kuranit.”

Brezat e parë të muslimanëve ishin të përkushtuar shumë që t’i ndihmojnë të varfrit gjatë këtij muaji, në mënyrë që ata (të varfrit), së bashku me familjen dhe fëmijët e tyre, të prisnin Ramazanin plot lumturi e hare.

Përcillet se kur hynte muaji Sha’ban, disa nga brezat e parë të muslimanëve e paguanin zekatin e pasurive të tyre, në mënyrë që t’i forconin të ngratët dhe të varfrit për agjërimin e Ramazanit.

Pra, muaji Sha’ban është si ushtrim e përgatitje për shpirtin, në mënyrë që Ramazani të pritet me gjendjen dhe veprat më të mira.

Kur hynte muaji Sha’ban, Amr ibn Kajsi (Allahu e mëshiroftë) e ndërpriste tregtinë e tij e angazhohej vetëm me lexim të Kuranit dhe thoshte: “Lum për atë që e përmirëson veten para Ramazanit!” (Letaif El-Mea’rif, 138).

  • Puhitë e Ramazanit kanë filluar të fryjnë e të ndjehen në horizont. Andaj, përgëzohuni o robër të Allahut, sepse muaji i bindjes ndaj Tij është afruar! O Allah! Na mundëso të arrijmë Ramazanit dhe na jep bereqet në të!

 

  • Disa nga urtësitë në përligjjen e agjërimit
  1. Agjërimi është mjet që ndihmon në realizimin e frikës ndaj Allahut të Madhërishëm.
  2. Agjërimi bën që njeriu t’i dijë begatitë e Allahut ndaj tij.
  3. Edukon shpirtin drejt synimeve të larta dhe i jep fuqinë e përballimit.
  4. Agjërimi e mposht shejtanin.
  5. Agjërimi bën që njeriu të ketë mëshirë e dhembshuri për njerëzit e ngratë.
  6. Ai e pastron trupin nga mbetjet e dëmshme dhe i jep shëndet e fuqi.
  • Imam Kurtubiu (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kanë thënë se Ramazani është quajtur me këtë emër, ngaqë i djeg mëkatet nëpërmjet veprave të mira. (jermududh-dhunub)” El-Xhami’ li Ahkami El-Kuran.

 

  • Nxitoni drejt Xhenetit…

Nxitoni drejt begative dhe fitimeve gjatë këtij muaji të bekuar! Nxitoni në kryerjen e mirësive dhe veprave të mira! Përfitoni nga ditët dhe netët e tij! Le të jenë ato në bindje ndaj Allahut, në dhikr, istigfar, pendim, kthim tek Ai, mirësjellje, bujari, dorëdhënie, falje dhe mëshirë të ndërsjellë!

Konkurroni me të tjerët në vepra të mira dhe gëzojuni asaj që Allahu ka përgatitur për robërit e Tij të devotshëm e bamirës, kur thotë: “Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit, të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie, edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit.” (Al ‘Imran: 133). Ky është muaji i fitores, suksesit dhe shpëtimit.

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Dobia e agjërimit dhe urtësia në të është që ta shtyjë njeriun drejt frikës ndaj Allahut, duke i zbatuar urdhrat e Tij dhe duke u larguar nga gjërat që Ai i ka ndaluar.” Fetaua fi Ahkami Es-Sijam, 27.

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Tri lutje pranohen (te Allahu): lutja e agjëruesit, lutja e atij që i është bërë padrejtësi dhe lutja e udhëtarit.” Sahih El-Xhami’, 3030.

 

  • Dijetari Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) thotë: “Vlerësojeni dhe respektojeni siç duhet këtë muaj, sepse Allahu e ka bërë të madh e të respektueshëm. Shfrytëzojeni në bindje ndaj Allahut; asnjë moment i Ramazanit të mos iu ikën jo në bindje ndaj Tij dhe mos u tregoni të pakujdesshëm ndaj përmendjes së Allahut. Allahu thotë: “Mos dëgjo atë zemrën e të cilit ia kemi lënë mospërfillëse ndaj përmendjes Sonë e, që shkon pas dëshirave të veta, duke shkelur çdo kufi në veprimet e veta.” (El-Kehf, 28).

 

  • Allahu i Lartësuar thotë: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja).” (El-Bekara, 185). Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Në këtë ajet Allahu po e lavdëron muajin e agjërimit, ngaqë e ka zgjedhur nga të gjithë muajt e tjerë për ta zbritur Kuranin e Madhërishëm.” Tefsir ibn Kethir, 1/221.

 

  • Allahu i Lartësuar thotë: “(Njerëzve të tillë u thuhet:) “Ju bëftë mirë, hani e pini (në Xhenet) për atë, që keni bërë në ditët e kaluara!” (El-Hakka, 24). Ky ajet ka zbritur për agjëruesit. Mexhalis Shehri Ramadan, 80.

 

  • Dijetari Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) thotë: “Veprat e mira gjatë Ramazanit janë të shumta. Mirëpo më të rëndësishmet ndër to janë:

– kryerja e adhurimeve të obligueshme në të dhe jashtë tij, si namazi, agjërimi, etj.

– pastaj shpeshtimi i adhurimeve vullnetare, si: leximi i Kuranit, namazi i teravive, namazi i natës, lëmosha, itikafi.

– po ashtu shpeshtimi i përmendjes së Allahut, duke thënë subhanAllah, la ilahe il-lAllah, Allahu ekber dhe shpeshtimi i qëndrimit në xhamia për të kryer adhurime në to.” (Shkëputur nga faqja zyrtare e shejhut).

 

  • Përcillet se imam Katade e përfundonte leximin e Kuranit për çdo javë. Mirëpo, kur hynte Ramazani e përfundonte në çdo tri ditë, ndërsa kur hynin dhjetë ditët e fundit, në çdo natë.” (Hiljetu El-Evlija’, 2/338).

 

  • Allahu i Lartësuar thotë: … dhe ata që kërkojnë faljen e gjynaheve në kohën e syfyrit (para agimit).” (Al-I’mran, 17). Kurtubiu (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Allahu e veçoi kohën e syfyrit, ngaqë në të pranohen veprat dhe lutjet.” (Tefsir El-Kurtubij, 4/38).

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Sprovën e njeriut në familjen, pasurinë, veten, fëmijën dhe komshiun e tij e shlyen agjërimi, namazi, lëmosha, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja.” (Muslimi, 133).

 

  • Shejh AbduRrezzak El-Bedr (Allahu e ruajttë) thotë: “Sa e sa i afërti, shoku e fqinji ishin me ne gjatë Ramazanit të kaluar, mirëpo i rrëmbeu vdekja dhe nuk e arritën këtë Ramazan. Andaj, le ta falënderojmë Allahun që na e dha këtë begati e na mundësoi arritjen e këtij muaji! Ky falënderim le të jetë duke shfrytëzuar kohët e tij të bereqetshme në gjëra që afrojnë tek Allahu, si: bindjet e dobishme, veprat e mira, pendimi i sinqertë dhe bamirësia.” (al-badr.net)

 

  • Cili është programi i femrës muslimane gjatë Ramazanit, në mënyrë që ajo të bashkoj mes adhurimit të Zotit dhe shërbimit të familjes?

Shejh Sulejman Er-Ruhajlij (Allahu e ruajttë): “Programi i femrës muslimane është i njëjtë me atë të burrit, mirëpo femra muslimane dallohet me një adhurim shtesë. Kështu, nëse femra përpiqet shumë në shërbimin ndaj burrit e familjes së vet dhe ua përgatitë  ushqimin që iu mjafton, atëherë ajo është duke kryer një adhurim ndaj Allahut të Madhërishëm, në qoftë se me këtë shpreson shpërblim tek Ai. Pra, në këtë ka shpërblim të madh për të dhe shtim të veprave të mira. Është mirë që femra muslimane gjatë përgatitjes së ushqimit të angazhojë gjuhën me përmendje të Allahut. Pra, duke gatuar thotë: subhanAllah, la ilahe il-lAllah,etj., dhe në këtë ka shpërblim të madh për të. Le ta dijë se përgatitja e ushqimit nuk do ta largojë aspak nga adhurimi i Zotit gjatë Ramazanit. Pra, lum për atë grua muslimane që i shërben burrit dhe familjes gjatë këtij muaji, duke shpresuar me këtë shpërblim tek Allahu, dhe njëkohësisht nuk tregohet e pakujdesshme ndaj përmendjes së Allahut dhe kryen aq sa mundet prej adhurimeve tjera gjatë ditëve të Ramazanit. Nëse vepron kështu, atëherë le ta dijë sa ajo ka korrur një triumf madhështor!” (Bejne jedej Ramadan).

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Allahu ka thënë: “Agjërimi është mburojë me të cilën njeriu mbrohet nga Zjarri (Xhehenemi).” (Sahih El-Xhami’, 4308).

 

  • Shejh AbbduRrezzak El-Bedr (Allahu e ruajttë) thotë: “Muaji i Ramazanit nuk pritet duke shkëmbyer mes vete buqete të luleve, e as duke kënduar ilahi e poezi, e as duke përgatitur fusha e salla të sportit, e as duke tubuar lloje të ndryshme të ushqimeve e pijeve. Përgatitja për këtë muaj fisnik duhet të jetë përgatitje për bindje ndaj Allahut; duhet të jetë përgatitje për adhurim, për kthim të vërtetë drejt Allahut të Madhërishëm dhe për pendim të sinqertë nga çdo mëkat e gabim.” (al-badr.net).

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) i përgëzonte shokët e tij: “Ju erdhi Ramazani, një muaj i bereqetshëm. Allahu i Madhërishëm ua ka bërë obligim agjërimin e tij. Në të hapen dyert e qiellit, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe prangosen shejtanët kryeneçë. Në të është një natë me e mirë se njëmijë muaj; kush privohet prej saj, privohet nga çdo e mirë.” (Sahih Sunen En-Nesaij, 1992)

 

  • Imam ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Si të mos i gëzohet besimtari hapjes së dyerve të Xhenetit?! Si të mos i gëzohet mëkatari mbylljes së dyerve të Zjarrit?! Si të mos i gëzohet i mençuri kohës gjatë së cilës prangosen shejtanët?! Cila është ajo kohë që i ngjason kësaj kohe (të Ramazanit)?!” (Letaif El-Me’arif, 279).

 

  • “Pritja e duhur për musafirin e nderuar (Ramazanin) nuk është duke u furnizuar me lloje të ndryshme të ushqimit dhe pijeve. Gjëja më e rëndësishme me të cilën pritet është: mësimi i dispozitave të tij, në mënyrë që ta adhurojmë Allahun bazuar mbi argumente.” (Dr.Salih Es-Sindij, Allahu e ruajttë).

 

  • Imam ibn Rexheb (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Pasi që besimtari agjërues e di se kënaqësia e Zotit është në braktisjen e epsheve, ai i jep përparësi kënaqësisë së Zotit ndaj epsheve të veta. Kështu, kënaqësia e tij është në braktisjen e epsheve për hir të Allahut.” (Letaif El-Me’arif, 153).

 

  • Dijetari Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) thotë: “Kush e arrin muajin e Ramazanit dhe Allahu ia mundëson ta shfrytëzojë atë në punë të mira, le ta dijë se Ai ia ka dhënë një begati madhështore që nuk krahasohet me asgjë!” (Mexhalis Ramadan, 11).

 

  • Ebu Umame El-Bahilij (radijAllahu anhu) tregon. “Thash: “O i Dërguar i Allahut! Më urdhëro me diçka, me të cilën Allahu do të më sjell dobi!” Ai më tha: “Përmbaju agjërimit, sepse ai është i pashembullt.” (Sahih Sunen En-Nesaij).

 

  • Dijetari Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) thotë: “Agjërimi është shkak për arritjen e devotshmërisë, ngaqë e mposht nefsin dhe thyen epshin.” (It’hafu Ehli El-Iman, 12).

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Arritja e Ramazanit është një begati e madhe për atë që arrin atë e që i zbaton të drejtat e këtij muaji, duke u kthyer nga mosbindja ndaj Zotit tek bindja ndaj Tij, nga pakujdesia ndaj përmendjes së Tij tek përmendja e përkujtimi i Tij dhe nga të qenët larg nga Ai tek kthimi tek Ai.”(Mexhalis Ramadan, 9).

 

  • Imam ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kush mëshirohet (nga Allahu) në Ramazan, ai është njëmend i mëshiruar dhe kush privohet gjatë tij, ai është njëmend i privuar (nga çdo e mirë).” (Letaif El-Me’arif, 1/148).

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ju porosis juve dhe veten time që ta kemi frikë Allahun e Madhërishëm gjatë këtij muaji të Ramazanit dhe që t’i shfrytëzojmë mundësitë e tij sa më shumë që të mundemi.” Xhelesat Ramadanijje, 9.

 

  • Imam Es-S’idij (Allahu e mëshiroftë) duke përmendur dobitë e agjërimit shkruan: “Prej tyre është se: agjërimi i ngushton kanalet në trupin e njeriut nëpër të cilat lëvizë shejtani. Sepse siç përmendet edhe në hadith: “Shejtani lëvizë nëpër trupin e njeriut, ashtu siç qarkullon gjaku.” Pra, agjërimi e dobëson ndikimin e shejtanit dhe kështu pakësohen mëkatet e njeriut.” Tejsir El-Letif El-Mennan, 91.

 

  • Ibn Xhebr (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Njeriut i shpëton agjërimi, nëse ruhet prej dy gjërave: përgojimit dhe gënjeshtrës.” Ebu El-A’lije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Agjëruesi është në adhurim përderisa nuk përgojon.” (Musannef ibn Ebi Shejbe).

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Vëllezërit e mi! Mirësitë e Ramazanit nuk arrihen përderisa njeriu nuk i zbaton rregullat e tij. Andaj, përpiquni të agjëroni në mënyrën më të plotë, ruani kufijtë e agjërimit dhe kthehuni me pendim te Zoti për shkak të shkujdesjes tuaj.” (Mexhalis Shehri Ramadan, 17).

 

  • Imam ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kush nuk përfiton nga ky muaj (Ramazan), në cilën kohë tjetër do të përfitojë?!” (Letaif El-Me’arif, 281).

 

  • Çfarë do të thotë të agjërosh Ramazanin me besim të plotë në Allahun dhe me shpresë në shpërblimin e Tij? Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Me besim” do të thotë: të besosh se Allahu e ka ligjësuar agjërimin e tij, e ka bërë obligim, është i kënaqur me të dhe e ka urdhëruar atë. Ndërsa: “me shpresë në shpërblim” do të thotë: “që njeriu të agjërojë sinqerisht për Allahun, duke shpresuar shpërblimin e Tij.” (Xhamiu El-Mesail, 1/161).

 

  • Salih Es-Sindij, Allahu e ruajttë: “Nëse Allahu ta ka mundësuar arritjen e Ramazanit, atëherë agjëro sikur të jetë agjërimi yt i fundit, ngaqë nuk ke garanci se do ta arrish Ramazanin tjetër!”

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ai që vendos për t’i lënë mëkatet vetëm gjatë Ramazanit, nuk është i penduar i mirëfilltë, por llogaritet vetëm si braktisës i veprës (mëkateve) gjatë Ramazanit.” (Mexhmu’u El-Fetaua, 10/743).

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Muaji i Ramazanit është një rast i volitshëm për atë që ka vendosmëri të vërtetë dhe që dëshiron të shpëtojë nga duhani i fëlliqtë e i dëmshëm.” (Fetaua ibn Uthejmin, 19/183).

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kush e ka të saktë e të ruajtur Ramazanin, do t’i shpëtojë (ruhet) edhe pjesa tjetër e vitit.” (Zad El-Me’ad, 1/398).

 

  • Pyetje: “Shejh i nderuar, me çfarë i këshilloni njerëzit lidhur me mësimin e dispozitave të agjërimit të Ramazanit?” Imam ibn Baz (Allahu e mëshiroftë): “I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Kujt Allahu ia do të mirën, ia jep të kuptuarit e fesë.” Andaj, është obligim mbi muslimanët të mësojnë gjërat që nuk i dinë dhe t’i pyesin njerëzit e dijes për çështjet që i kanë të paqarta rreth agjërimit apo çështjeve tjera të fesë. Sepse Allahu i patëmeta thotë: “Pyetni njerëzit e dijes, nëse ju nuk dini!” (En-Nahl, 43). Pra, besimtari duhet të pyesë dhe të mësojë për fenë, në mënyrë që të dijë gjërat që Allahu ia ka obliguar apo ia ka ndaluar.” (Nurun ala Ed-Derb, 16/24).

 

 

Përktheu hoxhë Petrit Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit