Thuaj shkurt: “Unë jam selefi…”

Shejh Muhamed Nasirud-din El-Albani (Allahu e mëshiroftë)

Marrë nga revista “El-Esaleh” nr.9, faqe 86-87

Është pyetur shejh Muhamed Nasirud-din El-Albani (Allahu e mëshiroftë): “Përse ta quajmë veten selefi? A është kjo thirrje partiake, sektare, apo medh’hebore? Apo mos është ndonjë fraksion i ri në Islam?”

Përgjigjja: “Vërtet, fjala selef është e njohur në gjuhën e arabëve dhe në terminologjinë fetare, ndërsa ajo që po na intereson këtu është hulumtimi i saj nga aspekti sheriatik (fetar).

Është saktësuar nga Pejgamberi (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) se, kur u sëmurë për vdekje, i tha vajzës se tij Fatimes (radijallahu anha): “Ki frikë Allahun dhe duro, e sa selef i mirë jam unë për ty”.

Përdorimi i kësaj fjale nga ana e dijetarëve është shumë i shpeshtë, bile më i shpeshtë se sa që mund të numërohet e mbahet në mend. Mirëpo, neve na mjafton një shembull i vetëm, me të cilin ata (dijetarët) argumentojnë në kundërshtimin që ua bëjnë bidateve:

“E tërë mirësia është në pasimin e selefëve (gjeneratave të para),

i tërë sherri është në bidatet e halefit (gjeneratave të mëvonshme)”.
(Vargje poetike).

Mirëpo, disa nga ata që “pretendojnë se kanë dije”, mohojnë këtë përkatësi (selefi), duke thënë se për këtë nuk ka bazë! Kështu, ata thonë: “Nuk i lejohet myslimanit që të thotë: unë jam selefi”, sikur duanë të thonë: “Nuk i lejohet myslimanit të thotë: unë jam pasues i selefëve (gjeneratave të para) të mirë në atë që ishin ata, qoftë ajo akide, adhurim apo qëndrim (sjellje)”.

Pa dyshim se ky lloj mohimi – nëse kihet për qëllim – kërkon shkëputje nga Islami i vërtetë, në të cilin ishin Selefët tanë të mirë me në krye Profetin (sal-lallahu alejhi ue sellem), siç aludon në këtë hadithi muteuatir, të cilin e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi dhe të tjerët nga Profeti (sal-lallahu alejhi ue sel-lem): “Njerëzit më të mirë janë shekulli im, pastaj ata që vijnë pas tyre, pastaj ata që vijnë pas tyre”.

Kështu, nuk i lejohet myslimanit të distancohet dhe të shkëputet nga përkatësia ndaj Selefëve të mirë, ndërkohë që, nëse ai distancohet prej çfarëdo përkatësie tjetër, askujt prej dijetarëve nuk i takon që t’ia veshë atij kufrin apo fiskun (shthurjen). Ndërsa, sa i përket atij që e mohon këtë përkatësi (selefi), çfarë mendon, a nuk i atribuohet ndonjë medh’hebi prej medh’hebeve?! Pa marrë parasysh, a është ky medh’heb që ndërlidhet me akide (besim), apo fikh (legjislacion)?

Pra, ai ose është Esh’arij, ose Maturidij, ose është prej Ehlil-hadithit, ose është Hanefij, ose Shafi’ij, ose Malikij, ose Hanbelij; prej atyre që hyjnë nën emërtimin e Ehlu Sunetit dhe Xhematit, duke pas parasysh se ai i cili i atribuohet medh’hebit Esh’arij apo Maturidij, apo katër medh’hebeve, i atribuohet njerëzve që, pa dyshim, nuk janë të mbrojtur nga gjynahet, edhe pse në mesin e tyre ka dijetarë që ia qëllojnë hakut. Atëherë, përse ata nuk i mohojnë këto përkatësi, që janë ndaj individëve të pa mbrojtur nga gjynahet?

Ndërsa, sa i përket atij që i atribuohet Selefëve të mirë, pa dyshim, ai i është atribuuar pagabueshmërisë (përgjithësisht). Dhe Profeti (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka përmendur se prej shenjave dalluese të Grupit të Shpëtuar është kapja për atë në të cilën ishte Profeti (sal-lallahu alejhi ue sel-lem). Kështu, për këdo që kapet për këtë ne jemi të bindur se është i udhëzuar nga Zoti i tij … dhe pa dyshim se emërtimi i qartë, i çiltër, i dalluar, i padyshimtë e i pagabueshëm, është që të themi: Unë jam mysliman në frymën e Kuranit dhe Sunetit dhe në metodologjinë e të parëve tanë të mirë (Selefit të mirë), apo ta themi këtë shkurt: “Unë jam selefi”.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit