Thyerja e nefsit gjatë Ramazanit

Thyerja e nefsit gjatë Ramazanit

Kur njeriu është i ngopur dhe në shkujdesje (gaflet), kjo bën që të dëshirojë të kryejë mëkate. Ndërsa, kur është i uritur dhe duke agjëruar për hir të Allahut, kjo bën që shpirti i tij të thyhet, të jetë i gatshëm për pendim dhe të pranojë mëkatet e bëra. Kjo është pra natyra e Ramazanit.

Njeriu është më afër pendimit gjatë Ramazanit për shkak të disa gjërave, si:

-Ndjehet më i thyeshëm shpirtërisht, më i gatshëm drejt punëve të mira.

-Shpirti i tij është më i qëndrueshëm ndaj të vërtetës dhe rrugës së drejtë.

-Në Ramazan është i kufizuar ndikimi i shejtanëve te njerëzit (ngase janë të lidhur me zinxhirë).

Njerëzit e shohin një gjë si problematike dhe thonë: “Nëse thoni se shejtanët janë të lidhur gjatë Ramazanit, atëherë si ka mundësi të ndodhin të këqija gjatë Ramazanit, madje dhe të shtohen?” Përgjigja: Vetëm shejtanët kryeneç janë të lidhur, jo të gjithë. Të këqijat gjatë Ramazanit pakësohen nëse njeriu agjëron me një agjërim që plotëson kushtet dhe rregullat e agjërimit, që do të thotë: nëse agjërimi është i saktë edhe shpirti i agjëruesit do të jetë i mirë dhe të këqijat e tij do të pakësohen, në të kundërt jo. Të këqijat pakësohen, e jo se nuk ndodhin fare.

Ne nxisim të gjithë që të pendohen tek Allahu. Allahu thotë: “O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë” Tahrim 8. Pendimi i sinqertë përmban tri kushte: 1. Të heqësh dorë menjëherë nga mëkati. 2. Të kesh vendosmëri të fortë se nuk do t’i kthehesh atij mëkati. 3. Të ndihesh keq se e ke bërë.

Ndjenja e keqardhjes për mëkatin e bërë dhe pikëllimi për kohën dhe pasurinë e shpenzuar në mëkat, tregon se personi është në mirësi, por nëse vazhdon dhe zhytet në mëkate ka mundësi që kjo ndjesi të zbehet e të fiket brenda tij.

Për shkak të rëndësisë dhe vlerës së pendimit tek Allahu, dijetarët kanë përmendur disa nga dobitë e tij, si:

-pendimi ripërtërinë besimin, e shton atë, e forcon lidhjen me Allahun,

-pendimi mundëson të shpëtosh dhe triumfosh në botën këtë botë dhe tjetrën,

-pendimi bën të ndjesh lumturi në shpirt,

-pendimi është shkak që Allahu ta dojë njeriun dhe të gëzohet për pendimin e tij.

-kur njeriu pendohet, Allahu ia shndërron punët e këqija në punë të mira.

 

Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit