Ura e ashtuquajtur “Ura e dashurisë”

Në Prizren është një urë e cila quhet “Ura e dashurisë”, ku njerëzit lidhin dryna dhe në këtë formë mendojnë se lidhet dashuria mes tyre dhe se zgjat përgjithmonë. Si është gjykimi?

Këto janë besime të kota dhe myslimanit nuk i lejohet të ketë besime të tilla. Madje kjo ka mundësi të jetë edhe shirk.

Nëse dikush e vepron një shkak (për një çështje të caktuar) i cili nuk ka bazë në Kuran e sunet, atëherë ai shkak është shirk i vogël nëse e konsideron veç si shkak. Nuk ka ardhur as në Kuran e as në sunet që kur lidhet dryni, lidhet edhe dashuria, apo se është një vend i caktuar ku nëse lidhet dryni, atëherë nuk prishet dashuria mes dy personave. Kjo është shirk i vogël.

E nëse beson se vetë dryni vepron/ndikon, e jo se është veç shkak (ngase duhet bërë dallim mes këtyre dy rasteve), atëherë kjo është shirk i madh, sepse me këtë po i atribuohet dikujt tjetër (drynit) një gjë të cilën e vepron vetëm Allahu. Pra, personi në këtë rast e barazon drynin me Allahun, apo e bën veprues krahas Allahut, gjë që është shirk i madh dhe personi del nga feja me këtë (nëse beson se vetë dryni ndikon).

E kur themi “shirk i vogël” nuk nënkuptohet se është një gjë e lehtë, ngase ai është mëkati më i madh prej mëkateve të mëdha.

Madje, dijetarët kanë mospajtime për çështjen se:

-nëse njeriu ka vepruar shirk të vogël, a do t’ia falë Allahu në Ditën e Gjykimit apo jo, se a hyn shirku i vogël te mëkatet e mëdha nëse vepruesi vdes pa u penduar, mëkate të cilat janë nën dëshirën e Allahut Ditën e Gjykimit (nëse do ia fal ose e dënon për to),

-apo se Allahu nuk e fal shirkun e vogël dhe se patjetër vepruesi do të dënohet për të nëse ka vdekur pa u penduar (ka edhe mendim të tillë nga dijetarët, porse ky dënim nuk është i përhershëm.

Pra, shirku i vogël është mëkati më i madh prej mëkateve të mëdha dhe duhet pasur kujdes të mos veprohet.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit