Veçoritë e pasuesve të imanit

Dr. Abdurrezak el Bedr

Lavdërimi dhe falënderimi i takon vetëm Allahut, prandaj Atë e lavdërojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë dhe tek Ai pendohemi. Allahun e lusim të na ruaj nga të këqiat e shpirtërave dhe veprave tona. Atë që Allahu e udhëzon s’ka kush e largon nga udhëzimi, kurse atë që Allahu e lë në devijim s’ka kush e sjell në udhëzim. Dëshmoj se nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush pos Allahut si dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe I dërguar i Tij, salavatet dhe selamet qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij.

O ju besimtarë, u porosis ju dhe veten time për devotshmëri ndaj Allahut të madhërishëm, sepse ajo është përgatitja më e mirë për rrugën që shpie tek kënaqësitë e Allahut, ajo është adresa e lumturisë dhe rruga e shpëtimit në këtë botë dhe në tjetrën.

Robër të Allahut, është e ditur tek të gjithë, se gjatë shitblerjes dhe tregtisë mes njerëzve, gjuha që garanton hasë në interesim të madh nga njerzit. Prandaj mallërat që janë të garantuara nuk kanë të njëjtën vlerë me ato të pagarantuarat, dhe këtë e konfirmon interesimi i njerëzve për gjërat që janë të garantuara, më tepër se për ato që nuk janë të garantuara, për nga aspekti i besueshmërisë. Për këtë, vërehet shtim i interesimit të njerëzve nëse garantuesi është person i besueshëm dhe i sinqertë. Ndërsa çështjet me të cilat arrihet garantimi janë të thjeshta dhe të lehta, të cilat nuk u bëhen njerëzve ngarkesë a vështirësi e madhe.

Robër të Allahut, si do të jetë gjendja kur garantues është i Dëguari i Allahut (salallahu alejhi ve selem)!! I sinqerti, i cili nuk flet nga teket e tij por flet me shpalljen që i shpallet.

Si do të jetë gjendja kur gjëja e garantuar është xheneti, gjerësia e të cilit është sa gjerësia e qiellit dhe tokës; në të cilin ka gjëra që syri s’i ka parë, veshi s’i ka dëgjuar as zemra e njeriut nuk i ka ndjerë?! Si do të jetë gjendja kur gjërat me të cilat arrihet garantimi janë gjëra të thjeshta dhe të lehta, të cilat nuk kërkojnë mund as vështirësi të madhe?! Andaj, vështrojeni tekstin e këtij garantimi të madh:

Imam Ahmedi në librin e tij Musned, Ibën Hibbani në librin Sahih dhe Hakimi në “Mustedrek” transmetojnë nga Ubadete ibën Samit (radij Allahu anhu) të ketë thënë: Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) ka thënë: “M’i garantoni gjashtë gjëra, unë do t’ua garantoj xhenetin: Kur flisni thuani të vërtetën, kur premtoni zbatojeni premtimin, kur të merrni diçka në amanet ruajeni, ruajeni nderin, ulini shikimet dhe frenojini duart tuaja”. Hadithi është i saktë.

Robër të Allahut, ky është garantim për garantim “M’i garantoni gjashtë gjëra, ua garantoj xhenetin”. Sa të lehta që janë këto gjashtë vepra! Ai që i vepron në jetën e tij dhe kujdeset për to deri në vdekje, atëherë xheneti është i garantuar për të, dhe rruga për atje është e sigurtë. Allahu thotë: “Dhe jo larg prej aty, Xheneti do t’u afrohet besimtarëve të devotshëm, (që do t’u thuhet:) “Kjo është premtuar për ju, për këdo që është penduar dhe ruajtur (nga gjynahet), që e ka pasur frikë të Gjithëmëshirshmin, edhe atëherë kur nuk e shihte kush, e që ka ardhur me zemër të kthyer (nga Allahu). Hyni në të (Xhenet) me paqe e siguri. Kjo është Dita e amshimit!”. Aty do të kenë çfarë të duan – e prej Nesh (do të kenë) edhe më shumë”. (Kaf: 31-35).

Veçoria e parë: është fjala e vërtetë; sepse besimtari që flet të vërtetën nuk mund rrjedh gënjeshtër nga ai, por vazhdimisht kujdeset që të jetë i sinqert në jetën e tij derisa kjo vepër t’a shpie në xhenet. Ndërsa në një hadith është transmetuar: “Flisni të vërtetën, sepse kjo shpie në punë të mira, ndërsa punët e mira shpiejnë në xhenet. Njeriu vazhdimisht flet të vërtetën dhe kujdeset për fjalë të drejta derisa te Allahu të shkruhet njeri i sinqertë”.

Veçoria e dytë: Realizimi i premtimit dhe mbajtja e fjalës; e cila është shenjë dalluese e besimtarëve dhe njerëzve të devotshëm, sepse ata nuk dinë për thyerje të premtimit a besës. Mbajtja e fjalës është veçori themelore e ndërtimit të shoqërisë islame, sepse kjo gjë përfshihet në të gjitha raportet shoqërore, dhe të gjitha raportet shoqërore qëndrojnë në mbajtje të fjalës dhe premtimit. Prandaj, nëse humbet mbajtja e fjalës dhe premtimit, atëherë humbet edhe besimi në njerëzit dhe prishen raportet shoqërore, gjë që do të sundojë urrejtja dhe përçarja.

Veçoria e tretë: ruajtja e amanetit, dhe njëherit kjo është ndër cilësitë më të larta morale, të cilat i ka lavdëruar Allahu, dhe të cilat janë plotësim i imanit dhe islamit të njeriut. Me ruajtjen e amanetit ruhet feja, nderi, pasuria, trupi, shpirti, dituria etj. Në një hadith është transmetuar nga Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) të ketë thënë: “Besimtar është ai që njerëzit ia besojnë gjakun dhe pasurinë e tyre”. Nëse në shoqëri sundon ruajtja e amanetit, atëherë do të shtohen të mirat e saj, do të forcohen lidhjet e saj dhe do ta përfshijë e mira dhe begatia.

Veçoria e katërt është: ruajtja e nderit, siq thotë Allahu: “Të cilët e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme) përveçse me gratë e tyre ose me skllavet që kanë në zotërim – dhe, për këtë, nuk janë fajtorë. Ndërsa ata që kërkojnë përtej kësaj, pikërisht ata janë shkelës (të kufijve)” (El Mu’minun: 5). Më ruajtjen e nderit ruhet familja dhe trungu familjar, pastrohet shoqëria, ruhet nga të këqijat dhe sëmundjet, dhe me të realizohet nështrimi ndaj Allahut.

Veçoria e pestë: Ulja e shikimit; dmth largimi i shikimit nga harami, ku Allahu thotë: “Thuaju besimtarëve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara) dhe ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme)! Kjo është më mirë për ta! Me të vërtetë, Allahu është i Dijshëm për atë që bëjnë ata. Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme).” (En Nur: 30-31). Robër të Allahut, ulja e shikimit nga harami ka dobi të mëdha; sepse ajo sjell ëmbëlsinë e imanit, dritën dhe fuqinë e zemrës, pastërtinë e shpirtit, si dhe në të ka mbrojtje nga shikimi të këqijave.

Veçoria e gjashtë është frenimi i duarve; dmth frenimi që mos t’u bëhet keq njerëzve, sepse ai që i shqetëson njerëzit e urren Allahu dhe e urrejnë njerëzit dhe e refuzon shoqëria. Kjo është argument se ai që i shqetëson njerëzit ka një moral dhe edukatë të ulët, ndërsa nëse njeriu frenon dhe ndalon shqetësimin ndaj njerëzve, atëherë kjo tegon për moralin dhe edukatën e tij të lartë, dhe me të ka fituar premtimin e Allahut të madhërishëm. Atëherë si do të jetë gjendja e atij që ka moral dhe edukatë të lartë, dhe megjithatë nuk mjaftohet me kaq, por jep mundin e tij edhe në largimin e pengesave nga rruga e besimtarëve!! Lidhur me këtë, Imam Muslimi transmeton nga Ebu Hurejre (radij Allahu anhu) të ketë thënë: Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) ka thënë: “Një njeri kaloi pranë degës së një peme që kishte rënë në mes të rrugës, dhe tha: Pasha Allahun, kam për t’ua hequr muslimanëve nga rruga që mos t’i pengojë; dhe për këtë është futur në xhenet”.

Robër të Allahut, dyert e xhenetit janë të hapura, dritat e tij duken qartë, rruga tek ai është e lehtë, prandaj t’a shfrytëzojmë këtë para se të na ikë, t’i shtojmë të mirat para se të vdesim, dhe të lusim Allahun të mos na lë që të mbështetemi në vetet tona as sa lëvizim kapakun e syrit, dhe të na mundësoj të punojmë për ibadetin e Tij, të na ndihmojë t’i realizojmë veçoritë e mira dhe të largohemi nga veçoritë e këqia; sepse Ai është më i miri të cilit i kërkohet diçka, Ai është më i miri të shpresohet në të, dhe më i miri që ndihmon.

Përktheu: Jeton Bozhlani

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit