Vlera e agjërimit

Vlera e agjërimit

Agjërimi është prej adhurimeve më të vlefshme dhe prej bindjeve më madhore me të cilat e adhurojmë Allahun dhe i bindemi Atij. Për vlerën e agjërimit janë transmetuar hadithe të cilat muslimanët ia kanë përcjellë njëri-tjetrit nëpër kohë dhe vende.

Prej vlerave të muajit Ramazan përmendim:

Allahu e ka bërë obligim (farz) atë për të gjitha umetet. Këtë Allahu e përmend në Kuran: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat (që të jeni të devotshëm).” Bekare 183. Sikur agjërimi mos të ishte adhurim me pozitë madhështore tek Allahu, duke qenë të panevojshëm njerëzit për ta adhuruar Atë me të (përmes tij) apo të panevojshëm për shpërblimin që vjen si rezultat i kryerjes së tij, atëherë Allahu nuk do të na kishte bërë obligim neve atë dhe umeteve para nesh. Porse, vetë fakti që Allahu ua ka bërë obligim atë të gjitha umeteve, tregon se sa adhurim i madh është ai.

Allahu e ka bërë shkak për faljen dhe shlyerjen e mëkateve tona. Përcillet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që e agjëron muajin Ramazan me besim dhe shpresë, do t’i falen mëkatet e kaluara.” Buhariu dhe Muslimi. Qëllimi “me besim” është: me besim në Allahun duke qenë i kënaqur plotësisht me obligueshmërinë e tij prej Tij. Qëllimi “me shpresë” është: me shpresë në shpërblimin e Allahut duke e kërkuar atë (sevapin) prej Tij (për kryerjen e agjërimit). Njeriut nuk i lejohet ta urrejë këtë obligim nëse do që t’i falen mëkatet. Nëse e urren atë, nuk i falen mëkatet, madje vihet në pyetje edhe besimi i tij. Njeriu duhet ta agjërojë Ramazanin me besim e shpresë (siç sqaruam), e jo duke e urryer obligueshmërinë e agjërimit dhe duke pasur mëdyshje në shpërblimin e Tij. Atij që e bën këtë, nuk ia fal Allahu mëkatet e kaluara. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Pesë kohët e namazit, xhumaja deri në xhuma…”, në një transmetim thotë: “…Ramazani deri në Ramazanin tjetër”, “…janë shlyerës të mëkateve të bëra mes tyre, nëse njeriu u largohet mëkateve të mëdha.” Muslimi. Kur njeriu i kryen këto adhurime, i shlyhen mëkatet e vogla, porse me kusht që të mos bie në mëkate të mëdha.[1]

Allahu e shpërblen pa masë agjëruesin, nuk e ka kufizuar me numër të caktuar shpërblimin për të. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu ka thënë: “Çdo vepër e birit të Ademit është për të, përveç agjërimit, ngase ai është (e bën sinqerisht) për Mua dhe Unë shpërblej për të.” Agjërimi është mburojë. Kur dikush nga ju është agjërueshëm, të mos flasë fjalë të ulëta e as të bërtasë. Nëse dikush e ofendon apo e godet, le të thotë: “Unë jam agjërueshëm!” Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, era e keqe e gojës së agjëruesit është më e mirë tek Allahu sesa era e miskut. Agjëruesi ka dy gëzime: kur bën iftar gëzohet për çeljen e agjërimit të tij dhe kur ta takojë Zotin e tij gëzohet për agjërimin që ka bërë.” Buhariu dhe Muslimi. Po ashtu thotë: “Çdo vepër e birit të Ademit është për të. Çdo vepër e mirë shumëfishohet dhjetë fish deri në shtatëqind fish. Allahu ka thënë: “Përveç agjërimit, ai është për Mua dhe Unë shpërblej për Të, ngase agjëruesi e lë epshin dhe ushqimin për hir Timin.” Muslimi.

[1] Ndërsa mëkatet e mëdha, siç përmendin dijetarët, shlyhen vetëm me pendim të sinqertë.

•┈ ┈• • ✦ • •┈ ┈•
Ndejat e Ramazanit
? Hoxhë Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit