Vonimi pa arsye i kazasë së ditëve të paagjëruara të Ramazanit deri në Shaban

Komisioni i përhershëm për studime shkencore dhe fetua

Pyetje: A i lejohet gruas myslimane ta vonojë agjërimin e (ditëve të) Ramazanit (të kaluar) deri në vitin e ardhshëm, për shkak se, gjatë Ramazanit, ka qenë me mense apo lehoni? E, nëse nuk i mundësohet t’i agjërojë vitin e ardhshëm, a i lejohet t’i agjërojë pas dy viteve, për shkak se ka qenë e zënë me arsye të ndryshme, si sëmundja, ose për shkak se nuk e ka përballuar agjërimin dhe kazanë? Kësaj gruaje që nuk mund ta përballojë agjërimin dhe e ka të vështirë t’i bëjë kaza ato ditë të paagjëruara, a i lejohet në vend të agjërimit të prej kurban, apo çfarë të bëjë?

Përgjigje: I lejohet gruas ta vonojë agjërimin e (ditëve të) Ramazanit (të kaluar) deri në Shaban, edhe nëse për këtë nuk ka ndonjë arsye. Mirëpo, më mirë është që ta përshpejtojë kazanë. I lejohet gruas e cila ka ngrënë gjatë Ramazanit për shkak të menstruacioneve apo lehonisë, ta vonojë kazanë, për shkak të ndonjë sëmundje apo dobësie të përgjithshme që shkaku i saj, nuk mund ta përballojë agjërimin, edhe nëse zgjatet koha (e kazasë) deri në një apo dy vite. Nëse shërohet dhe forcohet, atëherë e ka obligim ta përshpejtojë kazanë e ditëve të humbura. Nëse e humb shpresën se do mund t’i bëjë kaza ndonjë ditë, atëherë e ka obligim të ushqejë për çdo ditë të Ramazanit të cilën e ka prishur (me ngrënie) nga një të varfër. Ky ushqim duhet të jetë gjysmë sa’ për çdo ditë (të paagjëruar) prej ushqimit kryesor që është bërë i zakonshëm për njerëzit e atij vendi, si: mielli, hurmat, orizi, misri dhe të ngjashme me këto. Nëse të gjithë ushqimin e tubon dhe ia jep një të varfëri ose më shumë për krejt (ditët e) Ramazanin, atëherë nuk ka të keqe në këtë.

Me Allahun vjen suksesi. Salatet dhe selamet qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhamed, dhe mbi familjen dhe shokët e tij.

Fetuaja me numër: 4909. Vëllimi nr. 10, faqe nr. 338.
Anëtarët e komisionit:
Kryetar: AbdulAziz bin Abdilah bin Baz.
Zëvendëskryetar: AbduRrezak Afifij.
Anëtar: Abdullah Kuud.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit