Zekati i fitrit  

Zekati i fitrit

 

Allahu në fund të muajit Ramazan na ka ligjësuar një prej obligimeve, që është dhënia e zekatit të fitrit, para faljes së namazit të Bajramit. Në këtë ndejë do të flasim për gjykimin mbi zekatin e fitrit, për urtësinë, llojin, sasinë, kohën kur duhet të jepet dhe vendin.

  • Gjykimi mbi zekatul fitr (zekatin e fitrit)

Zekatul fitr – زكاةَ الفطر është farz (obligim). Allahu, përmes gjuhës së Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, ua ka bërë muslimanëve të obligueshme dhënien e zekatul fitrit. Atë që e ka bërë të obligiueshme Pehgamberi salAllahu alejhi ue selem për umetin e tij, është njëjtë sikur ta kishte bërë Allahu, vendimi për të është sikur ta kishte urdhëruar vetë Ai. Allahu thotë: Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut. Sa për ata që kthejnë kokën mënjanë, Ne nuk të kemi dërguar që të jesh rojtar i tyre.” Nisa 80. Dhe thotë: “Këdo që e kundërshton të Dërguarin, pasi i është dhënë udhëzimi dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve (sahabëve), Ne e lëmë të ecë andej nga është nisur dhe do ta përcëllojmë në zjarrin e Xhehenemit; eh, sa vendbanim i keq që është ai!” Nisa 150. Dhe thotë: Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë[1], e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj.” Hashr 7.

Zekatul fitri është obligim për çdo kënd prej muslimanëve, të rritur e të vegjël, meshkuj e femra, të lirë dhe skllevër. Argument për këtë është fjala e Abdullah ibn Umerit radijAllahu anhu i cili ka thënë: “I Dërguari i Allahut e ka bërë obligim (farz) zekatul fitrin kur përfundon Ramazani një sa’a prej hurmave apo prej elbit, për të lirin e skllavin, për mashkullin e femrën, për të madhin e të voglin, prej muslimanëve.” Buhariu dhe Muslimi. Kurse, për fetusin që është në barkun e nënës nuk është obligim, përveç nëse personi do vullnetarisht ta japë zekatul fitrin për të atëherë nuk ka të keqe. Prijësi i besimtarëve, Uthmani radijAllahu anhu e ka dhënë zekatul fitrin edhe për fetusin që ka qenë në barkun e nënës, jo si gjë obligative, por e preferuar.

Njeriu obligohet që ta japë zekatul fitrin për veten e tij dhe për çdokënd që është nën kujdestarin e përgjegjësinë e tij (gruaja, fëmija), nëse ata nuk kanë mundësinë për ta dhënë për veten e tyre. E nëse kanë mundësinë ta japin vetë, atëherë më mirë dhe më parësore është që ata vetë ta japin për veten e tyre, ngase në origjinë prej tyre kërkohet kjo gjë.

Zekatul fitri nuk bëhet obligim për atë të cilit nuk i mjafton për të nxjerrë zekatul fitrin pasi i llogarit shpenzimet elementare të ditës dhe natës së Bajramit, për veten dhe familjen. Nëse atij nuk i tepron sasi nga ushqimi që e posedon për ta nxjerrë zekatul fitrin, atëherë  nuk e ka obligim atë. Nëse i tepron, aq sa është zekatul fitri, pas llogaritjes së shpenzimeve elementare të ditës dhe natës së Bajramit, atëherë e ka obligim atë. E nëse i mbetet sasi nga ushqimi më pak sesa që nxjerrët zekatul fitr, atëherë jep aq sa ka, edhe nëse është më pak sesa një sa’a, sepse Allahu thotë: “frikësojuni Allahut sa të mundeni” Tegabun 16, ndërsa Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Kur t’ju urdhëroj për diçka, veprojeni sipas mundësive.” Buhariu dhe Muslimi. D.m.th.: nëse nuk ke mundësi plotësisht, atëherë e vepron pak  (sipas mundësisë).

  • Urtësitë e dhënies së zekatul fitrit

Urtësitë janë shumë të dukshme dhe të qarta:

-bamirësia ndaj të varfërve. Përmes dhënies së zekatul fitrit u mundësohet të varfërve që në ditën e Bajramit të mos e shtrijnë dorën për lypje, u mundësohet që edhe ata të jenë bashkëpjesëmarrës në gëzimin dhe lumturinë e ditës së Bajramit së bashku me pjesën tjetër të muslimanëve, në mënyrë që kjo ditë të jetë ditë e festës për të gjithë muslimanët.

-stolisja me morale të larta e të mira, siç është fisnikëria, bujaria, shtimi i dashurisë ndaj të qenit përdëllestar për të tjerët kur kanë nevojë.

-pastrimi i agjërimit prej të metave e mangësive që kanë ndodhur gjatë agjërimit nga agjëruesi, si: nga fjalët e kota, të këqija, të padobishme, apo ndoshta ka vepruar edhe mëkate.

-shfaqja e mirënjohjes dhe e falënderimit nga agjëruesi ndaj Allahut për mirësitë që ia k dhënë, gjithashtu e falënderon Atë që ia ka mundësuar ta përmbyllë agjërimin e muajit të Ramazanit, që ia ka lehtësuar e mundësuar veprimin e veprave të mira në këtë muaj. Ibn Abbasi radijAllahu anhu ka treguar: “I Dërguari salAllahu alejhi ue selam e ka bërë obligim dhënien e zekatul fitrit si pastrim për agjëruesin, prej fjalëve të kota (të padobishme) e të ndyra, dhe si ushqim për të varfrit. Andaj, kush e jep atë para namazit të Bajramit, Allahu e pranon si zekatul fitr e kush e jep pas namazit të Bajramit, është lëmoshë sikur lëmoshat e tjera.” Ebu Daudi dhe ibn Maxheh.

  • Llojet e ushqimit që nxjerrën si zekatul fitr

Ajo që është obligim të jepet si zekatul fitr duhet të jetë ushqim për të varfrit, nga ushqimet që i përdorin banorët e vendit, si: hurma, miell, oriz, rrush i thatë etj. Ibn Umeri radijAllahu anhu ka treguar: “I Dërguari salAllahu alejhi ue selem e ka bërë obligim zekatul fitrin kur të përfundojë Ramazani një sa’a hurma dhe një sa’a elb.” Në atë kohë elbi ka qenë ushqim me të cilin njerëzit kanë përgatitur bukën për ta ngrënë. Po ashtu Ebu Sejid el Hudriu radijAllahu anhu ka treguar: “Në kohën e të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem si zekatul fitr kemi nxjerrë një sa’a prej ushqimit, në ditën e Bajramit. Ushqimi ynë atëherë ka qenë elbi, rrushi i thatë, qumështi i tharë (në formë të djathit) dhe hurmat.” Buhariu dhe Muslimi.

Nga kjo kuptojmë se nuk lejohet nxjerrja e zekatul fitrit si ushqim i kafshëve, ngase Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka bërë obligim që të jetë ushqim për njerëzit e varfër, e jo për kafshët. Po ashtu, nuk lejohet nxjerrja e tij si rroba, apo enë, e gjëra të kësaj natyre. Çfarë nuk është ushqim i njerëzve, nuk lejohet të nxjerrët si zekatul fitr. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka caktuar dhe e ka bërë obligim që zekatul fitr të nxjerrët si ushqim, andaj nuk lejohet të tejkalohet ajo që e ka përcaktuar dhe e ka bërë obligim ai salAllahu alejhi ue selem. Gjithashtu nuk lejohet nxjerrja e zekatul fitr si monedhë në vlerën e ushqimit.[2]

Arsyet se pse nuk lejohet nxjerrja e zekatul fitrit në diçka tjetër përveç ushqimit:

-kjo është në kundërshtim me atë që na ka urdhëruar Pejgameri salAllahu alejhi ue selem, i cili ka thënë: “Ai që e vepron një gjë që nuk është prej fesë sonë, ajo refuzohet.” Buhariu dhe Muslimi, dhe: “Ai që shpik në fe diçka që nuk është prej saj, i refuzohet.” Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka urdhëruar dhënien e ushqimit (si zekatul fitr), e nëse ne e kundërshtojmë urdhrin e tij (duke dhënë diçka tjetër), kjo vepër nuk na pranohet tek Allahu.

-është në kundërshtim me veprën e sahabëve. Ata e kanë nxjerrë atë si ushqim. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: Kapuni për sunetin tim dhe të udhëheqësve të drejtë që vijnë pas meje.” Tirmidhiu, ibn Maxheh dhe të tjerë. Zekatul fitr është adhurim i obliguar i një lloji të caktuar (Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka caktuar se në çfarë lloji të nxjerrët), andaj nuk lejohet të nxjerrët prej një lloji tjetër, përmes të cilit e adhuron Allahun. E dimë se lejohet të jepet lëmoshë nga parat kush ka mundësi, e ndërsa te zekatul fitri është caktuar lloji. Ashtu siç nuk lejohet nxjerrja e dhënia e zetatul fitrit jashtë kohës së tij (të përcaktuar), po ashtu nuk lejohet të jepet prej një lloji tjetër.

-kur Pejgameri salAllahu alejhi ue selem e ka caktuar (se çfarë të nxjerrët) dhe e ka bërë obligim zekatul fitrin, ka caktuar lloje të ndryshme prej ushqimeve, siç pamë hadithin më lartë. Zakonisht këto llojet e ndryshme të ushqimeve kanë dallime në vlera, disa janë më shtrenjtë e disa më lirë, në çdo kohë. Sikur të ishte çështja që të merret në konsideratë vlera e ushqimit, atëherë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem do ta caktonte një lloj të ushqimit për t’u dhënë si zekatul fitr, e pastaj llojet e tjera do t’i llogariste në bazë të vlerës së atij ushqimi, mirëpo ai nuk ka vepruar kështu, por ka caktuar lloje të ndryshme të ushqimeve për t’u nxjerrë si zekatul fitr.

-me këtë gjë (me nxjerrje të diçkaje tjetër si zekatul fitr, e jo si ushqim) zekatul fitrin e përjashton nga të qenit një simbol i dukshëm e shenjë dalluese e muslimanëve në Ramazan dhe bëhet një lëmoshë e fshehur, që nuk e sheh askush përveç atij që e jep. Kur jepet një sa’a nga një ushqim, një sa’a nga një ushqim tjetër, atëherë kështu bëhet diçka e dukshme, e njohur, që shihet qartë në mesin e myslimanëve, gjë të cilën e dallon çdokush, edhe nëse është fëmijë apo i rritur; shohin matjen, shpërndarjen etj. E do të ishte ndryshe nga kjo nëse secili do ta jepte (si diçka tjetër) në vlerë të ushqimit. Kështu, këtë do ta dinte vetëm ai që e ka dhënë dhe ai që e ka marrë, duke mos pasur të tjerët njohuri.

  • Sasia e zekatul fitrit

Sa i përket sasisë, jepet një sa’a (me sa’a-në e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem). Pesha e një sa’a (me peshën në terminologjinë islame që është mithkal), është 480 mithkal, prej miellit të mirë, kualitet. Kurse me gram i bie 2040 g prej miellit të mirë, ngase pesha e një mithkal është 4.25 g, nëse shumëzohet me 480 i bie 2040 g. Nëse dikush do ta dijë se sa ka peshuar një sa’a e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, le ta marrë një enë në të cilën i vendos 2040 g miell, e pastaj në masën 2040 g që zë kjo enë, le të masë edhe ushqimet e tjera me të, si: oriz, hurma etj., e të tjera që janë prej ushqimeve të banorëve të vendit. Përmes saj i matë edhe ushqimet e tjera, aq sa zë 2040 g.

  • Koha kur bëhet obligim nxjerrja e zekatul fitrit

Kjo është para se të perëndojë dielli në ditën e fundit të Ramazanit, me hyrjen e natës së Bajramit (me hyrjen e namazit të akshamit). Kuptimi i kësaj është se nëse një musliman e ka pasur obligim ta nxjerrë zekatul fitrin dhe është gjallë para se të perëndojë dielli, atëherë e ka obligim ta nxjerrë atë. Nëse dikush vdes pak para se të perëndojë dielli, është obligim që ta nxjerrin për të zekatul fitrin, prej pasurisë së tij, apo e nxjerrin të afërmit e tij prej pasurisë së tyre. E nëse vdes disa çaste a disa minuta pasi ka perënduar, nuk e ka obligim atë. Gjithashtu nëse fëmija lind pas perëndimit të diellit, qoftë nëse janë disa çaste a minuta para, nuk është obligim nxjerrja e zekatul fitrit për të, edhe pse siç thamë është mirë dhe e preferuar të veprohet kjo, siç ka vepruar Uthmani radijAllahu anhu. E nëse lind para perëndimit të diellit, për disa çaste a minuta para, është obligim të jepet zekatul fitri për të.

Argument se pse është caktuar perëndimi i diellit në ditën e fundit të Ramazanit, me hyrjen e natës së Bajramit, si kohë kur bëhet obligim dhënia e zekatul fitrit nga muslimani, është se siç pamë në hadithet më lartë ky lloj i zekatit, pra zekatul fitri, i atribuohet fitrit, në transmetim ishte: “I Dërguari i Allahut e ka bërë obligim (farz) zekatul fitrin kur përfundon Ramazani…”. Fitr (فطر) d.m.th. kur mislimani nuk agjëron më (e përfundon Ramazanin). E kur përfundon agjërimi i Ramazanit? Përfundon me hyrjen e natës së Bajramit (kur perëndon dielli në ditën e fundit të muajit Ramazan). Tashmë është fitër, pas kësaj ai ha e nuk e ka obligim agjërimin të nesërmen. Pra, ky zekat i është bashkëngjitur fjalës fitr, e cila tregon atë se kur muslimani e përfundon agjërimin (e Ramazanit). Dhe dijetarët për shkak të kësaj kanë caktuar se perëndimi i diellit është koha që merret si kriter se kur është obligim të nxjerrët zekatul fitri, andaj e kanë lidhur ngushtë këtë vendim me këtë kohë.

Sa i përket kohës se kur duhet dhënë zekatul fitri, janë dy kohë:

  • Koha e preferuar– të jepet në mëngjesin e ditës së Bajramit para se të falet namazi i Bajramit. Ebu Sejid el Hudriu radijAllahu anhu tha në hadithin më lartë: “Në kohën e të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem në ditën e fitrit (Bajramit) e kemi nxjerrë një sa’a prej ushqimit…” Buhariu dhe Muslimi. Ibn Umeri radijAllahu anhu ka thënë: “I Dërguari salAllahu alejhi ue selem ka urdhëruar që zekatul fitri të jepet para se të shkohet në musala (vend-falje) për të falë namazin e Bajramit.” Buhariu, Nesaiu, imam Ahmedi. Pra, koha më e preferuar (e mirë) është të jepet para se të dalin njerëzit nga shtëpitë për ta falë namazin e Bajramit. Për këtë, në Islam, gjë e preferuar dhe më e mirë është që namazi i fitër Barjamit të shtyhet pak më shumë sesa që është e zakonshme, në mënyrë që njerëzit të kenë kohë të mjaftueshme për ta dhënë zekatul fitrin.
  • Koha e lejuar– një ose dy ditë para Bajramit. Nëse zekatul fitri jepet në këtë kohë, pranohet dhe kjo lejohet, por më herët (se kaq) nuk lejohet të jepet. Nafiu tregon: “Ibn Umeri radijAllahu anhu ka dhënë zekatul fitrin për të madhin dhe të voglin, madje e ka dhënë edhe për fëmijët e mi. Ua ka dhënë atyre të cilët e kanë pranuar atë (kanë qenë nevojtarë), një ose dy ditë para Bajramit.” Kështu ka qenë veprimi i sahabëve.

Nuk lejohet vonimi i dhënies së zekatul fitrit pasi të falet namazi i Bajramit. Nëse e vonon pa arsye duke e dhënë pas faljes së namazit të Bajramit, nuk pranohet, ngase kjo është në kundërshtim me atë që ka urdhëruar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, siç pamë në hadithet më lartë, prej tyre: Ibn Abbasi radijAllahu anhu ka treguar: “…ai që e jep atë para namazit të Bajramit, Allahu e pranon si zekatul fitër e kush e jep pas namazit të Bajramit, është lëmoshë sikur lëmoshat e tjera.” Ebu Daudi dhe ibn Maxheh. Mirëpo, nëse e vonon me arsye sheriatike, nuk ka të keqe të jepet edhe pas namazit të Bajramit, p.sh.: dikë e zë namazi i Bajramit në shkretëtirë apo në mal, dhe nuk e ka askënd afër që t’ia japë zekatul fitrin, apo nuk e ka pasurinë e tij afër vetes që t’ua japë zekatul fitrin të tjerëve, andaj ky person kur të kthehet në shtëpi nuk prishë punë që ta japë atë edhe pse është falur namazi i Bajramit; dikë e befason dita e Bajramit- kjo është në vendet ku shikohet me sy hëna e muajit të ri- nuk e di se është Bajram dhe e kupton se ka hyr Bajrami apo muaji Shewal vetëm pasi ta falë namazin (e sabahut) apo pak para se të falet duke mos pasur mundësi ta japë zekatul fitrin, këtij i lejohet ta japë atë pas namazit të Bajramit; dikush e ka autorizuar një person për ta dhënë zekatul fitrin për të, porse ky ka harruar dhe nuk e ka dhënë veçse pas namazit të Bajramit, ai ka arsye sheriatike dhe i lejohet e i pranohet edhe nëse e jep pas namazit të Bajramit.

Është obliglim që zekatul fitri t’iu mbërrijë atyre që e meritojnë atë, apo atyre të cilët e marrin përsipër këtë detyrë (përcjelljen, shpërndarjen), siç thamë para faljes së namazit të Bajramit, p.sh.: nëse dikush e bën nijet që t’ia japë një personi të caktuar porse nuk e takon atë, e as nuk e takon personin i cili mund t’ia përcjellë atij, para se të falet namazi i Bajramit, atëherë ai duhet t’ia japë dikujt tjetër që e meriton atë dhe nuk lejohet ta vonojë pas kohës së ligjshme, të cilën e ka caktuar sheriati.

  • Kujt i jepet zekatul fitri?
  • Të varfërve, nevojtarëve

Siç pamë nga hadithet më lartë, zekatul fitri i jepet të varfërve apo nevojtarëve, në vendin ku është personi atëherë kur hyn koha (e ligjshme) kur nxjerrët ai, qoftë ky vend atdheu i tij apo një vend tjetër.[3] Nëse koha e nxjerrës së zekatul fitrit e zë personin në një vend tjetër islam,[4] lejohet ta japë tek të varfrit e këtij vendi, sidomos nëse është vend që ka vlerë të madhe siç është Meka e Medina, apo nëse të varfrit e atij vendi janë më të nevojshëm për ta marrë zekatul fitrin sesa të varfrit e vendit të tij. Nëse në një vend nuk ka të varfër e nevojtarë që e meritojnë dhe e marrin zekatul fitrin, apo personi nuk di se kush janë ata,[5] atëherë lejohet të jepet në një vend tjetër ku ka të varfër e nevojtarë që e meritojnë dhe e marrin atë, ose e jep vetë ose e autorizon dikë për këtë.

  • Borxhlinjve

Ata që kanë borxhe, të cilët nuk kanë mundësi ta paguajnë atë. Këtyre u jepet zekatul fitri në atë sasi sa kanë nevojë.[6]

Lejohet që një zekatul fitr të shpërndahet te shumë të varfër, në pjesë. Dhe lejohet që zekatul fitri të tubohet prej shumë personave e t’i jepet një të varfri. Kjo ngase Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka caktuar sasinë obligative për zekatul fitrin, mirëpo nuk e ka caktuar numrin e personave apo sasinë për persona. Andaj, je i lirë të zgjedhësh, pra ose e ndan zekatul fitrin duke e dhënë te disa të varfër ose tubohet nga disa persona dhe i jepet një të varfri. Nëse disa muslimanë e masin zekatul fitrin, e mbledhin dhe e vendosin në një thes (a diku tjetër), atëherë lejohet t’i jepet një të varfri apo disa të varfërve, pa e matur rishtas, nuk e kanë më obligim ta peshojnë përsëri dhe t’ia japin çdo të varfri nga një zekatul fitr, porse e japin pa e matur, kjo pranohet dhe lejohet. Mirëpo, është mirë që të njoftohet i varfri para se ta marrë zekatul fitrin se nuk e dimë se sa është sasia, se a është më shumë a më pak, në mënyrë që të mos mashtrohet e të mendojë se kaq qenka sasia dhe pastaj edhe ai ta japë zekatul fitrin, kjo ngase të varfrit i lejohet ta japë zekatul fitrin tek tjetri për veten e tij apo për familjarët e tij prej atij zekatul fitri që i jepet, porse kjo me kusht që t’i caktohet ajo sasi të cilën e ka caktuar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe t’i jepet; apo dikush i besueshëm t’i tregojë të varfrit se kjo sasi (që ia kanë dhënë të tjerët si zekatul fitr) është sasi e saktë dhe të lejohet t’i japësh dikujt tjetër (si zekatul fitr).

 

[1] Çfarë ju urdhëron zbatojeni.

[2] Edhe monedhat kanë ekzistuar në atë kohë, (zekatul fitri nuk është nxjerrë në këtë formë), porse Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem nuk ka urdhëruar që të nxirret si para.

[3] Nëse ka nevojtarë në vendin tënd, nuk bën që zekatul fitri të dërgohet në një vend tjetër. Ai nxirret në vendin ku besimtari e përfundon muajin e Ramazanit, jo ku e ka filluar atë. Nëse ata për të cilët e ka obligim të përkujdeset janë në një vend tjetër, atëherë ai ka dy mundësi: -të japë atë për vete dhe për ata që i ka nën përkujdesje në vendin ku e ka zënë përfundimi i Ramazanit, -t’i autorizojë ata (që i ka nën përkujdesje) në vendin tjetër në të cilin janë që ta japin zekatin e fitrit (për të dhe për vetë ata).

[4] E njëjta gjë vlen edhe për atë që jeton në ndonjë vend jomusliman.

[5] Në rast se personi nuk e di, por ka shoqata bamirëse përgjegjësit të cilave i dinë se ku ndodhën të varfrit në atë vend, atëherë lejohet t’ua dërgojë atyre, e pastaj ata ua shpërndajnë të varfërve që i njohin, qoftë në fshatra apo brenda qytetit, me kusht që ata (shoqatat) të jenë të besueshëm.

[6] Nuk është fjala për ta paguar borxhin. Borxhlinjve për ta paguar borxhin u jepet zekati i pasurisë (jo zekatul fitri).

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Libri “Ndejat e Ramazanit” – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit